Gjeneral Piro Ahmetaj: Çmimi i Lirisë sakrifica, vendi i kapur nga oligarkët e sofistikuar!
Gjeneral Piro AHMETAJ, ka një eksperiencë prej 32 vitesh shërbimi në strukturat e FA dhe këshilltar i Presidentit për Sigurinë dha dorëheqjen nga detyra në Presidencë pas abuzave të bëra nga deputetë të mazhoranxhës. Në këtë intervistë dhënë për "Koha Jonë", ai flet lidhur me akuzat që deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare bën ndaj tij, por edhe për situatën në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjeneral, pas akuzave nga deputetet e së majtës, ju dhatë dorëheqjen nga detyra si këshilltar në Presidencë, e ju quajtën si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Cilët ishin arsyet e këtij sulmi?
Së pari, edhe pse perceptimi populist për dorëheqjen lexohet si “arma e të dobëtëve”, në rastin konkret e kam qartësuar se “në themel të dorëheqjes” mbetet Standardet Perëndimore të Zyrtarit të Lartë/gjeneral, dhe ri-konfirmoj se në moralin tim, kjo gradë në një vend të NATO-s, aspirant për BE nuk mundet të ushtrohet me integritet të “denigruar” nga një shpifje e rëndë nga kryetari dhe anëtarë të KSK, pasi gjykoj se përveç pasojave personale dhe familjare, ka pasur edhe një konsekuencë “denigruese” për Institucionin e Presidentit dhe sistemin e sigurisë kombëtare.
Së dyti, për arsyet e sulmit siç i quani ju, do duhet të pyesni autorët? Në këndvështrimin personal, është një histori e turpshme, kriminale, dhe kështu “armë perversesh” për të denigruar, ndëshkuar dhe gjunjëzuar kurajën, oponencën profesionale, përkushtimin dhe integritetin intelektual që “gjenerali- armik i reformave” ka demonstruar në vijimësi. Pra është ne qasje me filozofinë staliniste “shpif-shpif se diçka do ngelet”, edhe pse në rastin konkret nuk ka asgjë të vërtet, dhe çfarë të ngelet fare. Shpifësit-ordinere do përballen për “denigrim dhe shpërdorim detyre”, deri në gjykatën e Strasburgut, duke shpresuar se “çmontimi institucionit të shpifjes”, i bën shërbim jo vetëm personit tim, por edhe de-kriminalizimit, de-mediokritetit dhe shtet-bërjes në vendin tonë! Konfirmoj për gazetën tuaj se dëmshpërblimin do t’ja dhuroj ndonjë agjenci bamirësie ilaçesh, për të kuruar falas “mendjet e deformuara/lajthitura”, që me shpifje dhe shtrembërime helmojnë çdokënd që “del nga vija”. Meqë më dhatë mundësinë, me lejoni të qartësoj dy pika kritike, për pjesën e interesuar për të vërtetën:
Ri-konfirmoj se “nuk kam patur as kontakt, as dosje, as pseudonim, dhe kurrfarë lidhje tjetër me ish-sigurimin e shtetit”. I kam kërkuar Presidentit, dhe në vijim edhe Kryeministrit që të vënë në lëvizje shërbimet/strukturat përkatëse për të ri-certifikuar, pastërtinë e figurës time zyrtare në lidhje me këtë akuzë, në këtë detyrë, si dhe në të gjitha funksionet brenda dhe jashtë vendit që kam ushtruar për 32 vjet në FASH, dhe: “nëse institucionet përgjegjëse, qoftë edhe një individ i vetëm në RSH, provojnë zyrtarisht të kundërtën, konfirmoj se jam i gatshëm të përballem me pasojat, për të gjitha funksionet e larta që kam mbajtur, brenda dhe jashtë vendit”. Përkundrazi, dëshiroj të bëj publike nëpërmjet gazetës tuaj, një fakt se për disa “njolla në biografi”, me gjithë rezultate e larta nuk qëndrova pedagog në shkollë dhe kam qenë “kontingjent në rreshtin e parë”, për të ushqyer makinerinë e krimit, të regjimit-mostër. Kam shpëtuar “për qime”, falë kohës (prag 90s), vendit dhe lidhjeve me disa protagonist të proçeseve demokratike të kohës, të cilëve u mbetem përulësisht mirënjohës. Kjo e vërtetë është e njohur nga koleget dhe miqtë, mi rrit kreditet e integritetit zyrtar, por nuk e kam shpërdoruar për “biografi” në asnjë rast.
Gjeneral gjithashtu keni sulmuar dhe akuzuar rëndë anëtarët e Komisionit të Sigurisë si individë të inkriminuar. A keni prova për këto akuza?
