Helidon Bushati: Konklikte në PD? Të amplifikuara nga jashtë
Deputeti i Partisë Demokratike i qarkut Shkodër, Helidon Bushati komenton në një intervistë për gazetën “Mapo” punën e deritashme të qeverisë, opozitarizmin e Bashës, si e shikon ai qëndrimin e deritashëm të Topallit për një politikë më radikale dhe argumenton arsyet nëse sot PD-ja mund të konsiderohet alternativë qeverisëse.
Z.Bushati, pas më shumë se dy vjet qeverisjeje të majtë, përpos kritikave të vazhdueshme që ju dhe opozita në përgjithësi keni drejtuar ndaj saj, a i njihni ndonjë meritë punës së deritashme të këtij kabineti qeverisës?
Fillimisht ju falenderoj për mundësinë që më jepni që përmes gazetës suaj të komunikoj me lexuesit dhe publikun. Tashmë qeveria ka hyrë në vitin e tretë të mandatit të saj dhe ne kemi mundësinë të bëjmë vlerësimin dhe analizën e punës së kësaj periudhe. Duke ju përgjigjur pyetjes suaj, por njëkohësisht duke mos dashur të bie në pozitat e nihilizmit absolut, mund të them se kjo qeveri ka bërë diçka, por që në fakt nuk ka të bëjë me përmbajtjen dhe thelbin e qeverisjes moderne në shërbim të qytetarëve, por me formën e qeverisjes. Të gjithë shohim sesi kryeministri kujdeset në përgjithësi për fasadën, sesi kujdeset ai për të kuruar formën e qeverisjes dhe jo për përmbajtjen e saj. Fasada është sot kaq e pranishme, saqë çdokush mund të shohë sesi kryeministri kujdeset për pemët, për riparimin e fasadave të të gjitha institucioneve, për ndërtimin e stadiumit, për përmirësimin e Sheshit Nënë Tereza por edhe shumë fasada të tjera të cilat me të drejtë mund t’i japin emrin kësaj qeverisje si “qeveri fasadash”. Në fakt nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe kur qeveria drejtohet nga një person i cili qysh në kohën kur ka filluar angazhimin e tij politik si ministër kulture, më vonë si kryebashkiak dhe tani si kryeministër është kujdesur kryesisht dhe vetëm për formën dhe jo për përmbajtjen. Ai është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset më shumë për anën estetike sesa për përmbushjen e detyrimeve qeverisëse në shërbim të banorëve të këtij vendi. Sepse në fund të fundit, vërtet ne kemi sot disa pemë më shumë, kemi një stadium që me të vërtetë është cilësor, kemi disa fasada institucionesh më të hijshme estetikisht, por këto nuk sjellin më shumë bukë dhe mirëqenie në tavolinat e shqiptarëve. Dhe për fat të keq, sot shqiptarët janë më të varfër sesa katër vite më parë, sot atyre u mungon perspektiva për familjet dhe fëmijët e tyre, sot mungon një strategji dhe rezultatet konkrete për zhvillimin e biznesit vendas dhe të huaj, sot ka më pak biznese të huaja, ka më pak investime publike për shkollat dhe arsimin, ka më pak orë furnizimi me ujë për qytetarët për të mos thënë se ka edhe ndërprerje më të shpeshta të energjisë elektrike. Këto janë ato që janë të domosdoshme për popullin dhe jo fasada, apo ekzibicionizmat politikë të kryeministrit që duket se e ka humbur fillin për të drejtuar vendin. Këtë nuk e them dhe e konstatoj vetëm unë si përfaqësues i opozitës shqiptare në parlament, por këtë situatë vërtet të vështirë e kuptojnë dhe e ndjejnë edhe vetë përfaqësuesit e mazhorancës saqë shumë prej tyre si ministra apo deputetë nuk kanë sot kurajën të përballen me votuesit e tyre pavarësisht insistimit të kryeministrit për të shkuar në bazë dhe bindur votuesit e PS për të ashtuquajturat “arritje” të PS. Si mund t’u flasësh sot shqiptarëve për këto arritje kur qeveria ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj biznesit nën refrenin e njohur tashmë dhe që përsëritet çdo ditë nga kryeministri “burg”? Si mund të flasësh për rezultate pozitive të kësaj qeverisjeje, kur nga fillimi i vitit gati 100 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi ndërkohë që 200 mijë të tjerë kërkojnë të largohen përgjithnjë në USA? Më thoni në cilin vend të botës do të largoheshin banorët e tij nëse vendi amë do t’i ofronte mundësinë për një jetë më të mirë? Si mund të flitet për arritje kur kemi një numër më të vogël të bizneseve të huaja madje disa syresh po provojnë të zhvendosin investimet e tyre jashtë Shqipërisë për shkak të politikave jo të favorshme fiskale që ka ndërmarrë qeveria. Si mund të flitet për arritje kur shëndetësia ka dështuar për të ofruar shërbimet më minimale ndaj qytetarëve të këtij vendi? Si mund të flitet për arritje kur deri më sot kjo qeveri nuk ka bërë as edhe një kilometër rrugë të re? Si mund të flasësh për arritje kur në ekonomi, mjafton t’i referohesh numrit të bizneseve të mbyllura dhe të të papunëve për ta klasifikuar këtë qeveri si të paaftë madje armiqësore ndaj biznesit dhe punëmarrësve. Si mund të flitet për arritje kur të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë sot në nivele shumë të ulëta, pavarësisht aksionit politik për të luftuar informalitetin? Shumë syresh menduan se me fushatën anti-informalitet të ardhurat në buxhet do të shumëfishoheshin, por ndodhi e kundërta, pikërisht ajo që PD ka kohë që e thotë se e keqja e këtij vendi nuk janë fukarenjtë e vegjël që shesin në rrugë për bukën e gojës dhe që rrezikojnë burgun, por peshkaqenët e mëdhenj me në krye miqtë a afërt të kryeministrit, si dhe figurat kryesore të së majtës, që po zhvatin paratë e taksave dhe kontributit të shqiptarëve për luks dhe korrupsion. Si mund të flitet për arritje kur niveli i korrupsionit qeveritar është në përmasa skandaloze, ku çdo ditë ka të dhëna për përfshirjen e ministrave të qeverisë Rama në afera të llahtarshme korrupsioni? Ku janë premtimet për mjekësinë falas? Në vend të tyre shqiptarët përveç korrupsionit të ministrit përkatës do t’u duhet të dëgjojnë nga ai deklarata disfatiste ku i kërkon shqiptarëve që të mos sëmuren në fundjavë apo ditëve të festave nga zemra se shteti nuk ofron shërbimin e kardiokirurgjisë. Do të mjaftonte kjo deklaratë në çdo vend tjetër të botës që më e pakta ministri i shëndetësisë të jepte dorëheqjen për të mos thënë që duhej të dorëhiqej e gjithë qeveria. Si përfundim mund të them se kjo është qeveria e fasadës, kjo qeveri është vënë tërësisht në shërbim të kryeministrit që i lejon vetes një rritje buxheti prej 350% më shumë nga viti i mëparshëm dhe askush nga ministrat nuk reagon ndërkohë që ka rënie në buxhetimin e sektorëve të tillë tejet të rëndësishëm siç janë arsimi, infrastruktura etj.
Duke mbetur tek puna e qeverisë, një prej eksponentëve kryesorë të PD-së ndër vite, Jozefina Topalli është shprehur se opozita nuk është askund me aksionet e saj politike, duke kërkuar për pasojë një politikë më radikale dhe më të fortë ndaj kësaj qeverie. Ju personalisht, si e keni parë mënyrën e opozitarizmit nga ana e Bashës kundrejt qeverisë? A mendoni se kjo politikë e ndjekur deri më tash ka nevojë për më shumë veprime konkrete?
