Gëzim Tushi: Integrimi i femrës në shoqëri tregues i emancipimit të saj

 

Sociologun Gëzim  Tushi, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për rolin e femrës në shoqërinë shqiptare dhe si mund të zhivllohet më tej emancipimi i saj                Intervistoi: Fran Gjoka

A është normal koncepti për femrën dhe rolin e saj si nënë?

Meqënëse jemi në një ditë të veçantë për gratë dhe rolin e gjithanshëm të tyre në jetën sociale, publike e familjare është e udhës që të diskutojmë edhe për ndryshimet që ka pësuar dhe duhet të pësojë edhe koncepti tradicional për rolin e saj ekskluzivisht si nënë. Sepse duhet të ndërgjegjësohen ato por dhe meshkujt në rradhë të parë se në kohën e sotme. Sepse koha po vërteton se koncepti tradicional e konservator për mëmësinë,  në kuptimin e ekskluzivitetit të kujdesit për fëmijën, nuk mund të jetë përjetësisht në qytetërimin modern detyrim i ngarkuar vetëm mbi gratë. Duke e vlerësuar këtë rol sociologët e familjes kanë theksuar se gratë e kanë marrë që nga lashtësia detyrën sociale dhe rolin e kujdesit familjar. Në fakt ata thonë se gratë e kanë marrë historikisht vetë këtë rol, të cilin nuk e bëjnë më mirë se burrat nga që janë të destinuara gjenetikisht për këtë rol apo nga shkaqe hormonale, por sepse shoqëria ju a ka ngarkuar këtë detyrë për traditë.

Në shoqërinë tonë, kur kushtet e jetës materiale dhe sociale janë përmirësuar, kur lufta për barazi gjinore është intensifikuar duket se gradualisht ka filluar të ketë peshë sociale një koncept të ri për konceptimin e rolit të mëmësisë. Nuk është ndonjëe hata e madhe që së fundmi eshe në shoqërinë tonë po shtohen gradualisht gratë, që nuk e pranojnë më këtë ekskluzivitet si detyrim determinant biologjik, si “fatalitet” genetik që të jenë vetëm ato të detyruara të luajnë në familje rolin e kujdestarit të vetëm të fëmijës. Që të jemi të vërtetë ka plot raste që ky koncept i ri për prindërimin dhe mëmësinë është gjëja më e papranueshme për shumë meshkuj tradicionalistë, që disa prej tyre i fut “panik genetik” të pajustifikuar nga moskuptimi i roleve biologjike dhe misioneve të “reja” të burrit dhe gruas në familje.

Derisa për lindjen e fëmijës të dy kanë role të përbashkëta, atëherë të tilla duhet të jenë përgjegjësitë e përbashkët edhe për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Ajo që praktikisht ata bëjnë është të detyrojnë gruan që të mos lëvizë nga misioni historik dhe biologjik që asaj i ka caktuar “zoti dhe shoqëria”. Ky është roli determinant dhe mënyra si është realizuar robërimi tradicional i grave në shoqëri. Ka një mentalitet sundues që është tejet i përhapur, madje i pranuar si mision i pretedestinuar për rolin e burrit dhe të gruas në familje. Ka ikur koha e konceptit sipas të cilit gruaja lind dhe kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, ndërsa burri ka si detyrë t’i sigurojë “ekonomikisht dhe personalisht”.

Si e mendoni “drejtësinë shtëpiake” dhe rolin e femrës si bashkëshorte dhe nënë?

Është shumë pozitiv fakti që në ditët tona është rritur sensibiliteti i shoqërisë shqiptare për temën e gruas. Madje ka filluar të percptohet problemi edhe në nivelin e “mikro-demokracisë” gjinore në familje, si problem që ka lidhje me atë që sociologët e quajnë “drejtësi shtëpiake”. Në botën moderne debati për këtë aspekt të drejtësisë sociale e gjinore është ndezuar i ashpër për shkak të emancipimit të shoqërisë, zgjimit social të femrave, zgjerimit të lëvizjeve me natyrë feministe.

