Evis Kushi: E majta i fiton bindshëm zgjedhjet lokale

Intervista/ Flet për “Koha Jonë” lidhur me ngjarjet e fundit politike në vend, deputetja e PS-së

Evis Kushi është një nga deputetet femra më të reja të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo përfaqëson qarkun e Elbasanit nën siglën e Partisë Socialiste.  Si ish-dekane e Fakultetit Ekonomik të Elbasanit dhe nga eksperienca e saj në mësimdhënie ajo thotë se reforma e shumëdiskutuar në arsim është e nevojshme dhe urgjente. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Kushi duke mos dashur të komentojë përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga Grupi Parlamentar i PS-së rrëfen se është e sigurtë që nuk do të ndikojë tek e nesërmja dhe nuk e cenon aspak, as Partinë Socialiste dhe as qeverinë. Ndër të tjera ajo flet edhe lidhur me zgjedhjet lokale dhe reformën territoriale…

Intervistoi: Sidorela Lepuri

E majta fitoi bashkitë më të mëdha në vend gjatë zgjedhjeve të kaluara. Me reformën e re territoriale a do ta ketë më të lehtë fitoren në zgjedhjet lokale Partia Socialiste?

Koalicioni i të majtës do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet lokale, dhe jo siç pretendon opozita për shkak të hartës së re territoriale, por si rezultat i të gjitha reformave rrënjësore dhe rezultateve të dukshme të qeverisjes në të gjithë sektorët, ekonomi, energjetikë, bujqësi, etj. Dhe sigurisht që midis tyre një nga reformat më të rëndësishme dhe historike për vendin është pa diskutim edhe reforma e ndarjes së re administrativo-territoriale, që do të sjellë rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, moderinizimin e tyre, si dhe rritjen e buxheteve vendore nga mirëadministrimi dhe racionalizimi i kostove administrative dhe operative.

Por, përveç kësaj, unë mendoj që fitorja në zgjedhjet lokale do të varet shumë nga përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë në 61 bashkitë e reja të vendit. Unë jam shumë e bindur që e majta në Shqipëri ka shumë kapacitete me profil të lartë profesional dhe intelektual, apo edhe figura të spikatura politike që mund të shërbejnë si kandidatura të përshtatshme për t’i administruar dhe zhvilluar suksesshëm zonat e tyre.

 

Me ardhjen në pushtet të së majtës një nga prioritetet ka qenë arsimi, për të cilën kërkohen reforma. A mendoni se jeni duke i zgjidhur problemet më të mprehta të arsimit tonë?

Në fillim dua të theksoj se situata e arsimit në Shqipëri ka qenë shumë dramatike  kur e majta erdhi në qeverisje. Pjesa më e madhe e shkollave, sidomos ato në zonat e thella rurale, u gjetën jashtë të gjitha standardeve apo kushteve minimale për të zhvilluar aktivitetet mësimore. Probleme të mëdha u konstatuan lidhur me tekstet shkollore, pajisjet dhe mjetet didaktike, transportin e nxënësve dhe mësuesve, mungesën e internetit, dhe sidomos niveli i ulët i mësimdhënies. Kjo e fundit ka ardhur si pasojë e emërimeve që kanë qenë kryesisht politike dhe korruptive, çka ka sjellë gjithashtu edhe një numër të lartë mësuesish jashtë profili apo pa arsim përkatës. Në një situatë të tillë, kur problemet janë kaq të shumta dhe të mprehta, reformat duhet të jenë tepër të kujdesshme dhe të matura, për të siguruar rezultate pozitive dhe zgjidhje të problemeve. Unë mendoj që rruga që ka zgjedhur qeveria të ndjekë dhe masat që ka marrë deri tani janë të drejta, prandaj ndjehem vërtetë optimiste për të ardhmen e arsimit në Shqipëri.

 

Ka pasur shumë zëra kundër kësaj reforme nga pedagogë dhe studentë të universitetit të Tiranës. A mund të na thoni se cilat janë avantazhet e kësaj reforme dhe a është ky momenti i duhur për impementimin e kësaj reforme?

