Gerti Bogdani: Zgjedhjet e reja me një sistem mazhoritar
Flet deputeti i PD-së, për ” Koha Jonë”, në seancën e ardhshme do prezantoj nisëm ligjore për ndihmën në lidhje me energjinë elektrike që duhet shtuar te familjet në nevojë
Intervistoi: Redjon Shtylla
Partia Demokratike parashikon në statutin e saj zgjedhje dhe zgjedhje të lira do të ketë, por pasi Kreu Basha të mbarojë mandatin e tij katër vjeçar. Kështu është shprehur deputeti i PD-së, Gerti Bogdani në një intervistë për “Koha Jonë”. Ndër të tjera, z.Bogdani ka treguar pse zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike do të ri-sjellë shpresën e humbur te Shqiptarët. E ndërsa për sa i përket debatit për propozimet mbi reformën zgjedhore, Bogdani vë theksin te deklarimi që duhet të bëjmë partitë politike mbi financimin e tyre sepse disa prej tyre marrin të ardhura nga krimi dhe nuk raportojnë se si i shpenzojnë këto të ardhura. E në lidhje me sistem të hapur apo të mbyllur për kandidatët, Bogdani ka thënë se ai personalisht është për një sistem ndryshe: “Për mua personalisht unë jam për një sistem mazhoritar sepse është një përballje më e fortë vlerash, kur kandidojnë individët dhe qytetarët e bëjnë më mirë ndarjen”. Më tej në këtë intervistë do të lexoni të vërtetën e debatit mbi humbjen e Kosovës në Këshillin Europian, ku përgjegjës është Ministri i Jashtëm. Në këtë intervistë do të lexoni mbi nismën ligjore nga ana e deputetit që do të prezantohet në seancën e ardhshme, për familjet që marrin ndihmë ekonomike, ti shtohet edhe ajo për energjinë elektrike.
Partitë politike janë në zgjedhje të brendshme. Në statusin e PD-së, do të shohim ndonjë ndryshim këtë vit? A do të shohim te opozita zgjedhje të lira?
Në Partinë Socialiste siç e keni vënë re nga deklaratat e fundit, nuk ka zgjedhje dhe ka një debat shumë të fortë mes Z.Blushi dhe Z.Rama pikërisht për këtë, për të lejuar zgjedhje sepse jam shumë kohë jashtë statutit, me sa kam ndjekur por ka një stepje të Z.Rama për të mos patur zgjedhje. Nga ky aspekt ndryshojmë goxha sepse Partia Demokratike parashikon në statutin e vet zgjedhje dhe bën zgjedhje. Z.Basha është zgjedhur para dy vitesh në krye të PD-së dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë në fund të mandatit të tij, i cili është 4-tër vjeçar. Kur koha të vijë, jam i sigurt që nuk do të kemi një debat të tillë, siç po ndodh në PS-së që flitet për zgjedhje por që në fund zgjedhjet janë një garë fiktive sepse kam përshtypjen se drejt asaj do të shkojë, ku z.Rama nuk do të pranojë të përballet brenda partisë së tij.
Zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri teknike, pse zgjodhët këtë rrugë dhe është kjo strategjia e duhur për përballjen dhe ardhjen në pushtet?
