Faktorët që kanë ndikuar në radikalizmin dhe rekrutimin e ISIS në Shqipëri
Intervistoi: Entela Resuli/
Çështja e terrorizmit, është një nga temat më të diskutuara sot në botë. Goditja që iu bë Francës të premten e kaluar ka tronditur gjithë Europën.
Për t’u informuar më shumë rreth kësaj teme, por edhe për të kuptuar e marrë përgjigje për disa pyetje, në dukje të thjeshta, se çfarë është ISIS dhe ç’lidhje ka Shqipëria me këto grupime terroriste, ne ftuam në një bisedë Fabian Zhillën.
Ai është ekspert i sigurisë publike, doktoruar në Britaninë e Madhe dhe specializuar në ShBA, pedagog në CIT.
“Një nga synimet kryesore të ISIS është të krijojë përshtypjen që kjo luftë bëhet nga myslimanë dhe në emër të Islamit. Të gjitha veprimet e tyre dhe aktet e tyre çnjerëzore si vrasja e të pafajshmëve, vrasja e myslimanëve, djegia e tyre, shkatërrimi pa arsye i objekteve të kultit, persekutimi i ndjekësve të feve të tjera janë të gjitha në kundërshtim me Kuranin dhe traditën profetike” – thotë Zhilla për Dita-n.
Por çfarë u pa në rrjet pas së shtunës?! Të gjithë përdoruesit e Facebook kanë pasur mundësi këtë fundjavë që foton e tyre të profilit ta kombinojnë me ngjyrat e flamurit francez pas tragjedisë që goditi Parisin.
Dhe në fakt shumë njerëz e kanë bërë këtë në shenjë solidariteti. Por shumë të tjerë në rrjet, kryesisht nga bota arabe, janë indinjuar me këtë “solidaritet të shtirur” të FB.
Javën e shkuar humbën jetën 43 persona në Liban nga një sulm kamikaz, por FB nuk u solidarizua aspak me ta. Shumë mendojnë se Facebook në rastin konkret u tregua “hipokrit”… Më poshtë intervista.
-Fabian, prej disa ditësh gjithë bota jeton me tragjedinë e sulmeve terroriste që ndodhën në Paris. Sipas jush, pse u zgjodh Franca, e cila goditet për të dytën herë brenda këtij viti?
Janë hedhur shumë hipoteza në lidhje me këtë. Në fakt nuk është vetëm ky vend që është sulmuar, por dhe shumë vende të tjera si në Lindje dhe në Perëndim, si Libani, Turqia, Britania Madhe (ka pasur tentativa) dhe së fundi atentati i dështuar në Gjermani. Nëse i referohemi dëshmitarëve të ngjarjes të cilët tregojnë shprehjet dhe britmat e terroristëve gjatë sulmit, duket që këto atentate janë një hakmarrje e ISIS ndaj sulmeve të Francës që janë kryer ndaj ISIS në shtator. Një arsye tjetër e rëndësishme mund të lidhet me mundësitë më të mëdha të ISIS për të rekrutuar të ashtuquajturit “ekstremistë” të lindur dhe rritur në Francë të cilët ndjehen të margjinalizuar dhe të paintegruar në shoqërinë franceze. Tashmë dihet që komunitetet magrebiane dhe sidomos algjerianët të cilët jetojnë në banljë-të (geto periferish) janë të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Dhe ky kontingjent është i ekspozuar ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. Megjithatë duhet cilësuar se në krye të listës të shpallur të shteteve armike të ISIS kryesojnë SHBA, Turqi dhe Arabia Saudite.
