Europa e ka të vështirë t’i kontrollojë xhihadistët e kthyer nga Siria

Qindra xhihadistë nga Europa fitojnë përvojë lufte në Siri. Marwan Abou-Taam ekspert i islamizmit në policinë e kriminalistikës, shpjegon për DW, se përse të kthyerit nga Siria janë problem për autoritetet e sigurisë.

 “Edhe sikur ata të mos kenë asnjë mandat për të kryer sulme këtu, ata janë të rrezikshëm, sepse janë të pakontrollueshëm”, thotë ai.

Çfarë rreziku paraqesin luftëtarët xhihadistë, që kthehen nga Siria apo Iraku në Gjermani apo në vende të tjera evropiane?
Marwan Abou-Taam: Problemi me të kthyerit është së pari, se ata kanë qenë fillimisht të radikalizuar, ndaj kanë shkuar në luftë. Unë besoj fort, se një pjesë e atyre, që kanë qenë atje, zhgënjehen dhe ndoshta madje heqin dorë prej idesë së xhihadit. Një pjesë tjetër, sipas mendimit tim, është e rrezikshme për arsyen se kemi të bëjmë me persona, të cilët kanë krijuar urrejtje ndaj mënyrës perëndimore të jetesës e janë larguar duke u konfrontuar me vdekjen – pra kanë parë të vdekur ose janë vrarë edhe vet. Ata janë – përveç pasojave të radikalizimit – edhe të traumatizuar dhe janë stërvitur me armë. Edhe sikur ata të mos kenë asnjë mandat për të kryer sulme këtu, ata janë të rrezikshëm, sepse janë të pakontrollueshëm. E ka gjithashtu edhe një grup të tretë personash, të cilët ndoshta kthehen në Europë me mandat të caktuar dhe duan ta përçojnë xhihadin në shoqëritë europiane. Këta janë veçanërisht të rrezikshëm, sepse janë të gatshëm për dhunë.

A munden autoritetet e sigurisë ta zgjidhin këtë problem?
Ne kemi një situatë që nuk është plotësisht e kontrollueshme, sepse ka edhe një grup, për të cilët autoritetet e sigurisë nuk kanë aspak dijeni, që ata kanë udhëtuar dhe kanë shkuar në luftë në Lindjen e Mesme. Ky grup i katërt klandestin mund të punojë këtu pa u vënë re. Këto janë rreziqe konkrete për shoqëritë e këtushme.

Mbrojtja kushtetuese llogarit të ketë rreth 450 xhihadistë, që kanë udhëtuar nga Gjermania për në Siri. Sa mund të jetë shifra e panjohur?
Grupi, që ne nuk e njohim fare, është me gjasë më i madh nga ai grup, për të cilin ne e kemi konstatuar udhëtimin. Problematikja në Siri – krahasuar p.sh. me Afganistanin – është, se udhëtimi për në Siri është relativisht i thjeshtë. Nëse udhëton nga Gjermania drejt Turqisë, nuk bie në sy, sepse ka shumë njerëz që udhëtojnë drejt këtij destinacioni. Nuk mund të kontrollohet, se kush shkon atje për pushime dhe kush vazhdon rugën drejt rajoneve kufitare.

A ka ndodhur vërtetë, që luftëtarët xhihadistë të jenë kthyer me një mandat?
Ne e dimë prej atentatorit ndaj muzeut hebre në Bruksel. Francezi kishte qenë në Siri jo ndonjë luftëtar i zakonshëm, por ka dëshmi të dëshmitarëve, se ai ka qenë pjesëmarrës në rrëmbimin e shtetasve francezë. Kjo do të htotë, se atje ai ka sulmuar me objektiv të qartë interesat franceze. Mund të mendohet pra, se ai është kthyer me vendimin për të kryer një sulm në Europë. Në Gjermani kemi pasur rastin e grupit të Sauerlandit, anëtarët e të cilit kishin shkuar drejt Afganistanit, për të marrë pjesë atje në xhihad dhe prej andej morën mandatin, të kthehen për të kryer një sulm në vendin e origjinës. Pra ka shmebuj për mandatin, që u është dhënë të kthyerve prej organizatave.

A mund të shtohet ky rrezik, në rast se organizata terroriste "Shteti Islamik" (IS) në Siri dhe në Irak do të vihet nën presion?
Afatshkurtër me siguri. Unë madje mendoj, që IS mund ta përdorë si strategji që të dërgojë luftëtarë për të kryer atentate. Duhet të bëjmë të qartë, që ka një dallim cilësor ndaj Al Kaidas: Luftëtarët e Al Kaidas kanë qenë në radhë të parë arabë nga Gjiri Persik, të cilët në pjesën më të madhe nuk kanë pasur nënshtetësi europiane. Po të kujtojmë atentatorët e 11 shtatorit 2001 – asnjëri nuk ka pasur pasaportë euopiane. Ndërsa në udhëtimet drejt Sirisë e Irakut ne kemi të bëjmë sot kryesisht me persona, që kanë origjinë të hershme europiane ose janë me prejardhje migracioni, por kanë nënshtetësi europiane, pra janë ose francezë, ose gjermanë. Këta mund të kthehen fare thjeshtë në shoqëritë perëndimore – veçanërisht kur largimi i tyre nuk është regjistruar aspak – e kësisoj ata mund të realizojnë mandatin, të kryejnë terror në shoqëritë perëndimore.

A e ka rritur pjesëmarrja e shteteve perëndimore në luftën kundër IS rrezikun për sulme në Europë?
Tani për tani mendoj, se angazhimi i Europës dhe i botës perëndimore në Irak dhe në Siri ndikon në rritjen e rrezikut për atentate. Nga ana tjetër duhet të them, se logjika e Al Kaidas dhe degëve të saj IS dhe Al Nusra gjithmonë ka parashikuar, që të godasë kudo që është e mundur. Rreziku tani është shtuar, por në fakt ai ka ekzistuar gjithmonë.

A mund të ketë një valë kthimesh, nëse ndryshon situata për IS?
Në Afganistan ne kemi konstatuar, që disa janë kthyer. Atje megjithatë kemi një situatë, ku shpesh has në endacakë, pra luftëtarë që udhëtojnë nga një rajon konflikti në tjetrin. Nuk mund të parashikohet, nëse aktivitetet perëndimore ndikojnë, që IS të spostohet tërësisht, por kjo nuk mund të përjashtohet. Amerikanët thonë, se duhen të paktën tre vjet, për ta dobësuar IS. Unë nuk besoj, që do të ketë ndonjë valë të kthyerish.

Marwan Abou-Taam është përgjegjës në zyrën e kriminalistikës së qarkut Rheinland-Pfalz për sektorin "kriminaliteti i motivuar politikisht". Ai ka mbrojtur doktoraturën në shkencat e islamit dhe ato politike mbi terrorizmin islamik.

SHKARKO APP