FRD, Oketa: Reformimi i sistemit zgjedhor, i pamundur, pasi Rama e Basha nuk e duan

“Kanabisi”/ Ish-ministri i Mbrojtjes: Manjani tha një të vërtetë që e dinë të gjithë. FRD kundër importit të plehrave

Herion Mesi

Për sekretarin e Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, të dy reformat, si ajo zgjedhore ashtu dhe ajo në drejtësi, janë përdorur për të mbajtur ndezur debatin politik mes palëve, sesa vërtet për të reformuar sistemin. Sipas Oketës, marrëveshja e viti 2008, ndërmjet  Berishës dhe Ramës, për ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, është akoma në fuqi dhe kjo, bën që dhe komisioni parlamentar të mos ketë asnjë propozim konkret, i cili vërtet të reformojë sistemin. E nëse do duhej të ndërhyhej në ligjin elektoral, atëherë Oketa propozon që të rikthehej sistemi i vitit 2005, me 100 zona të drejtpërdrejta në maxhoritar dhe ai me 40 zona proporcional, pasi sipas tij, është sistemi më përfaqësues dhe sistemi që i jep mundësi zgjedhësve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Por “ky është një sistem, i cili nuk i shkon për shtat kryetarëve të partive kryesore dhe është absolutisht e pamundur që të rikthehet së paku në zgjedhje e viti 2017”,- shprehet Oketa në intervistën e dhënë për “Koha Jonë”. Gjithashtu, FRD-ja propozon depolitizim të administrimit të procesit zgjedhore, duke ia besuar atë arsimtarëve shqiptar, një formulë llogaritje rezultati me korrektim kombëtar si dhe lista të hapura.

Ndërkohë, Oketa vlerëson se deklaratat e anëtarëve të qeverisë lidhur me situatën e krijuar nga fenomeni i kanabisit në vend ngjajnë më tepër si deklarata politike, se sa një tentativë për të luftuar këtë fenomen. Në një kohë kur pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për këtë çështje,  ish-ministri i Mbrojtjes mbështet shqetësimin e ngritur nga Ministri i Drejtësisë Yll Manjani, i cili sipas Oketës, nuk bëri asgjë më shumë se sa pohoi një të vërtetë që tashmë dihet nga të gjithë. Sipas tij, tentativat për ta relativizuar këtë problem jo vetëm që nuk e mbulon dot, por i jep më shumë krah këtij fenomeni.

Oketa, sapo ka nisur diskutimi për reformën zgjedhore dhe palët kanë dhënë disa propozime paraprake për këtë çështje, po ashtu edhe FRD-ja në kuadër të ndryshimeve në  Kodin Zgjedhor bëri disa propozime një javë më parë. Por përtej propozimeve duket se puna e komisionit të reformës vijon me ritme tejet të ngadalta. Cilat janë pritshmëritë tuaja si forcë politike, e cila u penalizua në zgjedhjet e 2013-ës pikërisht nga Kodi aktual? 

Në fakt ka shumë kohë që FRD ka vënë theksin në nevojën për të punuar njëkohësisht me të dy reformat kryesore, atë në drejtësi dhe atë zgjedhore, por fatkeqësisht edhe këto dy reforma duket se më së shumti janë përdorur për të mbajtur ndezur debatin politik sesa vërtet për të reformuar sistemin. Për të kujtuar se ky diskutim për ne nuk është diskutim i ri, mjafton t’ju kujtoj faktin se FRD ka evidentuar që në marrëveshjen për zgjedhjet lokale të viti 2015, domosdoshmërinë për reformimin e sistemit zgjedhor. Në të gjitha deklarimet e saj, FRD ka ngritur shqetësimin për mungesën e vullnetit politik për ta realizuar këtë reformë dhe njëkohësisht duke sjellë dhe propozimet tona konkrete, propozime, të cilat nuk kanë të bëjnë thjesht me fatin politik të një force apo individi, por kanë të bëjnë me atë që është themeli i një shteti demokratik, votimin e lirë dhe rezultatin e ndershëm. Siç duket marrëveshja e viti 2008, ndërmjet z. Berisha dhe z. Rama, për ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, është akoma në fuqi dhe kjo bën që dhe komisioni parlamentar të mos ketë asnjë propozim konkret, i cili vërtet të reformojë sistemin. Vazhdimi i formatimit krejtësisht mbi kritere politike të KQZ, si dhe koha fare e shkurtër që ka mbetur lë fare pak vend për optimizëm. Megjithatë, politika shqiptare ofron gjithmonë zgjidhje në momentet e fundit, edhe pse zgjidhje të tilla më së shumti kanë rezultuar të gabuara apo të dështuara. Le të shpresojmë që edhe këtë radhë, nën presionin e ndërkombëtarëve, do të kemi një zgjidhje të tillë dhe Kodi Zgjedhor do të korrigjohet.

