Fischer: Nuk u çliruat as me 28 e as 29 Nëntor, por me 4 Dhjetor
Historiani amerikan ne “Indiana University” i cili do të rishkruajë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore thotë se shqiptarët duhet të jenë krenarë për luftën që bënë, por shton: “Krahas rezistencës ndaj pushtuesit kishte edhe elementë të luftës civile.”
Fischer thotë se Shqipëria nuk u çlirua as më 28 e as më 29 nëntor, por më 4 dhjetor 1944. Otomanët, thotë Fischer, nuk ishin armiq të shqiptarëve ndërsa Zogu nuk duhet të largohej më 7 prill 1939.
Për Fischer, “Edi Rama është politikani i të ardhmes së Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri që ka merita ndërsa Nano ka bërë që vendi të ecë përpara”.
Zoti Fischer, përse pranuat që të jeni anëtar i një komisioni për të rishkruar historinë e Shqipërisë?
Mendoj se procesi i rishkrimit të historisë është një proces mjaft i rëndësishëm. Unë vetë kam qenë dakord që historia të rishkruhet kohë pas kohe, sepse është një proces që ndryshon.
A i njihni anëtarët e tjerë të komisionit dhe cili është mendimi juaj për ta?
I njoh disa prej tyre, si zotin Paskal Milo me të cilin jam takuar në kërkime shkencore në fillim të viteve ’90.
Ju keni shkruar disa libra për Shqipërinë, për kohën e Zogut, për Luftën e Dytë Botërore dhe një për diktatorët e Ballkanit, shtrirë në kohë. Por ju keni shkruar dhe për kohën e pas viteve ‘90. Pse do shkruani për periudhën e Luftës së Dytë Botërore?
Ka qenë një periudhë me mjaft interes për mua, që ka një ndikim edhe tani në Shqipëri.
A ndjeheni ju i privilegjuar që nuk do të kontestoheni, sepse jeni një i huaj, e për më tepër jeni një amerikan?
Mendoj se është diçka pozitive deri në një farë mase; të huajt mund të jenë më objektivë . Ka dhe një pjesë disavantazhi, sepse unë nuk e kam të njëjtën ndjenjë për Shqipërinë siç e ka një që jeton këtu. Mund të them se ka dy anë, një është pozitive dhe një është negative, pasi nuk e njoh Shqipërinë ashtu siç do e njihja nëse do jetoja këtu.
Ju keni një shprehje lapidar, “për të njohur shqiptarët e viteve 2000 duhet të njihni shqiptarët e Luftës së Dytë Botërore”, me një fjalë për të njohur brezin tim duhet të njohësh gjyshërit tanë.
Çfarë lidhje kanë gjyshërit me brezin tonë në histori?
Mendoj se është e vërtetë dhe ka një sërë shprehjesh lidhur me këtë çështje; dhe njëra mund të kujtohet tani, që e përdor edhe gjatë leksioneve të mia, “historia na krijon, na rrit ne”, prandaj është një pjesë shumë e rëndësishme.
Janë disa momente gjatë Luftës së Dytë Botërore që ne shqiptarët vazhdojmë të debatojmë. Unë dua të di opinionin tuaj, a duhet të ndihemi krenarë ne shqiptarët për atë që kemi bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pse?
Mendoj se është e rëndësishme të ndiheni krenarë sepse populli shqiptar ka kaluar shumë vuajtje dhe shumë sakrifica dhe ka dhënë një kontribut të madh gjatë kësaj periudhe.
A ishte tradhti ajo që bëri Ahmet Zogu në vitin 1939, kur u largua më 7 prill?
Mendoj se ai duhet të ishte larguar ndryshe. Mënyra sesi ai iku me aq shpejtësi, bëri që qeveria e tij të quhej një qeveri në ekzil, qeveri në largim. Ka pasur dhe në Europë qeveri në ekzil por nuk është ky rasti. Mendoj se ai mund të kishte qëndruar edhe pak më gjatë për të krijuar një rezistencë, edhe pse mendoj se në përfundim kjo rezistencë nuk do të kishte vlejtur. Por gjithsesi ai duhet të kishte qëndruar në krye të vendit dhe jo të largohej me aq shpejtësi.
A ishte vullnet i popullit shqiptar, bashkimi me Italinë?
Jo. Absolutisht jo. Shqipëria në atë kohë ishte e pushtuar nga Italia, dhe ishte një vendim i Italisë dhe shumica e shqiptarëve ishte kundër.
Çfarë ishte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri: Një rezistencë antifashiste, një rezistencë antifashiste me elementë të luftës civile apo një luftë civile?
Besoj se kishte elementë të një lufte civile. Të gjitha të dhënat apo komunikatat që unë kam lexuar tregojnë që palët po luftonin njëra-tjetrën, por kishte dhe një rezistencë antifashiste.
