Flamur Gjuzi: Mbajtëm premtimin për legalizimet në Durrës

Një libër për procesin e legalizimeve. Flet për “Koha Jonë”, Flamur Gjuzi, Drejtor i ALUIZNI-t Durrës

Intervistoi: Marjana Doda

“Legalizimet, Durrësi Mikpritësi i Madh”, është titulli i librit  të promovuar pak ditë më parë nga drejtori i ALUIZNI-t, Durrës, Flamur Gjuzi. Libri sjellë një pasqyrë të plotë të asaj çfarë është bërë në qytetin e Durrësit për procesin e legalizimeve gjatë viteve të fundit. Falë përvojës së tij edhe në sektor të ndryshëm të administratës, Flamur Gjuzi arriti brenda pak kohësh të ndryshojë komplet historinë e legalizimeve në qytetin bregdetar. Libri flet jo vetëm për suksesin, por edhe vështirësitë e një punë të tillë kolosale që i jep fund periudhës kaotike të legalizimeve.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Flamur Gjuzi tregon për gjithë punë e bërë gjatë këtyre viteve. “Sfida më e madhe në fillimet e mia ,- thotë  Gjuzi,-  ka qenë organizimi dhe mbledhja e institucionit ,sistemimi i dokumentacionit, informaliteti, i cili është një nga plagët më të rënda që ka pësuar shoqëria shqiptare”. Suksesin e tij dhe të institucionit që ai drejton, ia dedikon mbështetësve të tij në këtë rrugëtim, duke filluar nga Drejtori  i Përgjithshëm, përfaqësuesit  të politikës shqiptare vendorë e qendrorë dhe ekipin  e  ALUIZNI-t Durrës, siç e quan ndryshe “heronjtë e mi”. Të gjithë ne së bashku  bëmë realitet ëndrrën e 30 000 familjeve durrsake përfundon ai.

-Gjuzi, procesi i legalizimit ka qenë një ndër premtimet kyçe të kësaj maxhorance dhe një proces mjaft kompleks. Cila ka qenë sfida juaj më e madhe gjatë drejtimit të institucionit të ALUIZNI-t Durrës?

Është e vërtetë që detyrën e mora në një moment kur qeveria sapo kishte premtuar një vëmendje maksimale ndaj procesit të legalizimit e veçanërisht ndaj ndërtimeve pa leje në zonat informale. Ishte një proces disa vjeçar dhe mjaft kompleks dhe rezultatet ishin shumë të ulëta. Mbi supe më ra një barrë e rëndë sepse duhej të ecja me ritmet e premtuara, mirëpo praktikisht ishte tejet e vështirë duke parë kushtet në të cilat e fillova këtë punë. Dokumentacioni jo i sistemuar, i shpërndarë andej këndej, numri shumë i ulët  i lejeve të legalizimit, mungesa e organizimit të institucionit, në fillimet e mia ma vështirësuan shumë drejtimin. Sfida më e madhe në fillimet e mia ka qenë organizimi dhe mbledhja e institucionit, i cili dukej që kishte muaj që ishte në kaos. Përveç organizimit të institucionit, ishte domosdoshmëri sistemimi i dokumentacionit të gjetur dhe tërheqja e atij të ndodhur nëpër komuna. 18 000 dosje qëndronin nëpër zyrat e ish-komunave pas asnjë lloj vëmendje nga zyra e ALUIZNI-t.  Por përveç kësaj, sfida më e madhe ishte rindërtimi i raporteve reciproke me qytetarët, të cilët në fillimet tona thuajse nuk na hapnin dyert që të kryenim shërbimet e evidentimit faktik në terren. Ishte shumë e rëndësishme rindërtimi i raporteve me qytetarët sepse mosbashkëpunimi i tyre me ne, do të bllokonte direkt procesin.

-Si ka ecur procesi në Durrës. Ritmet konkrete të tij dhe situata aktuale?

Jam shumë i kënaqur me situatën e legalizimeve në Durrës dhe besoj jo vetëm unë, por mendoj i gjithë komuniteti i zonave informale që ka përfituar prej këtij procesi. Jemi në fund të katërvjeçarit dhe aktualisht janë legalizuar 30.000 ndërtime informale pjesa më e madhe e të cilave në zonat informale. Situata aktuale është një proces normal pune. Tani ritmet nuk kanë pse të jenë aq të shtuara sepse pjesa më e madhe është ezauruar. Tani ka mbetur për t’u përmbyllur procesi brenda qytetit të Durrësit, por meqenëse ky proces shoqërohet me problematika të tjera, ritmi i tij nuk mund të jetë aq i shpejtë sa në zonat informale.

-Cilat zona paraqiten më problematike dhe a po u jepet këtyre zonave prioritet nga ana juaj?

