Frost: Potenciali i Shqipërisë, i dukshëm. Ju duhet konkurrenca

 

Gerald Frost, njëri prej njerëzve pranë zonjës së hekurt, gruas që qeverisi 12 vjet Britaninë duke e ndryshuar atë dhe botën, është një prej mbartësve të mistereve të Margaret Thatcher-it dhe reformave politiko-ekonomike të futura në fjalorë si “theçerizmi”. Frost, pavarësisht se ka një karrierë në ngjitje pas punës me Theçer-in, ai drejton një qendër studimesh në Hungari, e cila merret me studimin dhe nxitjen e politikave ekonomike në Europën Qendrore, flet me kënaqësi për kohën kur ka qenë pjesë e ekipit të saj dhe për atë se çfarë përfaqëson “theçerizmi” sot në Europë. Frost ishte në Tiranë, i ftuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike në Rrethin Liberal të mbajtur këtë fundjavë në Dardhë të Korçës. Në një intervistë për gazetën Mapo, Frost flet për Thatcher-in, për idetë liberale dhe jep disa këshilla për qeverinë shqiptare dhe opozitën.

Nga Blerina Gjoka dhe Anisa Gjini

Zoti Frost, ju zbrisni nga Dardha, ku morët pjesë në Rrethin Liberal të Dardhës 2015, të organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike, me çfarë përshtypjesh dilni nga ky takim?

E shijova shumë takimin në Dardhë dhe mësova shumë për Shqipërinë. Mendoj se Fondacioni për Lirinë Ekonomike është duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm për të shpjeguar bazat e një demokracie liberale funksionale.

Ju vini nga Anglia, ku keni pasur shumë eksperienca si profesionist i politikës dhe komunikimit, përfshirë dhe pjesëmarrjen tuaj në ekipin e kryeministres Thatcher, si do ta përkufizonit Thatcher-in? 

Gjëja më e mirë e saj ishte se, pavarësisht se përgjatë rrugës ndonjëherë i duhej të bënte lëvizje taktike apo devijime të ndryshme, ajo kurrë nuk e harronte objektivin kryesor, i cili ishte të rimëkëmbte krenarinë britanike, të arrinte rritje ekonomike, të kapërcente problemet e mëdha me të cilat u përball kur u zgjodh për herë të parë më 1979-ën.

A ishte intelektuale Thatcher dhe cilat ishin raportet e saj me mendimtarë të mëdhenj të kohës, si Hayek dhe Friedman?

Nuk do ta konsideroja si intelektuale. Asaj i pëlqente shumë shoqëria e intelektualëve dhe e kuptonte shumë mirë fuqinë e ideve, por ajo vetë nuk kishte interes për të eksploruar idetë dhe për t’i zhvilluar ato. Por Thatcher i shihte ato si shumë të rëndësishme dhe vendimtare për të kuptuar dhe për të arritur atë që ishte politikisht e mundshme. Në këtë prizëm, ajo i respektonte shumë mendimtarët kaq të mëdhenj dhe i merrte shumë seriozisht. I ka takuar që të dy dhe që të dy kanë pasur një impakt shumë të madh për mënyrën se si ajo mendonte dhe çfarë mendonte.

Për dy vite rresht i bëja një listë me dokumente për të lexuar, të cilën ajo e merrte gjatë fundjavave në shtëpi, pas një jave shumë të ngarkuar me angazhime në politike. Në këto lexime përfshija dhe punët e ekonomistëve dhe filozofëve të mëdhenj, si Hayek dhe Friedman. Më kujtohet kur u takua me Hayek për herë të parë dhe ishin të dy shumë të impresionuar nga njëri-tjetri, ndodheshin të dy në të njëjtën dhomë me dyer të mbyllura, ku askush nuk ishte i pranishëm dhe askush nuk ishte në dijeni të bisedës së tyre dhe kur doli nga ai takim, Hayek mezi shqiptoi vetëm dy fjalë: (She is beautiful) “ajo është e mrekullueshme”. Ai pati një impakt shumë të madh tek ajo, sidomos një  impakt vendimtar në reformat e saj ekonomike, duke e bindur që reformat nuk do të ishin të suksesshme nëse këto reforma nuk do të përfshinin “tregjet e përbashkëta”, si dhe të bënte përmirësime në zhvillimin e industrisë. Dhe të dyja këto këshilla ajo i mori shumë seriozisht.