Po flisni për vitin 1944, pra fundin e luftës?
Jo jo. Besoj se ka filluar që më përpara, sepse ishin krijuar disa grupe si komunistët, apo Balli Kombëtar, apo ato grupe që ishin pro Zogut; që luftonin me njëri-tjetrin. Kishte një pritshmëri që grupet jo komuniste sapo të fillonte lufta do të mbronin popullsinë e tyre. Kur filluan kryengritjet ndaj gjermanëve dhe italianëve, ishte e vështirë për të mbrojtur popullsinë e tyre, e për pasojë rezistenca e tyre u ndal në disa raste, dhe në disa madje u ul ndjeshëm. Pra armiku kryesor i tyre u bënë komunistët. E për pasojë disa nga këto grupe filluan të bashkëpunonin me pushtuesit. Ndaj kemi ato dallime që ekzistojnë edhe sot. Siç kam argumentuar, me një organizatë si Balli Kombëtar, duke qenë se nuk ishte shumë e centralizuar si Partia Komuniste, kishte elementë që bashkëpunuan me pushtuesit por dhe disa që u rezistuan atyre. Pra mendoj se nuk mund të flasim në mënyrë të përgjithshme për një organizatë si Balli Kombëtar.
Tani një pyetje direkte, kush luftoi kundër okupatorëve në Shqipëri, vetëm partizanët, pra komunistët apo edhe nacionalistët?
Siç e përmenda, mendoj se dhe nacionalistët luftuan, por sigurisht jo të gjithë.
A kanë luftuar ballistët?
Mendoj se kishte elementë që luftuan dhe disa bashkëpunuan.
Çfarë ishte një partizan dhe çfarë ishte një ballist në Luftën e Dytë në Shqipëri?
Partizanët dominoheshin nga komunistët. Ndërsa ballistët kishin disa grupe. Ka ndryshime thelbësore mes dy grupeve, por mund të them se në brendësinë e Ballit kishte elementë të përpara luftës, të cilët nuk i gjejmë në lëvizjen partizane.
Konferenca e Mukjes, e Pezës, Përmeti, çfarë janë këto takime politike në Shqipëri?
Në marrëveshjen e Mukjes thelbi ishte se duhet të kishte një lëvizje nacionaliste. Por këto ngelen kontradiktore me njëra-tjetrën.
Pse janë kontradiktore?
Duke qenë se në konferencën e Mukjes, Kosova u bë një element i rëndësishëm, ajo çfarë Hoxha krijoi në këtë vend, ajo që është quajtur shtet nacionalist-marksist (por nacionalist jo në një kuptim tradicional), përfshihen dhe elementë të irredentizmit. Ndërsa politikat e Zogut nuk e përfshinë këtë. Dhe për këtë ai është dënuar gjerësisht nga nacionalistët tradicionalë.
Ne kemi 24 vjet që debatojmë dhe po ju bëjmë dhe juve pyetjen e famshme, kur u çlirua Shqipëria?
Data ime vjen nga dokumentet gjermane që kam lexuar. Një prej këtyre që e kam publikuar, e ka shkruar një oficer gjerman, është një dokument 100 faqesh që përshkruan gjithë aktivitetin e tyre duke përfshirë edhe datën se kur u larguan gjermanët. Gjermanët i mbeten idesë që u tërhoqën në 4 dhjetor, pra as në 28 as në 29 nëntor. Të them të drejtën është shumë e vështirë të përcaktohet se kur u largua. Por besoj se dokumentet gjermane duhet të respektohen. Ideja ime është që duhet të festohet dita e çlirimit në një mënyrë të përgjithshme dhe jo në një datë të caktuar. Ose t’i festoni të dyja ditët.
Zoti Fischer, si është Shqipëria 24 vjet pas rënies së komunizmit?
Është shumë më mirë se periudha pas rënies së komunizmit. Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, dhe pse ka shumë probleme që vijnë me regjimin e Hoxhës, i cili ishte mjaft shtypës.
Në 102 vjet shtet, cila është periudha më e mirë për ne shqiptarët?
Mendoj se periudha pas komunizmit. Ka më shumë liri politike, Shqipëria është e hapur ndaj pjesës tjetër të Europës dhe botës. Kështu që në perspektivën time kjo është periudha e artë e Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, ka shumë sfida dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve vuajnë ekonomikisht. Mirëqenia e popullit duhet të jetë qëllimi i çdo qeverie.
Si ndiheni kur jeni në Shqipëri?
Ndihem shumë rehat. Kam shumë miq dhe më pëlqen të vij këtu, është vend i qetë dhe miqësor.
Cili është armiku më i madh i shqiptarëve?
