Gjanaj: Shqiptarët në Bruksel nuk janë pjesë e grupeve radikale
Flet për “Koha Jonë”, Amet Gjanaj deputeti me origjinë shqiptare në Parlamentin e Belgjikës
Intervistoi: Redjon Shtylla
Përpos krizës ekonomike dhe fluksit të refugjatëve, mbi Europë po rëndon një plagë që nuk i dihet fundi. Sulme terroriste po godasin kryeqytetet e populluara. Së fundmi ishte Brukseli, tragjedia dhe dhimbja për viktimat ende nuk është shuar. Në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” deputeti shqiptar në Parlamentin belg, Ahmet Gjanaj rrëfen rreth sulmit, për jetën e komunitetit shqiptar në Belgjikë, mbi xhamitë dhe radikalizmin. Z. Amet Gjanaj prej vitesh jeton në Bruksel së bashku me familjen e tij dhe është tashmë pjesë e Parlamentit belg, ku përfaqëson një parti vendase.
Brukseli u godit nga një sulm terrorist. Një lajm i hidhur ky që tronditi botën dhe solidarizoi të gjithë njerëzit anembanë botës. Si e përjetuat atë moment të frikshëm?
Sigurisht që e përjetova shumë keq këtë sulm. Për më tepër që pas arrestimit të terroristit Salah Abdeslam menduam të gjithë se kishim larguar rrezikun të paktën për një moment! Ishte një ditë tmerri që s’do ta harrojmë kurrë për shkak se ishte hera e parë në historinë e saj që Belgjika goditej nga një sulm terrorist. Askush më në Belgjikë nuk mund të ndjehet i sigurt!
Shumë u diskutua dhe ende flitet për sigurinë e Forcave Speciale që nuk ishin të përgatitura, por këtu lajmi bie në kundërshtim me deklaratat e bëra publike pasi kishte informacione të brendshme se një sulm i tillë do të godiste. Në opinion tuaj a duhet të reagonte më fuqishëm shteti?
Nuk mund të mos vihen re dështimet e forcave të sigurisë belge në këtë dosje. Mosfunksionimet dhe gabimet po zbulohen dita- ditës dhe pas deklarimeve të Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan se që në verën e kaluar Turqia pati ekstraduar në drejtim të Belgjikës një nga atentatorët e këtyre sulmeve me akuzë për përfshirje në veprimtari terroriste, por që Belgjika e paska neglizhuar këtë informacion kyç për shmangien e mundshme të këtyre sulmeve kriminele. Është vënë re një mungesë në komunikimin ndërmjet shërbimeve përkatëse në nivele të ndryshme. Për të vënë dritë mbi gjithë këto mosfunksionime është kërkuar ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar.
Si pjesë e Parlamentit a është arritur në një konkluzion pse u sulmua nga terroristët Brukseli? Mund ta quajmë sinjal për politikën Europiane?
Akoma është herët për të nxjerrë konkluzione pasi për këtë duhen pritur rezultatet e punës së komisionit të posaçëm parlamentar që akoma nuk është ngritur. Megjithatë në javët në vijim përmes interpelancave dhe pyetjeve që do t’i shtrojmë ekzekutivit, do të mësojmë gjithçka ka ndodhur, ku do të dalin përgjegjësitë për gabimet.
Ju jeni shqiptar edhe pse përfaqësoni elektoratin vendas. Shqiptarët që janë një komunitet në Bruksel, u ndjenë të rrezikuar? Nga komunikimi juaj çfarë keni mësuar?
Shqiptarët si të gjithë belgët nuk i shpëtojnë dot ndjesisë së padurueshme të pasigurisë dhe se fatkeqësisht duhet të mësohemi të jetojmë në këtë gjendje pasigurie të përhershme. Atë ditë të zezë të sulmeve me sa kemi arritur të mësojmë deri më tani nuk ka pasur ndonjë shqiptar të vrarë apo të lënduar, por mund të kishte sepse në aeroport dhe në metro lëvizin vazhdimisht shqiptarët si gjithë të tjerët.
Në dijeninë tuaj a po shkon në vijë paralele besimi dhe praktikimi i fesë islame nga shqiptarët në Bruksel?A janë të kontrolluara dhe nën sigurinë e autoriteteve xhamitë? Nëse jo mund të na zbuloni se kush nga komunitetet në Bruksel kanë shfaqur probleme në këto xhami?
