Gjermeni: Ja strategjia e re e strehimit

Intervistë e ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni…

Në dhjetë vitet e ardhshme (2016 – 2025) pritet të rritet 50 deri në 70% numri i përfituesve nga programet sociale të strehimit. Por, si do të arrihet kjo? Ministria e Zhvillimit Urban, në qershor, ka miratuar Strategjinë e Strehimit 2016 – 2025, bashkë me Planin e Veprimit, ndërsa ka hartuar projektligjin “Për strehimin social”, që po diskutohet me grupet e interesit dhe së shpejti do të shkojë në Kuvend. Në një intervistë për ‘Monitor’, ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, thotë se disa nga ndërhyrjet që parashikon projektligji janë dyfishimi i programeve të strehimit; dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social, rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash, si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabile.

***

Strehimi social është një çështje e shoqëruar me jo pak probleme dhe gjithmonë ka pasur debat se përfituesit jo gjithmonë kanë ardhur nga shtresat vulnerabile. Ky rregullim ligjor që propozohet, çfarë ndryshon dhe çfarë garancish jep?
Strehimi është një çështje shumë e ndjeshme dhe që na prek të gjithëve. Për më tepër, strehimi social prek grupet më në nevojë dhe si i tillë kërkon vëmendje dhe angazhim nga shumë aktorë.
Në Shqipëri, në gjithë këto vite, ka munguar një dokument i mirëfilltë strategjik për strehimin, dhe nuk ka pasur një shifër të saktë për numrin e të pastrehëve. Ligji aktual për programet sociale të strehimit, nuk parashikon përfshirjen e mjaft kategorive në nevojë si përfituese të skemave të strehimit, pra nuk ju përgjigjet të gjitha nevojave që kanë individët dhe grupet me më shumë probleme sociale. Po t’i referohemi një vlerësimi të detajuar të përfituesve nga programet e strehimit, rezulton se gjatë viteve 2005 – 2014, nga këto programe kanë mundur të përfitojnë vetëm 14% e qytetarëve të pastrehë, pra afërsisht 4900, nga 35 mijë aplikantë të regjistruar.
Nisur nga ndjeshmëria e lartë sociale që strehimi ka, në mars të këtij viti nisëm procesin e rishikimit të ligjit “Për programet sociale të strehimit”, në bashkëpunim me ekspertë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilët kanë qenë partnerët tanë edhe në procesin e hartimit të Strategjisë së Strehimit 2016 – 2025, që u miratua në qershor të këtij viti bashkë me Planin e Veprimit.
Në strategjinë e miratuar, është shprehur qartë synimi ynë që në dhjetë vitet e ardhshme (2016 – 2025), të rrisim 50 deri në 70% numrin e përfituesve nga programet sociale të strehimit.
Një prej masave të përcaktuara në Planin e Veprimit është rishikimi i kuadrit ligjor për programet sociale të strehimit, si një instrument i domosdoshëm për përfshirjen e më shumë qytetarëve në nevojë, si përfitues të drejtpërdrejtë nga programet e strehimit.
Projektligji “Për strehimin social” që kemi hartuar gjatë një procesi transparent dhe përfshirës, është produkt i realizuar nga ekspertë dhe një grup pune nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe institucione të tjera që trajtojnë çështjet e strehimit. Dëshiroj të theksoj se ky projektligj, të cilin së shpejti do ta përcjellim për diskutim në Kuvend, është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm mes të gjitha palëve të përfshira, ku do të veçoja shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupeve në nevojë, institucionet publike që adresojnë çështjet që lidhen me strehimin e këtyre kategorive të qytetarëve, njësitë e qeverisjes vendore, Avokatin e Popullit, ekspertë të shoqërisë civile dhe donatorë. Kjo pjesëmarrje e gjerë e rreth 125 subjekteve, e ka bërë këtë draft më integral dhe më përfshirës.
Drafti i këtij projektligji po vijon të konsultohet me përfaqësues të pushtetit vendor, organizata të shoqërisë civile, qytetarë të interesuar në të gjithë vendin. Drafti gjithashtu është në faqen tonë të internetit, duke mirëpritur komente e sugjerime. ²
Dëshiroj të evidentoj disa nga risitë me më shumë impakt të projektligjit që propozohet, si: dyfishimi i programeve të strehimit (ku përfshihet edhe programi i strehëve të përkohshme); dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale dhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon me ato të bashkive; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social (sigurimi i banesave si fond i përhershëm i bashkisë), rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash, si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabile.
Projektligji për strehimin ashtu si dhe strategjia për strehimin social, janë një platformë e përbashkët pune për ministrinë tonë, për institucionet qendrore, për njësitë vendore dhe të gjithë aktorët e tjerë që kontribuojnë në këtë fushë. Ne si ministri kemi rolin kryesor jo vetëm në hartimin e këtyre dokumenteve të rëndësishme, por edhe në bashkërendimin e punës për zbatimin dhe monitorimin e realizimit në praktikë të tyre.