Siç mundet të lexohen “pa-oshilacione”, në asnjë rast nuk kam përmendur as emra, as shpifje, as parti, pavarësisht se secili lehtësisht “është vetë-akomoduar në “vendin e vetë”. Megjithëse statusi i publikuar në gazetë, dhe “letrën e hapur/turp të KS”, i janë vendosur qëllimisht emra për ta zgjeruar/shtrënguar radhët e “rilindësve të lënduar”, për ta bërë sa më tragjikë, më të besueshëm për konsum publik, si dhe për ti devijuar problemit. Në statusin e vërtetë, si një ekspert i fushës, kam ndarë me miqtë e mi, disa fakte dhe rezerva për përbërjen dhe produktet e KSK në reformën në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, kështu është fakt: drejtohet nga një ish-hetues “me përvojë” dhe sekretar, ish-drejtues dege i sigurimit kriminal të shtetit deri në ‘92; ka në përbërje një deputet të akuzuar për prostitucion; një për vrasës, një trafikant që egërsisht qëllon si “bandit” në kuvend kolegun; deputeti Prenga subjekt i statusit, dhe disa të tjerë, që përveç “devotshmërisë partiake”, nga vizioni janë nën nivelin e anëtareve të “byrosë politike” të kohës së Lenka Çuko (mbiemri kërriçe italisht) dhe bllokmenëve të rrjedhur, që OSBE-në e konsideronin si të ishte njëri me frymë.
E përsëris, mbështetur në këto të vërteta KSK, mbetet: “më i turpshmi, më i diskredituari dhe më i frikshmi në historinë e parlamentarizmit të RSH, në NATO, dhe jo vetëm, përjashto Korenë e Veriut dhe Bjellorusinë”. Pra, ju falënderoj edhe njëherë që më dhatë mundësinë të qartësoj, se nuk kam akuzuar njeri me emër, dhe në asnjë rast nuk kam kaluar vijën e kuqe (familjen), përverse fakte, të gjerësisht njohura, një pjesë të akuzuar, një pjesë nga raportet ndërkombëtare. I hidhni një sy edhe ju gazetarët, listës së komisionit të sigurisë, në SHBA, UK, Gjermani, Itali, Greqi, Kroaci, Slloveni, por edhe në Jugosllavi, Maqedoni, Mal i zi, dhe do gjeni që komisioni sigurisë kombëtare, ka personazhe të spikatura për vizion dhe vendosmëri shtetare. Në vend të merren me mua, të japin dorëheqje se turpëruan dynjanë.
Gjeneral, nën optikën e ekspertizës dhe përvojës tuaj në strukturat të NATO-s, si do ta vlerësonit Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjisë Ushtarake?
Në të dy rastet, para dhe mbas miratimit, jam përpjekur të jap kontribute profesionale, pavarësisht se nën qasjen bolshevike “ne dhe ata”, çdokush, përfshi edhe oponencën profesionale është i paragjykuar me anësi politike. Për t’u përgjigjur pyetjes tuaj, po bëj një përmbledhje të rezervave, në lidhje me këto dy dokument: Në të dy rastet, procese tërësisht të mbyllur, jo-përfshirës dhe mungesë transparence. Në parimet e hapësirës së Atlantikut të Veriut, dokumentet strategjike prodhohen duke respektuar katër kritere të “pa negociueshme”: 1- konsensus sa më të gjerë, 2- gjithë përfshirje (konsultim&oponence), 3- mbështetje financiare (dhe ulja kritike e buxhetit të mbrojtjes (0.84%), i kërcënon për të mbetur strategji në letër), si dhe 4- dimension aplikativ (objektiva dhe instrumente të matshme). Të pa-konsultuar me Presidentin dhe Komandantin e Përgjithshëm (KP), edhe pse konsultimi është detyrë kushtetuese dhe ligjore? Në historinë e demokracisë 25 vjeçare të RSH, mbetet në memorie si rasti i parë që KP e merr vesh nga faqja e internetit, jo një “pakujdesi burokratike”, por një demonstrim i arrogancës primitive ndaj Presidentit duke mos respektuar kushtetutën, ligjet dhe vendimet e GJK. Strategji pa konsensus të gjerë. Gjithë-përfshirja dhe konsensusi janë garanci kritike për jetësimin e dokumenteve strategjikë, pasi ato presupozohet të aplikohen në një periudhe dhjetë vjeçare, siç ishte rasti i SSK 2004-2014. Kujtoj se dokumenti pararendës i SSK 2004, dhe SU 2007, janë miratuar me 100 % te votave në kuvend, dhe si dëshmitar teknik kujtoj që: “lufta për konsensus të gjerë”, në rastin e parë nga ish-Ministri Majko, dhe në të dytin nga Ministri Mediu janë bërë deri në minutën e fundit; janë bërë lëshime për sa qasjet, dhe qëndrimet nostalgjike të disa grupeve të interesit, në lidhje me emërtimet (komanda forcash), reminishencat, interesat etj. Ndërsa për SSK-2014 dhe SU 2015 hapa prapa; vetëm 72 vota nga 140, nuk janë konsultuar apo debatuar