Gjosha: Vendimi i Holandës për vizat, një veto edhe ndaj qershorit

Parlamenti holandez ka votuar pro mocionit të pesë partive më të mëdha në vend, për rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në një intervistë për RTV Ora News, lidhur me këtë vendim ka thënë se diskutimin e sheh në dy këndvështrime.

“Vërtetë që qeveria holandeze thotë që nuk e pranon për një arsye apo një tjetër, për mos të prishur marrëdhënien me Shqipërinë e kështu me radhë ka pasur shumë argumenta dje në parlamentin holandez, mirë po ajo do të kalojë në një procedurë të gjatë e cila do ti drejtohet Komisioni Europian, ku më pas do të ketë një vendimmarrje të Parlamentit Europian dhe të vetë Këshilli”, shprehet ish-ministrja Gjosha.

Intervista e plotë e Klajda Gjoshës për RTV Ora News:

Zonja Gjosha, si e patë ju këtë vendim, më saktë e propozuan disa parti të ekstremit të djathtë dhe a nuk duket se është pak vendim populist duke qenë se është se komisioni i bashkimit europian ai që vendos nëse do të hiqen apo jo vizat për shqiptarët?

Unë e kam ndjekur me vëmendje të gjithë debatin e djeshëm në parlamentin holandez, është për të ardhur keq që sot pas 10 vitesh për Shqipërinë diskutohet sërish nëse do të mbahet regjimi i vizave pra do të kalojmë në refuzimin e lëvizjes së lirë apo do të vazhdojmë me një lëvizje që shqiptarët e kanë fituar me shumë sakrifica para shumë vitesh, pas radhëve shumë të gjata të ambasadave dhe problematikave të ndryshme me të cilat janë ndeshur gjatë gjithë kësaj kohe.
Diskutimin e shoh në dy këndvështrime, e para vërtetë është një platformë e hedhur apo një mocion i propozuar nga partitë e djathta por po të shohim mënyrën se si u votua në parlament të bënte shumë përshtypje sepse nga 150 deputetë të votojnë 108 është realisht problematikë e madhe sepse ka të bëjë më disa nga partitë që e qeverisin sot mbretërinë e holandez pra janë parti me zë kryesor në parlamentin holandez që e njohin mirë problematikën dhe kjo është një çështjen. Çështja e krimit të organizuar është një çështje që jo vetëm opozita në përgjithësi por duke njohur problematikën në të cilën ndodhen sot vendet anëtare unë e kam ngritur disa herë që duhet bërë kujdes në mënyrën se si bashkëpunohet me të tilla vende, me institucionet e rendit të këtyre vendeve, diplomacia shqiptare duhet të luajë një rol shumë herë më aktiv për të normalizuar dhe përmirësuar deri diku atë imazh dhe perceptim që ka shteti i Hollandës edhe si një vend skeptik kundrejt procesit zgjerimit apo dhe atyre destabilizimit të brendshëm që ne kemi në Shqipëri të cilin e përçojmë shpesh herë dhe në vendet e Bashkimit Europian dhe kuptohet që edhe Hollanda çështjen e krimit të organizuar e ka pasur një nga çështjet kryesore jo sot, por edhe gjatë kohës që unë kam qenë ministre e integrimit europian dhe e di mirë debatin e nxehtë që ndodh në parlamentin e tyre. Kurrë nuk mund të mendohej që ky debat do të sillte pikërisht fenomenin e rikthimit të vizave.
Vërtetë që qeveria holandeze thotë që nuk e pranon për një arsye apo një tjetër, për mos të prishur marrëdhënien me Shqipërinë e kështu me radhë ka pasur shumë argumenta dje në parlamentin holandez, mirë po ajo do të kalojë në një procedurë të gjatë e cila do ti drejtohet Komisioni Europian, ku më pas do të ketë një vendimmarrje të Parlamentit Europian dhe të vetë Këshillit. Pra pasi të kalojë të gjitha instancat burokratike të BE-së.
Problemi qëndron dhe diku tjetër. Ne jemi në fazën ku do të diskutohet shumë shpejt çelja e negociatave të Shqipërisë.

A mendoni ju se pikërisht në këtë moment tani, kur Hollanda kërkon rikthimin e vizave, ku Parlamenti holandez ka një rol kyç për të marrë vendimin i pari, para se ti kalojë kancelarisë, pra Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrit të Hollandës. Mendoni ju se do të jetë një debat i lehtë për ti dhënë mundësi Shqipërisë në qershor që të çelë negociatat?

