Helmut Hoffman: Reforma në drejtësi pastron gjyqësorin nga korrupsioni

Reforma në drejtësi më shumë se një ndëjrhyrje ligjore duhet të shihet si pastrim i gjyqësorit nga korrupsioni. Kështu u shpreh Ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffmann, duke shtuar se ajo nuk do të mund të përmbyllet në vjeshtë sikundër është deklaruar pasi do të kërkojë kohë.

Diplomati gjerman gjithashtu paralajmëron se mundësia e rikthimit të regjimit të vizave mbetet një rrezik për Shqipërinë dhe vendet e tjera te Ballkanit, nëse nuk merren masa per te kufizuar kërkesat gjithnjë ne rritje për azil ne drejtim te Gjermanisë.

Në një intervistë për Vizion Plus, Hoffman thekson se ndryshe nga çka ndodhur deri tani kur jane zgjatur procedurat, shtetasit nga Shqiperia dhe Kosova që kanë kerkuar azil do të kthehen mbrapsht brenda 4 javëve.

“Është i njohur fakti se ndër të tjera edhe me dëshirën e Gjermanisë u vu ky mekanizëm që në kushte të caktuara mund të pezullohet liberalizimi i vizave. Është e drejtë ajo çka thatë, se edhe në Gjermani po zhvillohet një debat i madh publik mbi këtë. Se çdo të sjellë ky debat, këtë nuk mund ta them dot sot, por çka mund të konstatojmë është vetëm se vendimet per këtë duhen marrë në nivel europian, në nivelin e Bashkimit Europian. Deri tani ka zgjatur shumë deri sa është marrë një vendim, por tani ne kemi marrë përsipër që këto raste qe vijnë nga Shqipëria dhe Kosova t’i përpunojmë shumë shpejt dhe pas 4 javësh t’i dërgojmë këta emigrantë mbrapsht në vendet e tyre”.

Diplomati i Berlinit e ka cilësuar situatën dramatike, ndërsa ka konstatuar me shqetësim se per këtë çështje, nuk po zhvillohet nje debat publik edhe ne nivele politike ne Shqipëri.

“Unë besoj se do të ishte diçka e mirë, nëse në Shqipëri do të zhvillohej një debat publik më intensiv për këtë fenomen. Për mendimin tim është shumë qetësi dhe duhej të flitej më shumë për këtë temë nga politika dhe t’u jepej njerëzve mesazhi i qartë: “Mos ikni në vendet e EU-së për të kërkuar azil! Kjo nuk do të funksionojë dhe e gjithë kjo do të ishte vetëm për të keqen tonë”.

Ju deklaruat të premten se të gjithë azilantët në Gjermani, përfshirë edhe ata nga Shqipëria do të kthehen brenda katër javësh. Ka ndonjë strategji, ndonjë procedure të re për trajtimin e kërkesave? Çfarë do të ndryshojë?

Fillimisht më lini t’ju them se situata ndërkohë është shumë dramatike. Tanimë që prej një kohe të gjatë kemi pasur gjithnjë e më shumë emigrantë, të cilët vijnë sidomos nga vendet në krizë si Siria, Iraku, Afganistani por përveç këtyre kanë ardhur shumë emigrantë edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2015 në Gjermani kanë ardhur rreth 65.000 emigrantë vetëm nga katër shtetet: Shqipëria, Serbia, Kosova dhe Maqedonia, prej të cilëve 1/3 janë vetëm nga Shqipëria, kurse në muajin qershor kishim pothuajse 6.000 emigrantë nga Shqipëria. Për momentin në Gjermani po zhvillohet një debat shumë i madh për këtë temë. Për të gjithë është plotësisht e qartë se emigrantët nga Ballkani Perëndimor janë pa përjashtim emigrantë ekonomikë dhe emigrantët ekonomikë nuk kanë asnjë shans për të përfituar azil, prandaj atyre do t’iu duhet të kthehen në atdheun e tyre. Deri tani ka zgjatur shumë deri sa është marrë një vendim, por tani ne kemi marrë përsipër që këto raste qe vijnë nga Shqipëria dhe Kosova t’i përpunojmë shumë shpejt dhe pas 4 javësh t’i dërgojmë këta emigrantë mbrapsht në vendet e tyre. Unë dëshiroj t’u drejtoj shqiptarëve në mënyrë urgjente një apel që të mos bien pre e atyre njerëzve të cilët u tregojnë histori me vende pune dhe vende banimi në Gjermani. Të gjithë do të kthehen mbrapsht në vendet e tyre, prandaj hiqni dorë nga kjo tentativë.