Megjithë ndryshimet për mirë që kanë ndodhur ende është evidente pabarazia sociale midis femrave dhe meshkujve në familje, situata e tyre brenda “mureve të shtëpisë”. Kjo gjë nuk është i vështirë për t’u identifikuar si realitet social në Shqipëri. Besoj se nuk është e tepërt që problemin e barazisë gjinore në Shqipëri ta shikojmë edhe nga këndshikimi i barazisë gjinore në shtëpi, në familjen tonë apo i përpjekjeve që duhet të bëjë shoqëria por dhe vetë gratë për të vendosur “drejtësinë shtëpiake”. Kjo kërkon që të bëhemi të sinqertë më veten dhe me gratë tona, duke i treguar hapur realitet e pabarazisë gjinore dhe të mungesës skandaloze të drejtësisë shtëpiake në familjen tonë. Shtëpia është vendi ku me siguri pabarazia dhe mungesa e drejtësisë gjinore dhe sociale shfaqet më hapur se kudo.

Në çdo kohë në familjen shqiptare punët e shtëpisë janë konsideruar si detyrë ekskluzive e paravendosur dhe e pandryshuar për gratë, një destinacion gjinor i mbyllur i tyre. “Demokratizimi i shtëpisë” dhe ristrukturimi i marrëdhënieve gjinore në familjen shqiptare është dhe duhet konsideruar si një nga sfidat imediate të shoqërisë dhe grave, për të siguruar zbutje të padrejtësisë shtëpiake që ende është një barrë ekskluzive që rëndon ende totalisht mbi femrat. Kjo do të thotë që drejtësinë sociale të mos e shikojmë vetëm si epifenomen gjinor të përmasave sociale, si raport midis femrës dhe mashkullit të vlerësuara në shoqërinë tonë si strukturë sociale në tërësi, por edhe si nevojë e ngutshme për krijimin e kushteve për të realizuar edhe drejtësinë gjinore e barazinë sociale në familje.

Për fat të keq shoqëria jonë ende udhëhiqet nga “normat” e një kulture të vjetër që i konsideron të ndara, të fiksuara rolet e femrave dhe të meshkujve në shtëpi. Edhe sot është rezistente ideja se femrat janë të destinuara të përgjigjen për mirëmbajtjen e shtëpisë ndërsa burrat për sigurimin e të ardhurave të familjes. Natyrisht kjo kulturë e kthyer në normë, pavarësisht se pranohet nga gratë shqiptare është një atavizëm i së kaluarës, që së paku duhet filluar të kundërshtohet nga shoqëria. Natyrisht, nuk mendoj se ndarja e punëve të shtëpisë dhe vendosja e “drejtësisë shtëpiake” është një operacion që bëhet me thikë dhe në mënyrë të barabartë. Drejtësia shtëpiake nuk është drejtësi aritmetikore e ndarjes numerikisht të barabartë të punëve midis burrit dhe gruas, midis mashkullit dhe femrës.

Nëna është ajo, që në shpirtin e fëmijës fut gjithë atë që është e ndershme, e bukur dhe e vlefshme dhe mbi të gjitha mbetet faktor themelor stimulus për rritjen e një fëmije të mirë .Që të realizohet cilësisht ky edukim në radhë të parë a është e domosdoshme të shohim jetën e ndërtimit të familjes nga një grua nënë ?

Megjithë teoritë e shumta për “rolin e ri” të gruas në familjen postmoderne, për ndryshimin e stereotipeve gjinore brenda saj, pavarësisht sulmeve feministe për të “shpartalluar” idenë e determinizmit gjinor të femrës si nënë, askush nuk ka mundur të lëkundë besimin në misionin e saj edukativ. Në se cënohet roli i gruas si nënë, atëherë asnjë lloj familje nuk mund të ekzistojë si strukturë dhe funksion social. Gruaja si nënë mbetet bërthama e familjes, kuintesenca e saj. Çdo tentativë “emancipuese” për të cënuar këtë rol, deri tani në shoqërinë tonë nuk ka qënë jetëgjatë.

Në se cënohet roli i gruas si nënë atëherë ka shumë mundësi që lindja e fëmijëve të zhvishet nga ndjenja senstimentale, të reduktohet në funksion të thjeshtë “riprodhimi” pa qëllim social. Në se femrës do të tentojmë t’i cënojmë këtë rol organik, kjo do të thotë se është duke afruar “koha e tmerrit social”.  Kjo do të thotë se ndodhemi në një fazë kur shoqëria duhet të marrë “masa sociale” për t’i rritur fëmijët nëpër institucione sociale.