Për mua dita e djeshme ka qenë një veto edhe ndaj qershorit, edhe ndaj një drite jeshile që ne mund të mendonim se mund të ndodhte në muajin qershor. Dhe fakti që Hollanda e ka nisur këtë debat, duhet të kuptojmë tashmë mesazhin se si kalohet dhe përçohet përmes vendeve anëtare. Dihet që prapa këtyre vendeve janë dhe vende të tjera të mëdha, vendimmarrëse në proceset integruese të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera aspirante, të cilat pak a shumë kanë të njëjtin qëndrim. Frika ime pas këtij debati në parlamentin holandez, do të ketë një efekt domino, një efekt zinxhir, për vende të tjera që kanë çështje ende të mbartura me Shqipërinë, me qeverinë shqiptare, që kanë një mungesë komunikimi të theksuar tashmë me diplomacinë shqiptare për të vepruar dhe për të marrë një vendim.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, z. Sorreca sot ka thënë se sipas raportit të fundit të publikuar në dhjetor, Shqipëria vazhdon ti përmbushë kushtet për liberazimin e vizave. Çfarë ka ndryshuar nga dhjetori deri tani?
Nuk besoj se është një deklaratë që i kushtohet vetëm dhjetorit dhe më pas këtyre muajve pas dhjetorit. Kemi të bëjmë me një mosrakordim të fakteve dhe problematikës së shtuar tashmë mes Komisionit Europian dhe vendeve anëtare.

Komisioni Europian del gjithmonë me një raport, i cili është pozitiv dhe shpresëdhënës për Shqipërinë. Komisioni Europian dashur padashur ka marrë një rol stabilizues për vendin, për vetë politikën. Pra i intereson më shumë që secili nga vendet aspirante të ruajë sadopak stabilitet në mënyrën se si qeveriset, në mandatet qeverisëse, në ruajtjen e status quo-së, duke lënë fatkeqësisht pas dore shumë aspekte të demokracisë, të funksionimit të shtetit dhe të funksionimit të institucioneve. Debati më i madh që ndodh sot, është pikërisht mes Komisionit Europian, pra burokracisë evropiane dhe vendeve anëtare, sepse vendet anëtare kanë perceptimin që vjen edhe nga publiku i tyre,por të mos harrojmë që ato kanë institucionet e veta të inteligjencës, kanë institucionet e tyre të shërbimeve sekrete, ku marrin relacione, marrin raporte të tyre të veçanta, ku flitet qartë për situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria,për problematikat me të cilat ajo ndeshet, por edhe fakti që gjithçka që ndodh brenda vendit, fatkeqësisht reflektohet edhe në vendet e tyre.

Duke qenë se kjo kërkesë lidhet kryesisht me krimin e organizuar, së fundmi edhe Europoli ka thënë se krimi i organizuar është një problem europian, pra nuk lidhet vetëm me Shqipërinë. A po përdoret kjo për kapital politik?

Nuk ka pse të përdoret për kapital politik, debati i djeshëm ishte një realitet nuk ishte aspak i iniciuar as nga opozita, as nga faktorë të tjerë politikë vendas, ishte realitet që kishte një përballje midis qeverisë dhe Parlamentit, ku të dyja anët mundoheshin të jepnin argumentet dhe faktet e tyre, ku pjesa më e madhe e Parlamentit Holandez mbështeste faktin që krimi i organizuar shqiptar tashmë është prezent edhe në Holandë dhe ka cënuar sigurinë e tyre kombëtare.

Po ata që e iniciuan, partitë e ekstremit të djathtë, a duhen dënuar për nxitje të racizmit ndaj shqiptarëve sepse i kanë përfshirë të gjithë shqiptarët në një thes, me këtë kërkesë që kërkojnë, me këtë vendim që morën në Parlament?

Për mua është e rëndë, që një kërkesë e tillë, për heqjen e lëvizjes së lirë është një barrë e rëndë për qytetarët shqiptarë, për imazhin e tyre, në perceptimin që vendi në ka, kundrejt jo vetëm Holandës, por ndaj çdo vendi tjetër Europian i cili do të diskutojë raportin e Shqipërisë në muajt që do të vijnë. Shqipëria nuk e ka luksin për tu pozicionuar në një luftë frontale me vendet anëtare me të cilat ajo dëshiron të aderojë, pa tek vlerat e të cilave ajo dëshiron të shkojë dhe të bëhet pjesë e tyre.

