Gazment Bardhi: Duhet referendum për ndryshimin e Kushtetutës

 

Eksperti i PD-së, Gazment Bardhi, në intervistën për "Koha Jonë": Reforma në drejtësi,nuk garanton pavarësi dhe as luftë ndaj korrupsionit

Gazment Bardhi: Duhet referendum për ndryshimin e Kushtetutës

Intervistoi:Redjon Shtylla

 Reforma në sistemin e Drejtësisë, është një ka pestë prioritetet që Bashkimi Europian, i ka vendosur Shqipërisë, si kushtin bazë për anëtarësimin në BE. Në këtë intervistë për "Koha Jonë", eksperti ligjor i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, na shpreh qartë pozicion që ka marrë PD-ja, në këtë reformë. Për të si një ekspert ligjor, amendamentet e propozuara nga qeveria jo vetëm nuk do të arrijnë të luftojnë korrupsionin në sistemin gjyqësor, por përbëjnë një rrezik real për pavarësinë e tij. Më tej ai shton se: "Opozita nuk mund të pranojë një draft të hartuar në fshehtësi dhe papërfshirën e saj". Kalimi i reformës, nëse është thjesht një çështje votash, z.Bardhi shpreh qëndrimin se: "Opozita nuk mund të pranohet një draft të hartuar në fshehtësi dhe papërfshirën e opozitës. Kjo për faktin se nëse duam që reforma të jetë jetëgjate dhe efektive, atëherë ajo duhet të miratohet me konsensus midis të gjitha palëve".Një pikë e rëndësishme është dhe qëndrimi i Presidentit të Shqipërisë, z.Bujar Nishani, i cili se është përjashtuar nga procesi i realizimit të Reformës në Drejtësi. z.Bardhi e sheh në këtë qëndrim, e ku shprehet se: "Mendoj se Kreu i Shtetit jo vetëm duhet të ketë rol në këtë proces, por duhet të jetë një nga aktorët kryesor në realizimin e Reformës në Drejtësi".

Prej më shumë se një viti ka një debat publik për reformën në drejtësi. Të gjitha palët bien dakord se ka korrupsion dhe probleme ligjore në këtë sistem. Por shohim dhe qëndrime të ndryshme nga PD-ja dhe PS-ja, për mënyrën sesi duhet bërë reforma. Cilat janë pikat e propozuara deri tani për të cilat PD-ja nuk do të jap miratimin?

Konstatimi juaj se të gjitha palët bien dakord për realizimin e Reformës në Drejtësi është i drejtë. Të gjitha palët bien dakord që reforma duhet të bëhet bazuar në tre shtylla kryesore: luftë ndaj korrupsionit dhe rritje e eficencës së sistemit; luftë ndaj kooperativizmit dhe përgjegjshmëri; si dhe garantimi i pavarësisë dhe mosndërhyrjes  politike. Mënyra sesi ka funksionuar deri më sot drejtësia në Shqipëri, ka vend jo vetëm për përmirësime, por për një reformë të thellë. Ne duam ti jepet fund katrahurës së influencave politike dhe korruptive, që bëjnë të pamundur dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptar.

Ekspertët e përzgjedhur nga opozita parlamentare, kanë shprehur vlerësimin e tyre mbi çdo dispozitë të draft amendamenteve kushtetuese, të përgatitura nga ekspertët e caktuar nga mazhoranca. Në tërësi, ne mendojmë se amendamentet jo vetëm nuk do të arrijnë të luftojnë korrupsionin në sistemin gjyqësor, por përbëjnë një rrezik real për pavarësinë e tij. Gjithashtu, ne mendojmë se eksperimentimi me ngritjen e një numri të lartë të institucioneve të reja, nuk është zgjidhje e përshtatshme për Shqipërinë. Ne kemi humbur shumë kohë me eksperimente dhe tani është momenti të evidentojmë me kujdes problematikat dhe të ofrojmë zgjidhje afatgjata, duke reformuar thellë institucionet ekzistuese. Ngritja e institucioneve të reja mund të sjellë përfitime afatshkurtra për një mazhorancë të caktuar, por nuk shëndosh sistemin dhe nuk sjellë asnjë dobi për shqiptarët.

Unë mendoj se çdo propozim i bërë në draft, që nuk respekton parimet ndërkombëtare dhe cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë, nuk mund të gjejë mbështetje. Forcimi i rolit të ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë, emërimi i funksionarëve më të lartë të sistemit të drejtësisë vetëm me votat e një mazhorance politike, përjashtimi i çdo mekanizimi apo filtri balancues në procesin e emërimit, janë çështje të pa negociueshme dhe që nuk mund të pranohen. Sistemi duhet të reformohet, por duke garantuar njëkohësisht luftën ndaj korrupsionit nga njëra anë, dhe pavarësinë e sistemit nga ana tjetër. Mitmarrja është njëlloj e dëmshme si edhe kapja politike e sistemit të drejtësisë, pra korrupsioni politik.

Çfarë pritet të ndodhë, në Komisionin e Venecias dhe a janë gjasat për një mbështetje në tërësi të paktës që qeveria ka paraqitur, për realizimin e reformës?