me shoqërinë civile, grupet e interesit, debatuar me artikuj në revista shkencore, debate televizive, apo një oponencë formale nga institucionet studimore kombëtare apo të NATO-s. etj. Si i tillë, këto dokument janë si qershia mbi tortë e deformimit te sistemit, pasi “ligjetimon” një qasje flagrante të materializimit të deformimit të sistemit kushtetues të balancave dhe politizimin ekstrem të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. SU është jo 30%, por më shumë se 90 % e dokumentit është “plagjiaturë e gjallë”! Për ta ilustruar, projektit të SU Maj 2013 dhe SU Maj 2015, dhe përsëris se që çdo faqe, çdo paragraf, deri në detaje (fjali dhe fjalë) e këtij dokumentit konfirmon këtë plagjiaturë. Gjykoj që kjo strategji duhet të ishte strategji më novatore dhe të tejkalonte përfundimisht reminishencat e organizimit të FA me Forca, Brigada, etj aplikimin e konceptit ’joint-bashkuar’ edhe në organizimin (MM/SHP, JOC), trajnimin, pajisjen dhe doktrinat e tyre.
Gjeneral, ju keni shprehur në vijimësi rezerva të forta në lidhje me paketën ligjore, si p.sh në rastin e Ligji i Autoriteteve të Drejtimit Strategjik të FA-ve, jeni shprehur se ky ligj ka deformuar në mënyrë kritikë balancuese për tre pushtetet: Kuvendi, Presidenti dhe Ekzekutiv?
Ashtu si edhe me dokumentet strategjik, hartimi dhe miratimi paketës ligjore është shprehje e arrogancën konstante të Ekzekutivit për te rrëmbyer me “ligj të gjitha pushtetet”. Në rastin e ligjit që ju pyesni, në optikën time, ishte një përpjekje për "puç i but/modern institucional" pasi një maxhorancë ose koalicion, “me ligj” donte t’ia rrëmbente njërit dhe t’ia jepte një pushteti tjetër të gjitha kompetencat? Konkretisht, për rastin në fjalë të gjitha pushtetet (kompetencat/mekanizmat) për ushtrimin e detyrës si Komandant i Përgjithshëm, u presupozuan për ti kaluar nga Presidenti te Kryeministri, një model/përqasje që nuk aplikohet në asnjë nga vendet e NATO-s (përfshi edhe Turqinë), dhe që përkon me diktaturat, dhe politizon në mënyrë ekstreme strukturat e sigurisë/FA. Besoj se opinioni publik është njohur me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese (GJ.K) te cila e ka ri-kthyer Presidentin në detyrën kushtetuese të KP, ka rrëzuar modelin “Komandantit deklarativ/honorifik”; ka hedhur poshtë modelin e pashembullt të përqendrimit të pushteteve tek Kryeministri (Komandant dhe Komisar) në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes; ka shmangur vetëm pjesërisht politizimin ekstrem të FA, si dhe modelin absurd te Komandantit të shkëputur në kohë paqe, lufte, krizash, dhe fatkeqësive natyrore”. Për pjesën tjetër të paketës ligjore: Ligji e Gradave dhe Karrierës, një model Kinezo-lindor i panevojshëm, i paqëndrueshëm dhe i padenjë për një vend të NATO-s, dhe që: “kontribuon” në politizimin e skajshëm të FA, që mbjell parazitizëm në gradat e larta, demoralizon gradat e ulëta, promovon dembelizmin e piramidës së gradave, kontribuon në plakjen dhe rrudhjen e FA, uljen e operacionalitetit, dhe nxitjen e praktikave korruptive për mbijetesë (kalimi i vijës së kuqe)”. Edhe Ligji i Shërbimit të Inteligjencës, e ul ndjeshëm peshën e shërbimit në nivel te Zyre të Kontrollit të Brendshëm, pasi p.sh drejtuesi njësisë/shërbimit të mbështetjes, është Gjeneral, ndërsa drejtuesi shërbimit të Inteligjencës (me peshë kritike për vendimmarrjen strategjike), është Kolonel që emërohet nga ministri/politikani i radhës, që në një rast mund të jetë në detyrë edhe dy muaj. Me këtë ligj është përkeqësuar “paragjykimi/prangat e politizimit”, është rritur frikshëm hapësira e keq-përdorimit; e përfshin Ministrin (si në 1974) në zinxhirin e përgjegjësive të Komandimit dhe e lë praktikisht Presidentin/KP jashtë Zinxhirit të komandimi-Kontrollit për këtë Agjenci. Po kështu, ligji i disiplinës me 51 kufizime, një qasje qesharake. Konstitucionalistët nuk i japin dot përgjigje, dhe profesionistët janë të habitur, pse duhet me ligj dhe jo me një rregullore, të vendosen kornizat/detyrimet teknike të sjelljes së personelit ushtarak. Ka ky ligj ndonjë lidhje me kodin e sjelljes që përdoret në vendet e NATO-s? Përveç modelit të Kinës Popullore, dhe Koresë së veriut?