Në projektligjin e hartuar nga Ministria juaj janë parashikuar që të zbatohen 6 programe. Ku konsistojnë ato?
Gjatë punës sime si drejtuese e Ministrisë së Zhvillimit Urban kam vërejtur se një nga problematikat që kemi hasur më shumë nga ligji ekzistues i Programeve Sociale të Strehimit, lidhej me faktin se ky ligj nuk adreson një pjesë të mirë të kategorive në nevojë, duke i lënë jashtë skemave apo programeve financiare të strehimit. Synimi ynë kryesor në procesin e rishikimit të ligjit ka qenë garantimi i sa më shumë kategorive të shtresave në nevojë si përfituese nga programet e strehimit, për të realizuar në këtë mënyrë premtimin e Programit tonë qeverisës të këtij mandati të parë. Por në këtë çështje jemi nisur nga trajtimi i saj jo vetëm si një objektiv social, por edhe si një e drejtë themelore e njeriut. Kjo filozofi e jona përputhet gjithashtu si me Deklaratën Universale të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ashtu edhe me Objektivat e Axhendës 2030 të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm, për t’i bërë qytetet tona (11) dhe shoqërinë (16) më gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të qëndrueshme.
Në projektligjin e ri, ne jo vetëm kemi rishikuar programet ekzistuese, por kemi shtuar dhe tre programe të reja, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kategorinë e përfituesve në nevojë. Pra në total do të jenë 6 programe: a) Programi i banesave sociale me qira; b) Programi i banesave me kosto të ulët; c) Programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri; d) Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; e) Programi i strehëve të përkohshme dhe f) Programi i banesave të specializuara.
Programet e reja u japin mundësi bashkive të krijojnë fondin e strehimit për të dhënë banesa sociale me qira, si dhe të përshtasin kërkesat për strehim të qytetarëve, në një nga këto programe, mbështetur rigorozisht në kushtet ekonomike, sociale dhe familjare të tyre.

Sipas këtij projektligji, cilat janë kushtet bazë për të përfituar banesë sociale?
Projektligji parashikon kritere të përgjithshme dhe kritere të veçanta për secilin prej programeve. Kushtet bazë janë ato lidhur me situatën konkrete të strehimit (nuk kanë banesë në pronësi; banojnë në banesë që paraqet rrezik shembjeje; në banesë të mbipopulluar; mbeten të pastrehë nga fatkeqësi natyrore apo mund të humbasin banesën për shkak të zhvendosjes apo zbatimit të një vendimi gjyqësor); kushtet familjare (familje me një prind; vajzat nëna; të moshuarit e vetëm; familjet me më shumë se katër fëmijë; çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç); kushtet sociale (personat me aftësi të kufizuar; personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç; komuniteti rom, komuniteti egjiptian; emigrantë të kthyer; familjet e punonjësve të rendit, të rënë në detyrë; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit etj.); kushtet ekonomike (familjet pa të ardhura; me të ardhura shumë të ulëta; të ulëta; mesatare).
Familjet përfituese do të përzgjidhen përmes një sistemi pikëzimi, i cili do ta hartohet në bashkëpunim me INSTAT-in.
Pra kemi synuar të hartojmë një ligj ku të përfshihen në skemat e strehimit dhe të mbështetjes me programe financiare, të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë, në pamundësi reale për të disponuar një banesë me kushtet e tregut.