Problemi eshë nëse e ka kryer qeveria shqiptare detyrën që i takon, a janë institucionet shqiptare sot, institucionet e rendit, ministria e Brendshme a është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e Holandës, me ministrinë e Brendshëm të Holandës, për të diskutuar se si mund të zgjidhet kjo çështje, nga bashkëpunimi policor, nga çështjet e ekstradimit, çështjen e shifrave, çështja e kufijve gjithashtu, duhet parë se si mund të organizohen në një bashkëpunim shumë më të ngushtë me ministrinë e Brendshme të Holandës dhe mbi të gjitha, a ka luajtur rolin që i takon diplomacia shqiptare në Holandë, por edhe në vendet e tjera të BE-së. Unë kam dëgjuar dje ministrin e Jashtëm në detyrë siç e quan veten ai, i cili thotë se unë jam shpresë-plotë se vizat nuk do ti rikthehen shqiptarëve.

Një ministër i Jashtëm nuk mund të qëndrojë shpresë-plotë, një ministër i Jashtëm do të duhej që sot të vishte kostumin e tij sërish dhe të nisej drejt Holandës dhe të kryente takime zyrtare me ministrin e Jashtëm Holandez, me Kryeministrin me përfaqësues të Parlamentit Holandez për të parandaluar këtë lloj debati, sepse nuk është një debat që do të mbetet vetëm në Holandë, çështja e krimit të organizuar, çështja e azilkërkuesve shqiptar është një çështje që tashmë nuk i takon vetëm një vendi, Franca ka një problematikë të tillë, Belgjika ka problematikë të tillë, Suedia po ashtu, Gjermani ka probleme të tjera me Shqipërinë për çështjen e pandëshkueshmërisë të reformës në drejtësi, e cila dhe sot e kësaj dite vazhdon të vihet në pikëpyetje për mënyrën sesi funksionon Vettingu dhe të gjitha proceset e tjera, në të cilat ka hyrë vendi për të implementuar reformën.

Pra a kemi ne mjaftueshëm një diplomaci aktive, e cila të funksionojë dhe të parandalojë një perceptim të tillë për shqiptarët nëse ky është vetëm perceptim. Pra nëse faktet janë ndryshe a mundet diplomacia jonë të kryejë detyrën sot? Këtu është problemi, nuk është çështja të bëjmë lufte mes qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve holandez.

Duke qenë se Qershori është afër për hapjen e negociatave, çfarë mund të bëjë opozita?
Unë e thash dhe dje në konferencë për shtyp, fatkeqësisht për qeverinë Holanda vërtetoi që nuk është opozita ajo që po shkakton problematikë mbi vazhdimësinë e procesit të integrimit europian.

Nuk janë as protestat e opozitës, nuk është as rruga që ndërmorri kryeministri për të shkuar në Itali për të zhbërë imazhin e Shqipërisë nga protestat. Imazhi i Shqipërisë cënohet nga shumë mungesa të tjera që ka demokracia shqiptare dhe mosfunksionimi i brendshëm i shumë prej institucioneve i shtetit të së drejtës, i dhunimit të votës së qytetarëve, i dhunimit të pronës së qytetarëve, nxjerrja e qytetarëve nga shtëpitë e tyre me anë të gazit janë realisht momente kriminale do t’i quaja unë për një vend, i cili aspiron të çelë negociatat dhe më pas të vazhdojë këtë proces deri në anëtarësim me të drejtë dhe përgjegjësi të plota.

Ajo çka ndodhi dje realisht e kaloi opozitën në një fazë tjetër duke e shfajësuar totalisht nga ajo çka ndodh realisht nga ajo çka ndodh me vendimin e Qershorit, topi është në dorën e qeverisë shqiptare, e cila duhet të plotësojë kriteret, duhet të plotësojë kushtet, duhet t’i bindë vendet anëtare që realisht ka bërë punë për të realizuar këto kritere dhe për ta merituar procesin e çeljeve të negociatave dhe çeljen e kapitujve në vazhdimësi.

Opozita shqiptare ka ofruar gjithçka që kishte në dorë, ka ofruar dhe aktin e fundit, mandatet dhe imunitetet e gjithësecilit prej deputetëve të saj dhe besoj që ky ishte akti më sublim për të ruajtur demokracinë në vend dhe për të vendosur disa standarde kyçe. Tashmë mazhoranca ka në dorë dialogun me opozitën, sinqeritetin me qytetarët shqiptar dhe vullnetin e mirë për t’i kthyer zgjedhje të lira e të ndershme në mënyrë që qytetarët të ndihen të lirë për të zgjedhur qeverinë që ata duan t’i udhëheqë ne vitet në vijim.

SHKARKO APP