Cilat janë disa nga udhëkryqet e shtetit tonë, cilat janë sfidat që nuk po gjejmë përshtatje dhe reformim, si e gjykoni reformën e mbrojtjes?
Paraprakisht, kujtoj opinionit publik se projekti kombëtar për anëtarësimin në NATO (MAP/1999 – shtator 2013) u shoqërua me reforma të mëdha, ku spikasin: rritja e kapaciteteve operacionale për operacione ndërkombëtare (në rreth 400 vetë njëherësh në vitin 2012), më shumë se 400 ushtarakë (nënoficerë, kapiten, major, nënkolonel) kontribuuan në shtabet operacioneve jashtë vendit (CE), dhe me shume se 60 ushtarak në strukturat e kohës së paqes (PE), përfaqësues, atashe, strukturat e forcës, që të gjithë së bashku përbejnë një aset te çmuar në fushën e planifikimit dhe drejtimit të FA. U finalizua një “projekt shembullor” për demontimin e të gjithë trashëgimisë së municioneve të regjimit komunist. Buxheti i mbrojtjes arriti mesatarisht 1.8 % e GDP-së, rreth 30% e tij u alokua për projekte e modernizimit, si: Vëzhgimi i hapësirës detare, anijet e patrullimit, helikopterët, forcat speciale, uniforma, kursi i lartë për sigurinë dhe mbrojtjen, arsimimi dhe trajnimi, digjitalizimi i të dhënave të personelit, muzeu i FA, një projekt dinjitoze imazhi; u nënshkruan 10-ra marrëveshje mirëkuptimi për: Forcat speciale, inteligjencën, protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimi i informacionit të klasifikuar; me mbështetjen e SHBA u realizua rishikimi strategjik të mbrojtjes, etj. Të gjitha arritjet e sipërpërmendura, janë lehtësisht të matshme, të gjithë-pranuara, të gjithë-votuara, të certifikuara nga NATO – dhe për të gjitha këto Shqipëria e meritoi jo vetëm anëtarësimin por edhe përcaktimin zyrtar si “një ndër 5 vendet model në përmbushjen e detyrimeve në NATO”. Përtej anësive politike, në gjykimin tim, nuk është pa vend të evidentohet fakti që këto arritje i jep “kreditë të ligjshme të gjithë klasës politike”, dhe profesionisteve/protagonisteve të kësaj periudhe, nderon bilancin e reformave në përmbushjen e objektivave të anëtarësimit në pesë fushat themelore: Politikë, ekonomike, ushtarake, ligjore, dhe të informacionit. Mbas shtatorit 2013, në funksionin e zëvendës shefit të Shtabit të përgjithshëm, të këshilltarit të Presidentit, por edhe si një ekspert i angazhuar në pothuaj 18-të vjet në fushën e reformës së sigurisë dhe mbrojtjes, jam përpjekur të bëj detyrën, për ti ndriçuar dhe kontribuar me ekspertizën më cilësore të mundshme çështjet e reformës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Me përulësinë e një shërbëtori të atdheut, në këto reflektime kam synuar të bëjë oponencë profesionale për të ndalur luftën brenda llojit, për të tejkaluar ndasitë ekstreme, rritur kohezionin, kulturuar debatin publik dhe evituar agjendat diabolike në fushën e sigurisë. Dhe ende, me shumë se jo dy vjet qeverisje, vijoj përgjegjshmërish të mbetem i shqetësuar se mungesa e vizionit/lidershipit, qasje jo-konsensuale, politizimi, ulja drastike e buxhetit, shpërdorimi i aseteve dhe infrastrukturave strategjike (dhjetëra objekte dhe infrastruktura ushtarake); mungesa e solidaritetit dhe kohezionit, arroganca dhe pa-përgjegjshmëria propagandistike në drejtimin e FA e ka lënë Shqipërinë, dhe jo vetëm pa një projekt në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Si shumë të tjerë, jam profesionalisht i zhgënjyer, dhe