FRAN FRROKAJ: NJË LEZHË E INTEGRUAR QË ZHVILLOHET ME RITME TË LARTA
Intervistë me Z. Fran Frrokaj, Kryetar i Bashkisë Lezhë
Pyetje:Viti 2015 po mbyllet me një tranzicion të zgjatur të transferimit të pushtetit lokal, hartimit të projekteve, prioriteteve dhe buxhetit për vitin 2016.
Si e gjykoni këtë vit në përmbyllje të tij.
♦Viti 2015, për pushtetin vendor ishte i rëndësishëm për shkak se ishte vit zgjedhor dhe organet e qeverisjes vendore dhe drejtuesit që dolën nga këto zgjedhje, marrin përgjegjësi për një popullsi më të madhe dhe një territor më të gjerë se më parë.
Ato përballen me një problematikë të gjithanshme dhe vështirësi të konsiderueshme për trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, për përmirësimin e shërbimeve ndaj komunitetit, administrimin territorit dhe probleme të tjera që burojnë nga vartësia e interesave të njerzve tek pushteti lokal.
Njësite e reja vendore, përbëjne standart të ri përfaqësimi dhe kërkojnë mentalitet të ri drejtimi.
Për ne, në radhë të parë ka rëndësi njohja e problemeve të komunitetit, caktimi i detyrave dhe ndarja e përgjegjësive me Administratorët e Njësive Administrative dhe administratën në njësi, me qëllim përcaktimin e saktë të prioriteteve dhe hartimin e projekteve që do të zbatohen në kuadër të programit me të cilin kemi fituar bindshëm besimin e qytetarëve lezhjanë për t’i qeverisur në katër vitet e ardhshme.
Faza e njohjes, tashmë ka përfunduar dhe disa ndërhyrje imediate në ato drejtime që përbëjnë emergjencë për qytetarët ose që kanë qenë premtime parësore po përmbyllen brënda këtij viti. Gjithashtu, investimet e planifikuara për t’u kryer këtë vit, po realizohen. Njëkohësisht jemi në fazën e përcaktimit të përparësive e dhe hartimit të projekteve konkrete që kemi premtuar të realizojmë në të gjithë hapësirën e Bashkisë.
Pyetje: Cilat janë prioritetet për vitin 2016, në sektorët e ekonomisë, turizmit dhe kulturës.
♦Bashkia Lezhë, është në proces të hartimit të buxhetit dhe projekteve që do të zbatohen në vitin 2016.
Se pari, po pergatitet paketa fiskale që po diskutohet me grupet e interesit.
Unë kam dhënë një premtim në fushaten elektorale se do të ul në masen 30 % taksat dhe tarifat vendore, të cilat janë në kompetencë ligjore të Administratës së Bashkisë, për ti dhënë një frymëmarrje më të madhe biznesit, për t’i krijuar atij mundësi zhvillimi, investimi dhe punësimi për qytetarët e Lezhës.
Problemi themelor në këtë aspekt do të jetë që taksat duhet t’i paguajnë të gjithë. Kjo do të jetë moto e punës së sektorit të tatim-taksave. Dhe kjo do të realizohet medeomos. Asnjëhere nuk do të ketë amnisti taksash të tregëtarëve në kurriz të qytetarëve dhe të investimeve në shërbim të tyre.
Në fillim te vitit te ardhshem do të miratojmë buxhetin, i cili do të jetë i konsiderueshem, ku edhe granti nga buxheti i Shtetit vjen më i përmirësuar, gjë që na krijon disa mundesi, megjithëse të kufizuara, të bëjmë investimet më të domosdoshme.
Reduktimi i taksave të biznesit të vogël nga qeveria, që shkonin në favor të Njësive Vendore, përbën një problem që e rëndon poziten financiare të pushtetit vendor.
Punësimi do të jetë përparësi, ku përveç fabrikave të peshkut, do të kërkohen dhe gjenden edhe mundësi të tjera punësimi për qytetarët e Lezhës.
Në kuadër të thellimit të reformes administrative, territoriale dhe kalimit të disa sektorëve prioritarë të ekonomisë në vartësi të pushtetit vendor, po përcaktojmë përparësitë tona në ato drejtime që përbëjnë shqetësim dhe që më parë kanë sjellë rrjedhoja negative në zhvillimin e bujqësisë, frutikultures e blektorisë, të cilat janë prioritare dhe ku mundësitë janë më të mëdha për një zhvillim të qendrueshem dhe perspektiv të ekonomive familjare dhe ku është investuar më shumë deri tani.