Ka propozime për lista të hapura apo për ndryshime të sistemit zgjedhor. Në fakt, cila do të ishte zgjidhja sipas jush që të garantohet një përfaqësim më i drejtpërdrejtë i qytetarëve në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë? 

Propozimet e FRD kanë të bëjnë me disa elementë fare të thjeshtë për t’u realizuar dhe që do ta çlironin sistemin, por edhe partitë politike nga shumë probleme që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Ne vazhdojmë të jemi një vend që aspiron të anëtarësohet në BE, por krejt ndryshe nga vendet e BE, ne kemi administrim partiak të procesit zgjedhor. FRD propozon depolitizim të administrimit të procesit duke ja besuar atë arsimtarëve shqiptar, një formulë llogaritje rezultati me korrektim kombëtar si dhe lista të hapura. Këto propozime kanë të bëjnë me ndërhyrje thelbësore në kodin aktual, por janë ndërhyrje të cilat garantojnë rezultatin dhe cilësinë e zgjedhjeve. Në gjykimin tim personal, nëse do të ktheheshim pas në kohë, atëherë ndoshta sistemi i vitit 2005, me 100 zona të drejtpërdrejta në maxhoritar dhe ai me 40 zona proporcional është sistemi më përfaqësues dhe sistemi që i jep mundësi zgjedhësve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Por ky është një sistem, i cili nuk i shkon për shtat kryetarëve të partive kryesore dhe është absolutisht e pamundur që të rikthehet së paku në zgjedhje e viti 2017.

A po e mendon FRD-ja përfshirjen e saj në ndonjë koalicion në njërin nga kampet e mëdha dhe ku ndiheni më afër, të majtës apo të djathtës? Kjo edhe si një formë e ruajtjes së votave të saj, të cilat në 2013-ën ishin afri 30 mijë në rang kombëtar.

Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet që priten të pësojë ai janë shumë të rëndësishme besoj për çdo forcë politike për të ndërtuar strategjinë e saj zgjedhore. Për këtë arsye është ende herët për të deklaruar qartë dhe përfundimisht se si do të shkojë FRD në zgjedhjet e vitit 2017, por sigurisht zgjedhja që ne do të bëjmë do të jetë një zgjedhje, e cila do të synojë kthimin e votave që mbështesin FRD në mandate.

Reforma në drejtësi, si një prioritet jo vetëm i qeverisë shqiptare, por edhe një kusht i panegociueshëm nga BE-ja për çeljen e negociatave, është futur në ngërçin e radhës, pas pezullimit të ligjit të vetingut, deri në një përgjigje të Komisionit të Venecias. Ju si e shihni këtë proces?

Përpara se të jetë prioritet i qeverisë shqiptare apo i ndërkombëtarëve, reforma në drejtësi ka qenë një nga më të kërkuarat nga vetë shqiptarët, pikërisht për shkak të një sistemi drejtësie kryesisht të padrejtë, të pabarabartë e të korruptuar. Them kryesisht, pasi nuk mendoj se duhet vënë shenjë barazimi tek të gjithë ata që punojnë në sistemin e drejtësisë. Çudia shqiptare është se këtë reformë e ka miratuar një institucion si Kuvendi, institucion, i cili ka pranuar me një rezolutë të miratuar prej tij se është i kriminalizuar. Nga ana tjetër, shumë prej aktorëve politik, të cilët e kanë deformuar dhe nënshtruar politikisht sistemin e drejtësisë ndër vite, hiqen sot si reformatorë apo si mbrojtës të këtij sistemi. E vetmja shpresë që sistemi i drejtësisë vërtet të reformohet dhe kjo reformë të japë rezultate konkrete, janë ndërkombëtarët. Nga njëra anë kjo është gjë e mirë, pasi i jep disa garanci qytetarëve shqiptarë se kjo reformë do të funksionojë, por nga ana tjetër është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit dhe seriozitetit të klasës politike shqiptare për të ndërtuar vetë një shtet demokratik dhe funksional. Deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017, nuk pres që të shohim ndonjë zhvillim të rëndësishëm, pasi loja me Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Venecias sapo ka filluar. Çdo ligj që do të miratohet nga Kuvendi dhe që ka lidhje me këtë reformë, besoj se do kalojë dyerve të këtyre institucioneve, duke shtyrë kështu dhe zbatimin e tyre.

Në karrierën tuaj politike, ndër të tjera ju keni qenë ministër i Mbrojtjes. Si e shihni deklaratën e ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e Forcave të Armatosura në aksionet antikanabis në vend? A e dikton situata aktuale një vendimmarrje të tillë?