Siç e kam thënë e stërthënë në të gjitha intervistat e dhëna, problematika më e madhe që e zvarrit së tepërmi procesin, është çështja e zonifikimit arkeologjik B të qytetit të Durrësit. Dua të sqaroj qytetarët e Durrësit se zona B, nuk është një çështje që penalizon pra që i përjashton ndërtimet e tyre nga procesi i legalizimit, por procedura që ndiqet për këto raste kërkon tjetër angazhim nga ALUZINI Durrës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe nga vetë qytetarët. Përveç faktorit kohë, kjo sigurisht që shoqërohet edhe me kosto financiare për qytetarët sepse një pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga ASHA duhet të plotësohet nga vetë poseduesit e ndërtimeve pa leje. Nuk është çështja tek mungesa e prioritetit sepse besoj që sa herë kam komunikuar nëpërmjet mediave vizive dhe të shkruar e kam drejtuar vëmendjen edhe drejt kësaj çështje. Në momentin që edhe çështja e zonës B do të gjejë një zgjidhje përfundimtare në kuptimin e lehtësimit të procedurave, atëherë nuk do të ketë më asnjë pengesë nga pikëpamja administrative për përfundimin e procesit edhe brenda në qytet.

-Si u procedua për lejet e këtij procesi, pasi Durrësi është një qytet me trashëgimi arkeologjike, historike, çka e bën kompleks këtë proces?

Siç e preka edhe pak më lart, çështja e arkeologjisë së qytetit është një problematikë që e shoqëron këtë proces dhe që ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve respektive. Në zonën arkeologjike A për momentin e kemi të pamundur të procedojmë me objektet, po kështu edhe për ato ndërtime që ndodhen në afërsi të monumenteve të kulturës. Ndërsa në zonën B, mund të procedojmë aktualisht pa problem për ndërtimet e llojit shtesë pa leje në ndërtim me leje, ndërsa për ndërtimet totalisht të reja pra jo shtesë, kërkohet miratimi i ASHA. Nëse ASHA jep miratimin vijon procedura, në të kundërt nëse ASHA nuk e miraton ndërtimin atëherë jemi të detyruar të ndërpresim procesin. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast ndërtimi pa leje në zonën B që ASHA të mos ketë dhënë miratimin e saj.

-Si shkon ecuria e procesit të legalizimit për objektet e kultit, kanë përfunduar procedurat për të gjithë objektet apo jo?

Procesi i legalizimit për objektet e kulteve fetare në Bashkine Durrës e Shijak ka përfunduar totalisht dhe janë legalizuar 69 të tilla,prej të cilave 36 objekte të Komunitetit  Mysliman, 18 të Kishës Ortodokse dhe 15 të Kishës Katolike.

Rezultate imazhesh për flamur gjuzi

-Si do të ecë procesi i legalizimit të shtesave në ndërtime. Të cilës periudhe konkretisht?

Procesi i legalizimit të shtesave vazhdon njësoj si për ndërtimet tërësisht të reja. Periudha e ndërtimit është e njëjta si për çdo lloj ndërtimi. I nënshtrohen procesit të legalizimit çdo ndërtim i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit të legalizimeve që do të thotë çdo ndërtim i ngritur brenda datës 27 qershor 2014.

-Fakti që qeveria po i jep rëndësi legalizimeve, le të themi duke i amnistuar ato, nuk mendoni se po i nxit më shumë ndërtimet pa leje?

Absolutisht nuk mendoj kështu. E para sepse qeveria ka amnistuar vetëm ndërtimet që janë të ngritura prej kohësh. Dhe në mendimin tim ka qenë zgjidhja më e mirë sepse nuk ka sens që një objekti t’i legalizosh supozojmë dy katet e ngritura në momentin e vetëdeklarimit dhe të lësh pa legalizuar pjesën tjetër të ndërtuar mbas vetëdeklarimit por përpara  27 qershor 2014. Madje duke mos u legalizuar, i hapet rrugë informalitetit sepse ai ndërtim nuk bëhet kurrë pronë legale, por mbetet tërësisht informale.

E dyta, veçanërisht amnistia e fundit që iu bë këtyre ndërtimeve, u shoqërua me aksione të forta të Inspektoratit të Mbrojtjes së territorit.  U shoqërua gjithashtu edhe me ndryshime të Kodit Penal. Në Durrës, jam vetë dëshmitar ku për shkak të detyrës kemi zhvilluar shumë korrespondenca shkresore me Policinë e Shtetit, Prokurorinë,INUV,INUK dhe Gjykatën. I falënderoj sinqerisht shumë për bashkëpunimin që kanë pasur me ne, sepse falë evidentimeve dhe indikacioneve të dhëna nga këto institucione, kemi shmangur ndërtimet e ngritura pas datës 27 qershor 2014.

-Realisht a po ndërtohet ende pa leje? Çfarë masash po merren konkretisht për ndalimin e tyre? Kush i kontrollon?

Nuk mendoj se po ndërtohet pa leje. nuk mund të përjashtoj në mënyrë absolute sepse veprimtari të jashtëligjshme dhe shkelës të ligjit gjithmonë do të ketë. Është një tjetër institucion që merret me kontrollin dhe ruajtjen e territorit, ndaj dhe për masat që merren duhet të komunikoni me këtë institucion.

-Në terma praktikë, nëse unë marr lejen e legalizimit, e kam të hipotekuar ndërtimin? Cila është marrëdhënia reale e ALUIZNI – ZVRPP?