Ka gjithashtu informacione se emigrantët mund të përfitojnë të ashtuquajturën “Karta Blu”, që i jep mundësi të qëndrojnë dhe punojnë në Gjermani? Për shumë shqiptarë ky duket si një shans i mirë. Si funksionon?  

Këtu më duhet t’ju paralajmëroj për një keqkuptim të madh. Çdokush, i cili shkon në Gjermani dhe kërkon azil, hyn në procedurën e azilit dhe nëse konstatohet, se ai është atje për të kërkuar punë, kthehet mbrapsht. Sepse emigrantët ekonomik nuk kanë të drejtë për të përfituar azil dhe ndërkohë po diskutohet në mënyrë konkrete që në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me një kërkesë azili të paargumentuar, për këta njerëz të vendoset një masë ndalim-hyrjeje. Këta njerëz rrezikojnë kështu të mos u lejohet për disa vite me radhë të udhëtojnë në Gjermani, siç bëjnë shtetasit e tjerë të cilët udhëtojnë krejt normalisht me pasaportat e tyre. Por këtu duhet të bëjmë një dallim. Gjermania kërkon me të vërtetë fuqi të mirëkualifikuar pune. Por kam një lutje për të gjithë, që ta kuptojnë drejtë, se kjo është e mundur vetëm nëpërmjet aprovimit të një vize nga Ambasada Gjermane dhe vetëm për ata njerëz, të cilët mund të dëshmojnë një kualifikim të lartë profesional. Prandaj ju lutem, mos u nisni thjesht në Gjermani dhe të pyesni për azil, kjo nuk funksionon, por nëse keni një kualifikim të lartë, kërkoni një vend pune në Gjermani, siguroni një kontratë punë, ejani në Ambasadë, aplikoni një vize dhe nëse gjithçka është në rregull dhe viza ju aprovohet, atëherë mund të shkoni të punoni në Gjermani. Por duhet kuptuar se këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, të cilat fatkeqësisht po ngatërrohen.

Kancelarja Merkel theksoi në Tiranë se një vend me qindra kërkesa për azil në drejtim të Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera, nuk mund të aspirojë të bëhet pjesë e BE-së. Çfarë duhet të bëjnë autoritetet shqiptare për adresimin e këtij problemi?

Unë besoj se bëhej fjalë për faktin se – madje isha dhe vetë në bisedimet me Kancelaren Merkel – krijohet një përshtypje shumë e keqe nëse një vend, i cili nga njëra anë është kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht nga ky vend ka shumë njerëz, të cilët shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe kërkojnë azil. Pasi azil kërkojnë normalisht qytetarë, të cilët vijnë nga vende me probleme në fushën e të drejtave të njeriut. Natyrisht që ne themi se janë të gjithë emigrantë ekonomikë por përshtypja e krijuar që lë sadopak gjurmë, është se në këtë vend ka probleme. Dhe duke e parë nga ky këndvështrim edhe Shqipëria vetë ka një interes shumë të madh ta ndalojë këtë emigracion me qëllim azilkërkimin dhe unë besoj se do të ishte diçka e mirë, nëse në Shqipëri do të zhvillohej një debat publik më intensiv për këtë fenomen. Për mendimin tim është shumë qetësi dhe duhej të flitej më shumë për këtë temë nga politika dhe t’u jepej njerëzve mesazhi i qartë: “Mos ikni në vendet e EU-së për të kërkuar azil! Kjo nuk do të funksionojë dhe e gjithë kjo do të ishte vetëm për të keqen tonë”.