ISIS është një ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të mëdha në historinë moderne të shoqërisë. Ajo i ka fillimet që nga Abu Musab Al Zarkaui i cili formoi degën e Al Kaidës në Irak në vitin 2004. Pas vdekjes së Al Zarkauit në vitin 2006, organizata e formuar prej tij u shndërrua në një organizatë më të madhe i cili u quajt Shteti Islamik i Irakut. Kjo organizatë u dobësua nga goditjet e ShBA gjatë luftës në Irak por u refuzua fuqimisht edhe nga myslimanët sunitë të Irakut për egërsinë dhe brutalitetin e saj. Sidoqoftë, drejtuesi aktual, Al Bagdadi, ish i burgosur i amerikanëve, mori drejtimin e saj në vitin 2010 dhe në vitin 2013 filloj të bëhej shumë aktive me sulmet në Irak. Në të njëjtën kohë organizata ju bashkua lëvizjes për të rrëzuar Asadin në Siri. Në prill të vitit 2013 Al Bagdadi shpalli bashkimin e degëve të organizatës së tij në Irak dhe Siri duke e quajtur organizatën Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit. Aktualisht kjo organizatë kontrollon një territor prej rreth 15,000 km2 me një popullsi prej 10 milion banorësh. Ka fitime të konsiderueshme dhe njihet si një ndër organizatat kriminale më të fuqishme financiarisht. Të ardhurat ditore të këtij grupi shkojnë deri në 1 milion USD. Ka një ushtri prej afërsisht 30,000 luftëtarësh të cilët vijnë nga rreth 80 shtete përfshi këtu dhe shumë shtete perëndimore. Shumica janë nga vendet arabe dhe rreth 5,000 vijnë nga perëndimi. Megjithatë mendohet se deri në qershor 2015 të jenë vrarë rreth 10,000 luftëtarë të ISIS.
-Çfarë lidhje ka Shqipëria me ta, po ata me Shqipërinë?
ISIS është një organizatë që ka një formë rekrutimi të sofistikuar duke përdorur në mënyrë shumë efektive propagandën dhe sidomos median sociale. Fillimisht shumë shqiptarë shkuan të luftonin në Siri për të rrëzuar regjimin diktatorial të Asadit, duke ju bashkuar deri diku një shqetësimi ndërkombëtar ndaj krimeve të këtij të fundit në vitin 2012. Deri në atë kohë kishte disa grupe të cilat ishin krijuar dhe e luftonin këtë regjim dhe informacioni ishte i mangët tek shqiptarët. Shumë shqiptarë u zhgënjyen me atë që gjetën atje dhe të paktën rreth 30-40 për qind e tyre u kthyen pa kaluar 3 muaj. Gati të gjithë ata që janë kthyer kanë reflektuar dhe kanë sjellje normale në shoqëri dhe nuk përbëjnë rrezik që të radikalizohen.
-Në djenin tuaj, si janë rekrutuar shqiptarët, nga ISIS?
Në përgjithësi kontakti i parë me ISIS ka qenë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe disa individëve të cilët tashmë janë të arrestuar dhe po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Motivi kryesor ka qenë rrëzimi i regjimit të Asadit dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore pse shqiptarët kanë vajtur në Siri deri në vitin 2014. Pas këtij viti numri i shqiptarëve që kanë shkuar është thuajse 0.
-Çfarë dini ju për shqiptarët e rekrutuar nga ISIS, pse shkojnë dhe i bashkohen këtyre grupimeve, çfarë i shtynë?
Që pas vitit 2014 mendohet që nuk ka më shqiptarë që t’i jetë bashkuar ISIS dhe kjo është një e dhënë mjaft pozitive për të treguar se shqiptarët kanë reflektuar rreth qëllimeve dhe objektivave të vërteta të kësaj organizate terroriste. Ajo që i ka shtyrë kryesisht është gjendja e rënduar e sirianëve dhe më pas ISIS e ka shfrytëzuar këtë objektive për të avancuar agjendën e saj në lidhje me të ashtuquajturën përhapja dhe vendosja e drejtësisë sipas normave fetare islame në botë.
-Po si funksionon, si organizohet jeta…?
