Gjovalin Kadeli: Gabimet me emërimet, do korrigjohen pas 21 qershorit
Nga Fernada Cenko
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Gjovalin Kadeli gjatë një interviste për gazetën “Koha Jonë” është ndalur tek zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas tij, kandidatët e majtë janë figura të zgjedhura, të cilat do e çojnë mazhorancën drejt fitores. Duke vlerësuar figurën e z. Halimi dhe të kandidatëve të pavarur, Kadeli pretendon për një fitore të Erion Veliajt në Tiranë. Në lidhje me punësimin në drejtoritë e marra nga LSI-ja, Kadeli thotë se do të rregullohen pas zgjedhjeve lokale.
Tashmë janë zyrtarizuar emrat e kandidateve për bashki? Si i shikoni përballjet dhe kandidatët majtas dhe djathtas?
Qytetarët kanë intuitën dhe përvojën e mjaftueshme të gjykojnë dhe peshojnë nga pikëpamja e vlerave të gjithë kandidatët e ofruar nga maxhoranca, opozita, apo qoftë edhe emrat e përfolur si kandidatura të pavarura. Ka mes radhëve të tyre emra shumë të nderuar, të cilët edhe mund t’i njoh personalisht. Me siguri mund të them se ekipi me të cilin maxhoranca ka zgjedhur të garojë reflekton me përpikmëri të gjithë kujdesin që u tregua në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave. Ata, përveçse janë me integritet të lartë, me CV të pasura, me karakteristika në profilin e tyre profesional që të japin siguri për administrim të suksesshëm të bashkive, janë njerëz me shumë vlera qytetare. Nuk them që ky është ekskluzivitet i maxhorancës, ndaj vlerësim tejet pozitiv edhe për shumë emra të opozitës, por jam i sigurt që nuk do të mundin ta shpëtojnë dot një forcë politike që i ka shkaktuar dëme të pashlyeshme fateve të vendit.
Do të kemi një betejë reale për Tiranën?
Beteja reale për Tiranën nis më 22 qershor. Kryetari i ardhshëm i Bashkisë, z. Erion Veliaj, përfaqësuesi dinjitoz i maxhorancës në garën për Tiranën, pasi të shtrëngojë duart me qytetarin dhe mjekun e nderuar, z. Kosova, e dëshmuar kjo me civilizimin e treguar duke uruar kundërshtarin me SMS, duke dhënë mesazhin e një fushate korrekte e intelektualësh për të qenë dinjitoz përballë votuesve dhe për tu dhënë mundësin atyre të zgjedhin të qetë alternativën e tyre për qeverisjen e Tiranës. Kjo përballje do të ketë përpara një varg betejash për t’u fituar. Sfida këto, të cilave kryetari i tanishëm zgjodhi t’u ikte duke thyer besimin e votuesve të Tiranës.
Do të jetë interesante përballja në Tiranë?
Unë do të thosha të mos e shihni kaq ngushtë. Tirana është më tepër se përballja e një të riu me karriere të suksesshme e që vazhdon të përparojë në të, me një mesoburrë me profesion të nderuar. Tirana është kryeqyteti i shqiptarëve që nuk i përfaqëson ata denjësisht në sytë e Botës. Tirana herë çalon dhe herë ngecet. Te dinamizmi i saj nuk ke ç’të kesh zili. Përveç sipërmarrjeve dhe vizionit të individëve të lirë, nga fusha e biznesit apo OJQ-izmi, vizioni i sipërmarrjes publike, Bashkisë së sotme, ka munguar. Kjo gjë duhet korrigjuar në kohe sa më të shpejtë.
Do ketë ndryshim bastionesh sipas jush?