Ç’është për Ju termi “nënë” në përgjithësi?

Në kulturën tonë nëna ka qënë gjithnjë e dashur dhe emblematike për fëmijët e saj, një qënie që ka qënë në çdo kohë e gatshme të bëjë gjithçka, madje edhe sakrifica ekstreme për të garantuar jetën dhe zhvillimin normal të fëmijeve të vet. Në këtë mision human ajo është e “pa konkurueshme” nga askush.

Në fakt për shoqërinë dhe familjen shqiptare, vlerësimi realist dhe modern i rolit të gruas si nënë nuk është “çështje gjinore” e thjeshtë, nuk është as problem mode. Mirëpo perceptimi i drejtë nga shoqëria, familja por sidomos nga vetë gratë i rolit të tyre si nënë, në stadin e sotëm të zhvillimit të familjes moderne shqiptare me sa duket po bëhet një problem shqetësues. Padyshim nuk do të ishim realistë në se në mënyrë metafizike do të mohonim faktin, që vetë zhvillimi i shoqërisë shqiptare në dekadatat e fundit, ndryshimi i tipologjisë së familjes shqiptare nga “tradicionale” në “familje nukleare” (njëbërthamore), ka ndikuar në ridimensionimin e perceptimit sipas mënyrës patriarkale e tradicionale të konceptimit dhe realizimit të rolit të gruas si nënë.

Ky rol doemos për shumë shkaqe ekonomike, sociale, gjinore tashmë është duke pësuar ndryshime që logjikisht duhen njohur dhe pranuar. Pikërisht ndoshta nga tranzicioni tipologjik i shoqërisë dhe ndryshim i roleve gjinore brenda familjes shqiptare, ka bërë që edhe figura e gruas si nënë të marrë përmasat e një debati konceptual, që ndikon në ndryshimet që po ndodhin në marrëdhëniet e saj me fëmijët.

A gëzon aktualisht femra shqiptare statusin e duhur për të rritur një fëmijë me të gjitha cilësitë e rregullat e një shoqërie demokratike ?

Padyshim që po. Në shumicën dërmuese të rasteve statusi i femrës shqiptare në rolin e saj si nënë është i garantuar. Por ndërkaq duket se po fillojnë të shfaqen shënjat e para të një lloj devijimi gjinor dhe ndryshimi të statusit të gruas, që në rolin e nënës ka disa detyrime që janë obligative të cilat në se deformohen akoma, me siguri që do të sjellin pasoja të dukshme që realisht do cënojnë rolin, identitetin gjinor dhe rolin social të gruas në familjen shqiptare. Në këtë kontekst, nuk mund të jemi indiferentë për faktin që në marrëdhëniet e nënës me fëmijët, po shfaqen disa dukuri të një lloj “neutralitetit gjinor” edukativ, që kanë filluar të justifikohen në emër të transpantimit mekanik të parimeve të familjes moderne, të standarteve të  qytetërimeve të tjera.

Padyshim, në shoqërinë shqiptare  roli i veçantë i femrës si nënë, është një nga misionet e mëdha edukative gjinore dhe që me siguri që edhe në të ardhmen do të mbesë një nga vlerat e mëdha të familjes shqiptare. Në kulturën e qytetërimit tonë, pavarësisht problemeve dhe mangësive, roli i femrës si nënë ka qënë shumë i vlerësuar, sepse në këtë kulturë roli i saj ka qënë si “stabilizatore sociale” në marrëdhëniet e familjes me fëmijët.

Ndërkaq, duke qënë në vëzhgim të disa dukurive sociale dhe difekteve edukative që po shfaqen në edukatën dhe procesin e edukimit të fëmijëve tanë, kanë sociologët që flasin për ridimensionimin dhe reduktimin e sforcuar të rolit të gruas si nënë. Jo vetëm kaq, ky ndryshim i dukshëm i rolit edukativ të nënës në familje, kam përshtypjen se është bërë një nga shkaktarët kryesorë për një pjesë e problemeve sociale, me të cilat po përballemi në familje dhe jashtë saj, sidomos në marrëdhëniet me fëmijët.