Në një kohë të shkurtër, do të hartohet një plan i integruar për sistemimin e të gjithë përrejve të zonës së Bregut të Matës me qëllim disiplinimin e tyre dhe parandalimin e përmbytjeve përmes një investimi të studjuar dhe efektiv.
Po në këtë kuader, perveç masave kundër përmbytjeve do të punohet për kullimin, vaditjen dhe mirëmbajtjen gjithëvjetore të kanaleve në të dy fushat e mëdha të Lezhës, në Breg të Matës dhe në Zadrimë.
Pas përfundimit të projekteve që janë në zbatim, si shetitorja e Bregut të Drinit, rrugët në disa lagje të qytetit, u realizua rikonceptimi i dhe rikonstruksioni i lulishtes përballe 11 janarit, dhe po punohet për rikonstruksionin e lulishtes së Bregut të Drinit, për ta kthyer ate në shërbim të qytetareve dhe jo parkim makinash si ishte më parë. Këtë premtim e kam bërë përpara qytetarëve të kësaj lagjeje dhe do ta realizoj brënda muajit janar 2016.
Një ndër prioritetet strategjike të Bashkisë Lezhë do të jetë sigurimi dhe administrimi në favor të qytetarëve i ujit të pijshëm. Megjithëse statusi juridik i Ujësjellësit ende nuk është përcaktuar përfundimisht, besoj se me fillimin e vitit 2016, ujësjellësi i Lezhës, ashtu dhe të gjithë ujësjellësit e Njësive Administrative do të kalojnë në administrim të Bashkisë. Për këtë problem madhor, do të punohet dhe investohet që brënda këtij mandati mbi 80 % e qytetarëve të Bashkisë Lezhë të kenë ujë të pijshëm të bollshëm, të pastër, të sigurtë e të kontrolluar.
Në fushë të infrastrukturtes përparësi për vitin 2016 do te jenë; ndërtimi i rrugës
së Torovices, perfundimi i superstrades nga rrotondja deri ne rrugen e perfunduar te Shengjinit, ( Knalle), loti i dytë i rrugës së Ungrejit, dhe disa rrugë të tjera lidhëse me rrugët kryesore që kalojnë nëpër Lezhë.
Prioritet madhor do të jetë Shëngjini, i cili në pikpamje të turizmit nuk do të jetë vetëm për turizëm në shërbim të kosovarëve dhe të huajve gjatë verës, por Shengjini do të jetë i bukur, i jetueshem dhe me shërbime cilësore në dispozicion të qytetarëve të Shengjinit, Lezhës dhe të gjithë shqiptarëve që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet dhe për ta frekuentuar në të gjithë muajit e vitit.
Shengjini sot është në të gjitha drejtimet në një situatë pothuajse katastrofike, për ujësjellës –kanalizimet, ndërtimet pa kriter për shërbimet në qytet etj.
Pas përfundimit të rruges së Kunes, të tjera investime të konsiderueshme do të bëhën në këtë qytet, i cili do të jetë në konsideraten time më të lartë dhe do të përbëjë përparesi të gjithanshme në projekte, investime dhe shërbime.
Fabrikat e peshkut nuk do të lejohen të ndotin me tej këtë qytet.
Të ardhurat që gjenerohen nga Shëngjini do të përdorën për Shëngjinin, sepse Shkollat e këtij qyteti dhe gjithë Njësisë Administrative, janë në gjendje te mjerueshme dhe kanë nevojë më shumë se kushdo për rikonstruksion, pasi janë lënë krejtësisht pas dore nga ish drejtuesi i asaj komune, megjithëse të ardhurat financiare në këtë qytet kanë qene të konsiderueshme. Brenda një periudhe sa më të afërt, keto shkolla, do të kenë vemendjen time dhe do të marrin investimet e duhura për të justifikuar emrin e tyre si qëndra të shkollimit të një prej zonave më të rendesishme të Lezhës dhe veriut ne pergjithesi.
Në shkollë çdo familje ka një pjesë të rëndësishme të jetës, ndaj kërkohët dhe do të bëhët më e mira për to, gjë që do ta bëjmë me përkushtim. Kushtet e mësimdhenjës do të kenë përparësinë absolute në të gjithë veprimtarinë e administratës së Bashkisë .