Në fakt, përsa i takon reformës në arsimin e lartë, hapi i parë shumë i rëndësishëm ishte vendosja e ligjshmërisë, çka solli vendimin për mbylljen apo pezullimin e disa institucioneve të arsimit të lartë që nuk plotësonin kushtet e kërkuara ligjore. Këta pseudouniversitetete i kanë shkaktuar vendit dëme të jashtëzakonshme, të cilat janë shumë të vështira për t’u rekuperuar. Përveç kësaj, vlen të përmendet edhe procesi i akreditimit të universiteteve, qofshin shtetërore apo private, nga një agjenci e huaj serioze dhe prestigjioze. Kjo gjithashtu do të bëjë vlerësimin e universiteteve, departamenteve, apo qendrave kërkimore shkencore brenda tyre, lidhur me plotësimin e standardeve të funksionimit. Ndërkohë grupi i specializuar i reformës pranë Ministrisë së Arsimit po punon shumë intensivisht përsa i takon ligjit për arsimin e lartë, i cili pas diskutimeve dhe konsultimeve me grupet e interesit do të vijë së shpejti për t’u diskutuar edhe në komisionet parlamentare.

 

Si ish-dekane në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit, dhe nga eksperienca juaj në mësimdhënie, a mendoni se është e drejtë reforma e propozuar në arsim?

Reforma e propozuar është pa dyshim shumë e nevojshme dhe urgjente, sepse sa më shumë të vonohet aq më e vështirë bëhet që të ndreqen gabimet dhe pasojat e rënda që ka pësuar arsimi i lartë gjatë gjithë këtyre viteve. Por nga ana tjetër, siç e theksova edhe më lart, hapat në këtë reformë duhet të jenë të matur, të kujdesshëm dhe të sigurtë. Prandaj këtu duhet të vlerësoj pa dyshim faktin që është hera e parë për arsimin e lartë që një reformë e tillë, kaq e rëndësishme, po konsultohet gjerësisht dhe në detaje me të gjitha grupet e interesit, kryesisht qarqet akademike në të katër anët e vendit. Gjatë diskutimeve gjithmonë ka edhe zëra pro edhe zëra kundër, por e rëndësishme është që të gjithë zërat po dëgjohen, do të vazhdojnë të dëgjohen, dhe në fund të ditës reforma do të jetë tërësore, rrënjësore, dhe do të prekë të gjitha hallkat e sistemit.

 

Pothuajse dy vjet pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe koalicionit të majtë, a besoni se janë krijuar pakënaqësi brenda vetë mazhorancës dhe ka ardhur ndoshta nevoja për ndryshime në qeverisje?

Pakënaqësi sigurisht që ka, është krejt normale, do të habitesha po të ndodhte ndryshe. Pakënaqësitë më të mëdha janë sidomos në bazën socialiste, pasi pritshmëritë e tyre për punësim kanë qenë shumë të larta. Unë sinqerisht i mirëkuptoj shumë nga këto shqetësime apo zhgënjime, pasi socialistët kanë qenë njerëzit më të diskriminuar gjatë tetë viteve të qeverisjes demokratike. Shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës thjesht për arsye politike dhe nuk kanë patur mundësi as për trajnime apo kualifikime për të rritur aftësitë e tyre profesionale.  Por, nga ana tjetër, unë jam shumë e ndërgjegjshme që është krejtësisht e pamundur t’i plotësosh të gjitha nevojat dhe kërkesat për punësime në administratën shtetërore. Për këtë arsye, qeveria me reformat e saj i jep në mënyrë të vazhdueshme një rëndësi të veçantë zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes së investimeve të brendshme apo të huaja. Sektori privat është mënyra më e mirë për të ulur nivelin e papunësisë dhe varfërisë në vend.

 

A ka e majta ndonjë perceptim të opinionit publik dhe personalisht ju si do të vlerësonit procesin e punësimeve në administratë, mbi ç’kritere bëhen ato dhe çfarë ka ndryshuar në krahasim me qeverisjen e kaluar, që çoi edhe në pakënaqësi të mëdha, ndoshta në humbjen e pushtetit prej saj?