Personalisht mendoj se evidentimi i dallimeve ndërmjet qëndrimeve të kryetarit Basha dhe një prej figurave të rëndësishme me kontribut të madh në PD siç është zonja Topalli është më tepër i amplifikuar nga jashtë sesa është në realitet. Ajo që qëndron në thelb dhe që i bashkon qëndrimet e këtyre dy figurave politike është evidentimi i situatës së vështirë me të cilën po përballen. Natyrisht si një parti moderne dhe demokratike PD-ja zbaton statutin e saj ku roli i kryetarit dhe i anëtarëve të tjerë të kryesisë së partisë janë të përcaktuar qartë. Pra pavarësisht opsioneve të ndryshme për orientimin dhe formën e aksionit politik të opozitës është kryesia që vendos për këtë çështje të rëndësishme. Gjithsesi, duke jetuar në një situatë shumë të vështirë për shkak të keqqeverisjes edhe reagimet e politikanëve të ndryshëm mund të jenë të ndryshme por për një gjë mund t’u siguroj se PD-ja në asnjë rast nuk frymëzon apo mbështet politikat dhe aksionet anarkiste apo radikale ekstreme, por qëndrime që janë të mirëmenduara dhe të miratuara në mënyrë kolegjiale. Dhe për të vazhduar më tej këtë arsyetim si deputet dhe pjesëmarrës në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së mund të them se pavarësisht qëndrimeve edhe të ndryshme që mund të kemi, përsëri brenda PD-së ekziston fryma e kolegjialitetit dhe bashkëpunimit kur është fjala për qëndrimin e opozitës. Nisur nga ky këndvështrim personalisht e konsideroj politikën e ndjekur nga ana e kryetarit Basha në këtë moment si largpamëse dhe që shpejt do të sjellë rezultatet e dëshiruara për shqiptarët, për mbështetësit dhe simpatizantët tanë. Në lidhje me pyetjen përsa i përket veprimeve konkrete nga ana e kryetarit të partisë mund të them se zoti Basha ka kohë që ka ndërmarrë një fushatë të tillë. Pas përfundimit të rinovimit dhe riorganizmit të strukturave drejtuese të partisë aktualisht ne jemi në procesin e riorganizimit të një prej strukturave të rëndësishme të saj, siç është FRPD-ja. Po kështu, PD-ja është në të njëjtën gjatësi vale me grupet e interesit dhe organizime të tjera të ndryshme që janë të pakënaqura me politikat e qeverisë, po ashtu si gjatë tërë kësaj kohe ka përgatitur programin e saj alternative qeverisës bazuar në ekspertizën e mjaft ekspertëve dhe personaliteteve të moshave të ndryshme të afruar në PD, të ardhur nga administrata për shkak të largimit me pa të drejtë nga puna apo edhe elemente të rinj të ardhur nga jashtë vendit dhe që janë gati të kontribuojnë për të mirën e vendit. Ajo që vihet re në këtë proces reformimi dhe zhvillimi të natyrshëm të PD-së është kujdesi për të vlerësuar kontributet e të gjithë atyre politikanëve që kanë punuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për PD duke i bashkërenduar ato me prurjet e reja në parti. Aktualisht mund të them pa as edhe një dyshim se PD-ja ka më shumë kapacitete dhe nivel më të lartë ekspertize sesa administrata aktuale sepse PD-ja gjatë tërë kësaj kohe ka afruar njerëz specialistë të fushave të ndryshme që për fat të keq u hodhën në rrugë ose nuk janë vlerësuar nga qeveria aktuale.
Prej disa kohësh, kryetari i PD-së, Lulzim Basha po bën thirrje për protesta dhe ndërgjegjësim të qytetarëve ndaj kësaj qeverisjeje…Megjithatë po krijohet perceptimi se opozita nuk po e krijon dot këtë “kërcënim” për pushtetin aktual, me argumentin e thjeshtë se ajo ende nuk po shihet si alternativë në popull…Sa të vërteta ka mes këtij perceptimi dhe situatës konkrete në të cilën ndodhet sot opozita?
