Gjoka: Çfarë mendojnë politikanët gjermanë për qeverinë “Rama”
Kolë Gjoka, ushtaraku i lartë nga Mirdita, biznesmeni gjerman dhe politikani, afër Kancelares Merkel
Nga Zenepe Luka
Gjatë ditëve të qëndrimit në Berlin, nga takimi me shumë shqiptarë, na bëri përshtypje lakimi i emrit të z.Kolë Gjoka. Në Shqipëri ishim njohur me një letër, që ai i dërgonte zonjës Merkel, botuar edhe tek gazeta “Koha Jonë”, ku i kërkonte Kancelares mundësinë e punësimit në Gjermani të bashkatdhetarëve të tij. Dëgjuam nga shumë shqiptarë të ardhur para shumë vitesh në Gjermani, se Kolë Gjoka është si një Ambasador i vërtetë për shqiptarët këtu. Nisur nga këto vlerësime e simpati, kërkuam realizuam këtë intervistë ekskluzive për “KJ”.
Më parë ta njohim lexuesin se kush është z. Kolë Gjoka dhe si ka ardhur në Gjermani?
Kolë Gjoka është një Mirditor që jeton dhe punon në Gjermani, që prej vitit 1996, është nënshtetas gjerman, një biznesmen në sektorin e Automobilave, por edhe një politikan, pjesë e CDU Gjermane. Kam qenë ushtarak, kam mbaruar Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, kam përfunduar studimet për Matematikë-Fizik në Universitetin e Shkodrës. Kam kryer studime për fushën ushtarake në Pekin. Kur u largova nga Shqipëria kam pasur gradën “Kapiten i Parë”, kam qenë Komandant i një garnizoni në Shkodër, dhashë dorëheqjen dhe u largova përfundimisht për në Gjermani. Me punën dhe kontributet si biznesmen dhe politikan i CDU, gjykoj se përcjell vlerat e një shqiptari të ndershëm, që sido që është rregulluar për vetë, kokën e ka prapa tek vendi dhe njerëzit e tij, që bën sa mundet për bashkatdhetarët e vetë.
Të bën përshtypje se si një emigrant shqiptar, ka depërtuar deri në “zemër” të CDU-së, madje, flitet se zonja Merkel, ju ka shumë për zemër. Si keni arritur deri këtu?
Hapësira që krijon shoqëria dhe politika gjermane për njerëzit e suksesshëm, janë shumë të mëdha, jo sikurse ndodh në shoqërinë shqiptare. Pra, konsiderohet normale, kur afrohen vlerat për të kontribuar në një fushë ose në një tjetër. Kështu ndodh në një shoqëri demokratike.
Cilat janë vlerat tuaja dhe kush i zbuloi?
Ka një moment, Gjermania ka vite që ndjen nevojën dhe barrën e integrimin e të huajve në jetën gjermane. Dhe zgjidhja ishte gati: emigrantët e suksesshëm do të ishin shembull i integrimit. Kështu u krijuan hapësirat dhe kushtet, që emigrantët të bëhen pjesë e vendimmarrjes së tyre. Kur erdha këtu, e konstatova këtë boshllëk dhe i thashë vetes: Pse unë të mos jem njëri prej tyre, një zë që të përcjell shqetësimet e emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, por edhe më gjerë. Unë ia arrita qëllimit tim, që mendoj se vërtet është në interes të emigrantëve.
Ka ndikuar suksesi juaj në biznes, që të ngjiteni në majat CDU?
Pa dyshim, suksesi ekonomik është pjesë në suksesin politik, janë të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën, por vendosmëria është thelbi i gjithçkaje, i rrugës së suksesit në çdo fushë. “Ai që nuk është i zoti për vete nuk ka se si të jetë për të tjerët”. Besoj dhe mendoj, se me punën dhe përkushtimin tim, unë jam bërë pjesë e CDU-së, aty gjej veten, gjej vlerat e përbashkëta kristiane. Kam qenë aktiv në jetën politike gjermane, që nga viti 1996-të, kur kam ardhur në Gjermani dhe para 8 vitesh u bëra pjesë aktive e CDU-së, i ngjita shkallët një nga një dhe tani kam mbërritur në zonën e adrenalinës politike, që të mban fort dhe nuk të lëshon, aq më tepër që kemi gjetur njëri- tjetrin.
