Gjergj Bojaxhi: S’kam hyrë në garë për të bërë lojën e PS-së. Sulmet ndaj meje, banale dhe dashakeqëse

 

Partitë politike nuk mund të përfaqësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë. Kështu u shpreh kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Gjergji Bojaxhi, në një intervistë për televizionin TemA. Lidhur me akuzat e Partisë Demokratike, se kandidimi i tij në këto zgjedhje bëhet vetëm për të dëmtuar kandidatin e djathtë, Bojaxhi tha se kjo është absolutisht e pavërtetë, sepse të gjitha partitë politike, pavarësisht emrit, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Z. Bojaxhi, ju jeni zgjedhur për të kandidiuar prej një grupi qytetarësh të angazhuar me emrin “Ne, Tirana”. Mund të na thoni diçka më tepër për grupin?

Fillimisht ne kemi qene një grup profesionistësh me njohje të përbashkëta me njeri-tjetrin.  Mes nesh ka pedagogë, artistë, menaxherë, ekonomistë, gazetarë, etj. Jemi njerëz të zakonshëm, qytetarë normalë. Jemi të arrirë në profesionet apo punët që bëjmë. E duam vendin tonë, e duam qytetin tonë, duam një të ardhme të mirë dhe të sigurtë për fëmijët tanë. Për rreth dy vjet jemi takuar rregullisht për të ndarë me njëri-tjetrin shqetësimet e përditshme për jetët tona, por edhe shpresat dhe aspiratat për të ardhmen. Sëbashku jemi bindur se politika që kemi është krejtësisht e mbyllur – ajo i ka braktisur qytetarët dhe punon vetëm për interesat e veta dhe të klientëve të saj. Ne mendojmë se partitë politike dhe ky rreth politik që ne kemi sot është i pareformueshëm dhe i pakorrigjueshëm. Nëse nuk e ndryshojmë, politikën që kemi sot do e kemi edhe pas një cerek shekulli tjetër – ajo thjesht do të riciklojë veteveten duke ofruar të njëjtin produkt me amballazh të ri. Ne mendojmë se e vetmja mënyrë për të ccarë këtë dhe për ta rikthyer politikën tek qytetari është sfidimi i saj nga jashtë, konkurimi i saj nga alternativa jashtë partive aktuale. Për këtë arsye, ne kemi menduar për të propozuar alternativën tonë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Në këtë përpjekje, javët e fundit na janë bashkuar me qindra qytetarë nga e gjithë Tirana, nga qyteti dhe fshatrat përqark. Nga një grup i vogël të njohurish me njeri-tjetrin, sot jemi një grup i madh qytetarësh.

Zoti Bojaxhi, jeni akuzuar prej  Partisë Demokratike, se keni hyrë në këtë garë për të dëmtuar kandidatin e saj në funksion të fitores së kandidati të mazhorancës. Cilat janë argumentet që vërtetojnë të kundërtën sipas jush?

As unë dhe askush nga ne nuk bëjmë lojën e askujt, as të PD-së, as të PS-së, as të partive të tjera. Mashtrimi dhe manipulimi i qytetarëve për vota nuk është qasja jonë edhe pse kjo ka qënë qasja kryesore e partive politike në këtë cerek shekulli. Unë nuk dua të merrem me këto trillime banale. E vërteta nuk mund të fshihet gjatë dhe koha shpejt do të tregojë se sa të pabaza dhe dashakeqëse janë këto pretendime. Megjithatë dëshiroj të them se shpifjet dhe sulmet personale janë një nga mjetet kryesore me të cilat politika dhe bizneset e saj ruajnë monopolin e tyre mbi pushtetin, duke u përpjekur për të shkurajuar cdo kënd që guxon t’i sfidojë apo kërkojë llogari. Sfidimi i kësaj politike kërkon edhe përballimin e këtyre sulmeve.

Në media është shkruar këto ditë për presione të PD-së ndaj jush për kandidimin. Sa e vërtetë është kjo dhe në se po a ka pasë të tilla edhe nga PS?

Nuk ka patur presione direkte ndaj meje. Ka patur një rrjedhje sharjesh e fyerjesh nga disa blogje anonime me autorë anonimë. Këto reagime janë banale dhe vulgare dhe nuk kanë asnjë vlerë. Ka patur një sërë sulmesh nga individë që nuk janë të panjohur për publikun, disi më pak banale se të parat por të arsyetura mbi bazën e një mentaliteti antidemokratik dhe robërues. Pak a shumë këto sulme mohojnë të drejtën e qytetarëve që të mendojnë, të shprehen e të zgjedhin vetë me vullnetin e tyrë të lirë. Qytetarët konsiderohen pronë e partive politike dhe llogariten e numërohen si krerë deleash në vathën e njërës apo tjetrës parti. Disa gazetarë apo figura të tjera publike kanë qenë gjithashtu kritikë por në mënyrë dashamirëse dhe mirëkuptuese ndaj përpjekjes sonë. Ne i respektojmë mendimet e tyre,  sikurse edhe ata respektojnë të drejtën tonë për të kandiduar. Megjithatë, shumica e reagimeve publike deri më sot kanë qënë pozitive dhe kanë qenë jo vetëm inkurajim për ne por mbi të gjitha konfirmim që ne jemi shumë.

Cilat janë pikat më të forta të programit tuaj për Tiranën?

Nuk mund të flasim ende për programin pasi fushata nuk ka filluar dhe respektoj ligjin. Mund të them me siguri është që qëllimi kryesor i programit tonë, por edhe i vetë kandidimit, është të clirojmë Bashkinë nga bizneset dhe interesat e ngushta të një grupi familjarësh e klientësh. Interesi publik do të jetë i vetmi interes i cdo punonjësi të Bashkisë duke fillaur nga unë. Vemendja jonë do të jenë qytetarët – njerëzit me problemet e tyre të përditshme. Ne nuk premtojmë gjëra të mëdha, por përmirësimin e jetesës së përditshme. Për ne puna e Bashkisë është shërbim i përditshëm ndaj qytetarëve.

Dhe së fundmi cilat janë pikat tuaja më të forta që ju bëjnë të besoni se do ta fitoni këtë garë, edhe pse keni një betejë të ashpër përballë dy partive të mëdha politike, PD e PS?

Unë mendoj se liria nga interesat partiake dhe nga bizneset e tyre është avantazhi më i madh që ne kemi. Interesi publik është i vetmi interes që ne kemi. Mendoj gjithashtu se integriteti dhe kurajoja që ne të gjithë kemi treguar në zgjedhjet dhe veprimet që kemi bërë në jetë janë arsye për t’u parë sy më sy me qytetarët dhe ëpr të fituar besimin e tyre. Ne nuk e shohim këtë garë si betejë me partitë e tjera. Ajo që ka rëndësi për ne është të komunikojmë e ndajmë idetë tona me qytetarët, me qëllim që të bëhemi bashkë në përpjekjen tonë për të thyer këtë politikë të mbyllur dhe për të mundësuar një qeverisje më të mirë dhe të denjë për fëmijët tanë. Ne qytetarët që nuk e gjëjm veten apo kemi humbur besimin tek partië politike jemi shumica. Në këto zgjedhje kjo shumicë do të fitojë mbi partitë.

SHKARKO APP