Si do ta përkufizonit lidershipin e Thatcher-it? A ka mbetur diçka nga theçerizmi sot?

Unë mendoj që ajo ka reputacion gjigant në mbarë botën dhe akoma më të madh jashtë Britanisë. Zonjën Thatcher duhej nga disa njerëz, po kishte shumë që e urrenin. Ajo kishte marrëdhënie të vështira dhe konfliktuale me disa kolegë në Parlamentin britanik, por gjithsesi, Thatcher arriti që të mos humbte asnjë palë zgjedhje në tri mandate që kandidoi. Ajo ishte udhëheqëse e Partisë Konservatore në tri fitore zgjedhjesh dhe arriti ta mbante jo vetëm partinë, por dhe Anglinë të bashkuar përmes fitores në këto tri palë zgjedhje.

Si mund t'i vijnë në ndihmë idetë e Thatcher-it së djathtës europiane sot?

Ajo që mund të mësojmë sot nga Thatcher është fakti se ajo tregoi që tregu i lirë është mënyra më e mirë për të gjeneruar burime dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme për të nxitur lirinë individuale. Unë mendoj se një nga arsyet përse ndodhi globalizimi është se njerëz si zonja Thatcher dhe R. Regan fituan betejën e ekonomisë së tregut. Pavarësisht se sërish kemi kaluar periudha të vështira ekonomike, ende është fakt se në mbarë botën çdo ditë mijëra njerëz janë duke i shpëtuar varfërisë. Për këto arsye ka shumë për të mësuar nga theçerizmi. Thatcher ka qenë shumë liberale klasike përsa i përket politikave ekonomike, kur vjen puna për politikën e jashtme dhe sociale, ajo ka qenë konservatore. Theçer kuptoi se, pavarësisht krijimit të Bashkimit Europian, ishte kombi në vetvete, i cili është baza për implementimin dhe ndërtimin e një demokracie të fortë. Ajo besonte se krijimi i Bashkimit Europian do të kërcënonte sovranitetin kombëtar, besonte se hyrja në BE ishte një marrëveshje shumë e keqe për Anglinë.  Ajo një herë ka qenë në fillim një mbështetëse e fortë e BE-së, por kjo gjë nuk solli asnjë kontribut në zgjidhjen e problemeve të Britanisë. Të gjitha masat që u ndërmorën për të zgjidhur problemet e inflacionit apo probleme të mëdha me të cilat ajo u has gjatë qeverisjes së saj, qartësisht nuk ishin masa të ndërmarra nga BE-ja, por nga kabineti i saj, ishin masa kombëtare. Qenia anëtare e BE-së nuk kontribuoi në forcimin e ekonomisë angleze.

Cilat nga idetë e saj mendoni se po ndikojnë ende sot?

Nuk besoj se ka një njeri në Britani që dëshiron të rikthehet në periudhën përpara Thatcher-it, sepse ishte një periudhë shumë e pasuksesshme, me një performancë shumë të keqe ekonomike, me inflacion shumë të lartë dhe me një borxh shumë të madh ekonomik. Unë besoj se kriza ekonomike e vitit 2008 bëri që shumë njerëz të humbnin besimin ose të dyshonin tek kapitalizmi, por mendoj se sapo të kalojnë dhe pasojat e fundit të kësaj krize, njerëzit do të arrijnë të kuptojnë se në të vërtetë nuk është dështim i kapitalizmit, dështim i tregut, por i keqmenaxhimit qeveritar.

Sa të nevojshme janë idetë liberale dhe theçerizmi për një vend të vogël e të varfër si Shqipëria?