Është e drejtë legjitime e opozitës në çdo vend demokratik të bëjë thirrje për protesta demokratike, kur e vlerëson se qeveria ka dështuar të realizojë programin dhe për më keq, ka përkeqësuar dhe ka shpënë në zgrip të ekzistencës një pjesë të madhe të popullsisë por edhe të biznesit. E preka pak më sipër tërthorazi këtë çështje, por ajo që vlen të theksohet është se të maturohet një alternativë qeverisjeje kërkohet pak kohë dhe koha po punon për PD dhe për opozitën, pasi brenda dy viteve qeverisëse pjesa më e madhe e shqiptarëve e kuptuan se çfarë ofron e ashtuquajtura Rilindje. Ajo përbën padyshim një ndër zhgënjimet më të mëdha qeverisëse për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto 25 vite pluralizëm. Ka të dhëna se dy në tre shqiptarë sot janë totalisht të zhgënjyer nga kjo qeverisje, një pjesë e madhe e ndjejnë veten të keqpërdorur nga kryeministri aktual i cili është kthyer në sinonimin të arrogancës, dhunës verbale ndaj qytetarëve të pafuqishëm dhe mediave, dhe para së gjithash në sinonimin të korrupsionit. Kryeministri Rama konsiderohet sot si politikani që bën të fortin me qytetarët e pafuqishëm të këtij vendi të cilët i ka zhveshur nga e drejta që i njeh ligji ndërkohë që ai përdor imunitetin e tij për të shkelur ligjin. Përsa i përket protestave mendoj se PD, në krahasim me PS, ka treguar se është në gjendje të organizojë protesta madhështore, me një numër shumë të madh pjesëmarrësish, siç mund ta mbani mend protestën e shkurtit të këtij viti apo atë të vitit të kaluar. Por strategjia e kryetarit të PD-së dhe të strukturave dhe specialistëve të angazhuar pranë PD-së është ndjekja nga afër e zhvillimeve sociale në vend dhe sqarimi i alternativës sonë të re qeverisëse. Ju dhe shumë media të tjera gati çdo ditë keni dhënë informacion lidhur me takimet që kryetari i partisë po zhvillon në të gjithë vendin duke takuar njerëz të të gjitha profesioneve dhe shtresave. Në këto takime përveç njohjes më të mirë të gjendjes alarmante të shumë familjeve shqiptare kryetari i partisë i ka bërë të njohur shqiptarëve alternativën e partisë demokratike e cila ka në thelb të saj funksionimin e tregut të lirë, larg fjalëve burg, dhe ofrimin e opsioneve dhe incentivave ekonomike për zhvillimin e biznesit të vogël, të mesëm dhe të madh, për zhvillimin e bujqësisë dhe të sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku ju jeni anëtar, po diskutohet për planet rregulluese urbanistike, ndërkohë që qeveria ka vendosur bllokimin e lejeve të ndërtimit deri në miratimin e çdo plani urbanistik për çdo bashki. Sa i shërben kjo masë disiplinimit të ndërtimeve (nëse i referohemi qëllimit të qeverisë) dhe sa e dëmton ngrirja e tyre ekonominë e këtyre njësive?
Kjo është një shkelje tjetër flagrante e qeverisë, pasi nga pikëpamja ligjore, ajo nëpërkëmb konventat ndërkombëtare të pranuar nga ana jonë, e cila garanton pavarësinë e pushtetit lokal nga ai qendror si dhe është në shkelje flagrante të Kushtetutës. Por pavarësisht këtyre shkeljeve a është konsekuente qeveria në bllokimin e lejeve të ndërtimit? Mjafton të dilni jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, për të parë që kjo është një politikë thjesht selektive, ku njerëzit e pushtetit lejojnë të ndërtojnë dhe riparojnë njerëz të afërt me ta ndërkohë që pengohen dhe persekutohen kryesisht fukarenjtë dhe të pafuqishmit apo dhe ata që janë opozitarë. Nga ana tjetër mendoj se është mjaft e rëndësishme që të analizohen efektet sidomos sociale të këtij bllokimi. Dilni shikoni sesi janë bllokuar ndërtimet e bashkë me të edhe një ndër arteret kryesore të zhvillimit dhe gjenerimit të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik. A e kuptojnë pushtetarët e majtë se përmes kësaj politike jo vetëm që kanë paralizuar një ndër sektorët që për vite i ka sjellë të ardhura të mëdha buxhetit të shtetit por në të njëjtën kohë ka qenë edhe një ndër sektorët me një numë të madh të punësuarish? A e dinë pushtetarët sesa është numri i atyre fukarenjve që kanë humbur vendin e punës? PD nuk është kundër disiplinimit të ndërtimeve, nuk është kundër orientimit të ndërtimeve bazuar në planet rregulluese urbanistike por nuk mund të pranojë asesi që këto vendime qeverie të cenojnë autonominë vendore dhe te përdoren nga eksponentë të majtë të pushtetit qendror apo lokal për afera korruptive apo për të favorizuar njerëzit e tyre dhe penalizuar kundërshtarët apo investitorët që nuk ju përgjigjen sekserëve të partisë dhe të pushtetit. Dhe kjo situatë e ngrirjes së lejeve të ndërtimit ka pasojat e saj negative jo vetëm në Tiranë, ku padyshim është edhe fluksi më i madh i ndërtimeve, por edhe në qarqet e tjera të vendit. Dhe bashkë me këtë politikë bllokuese është frenuar dhe zhvillimi ekonomik si dhe rritur numri i të papunëve, që sot të vetmen alternativë të mbetur kanë emigracionin e ligjshëm dhe të paligjshëm.