sinqerisht i keq ardhur që ekzekutivi/MM, u keq-instrumentalizuan dhe shpërdoruan keqas në një qasje me ndasi bolshevike, arrogance ekstreme, mungesë transparence, qëndrime të duke e vulosur projektit të dështuar të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Në vend të detyrimit kushtetues (neni 12, pika 2), për të ruajtur asnjanësinë në çështjet politike të FA, për të promovuar më tej qasjen gjithëpërfshirëse, mirëkuptimin dhe arritjen e konsensusit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, ka demonstruar prej 26 muajsh qëndrime që bien në kundërshtim me Kushtetutën, ka aplikuar një qasje të paprecedentë në marrëdhëniet me Komandantin e Përgjithshëm të FA, pasi jo vetëm në një rast ka tejkaluar kompetencat; nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrat e dhëna; ka interpretuar kompetencat e Presidentit (si PK), ka krijuar konfuzion ndërinstitucional shumë të dëmshëm dhe të papranueshëm midis autoriteteve të komandimit dhe drejtimit në FA, është përfshirë në një propagandë të njëanshme politike, qasje këto në kundërshtim me kushtetutën, ligjin e autoriteteve, vendimin e GJK, si dhe të papranueshme për një vend me demokraci pluraliste, anëtar i NATO-s dhe kandidat e BE-së. Përtej “histerizmit bolshevik”, do të mbajnë tërë përgjegjësinë historike dhe ligjore të gjithë ata/ato, që në mungesë të vizionit, në emër të “luftës për karrige”, dhe papërgjegjshmërisë shtetarë në ushtrimin e pushtetit, kanë “nxjerrë nga shinat” projektin e sigurisë kombëtare. Procesi reformave në fushën e sigurisë është i pandalshëm, dhe pa asnjë mëdyshje Shqipëria ka nevojë ta “ndal daljen nga shinat”, ta reformojë sistemin, ka domosdoshmëri të përmirësojë në mënyrë kritike kapacitetet në shërbim të sigurisë qytetareve, shoqërisë dhe kombit shqiptar. Në bindjen time, ka nevojë imediate për një strategji dhe projekt i përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen. Qartësoj se NATO është garant i tërësisë territoriale nëse kufijve zyrtarë të RSH sulmohen ushtarakisht. Lista e rreziqeve është shumë e gjerë sa “tërësia territoriale”. Kështu, Shqipëria (aktorët relevant) është në të drejtën e saj ndërkombëtare dhe inkurajohet nga NATO që për rreziqet përtej nenit 5: “stabiliteti i demokracisë, marrëdhëniet ndër-etnike, të drejtat e njeriut, krizën financiare, papunësia e varfëria, emergjencat civile, mjedisi, terrorizmin, krimin e organizuar, trafiqet, rastet renegate” të ndërmarrë një debat gjithëpërfshirës, për të konsideruar dhe udhëhequr një projekt mbarë-kombëtar (dhe më gjerë) me strategji, aleanca, projekte dhe kapacitete të përbashkëta në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të shoqërisë dhe promovimit të interesave kombëtare. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë të pamundur ti përballojnë më vete këto sfida. Në planin diplomatik, në vend të hapin ambasada dhe konsullata për të shpërblyer militantët, të ngrenë struktura dhe mbajnë qëndrime të përbashkëta dhe përshkallëzuar (nga i buti te radikali) për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë, Malit të Zi ose Serbisë (nëse e kërkon) në raport me interesat jetike të shqiptareve!
Ka disa deklarata të Presidentit Z.Bujar Nishani se është përgjuar jeta e tij personale dhe familjare. Si ish-Këshilltar i Presidentit jeni në dijeni se diçka e tillë ka ndodhur?