Në draft parashikohet edhe kontributi i sektorit privat. Cili është konkretisht roli që do të ketë ky sektor për strehimin social?
Nisur edhe nga përvoja e vendeve më të zhvilluara, e kemi vlerësuar shumë të nevojshëm dhe të dobishëm përfshirjen e sektorit privat në programet e strehimit. Ndaj dhe në këtë projektligj kemi ofruar dy modele të reja, që përcaktojnë se si sektori privat mund të përfshihet e të jetë një partner i qëndrueshëm edhe në sektorin e strehimit.
Modeli i parë është “pronari social”, që mund të jetë çdo subjekt privat, që kërkon të investojë në banesa sociale me qira ose që disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet në nevojë për strehim, duke u regjistruar pranë bashkisë me këtë status.
Modeli i dytë është ai i pjesëmarrjes së subjekteve private në krijimin e fondit publik të banesave sociale. Ky fond do të jetë në pronësi të bashkive dhe do të krijohet nga ndërtimet e reja, blerjet e banesave në treg të lirë ose ankand, blerjet ose ndërtimet e banesave përmes të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, të mbledhur nga njësitë e qeverisjes vendore.
Të dy këto modele aplikohen për herë të parë në Shqipëri dhe ne si Ministri jemi angazhuar si gjatë konsultimeve publike që po zhvillojmë për prezantimin e këtij projektligji, por edhe përmes takimesh me përfaqësues të sektorit privat, të qartësojmë më tej mekanizmat dhe procedurat e nevojshme të funksionimit të tyre.