Nuk do ta quaja problem kryesor që PD-ja të vijë në qeverisje. Qëllimi kryesor është që kjo qeverisje të mbarojë, kësaj qeverisje sipas meje i ka ardhur fundi dhe në qoftë se pyet qytetarët e këtij vendi sepse sot Shqipëria ekonomikisht është shumë e rrënuar, familjet shqiptare e kanë shumë të vështirë që të mbyllin fundin e muajit. Klima e biznesit është shumë e rënduar dhe ka një frikë të përgjithshme dhe një acarim të përgjithshëm të situatës sepse kudo tatimorët janë lëshuar në sulm, kudo gjobat janë rritur në mënyrë të skajshme dhe mbi të gjitha është goditur biznesi i vogël dhe ai i mesëm, e ndërkohë një grup i vogël oligarkësh në këtë rast, ata janë pasanikët e këtij vendi. Ata bëjnë qejf, nuk paguajnë dogana, tatime e kështu me radhë sepse ndryshe nuk ka se si të justifikohen gropa në dogana e tatime për këtë vit të fundit. Ligji dhe këto procedura nuk janë të barabarta për të gjithë, aplikohen për pjesën më të madhe të njerëzve sidomos për biznesin e vogël i cili ka numrin më të madh që mban numrin më të madh të familjeve me bukë. Ndërkohë që një grup i vogël njerëzish pasurohen shumë shpejt. Gjykata kushtetuese i ka rrëzuar procedurat tatimore të propozuara nga qeveria sepse parashikoheshin disa gjëra ekstreme, duke filluar nga burgu deri në 100 milion lekë gjobë, janë masa të tejskajshme, masa që janë anti-kushtetuese dhe që cënojnë në fund të fundit të drejtën dhe liritë e individit. Ti thuash një familje të mesme apo të varfër shqiptare që do të paguash 100 milion gjobë, për një gabim shumë të vogël, i bie që ta rrënosh një herë e përgjithmonë. Nëqoftëse këta pushtetarë të sotshëm 100 milion lekë i kanë lekë xhepi dhe i bëjnë rrush e kumbulla, pjesa më e madhe apo 90% e shqiptarëve nuk i ka parë asnjë herë këtë shumë. Në këtë aspekt, përfundimi i kësaj qeverie, vajtja në një qeveri teknike do të ishte mundësi për të filluar që shpresa të rikthehet e jo për ta rikthyer menjëherë shpresën te qytetarët e vendit që sot po largohen me numra masivë, vetëm shifrat e azilkërkuesve këtë vit në Gjermani mbi 80 mijë, apo dhe numri i aplikantëve për Green Card mbi 2 qind mijë, janë treguesi më i drejtpërdrejtë i vështirësisë ekonomike dhe mungesës së shpresës që kanë qytetarët e vendit. Qeveria teknike është një mundësi për të ri-kthyer ngritjen e shpresës dhe për të shkuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse me një qeveri që kontrollon policinë, dhe një qeveri që kontrollohet nga mafia, nga trafiku e trafikantët e drogës dhe nga një polici që kontrollohet nga trafikantët e drogës, me një qeveri kaq shumë të korruptuar në sistemin e shëndetësisë, të energjisë, ekonomisë, nuk mund të kesh zgjedhje të lira e të ndershme. Z.Rama e tregoi në zgjedhjet e fundit në qershor që kandidoi njerëz me precedent penal, njerëz me super pushtet paraje dhe nga ana tjetër policia qëndroi në gjumë. Zgjedhjet nuk mund të jenë të lira me këtë qeveri dhe prandaj duhet qeveria teknike.
Duke qenë se jemi në këtë pjesë, në pakënaqësitë që kanë qytetarët që në fakt opozita e deklaroi në protestën e fundit se në Janar do të niste luftën kundër korrupsionit. Sot po shohim se ka ndryshuar taktikë, protestat po nisin nga qytetet. A është kjo mënyra më e mirë?
Kjo është një mënyrë shumë e rëndësishme, dhe njëherësh një tregues i realitetit ku jetojmë sot. Qeveria dhe propaganda e saj, mediat që kontrollohen prej saj, të gjithë resurset që ka vendosur për të treguar një Shqipëri ndryshe, pikërisht kundërshtohet nga këto protesta sepse gjendja reale e qytetarëve Shqiptarë është shumë më ndryshe nga ajo që qeveria mundohet të pasqyrojë. Protestat e PD-së janë padyshim janë në mbështetje të ngritjes së zërit të qytetarëve në këtë aspekt dhe një bashkim i fuqishëm sepse opozita e ka për detyrë që të jetë pranë qytetarëve, pranë zërit të qytetarëve dhe PD-ja e ka akoma më shumë për detyrë që ta bëjë diçka të tillë. Muaji Janar që kaloi nuk ishte një muaj i protestave për një arsye thjeshtë, për një arsye sepse ka qenë një muaj i rëndësishëm për reformën në drejtësi, një reformë ku kërkohet një frymë konsensusi dhe një bashkëpunimin midis palëve, mbi parimet e propozuara nga komisioni i Venecias, që është më e rëndësishme dhe kërkon një klimë pak më të butë bashkëpunimi. Por duke marrë shkas dhe nga protesta ndaj Ministrit Beqaj ku u godit me vezë e me domate të prishura, protesta popullore në këtë rast kam përshtypjen se nuk ndalohet. Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në krah, atëherë kur duhet në pararojë të saj.