Nuk kam asnjë dijeni, dhe po edhe të kisha sigurisht nuk më takon mua të komentoj qëndrime të Kryetarit të Shtetit, qoftë për dijeni që kam marrë që shkak apo në kohën e detyrës, dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, nuk besoj se ka shqiptar dhe ndërkombëtar i interesuar, që nuk e ka parë që arroganca kundër Presidentit, ka filluar që ditën e parë, me heqjen e portretit, dhe çdo ditë Ministrat në garë “kusht të demonstrojë devotshmëri para udhëheqësit të madh”, deri në raste protokollare. Dhe meqë jemi te pjesa banale, mundet tu them një rast: “Në një ceremoni zyrtare në një stërvitje të përbashkët me UK, në prezencë të Ambasadoreve dhe Atasheve të NATO-s, në prezencë edhe të kryetarit Braho, në prezencë edhe kamerave, MM nuk nderon si gjithë të pranishmin me qëndrimin në këmbë (rri ulur) në kohën e ceremonisë zyrtare së pritjes së Komandanti të Përgjithshëm (Presidentit) në një infrastrukturë ushtarake? Pjesëmarrësit e huaj, u llahtarisën; shtetarët/burokratet e vendit “bënë sikur s’panë gjë, ç’më duhet mua”, më thoni ju, ku mundet të ndodh kjo, kjo është turp dhe marrë bashkë !!
Si shpjegohet që megjithëse Kreu i Shtetit ka deklaruar disa herë faktin e ekzistencës së përgjimeve nuk ka asnjë masë nga institucionet?
Shpresoj, të kem mirëkuptimin tuaj, që edhe pse kam sigurisht një opinion personal, me të njëjtin arsyetim kësaj pyetje të mos i përgjigjem. Edhe pa-përgjigja e ka përgjigjen besoj, afër me rastin e mësipërm.
Gjykata kushtetuese rrëzoi poshtë paktin për kufirin detar midis Shqipërisë-Greqi, a është mbajtur qoftë dhe përgjegjësi morale, nga nënshkruesit e saj, nëse jo përse?
Për këtë çështje jam shprehur një opinion, dhe ajo që mora back si përgjigje ka qenë: “kështu nuk ka folur as Venizelos”, dhe kështu thashë me vete: “qenkam ARMIK, nuk e dashkam vendin tim”? Dhe duke mos qenë eksperti i detit kisha vendosur të mos merresha me çështje teknike, edhe pse sigurisht kam një eksperiencë cilësore rreth negociatave teknike, që kanë në themel parimin universal të interesave – give and take (jep e merr). Parë kështu, mendoj se gjykimet emocionale, populizmi i tepruar, nacionalizmi folklorik (valëvitja e flamujve dhe donkishot me dylbi përballe kufirit), përpjekja për ta denigruar pse jo për të dënuar/varur për: “tradhti të lartë ndaj atdheut” apo “për dorëzim territori” negociatorët, në opinionin tim, janë tërësisht të jo-racionale, të panevojshme dhe nuk kontribuojnë aspak për shoqërinë që duam dhe duhet të ndërtojmë. Nuk kam asnjë lidhje këndvështrimet dhe qëndrimet politike, dhe aq më pak të komentoj verdiktin gjykatës kushtetuese, edhe pse në dijeninë time modeste GJK ka rrëzuar procedurën dhe jo produkt e marrëveshjes së shumë përfolur. Gjithsesi, shqiptarët duhet të mos dezinformohen, Shqipëria nuk ka patur nuk ka pretendime territoriale (border disputes- një kushtëzim i pakapërcyeshëm) me Greqinë. Kjo histori është e mbyllur përgjithmonë me votën e Greqisë për anëtarësimin në NATO. Nga ana tjetër, gjykoj se çdo qeveri, sigurisht edhe qeveria aktuale ka legjitimitet, të bëjë negociata për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Opsioni tjetër, përveç negociatave është lufta, të kthehemi në kohën e Haxhi Qamilit, dhe tallemi me shqiptarët. Si profesionist, në vend të përgjigjes dëshiroj të jap një mesazh publik për këtë çështje. Ushtaraket (përfshi edhe gjeneral admiral) nuk ndajnë kufij detare/tokësor/ajror. Ushtria është instrument (jo pushtet) në duart e politikës për të mbështetur me ekspertize vendimmarrjet strategjike dhe përmbushur me mjetet e dhunës/forcës objektivat politike. Ne këtë kontekst, gjykoj se angazhimi ushtarakeve ka qenë në përmbushje të një detyrë shtetërore (me urdhër të një qeveria te ligjshme), gjatë të cilës një ekspert shkolluar në fushën e detit/ushtarak (jo nga posti burokratik) ka përfaqësuar ekspertizën profesionale për çështjen në fjalë. Ne përfundim, gjykoj dhe do sugjeroja që qeveria aktuale, të tejkalojë propagandën politiko-populiste dhe nacionalizmit irracionale dhe të gjejë/bëjë zgjidhje në negociata ose në institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që asetet në këtë hapësire të përdoren/konsumohen në dobi të prosperitetit të qytetareve dhe shoqërisë së dy vendeve tona!
