Guida turistike si profesion i veçantë, mundësi punësimi për të rinjtë
Nga Besmira Pelushaj
Projektligji për Turizmin, i cili do të diskutohet të hënën, në një seancë të posaçme parlamentare, me kërkesë të opozitës, e cila pretendon se pr/ligji nuk është diskutuar nen për nen në komisione, parashikon krijimin e Guidave Turistike, si një profesion i veçantë.
Mënyrën se si do të funksionojnë guidat turistike, e ka sqaruar në një intervistë për TemA TV, Drejtori i Agjencisë Kombëtarë të Turizmit, Auron Tare.
Sipas tij, nga certifikimi i këtyre guidave gjenerohen vende të reja pune dhe ata që përfitojnë janë jo vetëm të rinjtë që kanë njohuri bazë për arkeologjinë, historinë, gjeografinë, por edhe ata që kanë dëshirë të jenë në këtë profesion.
Tare thotë se me licensimin e Guidave fillon dhe normalizohet tregu, çka sjell edhe standardin e çmimeve.
Lidhur me projektin pilot të rojeve bregdetare, të realizuar nga agjencia, Tare shpjegon se mungon ende një ligj për t’i penalizuar subjektet, që nuk i vendosin rojet e shpëtimit. Kjo sipas tij, është përgjegjësi e pushtetit lokal. Një vit e gjysmë nga krijimi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Tare thekson se ka një parandalim të suksesshëm të ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare.
Ligji i ri për turizmin që pritet të kalojë në parlament e kthen guidën turistike në profesion të veçantë. Kjo është hera e parë në më shumë se 20 vite që jo vetëm do të njihet si një profesion i veçantë, por edhe do të certifikohet nga Ministria e Turizmit. Në fakt, nuk jemi shumë vonë me krijimin e këtyre guidave?
Shumë! I ka tejshkuar kohës sepse tregu është shumë përpara dhe legjislacioni është shumë mbrapa . Dhe nëse ne flasim se kemi 3 milionë, 2 milionë apo 4 milionë vizitorë, pyetja është kush i drejton këta njerëz nëpër Shqipëri?! Guida është në dukje një gjë shumë e thjeshtë, por është çelësi i standardit të turizmit. Pra, ai që e hap një vend ua shpjegon atyre që janë kureshtarë këtë vend. Por ajo që është shumë e rëndësishme, është punësimi. Pra, nëse flasim për vende të reja pune, ne kemi një mundësi të artë që të punësojmë të rinj dhe të reja që rrinë në kafe, kur fare mirë mund të punësohen si guida turistike, apo udhërrëfyes turistikë dhe nuk ka pse grupet turistike që vijnë në Shqipëri t’i udhëheqin guidat e huaja. Vendet e rajonit p.sh. e kanë të ndaluar me ligj që të huajt të bëjnë guida turistike, sepse duan të mbrojnë standardet dhe të punësojnë njerëzit.
18 të rinj janë guidat e para turistike, të certifikuar në qytetin e Sarandës, pas përfundimit të trajnimit mbi atraksionet turistike. A do të shtrihet nisma paralelisht në qytete të tjera, apo Saranda përben fazën e parë , nëse mund ta quajmë eksperimentale?
Me daljen e ligjit, pozicioni i guidës kthehet tashmë në profesion, pra do të licensohen nga ministri i Ekonomisë dhe Turizmit. Nga dimri e tutje të gjitha guidat do të licensohen, pra do të krijohet një lloj komisioni që do t’i marrë në pyetje. Ndërkohë, për të paraprirë këtë proces me ndihmën e UNDP-së, ne kemi që në dimër që donim të fillonim dy projekte të reja, një: trajnimi dhe certifikimi i guidave dhe dy, trajnimi dhe certifikimi i taksive.
Çfarë njohurish kanë marrë të rinjtë që u trajnuan për guadë turistike?
Njohuritë janë njohuritë e përgjithshme për Shqipërinë, mbi historinë, mbi arkeologjinë, gjeografinë dhe pastaj në mënyrë më lokale; për Manastirin e Mosopotamit, për Syrin e Kaltër, për Butrintin etj. Pra, për monumentet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të qytetit të Sarandës.
Ju thatë që kjo është një mundësi shumë e mirë për punësimin. Të rinjtë e cilit profil përfitojnë nga kjo mundësi?
Mendoj që në Shqipëri, duke qënë se nuk ka një shkollë specifike për guidat, mendoj që është momenti i duhur ku shumë të rinj, të cilët kanë njohuritë bazë për arkeologjinë, historinë, gjeografinë, por jo vetëm dhe kanë dëshirë të jenë në këtë profesion, shumë mirë mund të fillojnë të trajnohen dhe të certifikohen për guidat turistike. Jo detyrimisht duhet të jesh arkeolog apo historian që të jesh guidë turistike, por nëse ke dëshirë të madhe mund të kalosh në disa faza të caktuara dhe pastaj të fillosh të kesh mundësi të marrësh grupe të caktuara. Dua të përmend diçka; – bota e cila është shumë përpara edhe në këtë aspect, guidat i ka të certifikuara për pozicione të caktuara, p.sh. guida malore, për lumenj, për muzeume, dhe profesioni fillon të specifikohet dhe krijon edhe profilin e caktuar të një personi.