Zyrtarisht në Komisionin e Venecias është dërguar drafti i amendamenteve kushtetuese të hartuar nga ekspertët e caktuar nga mazhoranca, si dhe opinioni i ekspertëve të opozitës mbi to. Komisioni i Venecias i ka marrë në shqyrtim këto dokumente dhe është e pritshme që brenda muajit Dhjetor të përgatisë opinionin e tij mbi amendamentet. Unë nuk dua të paragjykoj vlerësimet që do të bëjnë ekspertët e Komisionit të Venecias, por jam i bindur se prej tyre do të rikonfirmohen standardet ndërkombëtare në këto fushë dhe do të kërkohet garantimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Unë nuk mendoj se Komisioni i Venecias mund ta mbështesë në tërësi projektin e propozuar, sepse siç theksova edhe më lart, disa nga zgjidhjet e ofruara rrezikojnë thellësisht politizimin e sistemit të drejtësisë dhe kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

Kalimi i reformës në drejtësi është dhe çështje votash në Kuvend. Nëse PS-ja, LSI-ja dhe deputetët të tjerë miratojnë këto ndryshime pa konsensus, cili do të jetë qëndrimi i PD-së?

Unë nuk mund të bëjë parashikime për situatë hipotetike dhe aq më shumë nuk mund të konfirmojë se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike, sepse ky është një vendim që do ta marrin strukturat drejtuese të PD-së. Ajo që është bërë tashmë publike nga Kryetari i Partisë Demokratike është se nga opozita nuk mund të pranohet një draft të hartuar në fshehtësi dhe papërfshirën e opozitës. Kjo për faktin se nëse duam që reforma të jetë jetëgjate dhe efektive, atëherë ajo duhet të miratohet me konsensus midis të gjitha palëve. Edhe Komisioni Europian në Progres-Raportet për Shqipërinë ka theksuar pikërisht këtë -nevojën për të patur një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Në drejtim të arritjes së këtij konsensusi, mund t’ju konfirmojë se ekspertët e të dyja palëve, me prezencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtare, gjatë këtyre ditëve janë duke diskutuar mbi amendamentet kushtetuese, me qëllim vlerësimin e mundësisë për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe që respektojnë 3 shtyllat mbi të cilat duhet të bazohet Reforma në Drejtësi.

Për disa ndryshime kushtetuese është hedhur ideja e mbajtjes së një referendumi. A do ishte normale që ndryshime kaq të rëndësishme të mos kalojnë vetëm me kartonin e deputetëve?

Kushtetuta aktuale është miratuar me referendum. Gjatë këtyre viteve janë bërë disa ndryshime të vogla të saj, të cilat nuk kanë kaluar testin e konfirmimit me referendum. Është e vërtetë që në rastin konkret bëhet fjalë për ndryshime rrënjësore të Kushtetutës, ku pothuajse preken të gjitha parashikimet aktuale për një nga tre degët e pushtetit. Në këto kushte, do të ishte normale edhe konfirmimi me referendum i këtyre ndryshimeve, veçanërisht nëse drafti nuk gjen mbështetjen e të paktës 1/5 e deputetëve të Kuvendit.

Këto ditë opinioni është bombarduar me terma të jurisprudencës, të cilat ndonjë herë nuk arrijnë tek qytetarët në mënyrë të qartë. Ndaj disa pyetje janë të thjeshta: në formë sesi janë propozuar ndryshimet në sistem; gjykatat do janë të pavarura politikisht? Qytetarët do jenë më të detyruar të paguajnë nën dorë gjykatat për të marrë drejtësi?

Reforma në Drejtësi bëhet pikërisht për këto dy qëllime madhore, që sistemi të jetë i pavarur nga politika dhe të arrijë të ndëshkojë funksionarët publik të korruptuar, si dhe të jetë i aftë të bëjë drejtësi për qytetarët shqiptar. Mirëpo, ashtu sikurse theksova edhe më lart, unë mendoj se në formën që janë amendamentet kushtetuese, nuk arrihet të sigurohet as pavarësia politike e sistemit të drejtësisë dhe as lufta ndaj korrupsionit. Për këtë arsye, është i nevojshëm një proces i gjerë rishikimi i atyre amendamenteve dhe pa diskutim edhe një proces reflektimi mbi kritikat që i janë bërë deri më tani.

Presidenti Bujar Nishani i ka etiketuar si ekspert të politizuar dhe ekstremist, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ju si e shihni pozicionin e Kreut të Shtetit në këtë proces?

Presidenti i Republikës ka deklaruar se është përjashtuar nga procesi i realizimit të Reformës në Drejtësi dhe e vërteta në fakt ashtu është. Unë mendoj se Kreu i Shtetit jo vetëm duhet të ketë rol në këtë proces, por duhet të jetë një nga aktorët kryesor në realizimin e Reformës në Drejtësi. Gjithë përfshirja është element i rëndësishëm i këtij procesi dhe askush nuk duhet të përjashtohet apo të paragjykohet.

 

SHKARKO APP