Këtu është shumë e dobishme të ndalem shkurtimisht në reformën e ndërmarrë në administratën publike në Shqipëri. Tashmë të gjithë e dimë që sot rekrutimi i punonjësve në këtë administratë realizohet vetëm me anë të konkurseve të zhvilluara nga Departamenti i Administratës Publike, ku fituesi zgjedh institucionin në të cilin do të punojë, bazuar në renditjen e tij në raport me fituesit e tjerë. Kjo reformë, që e ndryshon kryekëput procesin e punësimit nga qeverisja e kaluar, bazohet vetëm në meritokraci, dhe fryma e re e qeverisë aktuale është që ky standart të aplikohet sot në të gjithë sektorët. Mendoj që korrupsioni është plaga më e rëndë që u trashëgua nga qeverisja e kaluar, dhe lufta ndaj tij është sfida jonë më e madhe. Lufta tashmë ka filluar, por patjeter që duhet kohë, sepse për një vit e gjysëm e zeza nuk bëhet dot e bardhë. E rëndësishme është tendenca pozitive në rritje, si dhe masat konkrete të qeverisë për të ndryshuar sidomos sistemin që nxit apo lejon hapësirat korruptive, dhe gjithashtu për të ndryshuar edhe mentalitetin që është rrënjosur thellë tek njerëzit.

 

Si do t’i konsideronit thirrjet për protesta të opozitës, me pretendimet se Shqipëria është zhytur në krizë?

Opozita nuk duhet të harrojë që është përgjegjësi e saj situata e rrënuar ekonomike dhe financiare që gjeti maxhoranca në shtator të vitit 2013. E kam fjalën për rritjen ekonomike negative prej -1.98%, faturat e papaguara borxh ndaj biznesit në një total prej 726 milionë dollarë, humbjet prej rreth 150 milionë euro çdo vit vetëm nga vjedhjet në sistemin elektro-energjetik, mashtrimet ndaj punonjësve për sigurimet shoqërore të paderdhura, e plot dëme të tjera që i kanë shkaktuar ekonomisë dhe financave të vendit.

Pavarësisht akuzave apo thirrjeve të opozitës për protesta, pas një viti reformash të qeverisë, Shqipëria po tregon shenja të qarta se ekonomia po rimëkëmbet, çka shihet jo vetëm në shifrat e rritjes, por edhe në besimin e biznesit. Sigurisht që është akoma herët që kjo rimëkëmbje të ndjehet në masë të konsiderueshme në xhepat e konsumatorëve, por ama shifrat zyrtare tregojnë që konsumi po rritet, dhe aktiviteti ekonomik po rigjallërohet.

 

A mendoni se në Shqipëri ka mjaftueshëm drejtues të paaftë të cilët nuk vlerësojnë të talentuarit e këtij vendi, qofshin këta në fusha të ndryshme?

Në fakt, nuk është e pamundur që në Shqipëri të ketë edhe drejtues të paaftë, por këtu dua t’i rikthehem edhe nje herë reformës së ndërmarrë në administratën publike. Siç e theksova më lart, kjo reformë bazohet në meritokraci, vlerëson më të talentuarit dhe shmang pikërisht përzgjedhjen e punonjësve të institucioneve nga drejtuesit e tyre, qofshin këta të aftë apo të paaftë. Por ajo që vërej me keqardhje është se sidomos të rinjtë janë akoma skeptike dhe mosbesues në këtë reformë për shkak të historisë së viteve të kaluara, kur punësimi varej vetëm nga bindjet politike, lidhjet nepotike, apo aferat korruptive. Pra, e rëndësishme është që sot talentet kanë shanse punësimi, si në administratën shtetërore ashtu edhe në sektorin privat. Ata thjesht duhet të ndërgjegjësohen dhe të vlerësojnë seriozisht pjesëmarrjen nëpër konkurse, të cilat deri tani kanë rezultuar transparente dhe me standarde.

 

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i mbledhur ditën e hënë vendosi përjashtimin e deputetit Tom Doshi, ndërkohë ka pasur akuza të ashpra nga ky i fundit kundrejt koalicionit qeverisës. Ju si do ti komentoni këto zhvillime?

Nuk dëshiroj të komentoj atë çfarë ndodhi ditën e hënë, sepse jam e sigurt që nuk do të ndikojë tek e nesërmja dhe nuk e cenon aspak, as Partinë Socialiste dhe as qeverinë. Unë vazhdoj të insistoj që të rëndësishme për qytetarët shqiptarë janë reformat rrënjësore në çdo sektor, ekonomia, siguria, drejtësia, energjia, arsimi, shëndetësia, mjedisi i biznesit, bujqësia, industria minerare, etj.

SHKARKO APP