Ndikimi i “theçerizmit” varion nga shteti në shtet, se ka shumë vende që janë ende duke mësuar nga periudha e neoliberalizmit që lindi më 1980, por ka të tjerë që duken sikur po kthehen akoma më pas në kohë. Për shembull, në rastin e Shqipërisë, që ka një potencial mjaft të madh dhe nëse u rikthehemi arritjeve të zonjës Thatcher, do të kenë shumë për të mësuar dhe shumë nga ato gjëra që mund të aplikohen edhe në Shqipëri, pavarësisht faktit se institucionet, historia por dhe kultura janë të ndryshme. Njohja ime për Shqipërinë është sipërfaqësore, me çfarë unë arrita të kuptoj, rënia e komunizmit ishte një arritje shumë e madhe për vendin tuaj dhe kjo solli më pas një zhvillim shumë të madh të privatizimeve. Por me ndërrimin e qeverive tani vonë, gjërat nuk kanë shkuar aq mirë sa duhej. Një nga pasojat madhore të këtij ndryshimi është mungesa e investimeve, klima e investimeve nuk është më aq e favorshme sa çka qenë më përpara dhe sigurisht nuk është aq sa do të duhej të ishte. Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë më të ndritshme, nëse institucionet mund të forcohen dhe reformohen, nëse taksat mund të mbahen në një nivel të mirëmenaxhueshëm, nëse mund t’u sigurohet të gjithëve e drejta e pronës, nëse menaxhohet në mënyrë efektive korrupsioni, gjë e cila është e vështirë, por jo e pamundur. Nëse këto arrihen, vendi juaj mund të ketë një të ardhme shumë të mirë pasi ka gjithë potencialet e duhura. Nuk besoj se kam qenë ndonjëherë në ndonjë vend tjetër, në të cilin potenciali i tij është kaq i dukshëm, por duhet një mirëmenaxhim i politikave dhe ekonomisë për ta bërë atë të ecë përpara.

Çfarë sugjerimi keni për forcat liberale sot në Shqipëri?

Hapi i parë dhe më i rëndësishmi që duhet të bëni është të siguroni të drejtën e pronës, duke qenë se mungesa e saj ka qenë një faktor madhor që ka riskuar zhvillimin ekonomik në shumë vende në zhvillim. Sapo të tejkalohet ky problem, qoftë dhe të bëhet një progres shumë sinjifikativ, do të kemi bazat për të ndërtuar një ekonomi të mirëfilltë tregu, por mbi të gjitha ju nevojitet konkurrenca, institucione që punojnë mirë për të krijuar një treg pune fleksibël. Nëse ju arrini që t’i bëni këto, do të keni bazat e duhura për të nxitur tregun e lirë që të krijojë mirëqenie, punë, etj. Mesa unë arrita të shoh, brezi i ri në Shqipëri është i miredukuar, multigjuhësor, entuziast për të ardhmen dhe do të ishte shumë e trishtë që shumë prej tyre të duan të largohen vetëm prej mungesës së prosperitetit ekonomik të vendit.

Partitë opozitare duhet të mbrojnë kryesisht sistemin e tregut dhe, duke e bërë këtë, do t’u mundësojë që të godasin drejtpërdrejt inferioritetin e shoqërive socialiste, shoqëri të cilat, pavarësisht se mund të kenë burime natyrore, si rasti i Venezuelës, sërish ngelen shumë të varfra dhe aspak të lira. Mbrojtja e sistemit të tregut do të thotë të mbrosh rregullin e tregut jo vetëm në baza materiale, por edhe morale. Është një sistem shumë më i mirë, sepse jep shumë më tepër mundësi për zhvillim të shoqërisë dhe individit, si dhe sjell më shumë të mira materiale.

Gjëja më kryesore që i mbetet opozitës është që ajo duhet të bëjë çfarë të mundet që të sjellë një kuptim më të gjerë në shoqëri mbi bazat morale dhe materiale të tregut të lirë. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, do të jetë e vështirë dhe për vetë qeveritë e djathta që të përballojnë një krizë ekonomike, që t’u rezistojnë kërkesave për një ndërhyrje të shtetit.

SHKARKO APP