“Greqinë po ta lejosh del deri në Tropojë, klasa jonë politike amatore”
Debati për detin dhe pretendimet e Greqisë për tu zgjeruar 12 milje në Jon mblodhën nga pushimet edhe politikanët shqiptarë, të cilët e kthyen çështjen në “luftë” replikash në rrjete sociale.
Historiania, Elena Kocaqi, thotë se Greqia e ka si politikë shtetërore zgjerimin dhe bën gjithçka për të zgjeruar në drejtim të Shqipërisë.
Sipas saj, “uria” e shtetit fqinj shkon deri në atë pikë sa po ta lejosh deri në Tropojë del.
Kocaqi: Greqia është gjithmonë në pikën që kërkon të dalë në Karaburun.Deri në Tropojë ta lëshosh deri në Tropojë shkon, nuk ka asnjë problem. E ka si politikë shtetërore zgjerimin dhe bën gjithçka për të zgjeruar në drejtim të Shqipërisë. Pretendime territoriale mund të ketë Shqipëria ndaj Greqisë dhe jo Greqia ndaj Shqipërisë sepse është Çamëria, popullsia arvanite që përbën shumicën e popullsisë së Greqisë. Shqipëria nuk ka kërkuar as të drejta etnike për këtë popullsi, as të drejta pronësore.
Por pse Greqia në vijimësi del me pretendime ndaj Shqipërisë? Për Ora News, Kocaqi përgjegjësinë kryesore ja faturon klasës shqiptare politike, duke e cilësuar të paaftë dhe katunareske në aspektin e kulturës politike.
Kocaqi:Greqia vjen në Shqipëri dhe bën çfarë të dojë sepse kemi një klasë politike me komplekse të inferioritetit dhe është një klasë politike amatore, e prapambetur, katunareske në kuptimin politik të fjalës, pa kulturë politike e cila pavarësisht pozicionit që ka, bëjnë afera private me politikanë përqark dhe këto afera të çojnë nesër në marrëveshje shantazhuese. Klasa politike shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe i bëj thirrje SHBA, Gjermanisë, Italisë që ka interes në Jon, Turqisë, që të bëjnë të pamundurën që të gjitha marrëveshjet që bëjnë politikanët shqiptarë me vendet fqinje ti sabotojnë sepse këto marrëveshje vendosin në diskutim jo vetëm kombin shqiptar, por të gjhithë paqen dhe sigurinë në rajon.
Kocaqi thotë se çështja e detit mund të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare nëse ka dakordësi mes dy shteteve dhe ka bindjen se me juristë të mirë do të kishte një marrëveshje të drejtë në mbrojtje të interesave të Shqipërisë.
Kocaqi: Nëse dy palët janë dakord mund ta çojnë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare për ta zgjidhur dhe nëse do të kishim juristë të mirë dhe avokatë ndërkombëtarë që janë marrë me këtë çështje mendoj se do të kishim arritur një marrëveshje të drejtë. Ata vetëm kërkojnë dhe ne vetëm plotësojmë.Jemi vende fqinjë, ata kanë janë popullësi shqiptare shumë të madhe brenda, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me popullin grek, këto i bën shteti grek dhe segmente të caktuara të shtetit.