ISIS tashmë vepron si një shtet i cili ka aparatin e tij administrativ, monedhën, gjykatat, policinë, ushtrinë dhe sistemin arsimor dhe shëndetësor. Banorët marrin një pension diku tek 150-200$ në muaj dhe shteti është shumë social. Të gjitha shërbimet janë falas. Megjithatë kufijtë kanë një kontroll të rreptë dhe banorët nuk e kanë të lehtë të largohen ose dezertojnë pasi rrezikojnë seriozisht të ekzekutohen.
-Ku mund të çojë synimi i Shtetit Islamik?
ISIS tashmë ka kaluar në një fazë shumë agresive dhe të rrezikshme për çdo shtet i cili është shpallur armik prej tij. Ai ka kaluar nga një luftë frontale në territoret ku ai vepron në akte terroriste në territorin e shteteve të cilat ai i ka shpallur armike. E ndjek këtë strategji për të krijuar kaos, frikë por edhe për të krijuar një sens protagonizmi. Kjo taktikë e ndihmon që represioni ndaj besimtarëve myslimanë në shtetet perëndimore të rritet gjë e cila mund ta ndihmojë ISIS të rekrutojë më lehtë individë nga këto vende.
-Cila kategori e njerëzve apo e besimtarëve, shkon në Siri?
Në përgjithësi ata të cilët kanë vajtur në Siri nga Shqipëria i përkasin një niveli mjaft të ulët arsimor, vijnë nga shtresa të margjinalizuara, kanë një edukatë mjaftë të cekët fetare si dhe shumica dërmuese e tyre vijnë nga fshatrat.
-Fabian, si dhe pse është ‘ngatërruar’ feja myslimane në këtë histori?
Një ndër elementët strategjikë të propagandës së ISIS është të “grabisë” fenë islame për qëllimet e veta. Ndërkohë që sot ISIS është përgënjeshtruar dhe nuk njihet nga asnjë prej dijetarëve myslimanë.
-Sa ndikon varfëria, mungesa e informacionit, te këta njerëz?
Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në radikalizimin dhe rekrutimin e ISIS në Shqipëri kanë qenë situata dëshpëruese në të cilën shoqëria shqiptare ka kohë që është futur. Varfëria dhe edukata e dobët fetare janë gjithashtu disa arsye të tjera të rëndësishme. Të gjitha këto kushte bëjnë që individë të cilët nuk shohin hapësira për t’u plotësuar dhe integruar në shoqëri bien pre e grupeve ekstreme qofshin këto me natyrë fetare apo të çdo ideologjie tjetër.
-Është hapur një diskutim, a shtiret shoqëria shqiptare për keqardhjen ndaj Francës dhe tjetra, pse reagojmë në masë për sulmet në këtë shtet dhe nuk reagojmë për vrasjet në Bagdad… apo ne jemi shoqëri që na kap vala, çfarë bën njeri, bën edhe tjetri, pa e ditur çfarë?
Të reagosh për atë që ndodhi në Paris është sigurisht krejtësisht humane dhe për t’u përgëzuar. Por gjestet e treguara nga shteti shqiptar dhe shoqëria në përgjithësi janë gjeste tipike të shoqërive të kompleksuara ndaj perëndimit. Një ditë zie e shpallur dhe një flamur francez në statusin e Facebook, nuk të bën perëndimor. Do ishte më serioze që shteti shqiptar të shpallte ditë zie për të zhdukurit dhe të vrarët në luftën e Kosovës. Ne ende nuk kemi një muze për këtë tragjedi e cila ndodhi në mes të Europës dhe u shkaktua nga një shtet i cili është kandidat i Bashkimit Europian dhe pritet të parakalojë Shqipërinë në hapjen e negociatave për statusin e plotë të kandidatit në BE. Do të ishte shumë më e ndershme të solidarizoheshim për çdo akti terrorist kudo që ai ndodh pasi një jetë e vrarë pafajësisht nuk duhet të vlerësohet nga ngjyra e pasaportës.
Gazeta Dita