Nuk ka vend të flasim për bastione. Jam i sigurt që ju s’mund të më thoni se cila prej 61 njësive të reja vendore është bastion i kujt. Në këtë lloj formati zgjedhjet mbahen për të parën herë, e rezultati që do të prodhojnë do të jetë krejtësisht i ri në regjistrat zgjedhore. Për rrjedhojë, nuk mund të flas për bastione. Por për ndryshime po. Qytetarët do të braktisin në masë modelin e administrimit të z. Basha në Tiranë, këtë do e bëjnë shumë votues të djathtë. Duke nisur që nga Lezha, situatën politike të së cilës e monitoroj në mënyrë të vazhdueshme. Bashkia Lezhë përbëhet nga dhjetë ish-njësi vendore të cilat do jenë një Bashki. Nga ku në 8 prej tyre ka qeverisur PD ja prej shumë vitesh e mandatesh, nga ku edhe kandidati i PD se ka drejtuar një njësi vendore 3 herë radhazi duke kërkuar një mandat të katërt, nga ku nuk ka çfarë tu ofrojë më shumë nga çka ofruar në njësinë vendore të drejtuar prej shumë vitesh duke patur përballë njeriun që i ndryshoi imazhin e humbur Lezhës historike me vizionin e tij largpamës dhe perëndimor, Lezha e vitit 2015 është krejt ndryshe nga sa e kanë parë deri tani sidomos me investimet dhe vëmendjen e qeverisë Shqiptare për këtë qytet, i cila nuk do i mungojë edhe në ardhmen falë marrëdhënies së konsoliduar dhe përkushtimit të kryetarit të bashkisë z.Tushaj, i cili po dëshmon çdo ditë e më shumë predispozicion të madh në këtë angazhim tashmë të vlerësuar nga qytetarët, bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy forcave politike garanton mandatin e sigurt për z.Tushaj si përfaqësues i të majtës së bashkuar, kështu që modeli i administrimit të njësive të drejtuara nga PD nuk kanë ofruar asgjë për qytetarët me përjashtim të megallomanizmit dhe pupulizmit mediatik që në shumicën e rasteve ka prodhuar anarshi e për pasojë keq qeverisje. Vendi ka nevojë të hyje në rrugën e zbatimit të ligjit dhe të mirëqeverisjes me rregulla e vizion për ti kthyer dinjitetin e një qytetari Europian cilitdo qytetar pavarësisht se ku jeton, në fshat apo në qytet.
Ku e shihni garën më të fortë. Në cilën Bashki?
Për çdo bashki gara do te merret me seriozitetin maksimal. Garat më të forta do të jenë pas 21 qershorit, ku ritmi i ndryshimit duhet të jetë tej mase i lartë për të fituar edhe në pushtetin lokal kohën e humbur nga qeverisësit e djathtë. Kthimi i vëmendjes tek qytetarët në një kohë sa më të shkurtër është shumë më e rëndësishme se një flamur fitoreje në një kështjellë politike apo në një tjetër.
Si e shihni kandidimin e femrave? Një emancipim ne politike apo një mundësi për tu mundur?
Një zhvillim historik. Në përditshmërinë e shqiptarit të thjeshta bota rrotullohet rreth gruas dhe këtë bashkërisht duhet ta pranojmë. Mirë, qartë dhe thjeshtë kjo duhej reflektuar edhe në politikë. Politika nuk mund të ishte fushë e minuar për gratë. Kjo tregonte një moskorrektësi. Një krizë besimi. Marrëdhëniet e ngritura mbi fusha ku besimi nuk rritet, janë të destinuara të dështojnë. Me gratë në politikë edhe politika kurohet. Hap tejet pozitiv sipas meje. Shpejt do t’ia shohim frutet.
38 aleatë në maxhorancë, është ky një tregues force?
Është tregues i forcës përthithëse të vizionit dhe largapamësisë me të cilën qeverisin dhe garantojnë të ardhmen PS dhe LSI, si dy forcat kryesore të maxhorancës, për të ardhmen e vendit. Në këtë këndvështrim duhet pare, edhe pse logjika e numrave është e pashmangshme pasi tregon një garanci me shumë drejt fitores. Nuk ka besoj një njëri në ketë vend që merret me politikë dhe nuk është i sigurt se bashkimi i ndodhur dy vjet më parë ndërmjet dy forcave të majta PS dhe LSI është garanci për fitoren e sigurt të këtyre zgjedhjeve në gjithë Shqipërinë.
Aleatët historik të Partisë Socialiste kanë bërë akuza në drejtim të KQZ-së, a paralajmëron kjo problem?