Së pari mendoj se për mënyrën se si u përcollën, vendet ku u artikuluan dhe reagimet që pasuan duhen cilësuar më së shumti si deklarata politike. Anëtarët e një kabineti qeverisës kanë të gjitha hapësirat dhe mundësitë të diskutojnë paraprakisht për çështje të një rëndësie të tillë dhe më pas të dalin me një qëndrim konkret. Kjo nuk i heq askujt të drejtën të ketë qëndrimet e tija personale, qoftë ky dhe anëtar kabineti qeverisës. Por për çështje të tilla, mendoj, se një koordinim midis anëtarëve të qeverisë do të ishte gjëja më e drejtë. Megjithatë, deklarata e Ministrit të Drejtësisë, nuk bëri gjë tjetër veçse tha një të vërtetë që të gjithë e dimë. Kanabisi është kthyer në një problem për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sado që të përpiqemi ta relativizojmë apo krahasojmë situatën me qeveritë e kaluara, nuk e mbulojmë dot këtë problem dhe nga ana tjetër nuk ndihmojmë në eliminimin e tij, por i japim më shumë krah këtij fenomeni.

Qeveria ka miratuar pak javë më parë ligjin për importin e mbetjeve, i cili ka shkaktuar përplasje të forta, jo vetëm mes opozitës dhe maxhorancës, por edhe mes aleatëve të majtë. Si e shikon FRD-ja këtë debat? Duhet apo jo të importojmë mbetje?

FRD është shprehur qartë dhe nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me këtë ligj. Për ne është një ligj i parakohshëm dhe aq më tepër argumentet e përdorur nuk duken bindëse. Ta orientosh zhvillimin ekonomik drejt industrisë së riciklimit, duke pretenduar se kjo industri do të gjenerojë 30,000 vende pune dhe do t’i sjell buxhetit 200 milion Euro në vit, minimalisht do të thotë të orientosh punësimin në një sektor, i cili nuk sjell asnjë lloj kualifikimi të fuqisë punëtore, e po ashtu nga ana tjetër të kesh goditur akoma më fort sektorë të tjerë, si p.sh industrinë e turizmin. E kam të vështirë të përfytyroj që në portin e Durrësit, paralelisht të hyjnë një traget me turistë dhe një anije me mbetje. Shqipëria ka nevojë urgjente të mirë administroj së pari mbeturinat e saj, ka nevojë që nëpërmjet fushatave sensibilizuese, edukimit në shkolla të krijojë tek vetë shqiptarët një kulturë të re të trajtimit të mbetjeve. Pa zgjidhur këto problematika, importi i mbetjeve në një vend, i cili ka varfëri, por ka dhe shumë korrupsion, nuk do të sillte gjë tjetër veçse do t’i rriste në përmasa si varfërinë dhe korrupsioni duke i shtuar më pas këtyre dhe një mjedis më të ndotur.

FRD-ja, pikë të fortë në programin e saj, ka çështjen e pronave. Qeveria, përmes Kuvendit, kaloi një ligj të ri për trajtimin e pronës, draft ky që nuk ka ndikuar aspak në trajtimin e çështjeve të pronësisë nga ana e Gjykatës së Strasburgut. Cili është qëndrimi juaj për ligjin në fjalë dhe si zgjidhet kjo çështje?

FRD e ka pikë të fortë të programit të saj këtë çështje pasi gjykon se së pari kjo çështje ka të bëjë me ndërtimin siç duhet të shtetit shqiptar. Çështja e pronës është një çështje e së drejtës, është një detyrim kushtetues për t’u mbrojtur e garantuar me çdo kusht. Nga ana tjetër, asnjë vend nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, paqe sociale dhe siguri pa zgjidhur më parë çështjen e pronës. Historia e pronës në Shqipëri fatkeqësisht vit pas viti në vend që t’i afrohet zgjidhjes i është larguar gjithnjë e më shumë asaj. Para se të pretendosh t’i japësh zgjidhje asaj duhet të krijosh instrumentet e duhur. Ne përsa kohë ne nuk kemi ngritur ende një shtet të së drejtës, nuk besoj se kjo çështje do të zgjidhet, sado që të përpiqemi të përmirësojmë legjislacionin përkatës. Zgjidhja siç do të duhej e kësaj çështje është pothuaj e pamundur, por një zgjidhje përfundimtare është jetike për perspektivën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë. Kjo është një çështje, e cila kërkon vullnet të fortë politik për ta zgjidhur si dhe sistem drejtësie të pavarur, të drejtë e të pakorruptuar. Momentalisht nuk kemi as njërin dhe as tjetrin, e për këtë arsye besoj se kjo çështje do vazhdoj të jetë një çështje që do të qëndroj në periferi të vëmendjes së qeverive shqiptare.

SHKARKO APP