Shërbimi shendetësor do të ketë përparësi sistemin arsimor dhe kujdesi primar do të shkojë tek femijët e shkollave dhe moshën shkollore. Ky do të jetë objektivi dhe sfida jonë e madhe dhe do t’ja dalim. Që në këtë sezon dimëror kemi shpërndarë soba në të gjitha shkollat 9- vjeçare dhe do të sigurojmë ngrohje në të gjithë territorin.
Kujdes do të marrë edhe arsimi parashkollor në të gjithë aksesorët. Kopështi i gurrave do të vihet krejtesisht ne dispozicion të funksionit fillestar. Kopështi i nisur afër katedrales, do të përfundojë së ndërtuari si kopësht femijësh me standarte të larta dhe do të jetë një destinacion atraktiv për qytetarët e lagjes dhe krejt qytetit , i cili është mbajtur peng në mënyrë të pajustifikueshme për një kohë kaq të gjatë. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, në kopështet dhe çerdhet e qytetit, do të ketë vende bosh të gatshëm për të pritur fëmijët e qytetarëve lezhjanë me një cilësi akomodimi bashkohore.
Megjithëse në kushtet e një buxheti të kushtëzuar dhe me mundësi financiare të limituara, do të bëjmë investime në infrastrukturë , ku këtë vit do të realizojmë sistemimin e ujrave të bardha në qytet.
Pyetje: Si po punohet për përgatitjen e kushteve dhe krijimin e mundësive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe atyre vendase për Lezhën.
♦Lezha, gjithmonë është konsideruar një zonë preferenciale për investime. Ajo ka
kushte natyrore të favorshme, pozitë gjeografike të lakmueshme, vlera kulturore e historike të pakrahasueshme, një popullsi të konsiderueshme me kualifikim dhe traditë pune , pra të gjitha kushtet për të tërhequr investime vendase dhe të huaja në shërbim të punësimit dhe rritjes së mirëqenjës. Puna për terheqjen e investimeve me objekt punësimin e njerzve është e përditshme dhe njëkohësisht e lidhur me kerkesat e investitorëve. Kjo është përparësi e përhershme dhe nuk mund të kufizohet në kohë me objektivat dhe programet tona. Kjo do të mbetet angazhim i përhershëm i të gjithë aktoreve dhe faktoreve, të interesuar në trevën e Lezhës dhe më gjërë.
Pyetje: A ka projekte zhvillimi për turizmin, si evidentimin e vlerave kulturore, historike, arkeologjike, dhe evidentimin e monumenteve natyrore që posedon Lezha dhe si do të vihen ato në shërbim te zhvillimit të turizmit.
♦Zhvillimi i turizmit në Lezhë ka nevojë më shumë për promovim dhe këtë e bëjnë shumë mirë shoqatat dhe agjensite turistike. Zhvillimi i turizmit ecen paralel me zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Lezha është një qytet i bukur dhe i tillë do të mbetet. Ky qytet, që dallohet për harmoni fetare dhe kulturore, me gjithë diversitetin që mbart në kushtet e levizjeve të mëdha demografike, gjithmonë do të rritet e zhvillohet me ritme të larta. Prandaj, do të jenë në rendin e përparësive, zhvillimi i kulturës e turizmit, ruajtja dhe mirëmbajtja e monumenteve të kulturës dhe natyrës, për t’i vënë ato në sherbim të zhvillimit të turizmit me qëllim që Lezha turistike të mos kufizohet vetem me Memorialin e Skenderbeut dhe kalanë mesjetare, por të zgjerohet e zhvillohët në të gjithë territorin dhe të gjitha drejtimet. Përveç turizmit bulnear, do të përqendrohemi edhe në turizmin malor dhe ate kulinar, pasi tashmë është krijuar një tradite në këtë fushë me lokale si Mrizi i Zanave me emer në të gjithë vendin, së fundi Ylli i drites etj , që krahas lokaleve të Lagunes së Kune Vainit kanë ecur në rrugen e krijimit të një tradite të re në këtë fushë.
Ne do të punojmë që, pjesë e guides turistike të Bashkisë së Lezhës të jenë edhe monumente të tjera historike e religjioze si dhe monumentet e natyres që janë me shumicë në treven e Lezhës. Do punojmë që të vemë në shërbim të vizitoreve vendas dhe të huaj, duke i bërë pjesë të guides sonë edhe objekte si kisha e Kuvendit të Arbërit, Kisha e Kallmetit, Pllanës, shtëpinë e At Gjergj Fishtes, etj me qëllim krijimin e guides së plotë turistike të Lezhës këtij vendi të bekuar të historisë dhe djepi të kulturës.
