Gjergji Papa: Zgjedhjet e parakohshme do vijnë nga populli

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Gjergji Papa: “Janë larguar qindra specialistë e inxhinierë pyjesh dhe janë zëvendësuar me militantë të PS-së dhe LSI-së”

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Moratoriumi për pyjet edhe pse me 101 votat e deputetëve gjeti mbështetjen, përsëri opozita e sheh të dyshimtë faktin se sa do të respektohet ky ligj. Në një intervistë për ” Koha Jonë”, deputeti i Korçës, Gjergji Papa, ka theksuar se: “Emërtimi “moratorium” ka më shumë karakter deklarativ edhe për faktin se nuk ndalohet absolutisht shfrytëzimi i pyjeve, por ndryshon vetëm regjimi i shfrytëzimit të tyre, duke shfrytëzuar lëndën drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, si dhe për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore”. Papa ka akuzuar qeverinë, e cila gjatë dy vite e shkatërroi vetë këtë sektor.

Me 101 vota u miratua moratoriumi për pyjet. Gjatë seancës jeni shprehur se:”Emërtimi moratorium ka më shumë karakter deklarativ. Nuk ndalohet absolutisht shfrytëzimi i pyjeve, por ndryshon regjimi i shfrytëzimit të tyre”. E mbështesni ende këtë qëndrim?

Patjetër që e mbështes. Por fillimisht dua të sqaroj faktin që Grupi Parlamentar i PD-së ishte absolutisht pro pezullimit të përkohshëm të shfrytëzimit të fondit pyjor, për një periudhë dhjetë vjeçare. Jam shprehur në seancë se emërtimi “moratorium” ka më shumë karakter deklarativ sepse kjo qeveri, që ka shumë për zemër të bëjë shou, të tregojë që po bën shtet, është përgjegjësja kryesore e kësaj katastrofe ekologjike, e shkaktuar nga shfrytëzimi pa kriter i pyjeve. Po deri tani, gjatë këtyre rreth dy vjet e gjysmë qeverisje, ku ka qenë qeveria? Pse e lejoi ajo që pyjet të katandisen në këtë gjendje? Çfarë ka bërë ajo për ta frenuar këtë masakër ekologjike? Qeveria është përgjegjëse për shkatërrimin e Shërbimit Pyjor Shqiptar. U larguan nga puna qindra specialistë inxhinierë pyjesh dhe u zëvendësuan me militantë të PS-së dhe LSI-së, të korruptuar dhe të paaftë për të monitoruar dhe mbrojtur pyjet. Ata që morën leje shfrytëzimi, u lanë të prisnin lëndë drusore pa hesap, duke prerë edhe jashtë zonës, për të cilën kanë marrë lejen. Gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, në këmbim të votës, u favorizuan dhe u lanë të lirë të bënin çfarë të donin me pyjet, të gjithë ata që mbështesnin PS-në dhe LSI-në. U dhanë leja shfrytëzimi edhe brenda parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura. Emërtimi “moratorium” ka më shumë karakter deklarativ edhe për faktin se nuk ndalohet absolutisht shfrytëzimi i pyjeve, por ndryshon vetëm regjimi i shfrytëzimit të tyre, duke shfrytëzuar lëndën drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, si dhe për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.

Ministria ka thënë se, zhvillimi ekonomik i vrullshëm ka bërë që pyjet të shihen si një lëndë e parë, e cila është konsideruar falas në miniera, në ndërtim dhe në shumë fusha të tjera, por edhe në nevojat për ngrohje të popullatës. Tani do kemi më shumë gjelbërim dhe pak më pak zhvillim ekonomik, sipas logjikës. Si e shihni vijimësinë?

Jo. Pa tjetër që do të ketë më shumë gjelbërim, nëse ligji do të zbatohet me përpikëri, nga strukturat përgjegjëse ligjzbatuese. Nga ana tjetër, nuk do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, sepse është marrë parasysh edhe funksionimi normal dhe mos pengimi i punës të industrisë të përpunimit të lëndës drusore, si një degë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.

Po për transferimin e shumë sipërfaqeve pyjore te privatët. Në kushtet e moratoriumit keni informacion se si do të procedurohet?

Ligji e ndalon ushtrimin e veprimtarisë të shfrytëzimit të lëndës drusore si në fondin pyjor publik, ashtu edhe në atë privat. Kurse kalimi i fondit pyjor dhe kullosor tani në pronësi të pushtetit vendor dhe menaxhimi i këtij fondi prej tij, kjo është për të diskutuar. E përmenda pak edhe më lart. Më e rëndësishme se miratimi i këtij ligji, është zbatimi i tij, që ai të mos mbesë në letër. A do të jetë i aftë pushteti vendor, a do t’i ketë ai kapacitetet administrative dhe mundësitë materiale dhe monetare, për të monitoruar zbatimin e këtij ligji? Cili do të jetë roli i strukturave qeveritare për të monitoruar këtë proces? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i japim në vijimësi. Shembulli i moratoriumit të gjuetisë, që po trumbetohet me të madhe nga qeveria si sukses, është një shembull i qartë i paaftësisë të strukturave shtetërore për të zbatuar ligjin. Moratoriumi për gjuetinë ka ndaluar gjuetinë sportive të ligjshme, por ka nxitur gjuetinë e paligjshme dhe po bëhet batërdia kudo.