Reforma zgjedhore. Cili nga propozimet e hedhura në diskutim sipas jush është më i pranueshëm për opozitën, e cila në fakt nuk është prononcuar ende zyrtarisht?
Partia Demokratike nuk e ka realizuar ende qëndrimin e saj dhe nuk është kjo kam përshtypjen pjesa më e rëndësishme e reformës por më e rëndësishme është përmbajtja dhe procedurat. Pavarësisht që nuk ka një qëndrim zyrtar, në tryezën që u realizuar me të gjithë drejtuesit e forcave politike, z.Basha foli shumë qartë dhe dha një mesazh shumë të rëndësishëm, dhe që kam parasysh këtë financimin e partive politike. Duhet që financimi i partive politike të jetë transparent dhe i pastër, ku burimet të bëhen transparente, ku të mos ketë më para të pista, apo para kriminelësh apo trafikantësh, duke marrë një mandat deputeti dhe paguajnë votën e majme te partia. Por të ketë një financim gati 100%, nga buxheti i shtetit dhe të mos ketë një kontroll mbi të ardhurat e deklaruara por mbi shpenzimet. Në mirë është të analizohen se si shpenzohet se ashtu llogariten më lehtë dhe besoj se këto janë forma të duhura, për dy arsye. Së pari për zgjedhje sepse mund të shkojnë drejt dëmtimit deri te blerja e votës që ka qenë problem i madh në Shqipëri dhe së dyti do të ulin ndjeshëm korrupsionin sepse po ndodh sot ky korrupsion galopant në fushat që përmendëm, si në shëndetësi mbi 300 milionë euro vetëm me koncesionet, 700 milion euro që kontrolli i lartë i shtetit ka denoncuar qeverinë për dëm ekonomik, e të gjitha këto para shkojnë në dy drejtime. Së parti për të pasuruar xhepin e politikanëve që bien në gjumë të varfër por çohen pasanikë dhe së dyti shkojnë drejt arkave të partive politike për të blerë votën. Ka një parim sepse socializmi i do njerëzit më të varfër sepse aq më lehtë kontrollohen. Pastaj a janë lista të hapura apo të mbyllura është gjë që mbetet për tu diskutuar. Për mua personalisht unë jam për një sistem mazhoritar sepse është një përballje më e fortë vlerash, kur kandidojnë individët dhe qytetarët e bëjnë më mirë ndarjen.
Dy goditje negative për Kosovën, e para ishte zhgënjimi në UNESCO dhe e dyta ishte ajo e para disa ditëve në KiE. Çfarë e shkaktoi këtë herë fitoren e propozimeve të Serbisë përkundrejt tonave? Znj.Leskaj përgjegjës për këtë dështim bëri PD-në. Si qëndron e vërteta?