Përparësi do te kenë zhvillimi i veprimtarive kulturore , cilësia e tyre, veprimtaritë për librin dhe promovimi i autoreve të rinj. Lezha është trevë kulture dhe truall i autorëve e poetëve të shquar, ndaj do të ketë vemendjen më të madhe të bibliotekes publike dhe institucioneve te tjera te kultures.
Pallati i kulturës do të kthehet në identitet. Pas përfundimit të investimeve në sallen moderne që po ngrihet në Q.K. te Femijëve, në pallatin e kultures do të bëhën investime për modernizimin e plotë të sallës dhe të të gjithë interiereve të tij.
Pyetje: Në punën tuaj udhëhiqeni nga parimi : për qytetarin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së tij. Si do ta realizoni këtë në veprimtarinë tuaj?
♦Moto e punës sime është ngritja e cilësisë së shërbimeve për qytetaret. Përmirësimi i gjërave që disa i konsiderojnë të vogla është në praktiken time si drejtues. Çdo ditë shkoj në punë në këmbë dhe marr takim me dhjetra qytetarë në nevojë ose jo, të cilët bëjnë kërkesa dhe sugjerime sipas mendimit të tyre. Këto janë një bazë për përmirësimin e shërbimeve në favor të qytetarëve. Komunikimi i vazhdueshem dhe dëgjimi i zërit dhe opinionionit qytetar na ndihmon shumë për përcaktimin e përparësive në punën tonë. Këtë praktikë e kam patur gjithnjë dhe më ka rezultuar e suksesëshme ndaj do të vazhdoj të praktikoj çdo ditë komunikimin tim me qytetarët e Lezhës.
Pyetje: Si e vlerësoni bashkëpunimin me Qeverinë Qendrore dhe donatorët e mundshëm për investimet në Lezhë?
♦Ne, jemi votuar dhe kemi marrë një mandat qeverisës në shërbim të zgjedhësve , ndaj në këto kushte jemi të dy palët përballë tyre dhe në provë për plotësimin e pritmërive të qytetarëve. Unë, respektoj pushtetin qëndror aq kohë sa ai u sherben qytetarëve të tij, pasi ato janë vlerësuesit objektivë të punës së Qeverisë qëndrore dhe vendore. Ato dijnë më mirë të ndajnë përgjegjëtë dhe të japin vlerësimin e tyre me votë
Reformat e Qeverisë janë të egra dhe me e keqja është se ato kanë filluar nga shtresa më vunerabël e shoqërisë, nga populli i thjeshtë. Gjendja ekonomike e popullit është përkeqësuar nga goditja e menjëhershme e reformave. Unë jetoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Lezhës, me të njëjtat kushte dhe si qytetar nuk mund të mos e ndjej ndikimin e masave deri represive të qeverisë me reformat drastike që ajo ka ndërmarrë,të cilat, me shumë se në favor të qytetarëve, kanë shkuar në kundërshtim me interesat e përgjithshme të popullsisë, prandaj qeveria sot nuk e gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve të këtij vendi dhe të votuesve shqiptarë.
Une politikisht uroj që gjysma e dytë e mandatit të kësaj qeverie të jetë edhe gjysma e fundit e qeverisjes së saj. Pa u ndalur tek emrat e ministrave apo mënyra e drejtimit të dikastereve, mund të themi se mënyra e qeverisjes nuk ka qënë në përputhje me pritmëritë e qytetareve, por në kundërshtim me interesat e tyre.
Pyetje:Çfare do t’u thoni qytetareve Lezhjane në mbyllje te vitit 2015 dhe një urim per vitin 2016.
♦Në këtë fund viti do të uroja të gjithë qytetarët e Lezhës dhe veçanërisht shtresat në nevojë: Gezuar vitin e ri 2016 , dhe le të jetë viti që vjen një vit i plotësimit të dëshirave të tyre, një vit i mbushur me punë dhe realizime, një vit që të ngjallë shpresë për një jetë më të mirë dhe më të begatë në këtë vend.
Të gjithë ne e kuptojmë se, ashtu si brezat që kaluan , shkruan nga një faqe nderi dhe lavdie, bujarie dhe trimërie në ditarin e madh të qytetit tonë edhe brezi ynë do të shkruajë pjesën e tij të historisë së Lezhes duke e pasuruar ate me mundësitë dhe kushtët që kemi në dispozicion.