Zoti gjeneral, nëse disa shkrime ju e në disa raste keni tejkaluar dukshëm përtej çështjeve të sigurisë. Kështu në shkrimin “Pranvere Lidershipi në hapësirën mbarë-shqiptare”’ “Jo vetëm Greqia e kërcënuar nga anarkistet e majtë”; “Paqja në Ballkan – sfide, oportunitet, dhe mision“, etj – ju keni demonstruar një kurajo të fortë shtetarë që e kapërcen kufizimet e një ushtaraku me uniformë! Nëse mundet të ndani me ne një opinion se cilat janë disa nga udhëkryqet e shtetit tonë, cilat janë sfidat që po ballafaqohen qytetarët ?
Po është plotësisht e vërtetë dhe po e pranoj publikisht në këtë intervistë se në disa shkrime e “kam dalë nga rreshti kufizimeve nën uniformë”! Dhe është e vërtetë, se jo facebook, por kjo jo ka qenë edhe arsyeja e atyre qe instrumentalizuan kundër meje, kjo kompleton edhe përgjigjen tuaj për arsyet e sulmit. Por është po ashtu e vërtetë, dhe e kam nënvizuar disa herë se keqja e shoqërisë nuk janë ata që heshtin – apo jo? Kjo sepse, në analizën strategjike, gjykoj me shqetësim se vendi ndodhet në prag të qeverisjes se dështuar, dhe besoj e dini që pasojat do ti vuajnë shqiptarët. Dhe në shkrimet që pamendet ju, jam fokusuar jo në të gjithë faktorët që mbjellin paqe apo prodhojnë kriza, por në një element me peshë kritike: udhëheqësit, në vijim të definuar me termin “lidership”, që gjithsesi janë pjesë e shkollimit, ekspertizës dhe eksperiencës në strukturat strategjike ndërkombëtare. Për të mbetur brenda objektit të intervistës, shembull për të mos heshtur por “ulëritur” mbetet një pjesë e frikshme e anëtareve të KSK, të cilët sa herë përjetojnë de-legjitimimin dhe de-kriminalizimin e karriges, i bëjnë letra Prokurorit për “de-stabilitet/kryengritje”; vizitojnë si “babagjysh i vitit ri” shkelësit e Ligjit; sponsorizojnë skena humori-live para institucioneve; kërkojnë “kokën e armiqve/gjeneralit”; Institucionet shtetërore, përfshi edhe KSK e ngatërrojnë me shoqatën e Enverit, apo organizatën e partisë, dhe “në vend të vizitohen për vete, u kërkojnë doktorëve receta për “armiqtë imagjinarë”hall i madh! Kështu, në këto shkrime shpresoj që të kem folë “fol fortë, edhe për drutë” (siç mjeshtërisht e interpreton Mirush Kabashi), dhe kështu të kontribuoje sadopak për të ndriçuar “të vërtetën” për gjendjen e këtij “vajmedet KSK”, dhe jo vetëm: kanë ata vizion?, kanë projekt?, janë të pa/inkriminuar?, dhe a kanë vendosmëri shtetarë?, për ti udhëhequr dhe jo sunduar shqiptaret drejt shoqërisë së vlerave perëndimore apo janë sekserë/matrapazë të emëruar; konfliktual e diabolik të sprovuar, militante mediokër të certifikuar, që me arrogancë ekstreme, po kontribuojnë në humbjen e shpresës, eksodin si në luftë (Sirisë), de-stabilitetin ekonomik, social dhe politik, korrupsionin, deformimin e harmonisë së balancave dhe riciklimin e rrokullisjes së shqiptareve drejt pasojave fatale të “qeverisjes së dështuar?. Për fat të shqiptarëve, nuk po e them vetëm unë këtë. Pyetja shtrohet, a do munden t’ia dalim ne vete të ndërtojmë një demokraci funksionale, një shoqëri ku konkurrojnë dhe prevalojnë vizionet, projektet, vlerat, ku mbillet e korret paqe dhe prosperitet për qytetaret? Besoj dhe lutem se po! Mbetet që ju, gjenerata e re të njohin përgjegjësitë, të angazhohen dhe të përballen me disa sfida kritike: Shqipëri stabël me demokraci funksionale; “Rotacioni i elitave politike dhe veçanërisht Integrimi në BE.