Ka zëra, se jeni një mik i zonjës Merkel, sa ndikon fakti, që jeni shqiptar?
Unë jam pjesë e strukturave politike të CDU-së, i zgjedhur në disa forume si: anëtar i forumeve drejtuese të CDU në Bundeslandin e Schlesvig Holstein, jam zv/Kryetar i Rrjetzimit Integracion të Bundeslandit, anëtari i kryesisë së CDU Elmshorn, Anëtar i Këshillit Bashkiak Elmshorn, Anëtar i Këshillit të Qarkut Pinneberg, Anëtar i Kryesisë së MIT, krahu Ekonomik i CDU, Anëtar i Kryesisë së Shoqatës Ekonomike Gjermani-Shqipëri, por edhe Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për Hamburg dhe Schlesuig Holstein. Faktin e qenies shqiptar, e tregoj në çdo rast që më jepet. Për Gjermanët nuk është problem integrimi i shqiptarëve, sepse statistikat tregojnë që integrimi ynë këtu është shumë i mirë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse ne jemi një komb europian. Si politikan i CDU Gjermane, më datën 14 dhe 15 dhjetor, do të jem delegat i Kongresit të CDU, që do të mbahet në Karlsruhe.
I zgjedhur në kaq shumë forume të rëndësishme, sa ndihet zëri yt për problemet e komunitetit shqiptar aty, por edhe për Shqipërinë?
Është e kuptueshme, që interesimi im lidhet me problemet e emigrantëve dhe atyre shqiptarë në veçanti, por edhe për të lobuar për vendin tim në rrugën e vështirë dhe të tejzgjatur drejt BE-së. Për vetë pozicionin që kam në parti, por edhe prej rrethit shoqëror dhe politik të krijuar, kam pasur disa raste që të takoj dhe bisedoj nga afër me zonjën Merkel. Kujtoj, që e përshëndeta përzemërsisht, pas ndërhyrjes energjike, që kjo zonjë e “hekurt” bëri pas ngjarjeve në Stadiumin e Beogradit. Gjithmonë, bisedat mes nesh kanë në epiqendër shqiptarët, për të cilën janë bindur dhe kanë provuar se jemi një komb europian dhe se meritojmë të trajtohemi sit ë gjithë europianët. Mendoj që zëri im, dëgjohet shumë, sepse edhe partnerët e bashkëbisedimeve të mia, janë persona, që kanë fuqi vendimmarrëse.
Çfarë keni mundur të zgjidhni ndonjë problem në interes të Shqipërisë z.Gjoka?
Në shumë takime pune, por edhe kur më jepet rasti t’i takoj privatisht personalitetet e larta të politikës gjermane dhe më gjerë, biseda vjen rrotull rreth problemeve, që ka Shqipëria dhe ndihma që duhet dhënë. Takime të shpeshta kam pasur me z. Fleckenstein, me të cilin diskutojmë shpesh për problemin madhor, sikurse e konsiderojnë gjermanët, por jo vetëm, procesin e dekriminalizimit, të zgjedhurit dhe drejtuesit e institucioneve ligjzbatuese me precedentë penalë, por edhe për mënyrën e menaxhimit të problemeve nga ana e Qeverisë shqiptare. Takime të shpeshta kam pasur edhe me Dr. PeterTauber, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së, ku shkëmbejmë mendime rreth funksionimit dhe bashkëpunimit mes partive politike. Kontakte të shpeshta kam edhe me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme Dr.Shrëder, nga ku ka rezultuar edhe mbështetja për forcat special të policisë shqiptare, Renea, nga forcat Speciale të policisë gjermane GS9. Shumë frytdhënës konsideroj ehe takimet dhe bisedimet me shefin e kabinetit të zonjës Merkelz, Altmaier, pasi ai e njeh mirë Shqipërinë, kapacitetet intelektuale, kulturore dhe politike dhe bashkërisht kemi biseduar se ku dhe si mund të ndihmohet Shqipëria dhe Qeveria Shqiptare. Të herëpashershme janë takimet me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, takime që synojmë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, për të siguruar mbështetjen gjermane për mbarëvajtjen e arsimit profesional në Shqipëri. Për ti çuar problemet deri në fund, kontaktoj shpesh me Dhomat e Tregtisë dhe industrisë në Kiel, Lübeck, Flensburg, Berlin, Bremen. Në takimin e fundit diskutuam me Dhomën e Zejtarisë së Dortmundit.