Ritmet e fushatës më kanë penguar ta njohë në detaje rastin që ju me njihni. Por, duke e njohur fizionominë e aleatëve të cilët ju me të drejtë i quani historik, kam bindje se do të gjejnë qetësinë e nevojshme për t’i ndjekur paqartësitë me kujdesin e duhur për t’i shpënë drejt sqarimit të plotë të çdolloj moskuptimi apo keqkuptimi. Në këtë pikë ndaj me ju shqetësimin se nuk duhen harruar në asnjë çast sado të vegjël të jenë aleatët pasi ato japin kontributin e tyre sipas mundësive dhe vlerave, ashtu siç nuk duhet që oreksi të jetë i shfrenuar pasi secili duhet të jetë koshient për vlerat dhe mundësinë e ofruar realisht.
Dekriminalizimi, duket se ndërkombëtarët të interesuar për kandidatët, sa e drejtë kjo? Nuk është ndërhyrje në çështjet e brendshme?
Jam kategorikisht kundër këtij lloj leximi. Ka plot analistë që zgjedhin ta lexojnë kështu. Kam dëgjuar me habi disa prej tyre. Mund të them vetëm se kandidatët e sotëm, nesër vendimmarrës, rrezen e tyre të veprimit apo mosveprimit nëpërmjet politikave e shtrijnë përtej kufijve shtetërore. Shqipëria nuk është një shtet i izoluar. Me miqtë tanë ndërkombëtarë kemi një serë interesash madhore të ndërthurur. Ky është globalizmi, ky është Perëndimi drejt të cilit duam të shkojmë pa kufij. Për sa kohë edhe kisha jep mendimin e saj për administratorët politik, s”kane si të mos jenë të interesuar partnerët tanë që merren direkt me politik!
Berisha që kërkon dekriminalizim, ka skenar për këtë proces?
Së pari, duke u përpjekur ta ndaj kohën mes detyrimeve si deputet për pjesëmarrjet në Komisionet e Përhershme Parlamentare dhe seanca, por duke ndenjur në mënyrë të vazhdueshme edhe pranë elektoratit në Lezhë, më mbetet fare pak kohë për tu marrë me prapaskenat që ndërthur opozita . Kam plot arsye të dyshoj në seriozitetin me të cilin ai i trumpeton çështjes, pasi në politikë zgjedhjet e drejta bëhen pa bujë. Ka një mospërputhje mes asaj që ai thotë dhe aksioneve politike që ndërmerr dhe mbështet. Megjithatë për një çështje të caktuar që e trumbeton me të madhe për ta zgjidhur duhet të japësh ndihmën tënde në radhë të parë duke e mbështetur dhe së dyti duke pastruar veten nga mëkate të tilla që në fakt kësaj opozite nuk i mungojnë, por i ka me shumicë.
Përflitet se z. Tusha ka një dosje në Prokurori. Sa e vërtetë është?
Historia e dosjeve është produkt i shpifjeve të atyre që kanë 25 vjet që bëjnë shantazh kundërshtarit, zoti Tusha nuk ka asnjë dosje legale në prokurori për asnjë lloj akuze, duhet ta dini se sikur krerët e shtetit shqiptar ashtu edhe unë apo zoti Tusha jemi të gatshëm ti përgjigjemi organeve të drejtësisë për gjithçka kërkohet në funksion të zbatimit dhe vendosjes së shtetit ligjor në Shqipëri e pikërisht në lidhje me këtë gatishmëri dhe vlerësim që ka kjo mazhorancë për funksionimin e shtetit ligjor abuzohet me dosje e shpifje .
Pothuaj shumë drejtori të marra nga LSI nuk ka punësuar asnjë të socialsit, duke sjellë pakënaqësi në radhët e tyre. Kush është komenti juaj?
Mazhoranca përbëhet nga dy forca politike të cilat kanë paracaktuar edhe bashkëqeverisjen në nivel qendror e lokal. Ky reflektim i marrëveshjes ka sjellë edhe emërimin e përfaqësuesve të LSI-së në institucione. Ndarja është korrekte dhe e pranuar nga të dyja forcat. Edhe nëse ka ndonjë emërim të bërë më shume apo më pak do te riparohet pas zgjedhjeve me mundësit qe i krijohen pushteti vendor për administratën e re dhe administrimin e njësisë Bashkiake .