Ndaj nuk mund të mos shqetësohemi për njëfarë “lëkundje” që po pëson roli i gruas në “figurën e nënës”, për shkak të presionit dhe  perceptimeve të deformuara të “rolit tradicional” i gruas shqiptare si nënë.

Kemi çifte bashkëshortësh konfliktualë dhe të hidhëruar e të nervozuar herë pas here me njëri tjetrin.

Cështja e luajtjes së roleve dhe e sigurimit të pozicioneve të njeriut në familje, në martesë dhe marrëdhëniet me fëmijët është bërë nga më të vështirat për t’u luajtur ashtu siç duhet. Madje kjo sintezë rolesh dhe simbiozë pozicionesh midis rolit të prindit me fëmijët dhe të bashëkshortit me partnerinen është nga gjërat që në kohët e fundit në familjen shqiptare është komplikuar shumë. Në një farë mënyre nuk është e lehtë që të jesh në të njëjtën kohë edhe prind i mirë dhe bashkëshort shembullor.

Është e vërtetë që në shumë raste familja nga një vatër e ngrohtë për edukimin dhe zhvillimin normal të fëmijëve shndërrohet në një qëndër të konfliktualitetit bashkëshortor, e kapluar nga grindjet, mëritë, dhuna e më në fund edhe divorci. Këto situate të shkaktuara nga faktorë stresantë të brendshëm apo të jashtëm, kanë ndikime shkatërrimtare në formimin e përgjithshëm të personalitetit të fëmijës. Modelet e këqija të prindërimit dhe bashkëshortësisë janë me shumë pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve. Një familje me “stof edukativ” të dobët dhe me marrëdhënie bashkëshortore destructive e ka të vështirë të luajë si duhet rolet e prindërimit dhe të ketë impakt edukativ pozitiv mbi fëmijët.

Si ndikon kjo situatë tek fëmijët e tyre, të cilët presin nga nëna t’u japin çdo ditë dashuri dhe buzëqeshje?

Kjo ndikon në mënyrë dramatike në formimin e drejtë individual dhe sidomos në orientimin e deformuar social të fëmijëve që rriten në ambinte agresive dhe me prindër konfliktualë. Prindërit që duhet të jenë gjeneratorë të burimit të humanizmit, kujdesit, mirësisë, empatisë bëhen prodhues të acideve helmuese bashkëshortore të cilat helmojnë në mënyrë serioze jetën e fëmijëve. Neurotizmi në familjet, konfliktet e zgjatura krijojnë një atmosferë mbytëse dhe mungesë hapësirash për zhvillimin e duhur të treguesve të zhvillimit të natyrshëm të personalitetit të fëmijës. Në këto ambiente në vend të fëmijëve të rritur në rrugë natyrale e klimë paqësore kemi fëmijë që rriten të zymtë, neurotikë, të frikshëm ndonjëherë por dhe asocial e agresivë në shumë raste. Kjo pataj bën që fëmijët të bëhen edhe gënjeshtarë e hipokritë, të pa vullnetshëm për të përballuar sfidat e jetës. Kjo do të thotë se pavarësisht problemeve që mund të kenë bashkëshortët në marrëdhëniet midis tyre, ata nuk kanë të drejtë të humbasin sensing e orientimit dhe përgjegjësitë e pandryshura të prindërimit.

Mesazhi juaj në festën e 8 Marsit.

Në këtë 8 mars ne burrat duhet të pranojmë se akoma i kemi të forta stereotipet mashkullore që e kanë burimin në forcën e “njollave të verbra kulturore maskiliste dhe që kanë ndikim edhe në pozitën e gruas në familje. Nga ana tjetër duhet të jemi të sigurt që pozita e gruas shqiptare në familje dhe shoqëri është një tregues shumë i rëndësishëm dhe tregues i saktë i nivelit të zhvillimit të qytetërimit tonë. Problemi është i dyanshëm dhe në një farë mënyre duhet parë me “dy optika”. Edhe se farë bëjnë burrat për të krijuar kushtet e afirmimit të personalitetit të gruas, por dhe se çfarë bëjnë vetë gratë për veten e tyre. Sidomos në familje, në këtë bërthamë me rëndësi të jetës sociale…

SHKARKO APP