A ka një buxhet të parashikuar për nevojat e strehimit social, një numër përfituesish etj.?
Në këto tre vite qeverisjeje, 2014 – 2016, buxheti i Ministrisë, i alokuar për strehimin ka pasur rritje progresive, duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës për sa më shumë qytetarë, përmes ndihmës që i është ofruar për strehim nga programet tona. Një nga grupet e trajtuar më me përparësi është komuniteti rom dhe egjiptian, për shkak të kushteve më të vështira të jetesës së tyre, që kërkonin ndërhyrje emergjente.
Dy nga programet kryesore aktuale të strehimit që financohen nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe realizohen në bashkëpunim me bashkitë, janë: programi për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjiptian dhe programi i rikonstruksionit të godinave ekzistuese me parametrat e eficiencës së energjisë.
Për periudhën 2014–2016, në programin “Rikonstruksioni i banesave të komunitetit rom dhe egjiptian”, fondet e investuara janë në vlerën 247 milionë lekë, me të cilat u rikonstruktuan 447 banesa, në 15 bashki të vendit: Lushnjë, Elbasan, Berat, Përmet, Vlorë, Këlcyrë, Rrogozhinë, Sarandë, Rrëshen, Krujë, Roskovec, Shkodër, Belsh, Divjakë dhe Lezhë. Janë gjithsej 2070 qytetarë të këtij komuniteti, të cilët kanë përfituar direkt nga investimet e kryera dhe rreth 3000 të tjerë si përfitues indirekt, përmes ndërhyrjeve në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve.
Do të doja të ndalesha pak më gjatë tek investimet që ne po bëjmë në këtë vit buxhetor, sepse buxheti i alokuar për vitin 2016 për këtë program është rritur me 20% krahasuar me vitin buxhetor 2015. Për vitin 2016, deri tani janë financuar 88.953.465 lekë në përfitim të 187 familjeve apo 800 qytetarëve të këtij komuniteti. Investimet janë duke u kryer me projekte konkrete në njësinë administrative Fushë–Krujë, ku po rehabilitohen 28 banesa të komunitetit rom; në Bashkinë e Vlorës po rehabilitohen 33 banesa të komunitetit egjiptian; në Bashkinë e Elbasanit ka përfunduar projekti i financuar për rehabilitimin e 11 banesave të komunitetit rom në lagjen “5 Maj”; në Bashkinë e Shkodrës vijon puna për rehabilitimin e 9 objekteve, po ashtu në Bashkinë e Rrogozhinës është në ndërtim e sipër një objekt i ri dykatësh, ku do të strehohen 8 familje të komunitetit rom; në Bashkinë e Roskovecit po rehabilitohen 29 banesa të këtij komuniteti; në Bashkinë e Belshit po rehabilitohet banesa dykatëshe ku banojnë 8 familje; në njësinë administrative Dushk të Bashkisë së Lushnjës vijon puna për rehabilitimin e 18 banesave; në Bashkinë e Këlcyrës po ndërhyhet në 13 banesa dhe në Bashkinë e Divjakës, falë investimit të kryer, 18 familje të këtij komuniteti ky dimër do t’i gjejë në shtëpi të rikonstruktuara.
Për programin e dytë, atë të rikonstruksionit të godinave ekzistuese me parametrat e eficiencës së energjisë për tre vitet buxhetore 2014 – 2016, Ministria e Zhvillimit Urban ka investuar në total rreth 99 milionë lekë për rikonstruksionin e 9 godinave ekzistuese në Bashkitë e Lezhës, Lushnjës, Korçës, Krumës, Përrenjasit, Fushë-Arrësit, Malësisë së Madhe, Tropojës dhe Kavajës. Si rezultat, sot janë 208 familje, që jetojnë në shtëpi tërësisht të rikonstruktuara me parametrat e eficiencës së energjisë.
Fondi i alokuar për vitin 2016 për këtë program është rritur 72%, krahasuar me vitin buxhetor 2015. 94 familje në 6 bashki të vendit, Krumë, Përrenjas, Fushë-Arrës, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Kavajë, falë zbatimit të këtyre projekteve, do të paguajnë 50% më pak në faturat e tyre të energjisë.
Ajo çka do të doja të shtoja është se krahas investimeve me projekte konkrete, Ministria e Zhvillimit Urban këtë vit buxhetor hapi për herë të parë programin e Bonusit të Strehimit, duke alokuar një fond të veçantë nga buxheti i Ministrisë në vlerën 22 milionë lekë, nga të cilat 2 milionë janë alokuar për familjet njëprindërore (gra kryefamiljare dhe gra viktima të dhunës). Deri më tani janë 79 familje në 6 bashki të vendit, Elbasan, Has, Mirditë, Korçë, Pogradec dhe Tropojë, të cilat po mbështeten financiarisht nga Ministria e Zhvillimit Urban për pagesën 50% të qirasë minimale të tregut, nga momenti kur aplikuesi fiton të drejtën e bonusit deri në fund të vitit.