Kushtetuta belge parashikon një ndarje të pushteteve si dhe lirinë e besimit për çdokënd. Shteti nuk përzihet në punët e brendshme të asnjë kulti. Xhamitë shqiptare nuk përjashtohen nga rregullat e caktuara nga shteti. Për më tepër më duhet të them se xhamitë shqiptare janë institucionet më të qëndrueshme dhe të hershme të shqiptarëve në Belgjikë dhe se konform traditës së tolerancës që na karakterizon si popull, këto kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol shumë pozitiv brenda komunitetit shqiptar dhe më gjerë. Sa për radikalizimin religjioz që përçon në masë më të madhe komunitetin maroken, ngel një fenomen margjinal ndonëse në rritje. Por çfarë vlen të theksohet është se pavarësisht nga referimi në fenë islame, grupi terrorist i përfshirë në atentatet në Paris dhe Bruksel nuk përbëhej nga besimtarë të devotshëm frekuentues të xhamive, madje, shumica e tyre për të mos thënë të gjithë nuk kanë futur kurrë këmbët në një xhami. Ishin të njohur si hajdutë ordinerë të arrestuar shumë herë dhe që një pjesë të mirë të jetës tyre e kishin kaluar nëpër burgjet belge. Pra, siç e thotë politologu i specializuar në fenë islame z. Olivier Roy këtu nuk kemi të bëjmë me një radikalizim të fesë islame më shumë se një islamizim të radikalizmit të këtyre hajdutëve të rinjtë që instrumentalizojnë një fe paqësore për të shfryrë prirjet e tyre prej hajdutëve të dhunshëm dhe gjakatarë.
A po lulëzon radikalizimi dhe në bashkëbisedimet tuaja me komunitetin e shqiptarëve, mund të jenë ata të mashtruar ose për mungesë të njohurive të bollshme të fesë islame mund të bëhen pjesë e këtyre grupeve terroriste?
Radikalizmi ushqehet nga injoranca dhe mungesa e një edukate të mirëfilltë familjare, por dhe pleksja me kushte socio-ekonomike të mjerueshme dhe sidomos mungesa e perspektivave për një jetë më të mirë me një të ardhme profesionale dhe një vlerësim të shoqërisë dhe një prirje të pashtershme për dhunën dhe gjakderdhjen. Atentatorët, siç e thashë më lart, ishin hajdutë nuk kishin ndonjë shpresë për t’u vlerësuar as në jetën private as në jetë profesionale. ISIS-i këtë shfrytëzoi dhe arriti t’i rekrutojë duke i “vlerësuar”, duke u premtuar “parajsën”, larjen e gjynaheve, duke u premtuar dhe para për vete dhe familjen dhe mundësinë për t’i larë hesapet me shoqërinë që nuk diti t’i vlerësojë. Shqiptarët në Belgjikë dhe pse s’mund të përjashtojmë asgjë, kanë gjetur të gjitha mundësitë për t’u emancipuar dhe janë njerëz që nuk janë të humbur as moralisht as profesionalisht dhe nuk janë pre e diskriminimeve. Pra, kanë shumë pak gjasa që të radikalizohen dhe më pak akoma që të kthehen si terroristë për të vrarë njerëz të pafajshëm në vende publike.
Nëse mund të na shpjegoni më shumë se si është përshtatur komuniteti shqiptar në Bruksel? Jetojnë si komunitet apo ndihen qytetarë si vendasit? Çfarë shqetësime hasin ata më së shumti?
Në mënyrë të përgjithshme, shqiptarët adaptohen mirë në shoqërinë belge. Janë aktivë në shoqëri dhe përshtaten me popullsinë vendase. Si komunitet, për faj të një pakice të zhurmshme, nuk gëzon një imazh shumë pozitiv, por këto 5 viteve të fundit janë aktivizuar disa shoqata kulturore që i japin një tjetër imazh këtij komuniteti, gjërat nuk janë akoma perfekte, por shkojnë për më mirë. Shqetësimet e shqiptarëve janë ato që kanë të gjithë mërgimtarët, shqetësimin për të siguruar një jetesë të kënaqshme për familjet e tyre.
Janë të integruar shqiptarët në pjesën administrative të shtetit? Vlerësohen të barabartë me vendasit për punësim institucional apo për ta mbizotëron paragjykimi?
Përveç imazhit disi të keq që kanë për faj të disave, shqiptarët nuk janë fort viktimë të diskriminimeve.
DEKLARATA
“Shteti nuk përzihet në punët e brendshme të asnjë kulti. Xhamitë shqiptare nuk përjashtohen nga rregullat e caktuara nga shteti. Për më tepër më duhet të them se xhamitë shqiptare janë institucionet më të qëndrueshme dhe të hershme të shqiptarëve në Belgjikë dhe se konform traditës së tolerancës që na karakterizon si popull, këto kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol shumë pozitiv brenda komunitetit shqiptar dhe më gjerë”, shton z.Gjanaj.