SI?, KUR? KUSH ? do ti realizojë këto sfida? E shoh te pragu derës një “pranverë mbarë-shqiptare”, që do të realizohet nga ju, gjenerata e re, e lindur dhe edukuar në liri, pa ngarkesa, paranoja dhe paragjykime që do ti tejkalojë “liderët/sundimtarët e tranzicionit të stër-lodhshëm”, oligark[t e sofistikuar në mënyrë që stabiliteti dhe prosperiteti të perceptohen e konsumohen përtej historive së përgjakshme. Nga ana tjetër, jam shpresë plotë se vetëm me ndihmën e SHBA-ve do mundemi t’ia dalim siç ja doli Italia e viteve ‘90-të, që shpëtoi nga mafiozët, oligarkët, kontrabandistet, trafikantët dhe mediokrit me pushtet.
Në përmbyllje, dëshiroj të përcjell një mesazh për të gjithë audiencën tuaj. Nuk ka absolutisht vend për të “fërkuar duart”, as për “protagonizëm bolshevik”. Në të kundërt, mendoj se ja vlen, duhet të shqetësohemi, nuk duhet të heshtim por sigurisht jo “të qajmë”. Përtej kësaj, kemi përgjegjësinë të kontribuojmë me profesionalizëm/vizion dhe përkushtim për te ndalur riciklimin e faktorëve rrokullisjen e Shqipërisë në pasojat e shtetit te dështuar. Deviza e përbotshme “çmimi lirisë është sakrifica”, do të mbetet edhe më tej sfida jonë e përbashkët për të tejkaluar “paranojën e pamundësisë ” në “mbjelljen” dhe konsolidimit e principeve/vlerave të sistemit perëndimore për shoqërinë dhe vendin. Jam në paqe me veten, se kam bërë pjesën time, dhe në lirinë e prangave të kufizimeve burokratike, do të kontribuoj edhe më shumë përgjegjshmëri që vendi ta tejkalojë këtë udhëkryq historik i atdheut tonë të përbashkët, dhe në hapësirën mbarë-shqiptare.
Së fundmi, mundet të na thoni diçka për perspektiven tuaj?
Në planin personal dëshiroj jo pa krenari të përsëris se në gati 32 vjet shërbim në FA, kam kontribuar rreth 18-të vjet në strukturat strategjike të reformave të Sigurisë dhe Integrimit; jam “ndriçuar” në shkollën Eisenhower; jam rritur në gradë (nga nënkolonel në gjeneral) në strukturën më të fuqishme dhe të besueshme të globit (NATO), ku për gati 6 vjet pata privilegjin të drejtoj dhe zhvilloj një ekip profesionistësh elitarë, duke kontribuar më shumë se modestish, për të “ngritur lartë stekën” e vendit tim (siç më cilësonte zyrtarisht jo partia, por komandanti suprem i NATO-s) “Shqipëria është ndër pesë vendet model në përmbushjen e standardeve dhe angazhimeve ushtarake”, si dhe profili perëndimor dhe kontributet në detyrën e këshilltarit, përfshi edhe dorëheqjen. Duke qenë kështu, për perspektiven i siguroj të gjithë se: "nuk do iki me bisht në shalë", – siç dërdëllisin “Padrinot, oligarkët dhe lukunia mediokreve meranë të përdorur për diarrenë gojore/shpifjen e radhës. Sigurisht kam një projekt, të cilin për momentin po e lë surprizë, por e sigurt është në fushën e sigurisë, por më i frymëzuar, më i motivuar, edhe më i përgjegjshëm që me ekspertizën dhe eksperiencën më shumë se modeste, të kontribuoj për modernizimin e sistemit të sigurisë jo në dobi të “sundimtarëve të radhës”, por në shërbim të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, stabilitetit demokratik të shoqërisë dhe interesave strategjike mbarëkombëtare.
E fundit në renditje, por e para nga rëndësia, diçka për familjen?
Pa mëdyshje familja, është gjithçka. Atdheu fillon te pragu i shtëpisë. E kam përmendur disa herë, veçanërisht privilegji për edukimin tetë vjeçar i dy fëmijëve në shkollat perëndimore (aktualisht Arlindi duke përfunduar studimet “master” në UCL, Londër, dhe Esmeralda Konservatorin Mbretëror, Belgjik), përgjegjshmëria e tyre, më bëjnë shumë krenar, dhe kështu do të vijojnë të mbeten “burim i pashtershëm i detyrimit dhe frymëzimit”. Bashkëshortja! Nuk e them për “modë”, por Lindita është gjysma ime më e mirë. Ndihem përulësisht i detyruar, që më ka shoqëruar me urtësi, modesti, dinjitet, dhe përkujdesje shembullore në këtë udhëtim mbresëlënës, realizim të suksesshëm por jo të lehtë gjithsesi dhe çmimi në këtë ka qenë më së shumti sakrifica e Saj.
Intervistoi: Redjon Shtylla