Në programin e banesave me kosto të ulët, një mekanizëm tjetër financiar është granti i menjëhershëm, për të cilin ne kemi alokuar në buxhetin e këtij viti, 10 milionë lekë. Ky fond u vjen në ndihmë jetimëve dhe familjeve që kanë në përbërjen e tyre persona me aftësi të kufizuar, duke iu paguar në mënyrë të menjëhershme 5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët apo nga programi i kreditimit të lehtësuar. Deri më tani kanë përfituar 20 familje në bashkitë Korçë, Pogradec, Vlorë, Kavajë dhe Gramsh.
Ndërkohë po vijojmë subvencionimin e interesave të kredive me 0 dhe 3% interes, për 4000 familje, që janë përfshirë në programin e kreditimit të lehtësuar që prej vitit 2009. Në vitin 2016, fondi i alokuar për këtë qëllim është 244 milionë lekë. Kjo politikë mbështetëse do të vijojë, duke alokuar fonde në rritje në buxhetet e viteve që vijnë.
Në vëmendjen tonë janë veçanërisht edhe nevojat e një tjetër kategorie sociale shumë vulnerabël, jetimët. Përveç sa u tha pak më parë, me buxhetin e vitit 2016, do të fillojë këto ditë zbatimi i projektit të parë pilot në qytetin e Shkodrës “Për trajtimin me strehim të grupit të jetimëve dhe familjeve njëprindërore”. Vlera e këtij investimi është 35 milionë lekë.
Një arritje e rëndësishme e punës sonë është realizimi dhe shtimi i investimeve për ndërtimin e banesave me kosto të ulët, nga Enti Kombëtar i Banesave.
Në dy vitet e fundit, kemi realizuar po aq investime sa janë realizuar në 5 vitet e mëparshme, 2009-2013. U investuan rreth 700 milionë lekë (2014 – 2015) për ndërtimin e apartamenteve të reja, të cilat përfunduan këtë vit, ku do të strehohen 148 familje. Nga këto, 40 apartamente në Bashkinë e Fierit; 35 apartamente në Bashkinë e Beratit; 38 apartamente në Bashkinë e Lushnjës dhe në Bashkinë e Librazhdit, 35 apartamente.
Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e 136 apartamenteve të reja, me një vlerë totale investimi prej 490 milionë lekësh, në bashkitë e Korçës, Durrësit dhe Lushnjës. Nga këto, 230 milionë lekë është vlera e investimit për dy godina në Korçë, ku gjithsej do të përfitojnë 74 familje. Me Bashkinë e Durrësit është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit për ndërtimin e 24 apartamenteve të reja, me vlerë investimi 115 milionë lekë dhe me Bashkinë Lushnjës për ndërtimin e 38 apartamenteve, me vlerë investimi 115 milionë lekë.
Ndërsa në Pukë, për herë të parë në këto 25 vjet, do të nisë zbatimi i projektit për rikonstruksionin e dy objekteve me funksionin e banesave sociale, që do të strehojë 24 familje. Vlera e investimit është 30 milionë lekë.
Në këtë vit buxhetor kemi të përfshira edhe 50 milionë lekë si investime të huaja, ku përfshihet projekti për banesa sociale me Bankën Europiane për Zhvillim. Deri tani, në Bashkinë e Durrësit me këtë financim, ka përfunduar ndërtimi i 254 apartamenteve të reja për strehim social. Në bashkëpunim me këtë bashki, brenda vitit 2016 do të përfundojë ndërtimi i 88 apartamenteve të fundit në kuadër të projektit “Banesa sociale me qira”.
Prej 2014-s deri sot që po flasim, janë strehuar 100 familje në banesat që kishin përfunduar prej vitesh në Kavajë (objekti i përfunduar në vitin 2010), Shkodër (përfunduar në vitin 2012) dhe Korçë (2012), por të cilat nuk ishin vënë ende në eficiencë.
630 familje përfituan të drejtën e pronësisë në qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, nëpërmjet privatizimit të mjediseve të disponuara prej tyre ndër vite.
Duke ju falënderuar për ftesën për këtë intervistë, dëshiroj të theksoj se pavarësisht këtyre arritjeve, jemi të ndërgjegjshëm se gjetja e zgjidhjeve gjithnjë e më të mira për ofrimin dhe sigurimin e strehimit të përballueshëm për kategoritë në nevojë nuk është përfundimtare, edhe me hartimin e një ligji apo një strategjie, por kërkon njëkohësisht angazhim dhe kujdes të vazhdueshëm, koordinim dhe bashkërendim të punës me të gjithë institucionet dhe veçanërisht me bashkitë.
Në këto tre vjet jemi munduar fort që të harmonizojmë punën dhe përpjekjet tona me të gjithë institucionet vendore, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, në mënyrë që programet e strehimit të adresojnë sa më mirë problematikat me të cilat përballen grupet në nevojë, duke krijuar kështu besoj, një mënyrë të re pune që ka dhënë e do të vazhdojë të japë rezultatet e saj në të mirë të njerëzve në nevojë, kudo që ata jetojnë. – Monitor.

SHKARKO APP