Bujqësia ka kushtet dhe traditën, kemi kultivimin e bimëve industriale si; panxhari i sheqerit, i cili sipas deklaratave është në fitim zero sepse nuk ka përmirësim e nuk ka fabrika, e njëjta gjë edhe me sojën. Si e shihni nga ana ekonomike dhe punën e Ministrisë së Bujqësisë për këtë pikë?

Kultivimi i bimëve industriale si panxhari i sheqerit dhe soja, janë të lidhura ngushtë me ngritjen e industrisë përpunuese të prodhimit të këtyre kulturave. Fakti që nuk është investuar në këtë lloj industrie në vendin tonë, tregon se biznesi nuk e ka parë me efektivitet të investojë në këtë sektor. Po marr si shembull panxharin e sheqerit, me të cilin jam marrë shumë gjatë karrierës sime profesionale. Shumë investitorë të huaj kanë ardhur në Shqipëri për të investuar në sektorin e prodhimit të sheqerit nga panxhari i sheqerit, por studimet e tyre kanë rezultuar se investimi është jo rentabël, për shkak të pamundësisë të një sasie aq të madhe prodhimi panxhari, sa prodhimi i sheqerit të dalë me kosto të ulët. Kjo për arsye të sipërfaqeve të kufizuara në vendin tonë, që plotësojnë kushtet klimatike-tokësore për kultivimin e panxharsheqerit. Për sa i përket punës së Ministrisë së Bujqësisë në veçanti dhe punës së qeverisë për sektorin e bujqësisë në përgjithësi mund të them me plot bindje se nuk është mbajtur asnjë prej premtimeve të shpallura në programin elektoral të koalicionit të majtë për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe industrisë agro- ushqimore. Qeveria ka dështuar me çmimet e inputeve bujqësore. Ku shkuan angazhimet e programit elektoral të PS-së për politika fiskale që synojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të inputeve bujqësore dhe për heqje të TVSH-së për të gjitha plehrat kimike, farat, fidanët, materialin gjenetik që përdoret në blegtori, vaksinat, ilaçet dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë?

Kalojmë te tema e reformës zgjedhore, PD-ja është për zgjedhje me lista të hapura apo për një sistem me lista të mbyllura?

Në Partinë Demokratike është duke u punuar për reformën zgjedhore. Qëndrimi zyrtar i PD-së do të bëhet i ditur nga anëtarët e PD-së gjatë punës së Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore.

PS-ja dhe LSI-ja shpesh paraqesin shenja mospërputhjesh mendimesh politike, por numri i deputetëve të tyre është në rritje në krahasim me ato që ka opozita. A ka PD-ja një strategji se si do të  përballojë ardhjen e saj me një qeveri teknike?

Blerja e votës tashmë është kthyer në një metodë pune për këtë maxhorancë. Edhe rritja e numrit të deputetëve të saj është pasojë e kësaj blerjeje. Shumica aktuale në Parlament nuk shpreh vullnetin real të zgjedhësve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Këta deputetë të larguar nga opozita, kanë shpërdoruar këtë vullnet të zgjedhësve, të cilët kanë votuar për PD-në dhe koalicionin e saj. Pavarësisht nga kjo, PD-ja e ka të kristalizuar qartë platformën e saj. Situata tejet e rëndë politike, ekonomike, sociale, rritja e korrupsionit, kriminalitetit dhe pasigurisë i bëjnë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të vijnë si rezultat i krizës të kësaj maxhorance. Mosmarrëveshjet PS-LSI janë shumë të thella, por ata vazhdojnë të bashkëqeverisin vetëm për hir të pushtetit. Zgjedhjet e parakohshme do të vinë si rezultat i presionit mbarëpopullor për situatën e rëndë të krijuar. Por zgjedhjet e parakohshme nuk mund të përgatiten nga kjo qeveri, e cila e ka treguar me fakte se është shumë e aftë për të blerë dhe manipuluar votat. Prandaj krijimi i një qeverie teknike, që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e vetmja alternativë.

Përsëri në media ka informacione në lidhje me lëndët narkotike, që arrestohen persona apo grupe. Duhet të theksojnë se qeveria përfundoi me operacione me sukses, atë në Lazarat e atë në Veri. Përsëri ka tregtim të kësaj lënde narkotike. Nëse do ta rikthejnë përsëri debatin që edhe deputetë brenda Parlamentit janë pro legalizimit, a duhet?

Qeveria ka kryer disa operacione kundër kultivimit të bimëve narkotike, por nuk mund të thuhet me sukses. Ju përmendni Lazaratin dhe Veriun, por tani harta e kultivimit të bimëve narkotike përfshin të gjithë territorin e vendit. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur qeveritarë, drejtues policie dhe njerëzit e tyre kontrollojnë drogën që nga mbjellja, rritja, paketimi, magazinimi dhe deri te transporti i saj drejt vendeve fqinjë me të gjitha mjetet deri tek avionët dhe helikopterët. Kjo është arsyeja që asnjë nga bosët e drogës dhe drejtuesit e këtij trafiku nuk kanë përfunduar në pranga. Kjo është arsyeja që avionët gjurmohen dhe kapen nga autoritetet e huaja, ngecin në rërë ose bien gjatë transportit të drogës, por në asnjë rast nuk kapen nga policia shqiptare. Ideja e legalizimit të kultivimit të bimëve narkotike, me arsyetimin absurd për të shtuar të ardhurat e fermerëve, për mua është një çmenduri, që jo vetëm nuk duhet të diskutohet, por duhet mbajtur qëndrim ndaj personave që hedhin ide të tilla, qofshin këta edhe me imunitet.

SHKARKO APP