Mesa po kuptojmë, ju po luani rolin e një “Ambasadori”, sa është në dijeni Qeveria dhe politika shqiptare për kontributin që jepni në të mirë të vendit?
Sigurisht, që janë në dijeni, pasi kam pasur kontakte me ministra të qeverisë “Rama” dhe me aktorë të tjerë të politikës shqiptare. Fakti që përfaqësoj këtu edhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës edhe një mundësi më shumë. Duke larguar modestinë, dua t’ju them se gjithë veprimtarinë dhe përpjekjet e mia në Gjermani, për të ndihmuar vendin tim, nuk e bëj për të ma ditur Qeveria dhe politika. Jo. Unë përpiqem sa të mundem për të ndihmuar bashkëkombësit e mi. Sigurisht, ajo që kërkoj dhe që është e domosdoshme në këto përpjekje që bëj, është mbështetja institucionale dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm, që unë të shërbej si urë lidhëse, për të arritur rezultatet që kërkojmë dhe në një kohë sa më të shpejtë në interes të vendit.
Në Shqipëri jam i njohur nga një letër që i dërgova zonjës Merkel, që u botua në shtypin shqiptar, ku ndër të tjera i kërkoja zonjës kancelare se, “shqiptarët nuk kanë nevojë për azil, nuk është kjo aspirate e tyre, porse duan të hynë në tregun e punës gjerman, si të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian”.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Ambasadën Shqiptare në Berlin? Besojmë se është një derë e hapur, për të bashkërenduar punën në interes të Shqipërisë.
Dua të flas sinqerisht, pasi në mes është interesi i vendit, i komunitetit shqiptar dhe jo i imi, ndaj dua të them atë që ndjej, atë që ekziston. Të komunikoje me ambasadën, ishte shumë e vështirë. Nuk duhet të harrojmë që aktiviteti i ambasadës është shumë më i madh dhe besoj se Qeveria e ka kuptuar, se autostrada për në Bruksel, kalon nga Berlini, por kjo nuk do të thotë, që për nevojat e bashkatdhetarëve, të mos jemi të vëmendshëm. Unë e di sa janë mundësitë dhe kapacitetet e Ambasadës Shqiptare në Berlin, financiare apo njerëzore si administratë, por, mendoj, që është vend organizimi i një rrjetëzimi të shqiptarëve në Gjermani. Nëse do të ekzistonte kjo, nuk do të diskutohej kontributi i biznesmenëve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Gjermani dhe padyshim, do të tejkaloheshin edhe situata financiare. Shembull shumë pozitiv i rrjetëzimit të shqiptarëve është aktiviteti që bën Konsulle e Nderit në NRN, zonja Anduena Stephan, ku së fundi arriti që Parlamenti i NRË, të flasë shqip. Të tilla rrjetëzime duhen më shumë në Gjermani, por duhen mbështetur dhe inkurajuar. Gjithsesi, marrëdhëniet e mia me ambasadën, nuk janë institucionale, por thjeshtë personale.
I keni ngritur këto shqetësime në institucionet e shtetit shqiptar?
Sigurisht që, i kam ngritur, madje, edhe në takimet që kam pasur me ambasadorin Kuko, që është diplomat karriere shumë i vlerësuar, kam folur edhe me Ministrinë e Jashtme në Shqipëri dhe personalitete të tjera, por fatkeqësisht, asgjë nuk ka ndryshuar.
Duke qenë se jeni njeri i afërt i zonjës Merkel, mund të thoni se, cili është opinion i Qeverisë Gjermane për qeverinë “Rama”?