ALUIZNI për ndërtimet në tokë shtet apo të tjetrit, fillimisht  procedon me legalizimin e ndërtimit dhe më pas vijon procedurën për miratimin me VKM të kalimit në pronësi të truallit. Legalizimi paraprakisht i ndërtimit nuk penalizon përfituesin sepse ai ka mundësi ta regjistrojë ndërtimin në ZVRPP duke u pajisur me certifikatë pronësie fillimisht për ndërtimin.  Më pas menjëherë pas miratimit të VKM të kalimit të pronësisë dhe pas pagesës së truallit ai pajiset me certifikatë pronësie edhe për truallin. Marrëdhënia ndërmjet ALUIZNI dhe ZVRPP deri tani ka qenë shumë e mirë dhe në bashkëpunim të frytshëm. Aktualisht është ALUIZNI qe për llogari të qytetarit aplikon në Zvrpp dhe pas njoftimit të kësaj të fundit për pajisjen me certifikate pronësie njofton qytetarin qe te paraqitet për marrjen e certifikatës se pronësisë duke shmangur burokracitë dhe sorollatjet e qytetareve dyerve të institucioneve.

Rezultate imazhesh për flamur gjuzi

-“Legalizimet, Durrësi Mikpritësi i Madh”, është titulli i librit tuaj të promovuar pak ditë më parë. Jeni i vetmi drejtues i ALUIZNI-t që keni përjetësuar punën tuaj në një libër. Pse e morët këtë vendim?

Është një pasion i imi  i hershëm. Unë edhe gjatë funksioneve që kam ushtruar më parë, jam munduar të grumbulloj eksperiencat e mia dhe t’i fiksoj ato në botime të trajtave studimore. Në fakt i bëj thjesht për kënaqësinë time, por pavarësisht kësaj, mendoj se është mirë ta trajtoj punën time në të gjitha aspektet e saj veçanërisht në pikëpamjen studimore. Plus që ky botim mendoj se është i rëndësishëm sepse informaliteti është një nga plagët më të rënda që ka pësuar shoqëria shqiptare në tërësinë e saj dhe besoj se është mirë që brezat e rinj të njohën me vështirësitë e hasura nga familjet e tyre, me vështirësitë që has ky proces për ta kthyer pronën nga informale në legale, por mbi të gjitha është e rëndësishme që të kultivohen më idenë e respektimit të ligjeve të këtij vendi sepse pikërisht nga mosrespektimi i ligjeve, i gjithë ky proces është shoqëruar me kosto të jashtëzakonshme për shtetin shqiptar por edhe për shoqërinë shqiptare. Ky është libri im i dytë pas botimit tim në vitin 2016 me titull “Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri”, botim i cili me dha dhe titullin “Doktor i shkencave juridike”.

-Vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e tij theksoi se: “Vlerësoj punën e Flamur Gjuzit si drejtor i ALUIZNI-t, pasi është shembull i zyrtarit të përgjegjshëm dhe bashkëpunues, duke arritur këto rezultate me legalizimet. Sa ka ndikuar  mbështetja e qeverisë në mbarëvajtjen e punës tuaj?

E falënderoj shumë z. Meta për vlerësimet e tij. Jam i nderuar që puna ime u shpërblye me konsideratë nga z. Meta. Por ajo që mund të them, është se vërtet e kam vënë veten time në dispozicion të qytetarëve. Kam qenë në zyrë në çdo orar dhe përtej çdo orari në dispozicion të çdo banori që ka qenë pjesë e këtij procesi. Kam mohuar kohën e familjes time vetëm për të qenë në shërbim të qytetarëve. Pavarësisht lodhjes, mendoj se kam arritur t’ia dal me sukses. Por sigurisht që në këtë proces nuk kam qenë i vetëm.  Kam pasur mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm, mbështetjen e përfaqësuesve të politikës shqiptare vendorë e qendrorë, të cilët kanë qenë gjithmonë në krahun tonë duke I dhënë vëmendje problematikave që shoqëronin këtë proces dhe duke u dhënë atyre zgjidhjet respektive. Nuk mund të lë pa përmendur këtu punën e ekipit tim ALUIZNI Durrës,ashtu siç më pëlqen që t’i etiketoj “heronjve të mi”, ishim ne së bashku që bëmë realitet ëndrrën e 30 000 familjeve durrsake. Tek ta sinjifikohet më mirë se kudo thënia: “Ne nuk themi se jemi më të mirët,por më të mirë se ne nuk kemi parë”.

-Në fillim të këtij mandati ju premtuat që deri në fund të tij do të ketë 30.000 leje legalizimi. Jemi në muajt e fundit të këtij mandati, cili është bilanci i ALUIZNI-t në Qarkun e Durrësit?

Në fillim të mandatit nuk premtuam shifër sepse ishte e pamundur të parashikonim numrin e ndërtimeve të legalizuara. Por në objektivat tona ishte përfundimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonat informale. Aktualisht themi që në Durrës që ky premtim është I mbajtur dhe deri tani kemi legalizuar jo pak, por 30.000 ndërtime pa leje duke bërë pronarë të ligjshëm plot 30.000 familje.

SHKARKO APP