Gjosha: Qeveria, s’ka as rezultate e as besueshmërinë nga BE-ja

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në një intervistë për ”Standard”, komenton shanset që ka vendi të përfitojë çeljen e negociatave në vendimmarrjen e pritshme të qershorit, ku thekson se mbetet pak opitimiste lidhur me këtë çështje. Sipas Gjoshës qeverisë i mungojnë rezultatet dhe besueshmëria nga kancelaritë evropiane

PS paraqiti sot në Parlament projekt-rezolutën e integrimit. Cili është mendimi juaj rreth saj?

Fatkeqësisht është një rezolutë e një anshme që nuk i shërben vendit dhe procesit të integrimit. Ajo u paraqit në mënyrë totalisht të fshehtë, pa asnjë dakordësi dhe konsultim nga ana e PS. Dokumentë të tillë duhet patjetër të ndjekin një rruge institucionale, konsultime në komisionet e ndryshme parlamentare dhe mbi të gjitha në Keshillin Kombëtar të integrimit. Sjell në vëmendjen tuaj rezolutën kundër dhunës, e cila erdhi si propozim i Partisë Demokratike pak muaj me parë dhe ka pasur një konsultim dhe dakordësi mes palëve para se të sillej për votim në seancë plenare.

Cila është përgjigja juaj ndaj akuzave të mazhorancës së opozita me kundërshtinë e sotme ndaj projekt-rezolutës po vërteton edhe një herë sipas PS se është kundër çeljes së negociatave?

Projekt rezoluta nuk ka asnjë lidhje me faktin nëse negociatat celen apo jo. Negociatat janë të lidhura ngushtë me rezultatet konkrete, me besueshmërinë që kancelaritë europiane duhet të kenë ndaj qeverisë shqiptare. Për fat të keq të dyja këto aspekte janë tejet të dobëta për momentin. Sa i përket opozitës, sot e them me bindje se këtë herë ajo ka qenë më konstruktive se asnjëherë dhe me artikulim të qartë për domosdoshmërinë e celjes se negociatave dhe nevojën për një monitorim më të rreptë të palës europiane kundrejt veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë.

Si ish-ministre e Integrimit, sa sipas jush janë shanset që vendimmarrja e vendeve anëtare të BE-së pas dy javësh të jetë pozitive lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë?

Nuk jam shumë optimiste për Qershorin duke qënë se vendet anëtare kanë filluar të artikulojnë qëndrimet e tyre të cilat nuk shkojnë në favor të procesit të integrimit të Shqipërisë. Rekomandimi i dhënë nga Komisioni Europian përmban në të një sërë kushtesh që po theksohen cdo ditë e më shumë nga vendet anëtare. Lidhja e politikës me krimin, mungesa e reformës zgjedhore dhe rezultatet e cunguara të reformës në drejtësi kanë bërë shumë nga vendet e BE të jenë dyshuese në përgatitjen e Shqipërisë për negociatat.

Po lidhur me skepticizmin e Hollandës për Shqipërinë dhe stepjen e Francës ndaj zgjerimit , çfarë mund të na thoni? A ka shanse që këto vende, së bashku me Gjermaninë e cila ka jo pak anëtarë brenda Bundestagut që janë shprehur spektikë për zhvillimet brenda vendit, të mos ngrenë kartonin jeshil për çeljen e negociatave?

Unë mendoj që këto vende do t’i kushtëzojnë negociatat me plotësimin e një sërë kriteresh që janë themeli i ndërtimit të një shteti demokratik.

A ka çaluar qeveria të përmbushë prioritet kryesore të vendosura nga Brukseli?

Qeveria ka instaluar në vend një sistem autoritar që përbën një rrezikshmëri të lartë për demokracinë dhe kjo do të thotë se kemi bërë hapa pas. Reforma në drejtësi vijon të mbetet vetëm në letër. Implementimi i saj po tregon cdo ditë se politika është ende faktor kyc në mënyrën se si ajo funksionon. Rastet e dy ministrave të brendshëm janë prova më e thellë e kapjes së drejtësisë nga mazhoranca. E për sa kohë drejtësia nuk funksionon nuk mund të presim rezultate ne luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që janë dy kushte të pa negociushme. Reforma zgjedhore ka mbi 5 vite qe pritet të filloj dhe ende sot nuk kemi asnjë diskutim apo vendimarrje për të. Unë realisht nuk e di se cilat janë rezultatet që qeveria ka paraqitur në tryezat e vendeve anëtare. Por nëse ajo nuk servir fakte dhe rezultate konkrete në këto fusha, shanset e Shqipërisë në këtë proces janë minimale.

SHKARKO APP