Politikanët gjermanë, përdorin gjuhën diplomatike, kur unë ju kërkoj një përgjigje direkte, por në thelb mendimi i tyre është se Qeveria Shqiptare me Kryeministër z.Edi Rama punon fort për realizimin e reformave dhe kanë besimin se do t’i shkohet deri në fund, veçanërisht reformës në drejtësi. Ata janë të gatshëm të ndihmojnë Qeverinë në vazhdimësi, ndërsa shqetësim për politikën gjermane, që zë vend në bisedat tona është mungesa e bashkëpunimit pozitë-opozitë për reformat afatgjata dhe nuk do të ishte e udhëz finalizimi i tyre në mënyrë të njëanshme. Dua të theksoj se në bisedat dhe takimet e shpeshta, që kam pasur më zotin Fleckenstein, nënvizohet shpesh ky shqetësim, të cilëve, sikurse e dini, ai ua përcjell shpesh edhe politikanëve shqiptarë, madje troç, pa gjuhën diplomatike. Dihet që Ai është i vetmi politikan europian, që i thotë gjërat copë, ashtu si janë, sikurse është e vërteta.
Po për Opozitën, cili është opinioni?
Presin më shumë nga opozita shqiptare, në radhë të parë në organizimin dhe bashkëpunimin brenda partive opozitare. Nga Opozitat pritet më tepër të japin alternativë, ide, vizione për qeverisjen dhe jo të mbeten në vorbullën e kritikave.
Gjatë bisedës së gjatë që bëmë bashkë, shpreheni se jeni i lidhur me komunitetin shqiptar në Gjermani, mund të na thoni se çfarë bëhet me refugjatët që kanë ardhur nga Shqipëria së fundmi në Gjermani?
Sigurisht, që jam në brendësi, jam në kontakt me shumë prej tyre dhe i mirëkuptoj ata për pritshmërinë, por, sikurse kam theksuar edhe në letrën e hapur që i dërgova zonjës Merkel, ata kanë nevojë të punësohen këtu, pasi kërkesat e tyre për Azil, janë vetëm një mënyrë për t’ju afruar tregut të punës në Gjermani. Unë, familja ime dhe shumë shqiptarë i kemi ndihmuar shumë, veçanërisht ata që kanë ardhur si familje, ndërsa përgjigjja e kërkesave të tyre, do të vijnë sipas procedurave, që po ndjek shteti gjerman. Kush plotëson kriteret dhe zotëron një kontratë pune, duhet t’i drejtohet Ambasadës Gjermane në Tiranë me kërkesën për të marrë vizë pune. Duke e parë evoluimin e lehtësirave për punësim në Gjermani, besoj se kërkesa ime drejtuar zonjës Merkel, për liberalizimin e tregut të punës gjerman për shqiptarët, do të jetë shumë
i afërt.
Ka shqiptarë të punësuar gjatë kohës që janë në Gjermani?
Janë shumë të pakta rastet. Më vjen keq ta shpreh publikisht, por kjo është e vërteta, që unë e prek, tek bisedoj me bashkatdhetarët, që kanë ardhur këtu. Ata duhet të impenjohen më shumë për të mësuar gjuhën gjermane, që është kusht i rëndësishëm dhe duhet të shfrytëzojnë kohën në maksimum kohën që jetojnë këtu, për të plotësuar kërkesat dhe kriteret që kërkohen.
Një pyetje e fundit për ju, Kolë Gjoka. Keni mall për vendlindjen, Mirditën, Lezhën dhe Shkodrën, ku keni punuar e jetuar?
Gjatë bisedës që bëmë bashkë, për të cilën ju falënderoj, vura theksin, se pavarësisht se jam integruar plotësisht këtu, jam shtetas gjerman, biznesmen dhe politikan në nivele të rëndësishme, kam mall për vendin tim, pasi atje kam prindërit, të afërmit, miqtë dhe për t’u çmallur, më duhet të vijë shpesh atje. Ajo që do të dëshiroja për vendin tim është bashkëpunimi mes partive politike, duke synuar në radhë të parë të punojnë për interesat e vendit, për të kryer reformat e thella dhe të prekshme, që ka nevojë aq shumë vendi ynë. Vlerat e një partie politike, apo të një lideri në politikë, çmohen, kur ke bërë gjithçka të mundshme për popullin tënd.