Fuga: Konformizëm për konfort!

Placeholder Image

Artan Fuga flet për vlerësimin që merr talenti në Shqipëri dhe përgjegjësitë që ka shteti ndaj tij

Prof. Dr. Artan Fuga prej vitesh është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai  është autor i shumë librave në fushën e filozofisë, sociologjisë, komunikimit dhe publicistikës. Për  gazetën “Koha Jonë”, Fuga  flet për rolin që duhet të ketë shteti për të zbuluar dhe zhvilluar talentin. Shqipëria, sipas tij, ka të talentuar çdokënd që është i ndershëm dhe punon me dinjitet në këtë vend, sikurse ka edhe rreth 1 për qind të popullsisë që vjedh qytetarët dhe përbuz talentin:

Besoni se ka më  shumë njerëz të talentuar, apo të korruptuar vendi ynë? Cili është raporti i shtetit shqiptar, i politikave qeverisëse, me këto dy kategori?

Nuk i kam matur sesa janë të korruptuarit, as sesa janë të  talentuarit. Por unë të talentuar sipas nivele të ndryshme njoh gjithë popullin shqiptar, të  gjithë shqiptarët që kanë talent për të përballuar vështirësi, që mes baltës dhe djersës çojnë fëmijët në shkollë për të mësuar zanate bashkëkohore dhe jo zanate turpi, ku duhet të punosh si në  librat e Dikensit. A nuk janë talentë ata shqiptarë që e çajnë botën dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në zemër të Perëndimit? Po ku ta tregojë talentin e vet shqiptari sot? Të talentuar janë ata që me buxhete familjare të mjera ja dalin të ruajnë dinjitetin. Janë studentët që pa biblioteka shkëlqejnë. Janë sipërmarrësit e ndershëm që përpiqen të ndërtojnë biznese të përparuara. Pra, ka sipas kritereve të ndryshme, plot.  Kurse të korruptuar aktivë janë shumë pak. 1 për qind e popullsisë në çdo shoqëri thotë Stiglitz dhe unë nuk e kundërshtoj dot ata nobelist. Sot nuk besoj se ka aq lehtë vend pune në shtet që zihet me talent. Nuk përjashtoj raste të veçanta, sigurisht, por janë pakicë. Duhen edhe disa gjëra të  tjera. Militantizmi, mbështetja elektorale ndaj partisë, miku, kushëriri, mos them gjëra të  tjera, o Zot… Nuk është sot, është vazhdë… Ne na mungon nëpunësi publik që ngrihet në karrierë me karrierën e vet. Doni shembuj, pa fund, pa fund…

Kush mendoni se vlerësohet më tepër në Shqipëri, një i talentuar apo një i korruptuar?

Varet kush e vlerëson. Populli vlerëson talentin. Të  korruptuarit vlerësojnë të korruptuarit. Puna është se i korruptuari, me fuqinë e lekut ndërton pastaj edhe imazhin se është edhe i talentuar. Njoh prej tyre. Paraja blen gjithçka, edhe reputacionin se je politikan, drejtues, menaxher i talentuar.

Garat ndërkombëtare, në të gjitha fushat, i fitojnë më të talentuarit, të cilët edhe punojnë shumë, por edhe u krijohen kushtet e duhura për t’u formuar nga vendi i tyre. Por a është udhëhequr Shqipëria në këto 25 vite nga njerëz dhe drejtues të zotë që janë interesuar për ta zbuluar në kohë talentin, e kanë motivuar, zhvilluar atë, me vizionin se vetëm ai mund ta nderojë kombin? 

Të jesh edhe bujk nuk kërkon talent të madh intelektual, kërkon talent moral dhe fizik. Shitësit e shkretë mjafton tabelën e shumëzimit të dinë, me numrat e plotë. Unë nuk bëj analiza që janë fjalë në erë, apo të hedh gurin mbi klasa të tëra sociale. Unë di një fakt. Shoqëria shqiptare ka mbetur jashtë modernitetit teknologjik, profesional dhe ekonomik. Çfarë talenti mund të mbështetet kur nuk ka vend për talentet? Talentet në futboll? Ata ikin jashtë. Talentet, Shqipëria e sotme nuk i mban dot brenda vendit. Një talent që guxon të mendojë me kokën e vet, shoqëria e sotme e përjashton, e godet, i bën presion, e heq. Ku të lejon kollaj shefi të kesh mendim të pavarur. Të heqin pa një, pa dy. Vetëm raste të rralla ndodh ndryshe. Ky mentalitet i jep përparësi mediokritetit, sepse parimi i parë është të jesh dakord me shefin, pra të jesh brenda grupit dhe të kesh ndërgjegjen e kopesë. Sepse njerëzit sot nuk kanë statuse të mbrojtura me ligj.

Thuhet se talenti është i rrallë si ari, por kur nuk zbulohet ka një veti tjetër: digjet. A njihni ndonjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, të zgjedhurit e popullit, që të jetë kujdesur apo shqetësuar për talentin në Shqipëri?

Mund të hedh gurin kështu qorrazi.  Edhe mund të këtë, nuk kam ndjekur aktivitetin personal të deputetëve, por çfarë rëndësie ka. Deputeti nuk është për të mbështetur talentet. Është për të bërë ligje. Për shembull ne nuk kemi statusin e ekspertit të  pavarur. Kur nuk ke mendim të pavarur, çfarë talenti ke? Talentin e fshehur nuk ta njeh njeri. Si ta njoh talentin e një kandidati për deputet, kur ai kandidon brenda një liste? Si ta njoh talentin e një nëpunësi kur ai duhet të flasë e punojë me mendjen e shefit! Pa personalitet individual as mos mendo se mund të zbulohen e zhvillohen talentet. Personaliteti individual është baza e gjithçkaje. Përndryshe na mbulon mesatarizimi. Sikurse thuhet konformizmi është kushti i komfortit, në shoqëritë si jona.

 Intervistoi: Aranit Muraçi

SHKARKO APP