Argumenti i Znj.Leskaj e tregon shumë qartë se si qëndron çështja, sepse mënyra se sa lehtë bie si argument tregon se sa dobët ka qenë puna e përfaqësuesve të Shqipërisë në Europë. Për t’ua rikujtuar lexuesve tuaj, argumenti i Znj.Veskaj është që z.Berisha nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e këshillit të Europës. E vërteta qëndron që z.Berisha është zëvendësuar nga Oerd Bylykbashi dhe vetë Leskaj e ka thënë se Bylykbashi ka qenë shumë aktiv dhe ka marrë pjesë në çdo mbledhje dhe ky argument bie menjëherë. Dhe është e lehtë që ta drejtosh gishtin nga tjetri, kur sidomos kur fajin e ke vetë. Unë do të thoja që faji nuk është i znj.Leskaj, sepse në fund të fundit ajo është një përfaqësuese e parlamentit Shqiptar në parlamentin e Europës por është një dështim i diplomacisë Shqiptare. Kosova në këtë fillim viti ka humbur dy beteja shumë të rëndësishme, siç ishte kjo rezolutë në Këshillin e Europës dhe vota në UNESCO. Tre Shtetet që u vizituan nga Ministri ynë i Jashtëm, vetëm një javë para votës, Argjentina, Brazili dhe Maroku të cilat votuan kundër dhe tregon një dështim të hapur ndaj Ministrit Bushati në këtë rast. Për mendimin tim, diplomacia Shqiptare gjatë dy viteve është në pikën më të ulu që nga themeli i saj, 104 vjet më parë. Nëse duhet të ketë ndryshime na kabinetin qeveritar, përveç mamuthëve të korrupsionit si Beaqaj, Ahmetaj, Gjiknuri apo njerëzve të lidhur drejtpërdrejtë me krimin si Tahiri, dhe ai që duhet të ikë një orë e më parë, është Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Dështime të tilla Kosovës i kanë ulur asaj rolin në Ballkan dhe më tepërt kanë cenuar rolin e Shqipërisë në Ballkan. Ne duhet të ishim faktorë sot, por jemi shpërndarë në pesë shteteve, kemi kapacitete shtet formuese të rëndësishme në 3 prej tyre dhe kemi komunitetet tona në pesë prej tyre dhe shqiptarët sot janë më keq se kurrë. Serbia është ajo që nga marrë rivançin dhe është shumë më përpara se Shqiptarëve në Rajon.
Në lidhje me nismën ligjore për ti dhënë familjeve në nevojë që marrin ndihmë ekonomike, dhe një ndihmë për energjinë elektrike. Ku konsiston kjo ndihmë dhe çfarë prisni realisht?
Nisma ligjore që unë kam prezantuar në Kuvend, nga java e ardhshme fillojnë diskutimet në komisionet përkatëse. Është një nismë që i vjen në ndihmë familjeve në nevojë dhe në këtë rast 82 mijë familjeve të cilat marrin ndihmë ekonomike dhe në këtë rast bëhet fjalë për amendimin e ligjit për ndihëm ekonomike apo ndihmën shtetërore, për ti shtuar dhe këtyre familjeve dhe një ndihmë për energjinë elektrike që do të thotë, shteti ti garantojë disa kilovat pa pagesë gjatë vitit. Në muajt e verës mjaftueshëm për ndriçim dhe për gatim, 90.kv e ndërsa gjatë muajve të dimrit këto të dyja plus dhe numër minimal të kv për ngrohje, 150.kv në total. Një gjë që me siguri do të zgjidhte shumë probleme dhe shumë nga këto familje nuk mund të përballojë faturën e energjisë elektrike sidomos kur marrin një ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekësh të vjetra, ku njerëzit i kanë të papunë dhe do të parandalonte atë që ka qenë fatkeqësia e fundit të 2015 dhe në fillim të 2016, vdekja e disa foshnjave nga të ftohtit. Kjo është një nismë e shoqërisë civile, e ndërmarrë nga nisma #Thurje, e cila i bëri pjesë të gjithë deputetët e kuvendit të Shqipërisë, që ta përkrahin si iniciativë ligjore dhe për ta nisur si procedurë parlamentare. Pata fatin që isha deputet që ju përgjigj kësaj nisme sepse të ndihmosh ata që janë në nevojë nuk është më detyrë por detyrim. Shpresoj se do të gjej mbështetjen e maxhorancës dhe PD-ja si grup parlamentar e mbështet fort si nisëm të tillë dhe shpresoj që do të gjejë dhe mbështetjen e moxhorancës sepse është në të mirë të gjithëve, kur vjen fundi i muajit dhe familjet nuk kanë të paguajnë, faturat nuk pyesin nëse je i majtë apo i djathtë, kur vjen i ftohti dhe foshnjet vdesin, nuk pyesin je me PS-në apo me PD-në. Është detyrë e të gjithëve dhe unë besoj që deputetët e kuvendit të Shqipërisë ta hapin zemrën dhe mendjen në këtë rast dhe ta mbështesin këtë si një nisëm ligjore që nevojitet në këtë vend.