Fleckenstein: Shqipëria në rrugën e duhur drejt përmbushjes së reformave

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein beson se, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së suksesshme të reformave që do t’i mundësojnë vendit të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Fleckenstein thekson se qeveria shqiptare është plotësisht e vetëdijshme lidhur me punën që e pret në vijim.

Sipas Raportuesit Fleckenstein, procesi i integrimit evropian nuk mund të përfundohet gjatë mandatit të një qeverie të vetme, është proces afatgjatë. Por sipas tij, Shqipëria do të përfitojë nga përpjekjet e saj për kryerjen e reformave të integrimit evropian para fillimit të negociatave të anëtarësimit dhe para se të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Raportuesi Fleckenstein gjithashtu shpreh besim se palët politike në Shqipëri do të gjejnë një mënyrë për të vendosur dialog politik konstruktiv.

Si e vlerësoni situatën e integrimit të Shqipërisë?

Kohët e fundit kam zhvilluar një vizitë në Shqipëri me qëllim diskutimin e reformave të integrimit evropian të Shqipërisë me kolegët e mi në parlamentin shqiptar, disa anëtarë të qeverisë dhe përfaqësues të partive opozitare. Gjithashtu unë diskutova procesin e integrimit evropian të Shqipërisë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, qytetarë dhe akademikë. Unë besoj që Shqipëria është në rrugën e duhur drejt përmbushjes së suksesshme të reformave, që do t’I mundësojnë vendit të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Cili është pozicioni aktual i Shqipërisë në kontekstin e integrimit. A ka bërë progres ?

Qeveria është plotësisht e vetëdijshme lidhur me punën që e pret në vijim. Shumë iniciativa reformash tashmë janë njoftuar, ose miratuar. Tashmë këto reforma është e nevojshme që të zbatohen plotësisht. Procesi i integrimit evropian nuk mund të përfundohet gjatë mandatit të një qeverie të vetme. Ky është proces afatgjatë. Vetë Bashkimi Evropian nuk është ndërtuar brenda ditës, por përgjatë rrjedhës së plot pesë dekadave. Megjithatë, Shqipëria do të përfitojë nga përpjekjet e saj për kryerjen e reformave të integrimit evropian para fillimit të negociatave të anëtarësimit dhe para se të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit evropian  i përket të gjithë vendit dhe të gjithë popullit.

Si e vlerësoni dialogun mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri? A mendoni se palët do ta kapërcejnë çështjen e dekriminalizimit të parlamentit?

Kam besim se dy partitë më të mëdha në Shqipëri do të gjejnë një mënyrë për të vendosur dialog politik konstruktiv. Vendi ka jashtëzakonisht nevojë për këtë dialog dhe nuk mund të lejojë vonesa në kryerjen e reformave për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes udhëheqësve përgjegjës politikë.

Opozita është shprehur se nuk është dakord me reformën territoriale. A e vë në pikëpyetje ky qëndrim pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje?

Gjatë takimeve të mia në Tiranë në janar,  qeveria, opozita si dhe ekspertë të pavarur më informuan lidhur me reformën territoriale. Jam gjithashtu në dijeni të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë ankimimin kundër reformës territoriale. Unë besoj që opozita do të ketë zgjuarsinë e duhur që të mos kundërshtojë pjesëmarrjen në zgjedhje aq të rëndësishme për këtë arsye.

SHKARKO APP