Shqipëria ka luftuar me shumë vende, që nga normanët, turqit, grekët, serbët etj. Për mua otomanët nuk mund të përshkruhen si armiq, ndërsa të tjerët besoj se mund të quhen si armiq. Sa i përket periudhës moderne, Shqipëria përballet me shumë sfida. Por s’do ta përdorja termin armiq.
Nga Ismail Qemal Vlora dhe deri te Edi Rama janë 33 kryeministra. Ka ndonjë që e veçoni?
Është një pyetje mjaft e gjerë. Mendoj se kryeministrat pas rënies së komunizmit kanë sjellë më shumë se ata para rënies. Kjo duke qenë se gjatë periudhës së Zogut kryeministrat nuk kishin shumë kompetenca, ndërsa ata pas periudhës së komunizmit kanë pasur kontribut. Sali Berisha ka pasur meritë, dhe mendoj se dhe Edi Rama është përgjegjës për ecjen përpara.
Mendimi juaj për Fatos Nanon?
Mendoj se dhe Nano ka bërë që vendi të ecë përpara. Të gjithë ata mund të quhen pozitivë në një aspekt.
Si po punon Rama?
Mendoj se Rama ka pasur një influencë mjaft pozitive në politikën shqiptare, por dhe sa i përket pozicionit me Europën. Ai përfaqëson të ardhmen. Sigurisht ai do të përballet me shumë sfida dhe do të shihet si do i kalojë këto. Megjithatë ka një sërë politikash që unë i konsideroj pozitive.
Zoti Fischer, cili është mendimi juaj në lidhje me problemet në ndeshjen Serbi-Shqipëri?
Ishte një incident shumë fatkeq në nivele të ndryshme. Në një farë mënyre ishte diçka e zgjuar, por mendoj se ishte dhe një provokim i rrezikshëm. Përgjigja e serbëve duke përfshirë dhe tifozët dhe qeverisë, ishte një përgjigje e papranueshme. Ne kuptojmë që ndeshjet kanë dhe huliganë, por në rastin e Serbisë ka një element të shtuar të racizmit, i cili u bë i qartë edhe para incidentit me flamur. Reagimi nga turma pasi u pa flamuri, ishte e papranueshme. Mendojse dhe policia dështoi në punën e saj. Edhe politika serbe dha përgjigje të papranueshme. Kam frikë se ky është hap pas në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe me shumë mundësi do të vonojë integrimin e dy vendeve në BE. Është një ngjarje fatkeqe dhe serioze. Do të shohim si do të përgjigjet edhe UEFA.
Çfarë menduat kur dëgjuat deklaratat e politikanëve serbë sidomos të kryeministrit?
Siç e thashë, reagimi i qeverisë ishte i papranueshëm sepse nuk morën asnjë përgjegjësi. Ndërsa reagimi i qeverisë shqiptare ishte shumë më tepër mbrojtës.
Kryeministri Rama do të vizitojë Beogradin pas disa ditësh, cili është mendimi juaj për këtë vizitë që vjen pas 68 vitesh?
Është një ngjarje mjaft e rëndësishme dhe më vjen mirë që kryeministri do shkojë. Shpresoj që media ta fashisë ngjarjen e shëmtuar me këtë takim.
Keni ndonjë këshillë për kryeministrin?
Mendoj se ka njerëz që janë më të përgatitur sesa unë për të këshilluar kryeministrin. Megjithatë progresi dhe reformat janë një pikë kyçe që monitorohen nga BE. E di që kryeministri po sheh me vëmendje sistemin gjyqësor që është një pikë kyçe në bërjen e reformave. Dua që t’i kushtohet rëndësi dhe jetesës së shtresës së mesme. Mendoj se kjo është detyra e qeverisë. E kuptoj që ka vështirësi të mëdha financiare. Dua të them se politikanët shqiptarë kanë disa pika ku nuk kanë shumë kontroll, siç është ekonomia ndërkombëtare dhe mendojse kjo nuk është një gjë e mirë. Duhet ndihma e të tjerëve për të kthyer ekonominë shqiptare. Edhe vetë Obama ka limite mbi atë që mund të bëjë.
Cili është mendimi juaj për mediat shqiptare?
Media shqiptare është në një proces transformimi, pasi po shndërrohet gjithnjë e më pranë medias europiane. Po bëhet më objektive. Problem mbetet aspekti financiar që është kritik për pavarësinë e tyre. Do doja të shikoja të ishin më të pavarura, që do të thotë se janë më objektive. Kjo është diçka që përballen të gjitha shtetet, dhe ne në SHBA përballemi me influencën politike në media. Po duhet të jetë qëllim i vendit që ta largojë këtë dhe t’i bëjë mediat më të pavarura.