Një tjetër pengesë dhe mungesë transparence është edhe elementi i çmimit, pasi çmimet variojnë sipas agjencive të ndryshme. Agjencia, nëpërmjet guidave të certifikuara, synon trasparencë në këtë drejtim. Si do të stabilizohet tregu?
Atëherë, mendoj që gjëja më e mirë është që licensimi i guidave fillon dhe normalizon dhe tregun dhe krijon dhe standardin e çmimeve. Pra, në Korfuz në qoftë se ju shkoni dhe çoni një grup turistik, Korfuzi e ka të stabiliziuar çmimin, i cili eshte 125 euro, në mos gaboj, për gjysmë dite punë për një grup turistik , dhe 280-300 euro për një ditë të tërë punë me një grup turistik. Pra, këto janë dy çmime standarde në Korfuz, pastaj ke për vizita në zona të caktuara dhe aty ke çmime të standardizuara. Pra, e gjitha kjo vjen mbasi ti ke trajnuar dhe licensuar guidat dhe fillon dhe stabilizohet dhe tregu i çmimeve.
Vitin e kaluar Agjencia zhvilloi një projekt pilot në disa plazhe të vendit, ku u vendosën kulla vrojtimi, jo pak të kushtueshme, si dhe roje shpëtimi. Megjthatë, në redaksinë e TemA TV kanë ardhur ankesa se këto kulla nuk funksionojnë normalisht. Pse është kaq i vështirë koordinimi me pushtetin lokal, përgjegjësi e të cilit janë rojet e shpëtimit?
Funksionojnë pjesërisht sepse mungon dëshira dhe vullneti por dhe kuptimi, është dhe me të kuptuar kjo gje; një sërë njerëzish në pjesën e pushtetit lokal, e cila e ka detyrim ligjor sigurinë në plazhe. Duke qenë se vitin e kaluar ne pamë një vakum të tërë në pjesën e sigurisë, mundësuam 40 të rinj dhe të reja nga Akademia e Sportit në Malin e Zi dhe dolën 40 vetë me certifikatë. Vitin e kaluar patëm një problem të madh me punësimin e tyre, se ende ka një vakum ligjor për të detyruar një stacion plazhi të ketë një roje, ashtu siç i kanë fqinjët tanë , pra asnjë plazh nuk mund të quhet i hapur nëse nuk ka një roje bregdetare. Fatkeqësisht të gjitha stacionet e plazhit që jepen nga komunat e bashkitë jepen pa plotësuar edhe këtë kriter. Lejet janë dhënë pa përmbushur këtë kriter të rëndësishëm mungon vakumi ligjor për të penalizuar subjektin, i cili i jep këto leje. Ne kemi mundësuar të punesojmë roje në zonën e Golemit, kemi kulla dhe roje bregdetare në Ksamil dhe Dhërmi. Do të donim që e gjitha kjo të jetë e shtrirë në të gjithë vijën bregdetare dhe nëse na e japin si detyrë specifike, së bashku me buxhetin, do të jemi shumë të gatshëm e shumë të kënaqur për ta bërë këtë sistem sigurie për plazhet. Mungon ende një ligj për t’i penalizuar këto subjekte që nuk i vendosin rojet bregdetare.
Megjithatë një nga problemet në vendin tonë mbetet kontrolli mbi territorin. Kur nuk kontrollojmë dot territorin në kryeqytet, sa lehtë është të kontrollosh bregdetin?
Do të thosha që nëse ne si Agjenci e re, pa eksperiencë të madhec kemi pasur një sukses, do të thosha që në të përgjithshmen, bashkë me ato që mund të quhen suksese për një vit e gjysmë ekzistencec ka qënë kontrolli, monitorimi dhe parandalimi i ndërtimeve pa leje. Mund të them se në vijën bregdetare ka shumë pak ndërtime pa lejec pasi ne aty ku jemi të shtrirë kemi mundur që të sinjalizojmë në institucionet e tjera për këto ndërtime. Dhe kemi vënë re që ka një parandalim mjaft të mirë dhe shumë të sukseshëm të këtyre ndërtimeve pa leje. Dhe kjo është një nga fitoret tona më të mëdha, që kemi mundur të arrijmë deri më sot.
Cilat janë objektivat e Agjencisë Kombëtarë të Bregdetit për 2015-2016?
Objektivi jonë kryesorë është ndryshimi i modelit të manaxhimit te vijës bregdetare. E manaxhuar në mënyrë fragmentare ka rezultuar e pasuksesshme si në standard, si në cilësi, si dhe në të ardhura. Ne kemi studiuar me shumë kujdes vitin e kaluar përvojën e italianëve, francezëve, vendeve skandinave, Malin e Zi, kroate dhe kemi konkluduar që modeli i Malit të Zi dhe Kroacisë është shumë afër nesh, ai që ne mund të bëjmë, i cili është një model që administron të gjithë vijën bregdetare nga një institucion i vetëm, i cili është përgjegjës për standardin, për kriterin dhe për të ardhurat. Nëse ky model që ne kemi përfunduar dhe ua kemi çuar instancave vendimmarrëse do të miratohet, mendoj që ndryshimi i modelit do të sjellë dhe ndryshimin e standardit në vijën bregdetare.