Sipas mendimit tuaj, cilat janë shkaqet e një dyndje masive të shqiptarëve, por edhe shtetasve të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të Gjermanisë?

Nuk është aspak e thjeshtë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Me siguri që këtu kemi të bëjmë me shumë arsye, të cilat luajnë rol. Në rastin e Shqipërisë hamendësoj se ndoshta një nga arsyet ka të bëjë me traditën e emigrimit, sipas së cilës njerëzit shkojnë jashtë vendit dhe kërkojnë atje një vend pune. Një rol këtu luan edhe fakti që Gjermania për momentin në aspektin ekonomik paraqitet shumë mirë dhe rrezaton një atraksion të madh ekonomik. Këtu mund të shtojmë edhe faktin se ne i trajtojmë  azilkërkuesit krahasimisht në mënyrë atraktive: u sigurojmë atyre vende banimi, u sigurojmë ushqimin, u japim para xhepi dhe të gjitha këto janë përfolur dhe shpërndarë si informacion. Gjithashtu, deri tani ka qenë një kohë e gjatë deri në mbylljen e procedurës të azilkërkimit dhe momentalisht ne po punojmë intensivisht për ta ndryshuar këtë dhe ta përmbyllim mundësisht shpejt procedurën në mënyrë që njerëzit të shohin dhe kuptojnë se nuk ia vlen të shkojnë veç për pak muaj në Gjermani. Si një nga arsyet do të përmendja edhe faktin se situata në vendet e Ballkanit Perëndimor për momentin nuk është e thjeshtë, dhe këtë ne tashmë e dimë. Por, më e rëndësishmja është që të gjithë të përpiqen të ndikojnë në rizgjimin e shpresës tek qytetarët, se në këto vende të Ballkanit Perëndimor po ecet përpara. Dhe këtu mund të them se Gjermania dhe Bashkimi Evropian, pra të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë janë shumë të angazhuar ta mbështesin Shqipërinë në këtë drejtim.

A ekziston rreziku i rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit? Së fundmi edhe mediat në Gjermani kanë raportuar për një mundësi të tillë.

Është i njohur fakti se ndër të tjera edhe me dëshirën e Gjermanisë u vu ky mekanizëm që në kushte të caktuara mund të pezullohet liberalizimi i vizave. Është e drejtë ajo çka thatë, se edhe në Gjermani po zhvillohet një debat i madh publik mbi këtë. Se c’do të sjellë ky debat, këtë nuk mund ta them dot sot, por çka mund të konstatojmë është vetëm se vendimet për këtë duhen marrë në nivel europian, në nivelin e Bashkimit Europian.

Reforma në drejtësi mbetet kryefjalë dhe sfidë kryesore për qeverinë. Cila është rruga që duhet të ndjekë Shqipëria për të zbatuar këtë reformë? A ka shembuj që mund të ndiqen nga përvoja gjermane?

Ne e përshëndesim shumë faktin që reforma në drejtësi është bërë këtu një temë shumë e rëndësishme. Dhe vetë Kancelarja Merkel ka qenë shumë e interesuar për këtë. Ne e përshëndesim gjithashtu edhe faktin që ndërkohë edhe opozita merr pjesë aktive në këtë reformë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat të përpiqen për të arritur qëllimin duke punuar bashkë dhe me një pajtueshmëri të lartë mes tyre. Kjo është patjetër shumë pozitive. Unë çuditem kur lexoj shpesh se reforma e drejtësisë do të përmbyllet deri në vjeshtë dhe do të bëhet kërkesa për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE sikur të ishte kjo një gjë që mund të zgjidhej thjesht me një votim. Unë besoj se kjo është diçka pak më komplekse se kaq. Nëse do të bënim pyetjen se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë në këtë reformë të drejtësisë, atëherë do të thonim se këtu kemi të bëjmë shumë më pak me perfeksionimin e ligjeve. Por këtu bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Që ka korrupsion, ky nuk është një zbulim i partnerëve ndërkombëtarë, por i gjithë opinioni publik shqiptar flet vazhdimisht për këtë fakt – duke filluar nga Presidenti i Republikës tek Kryeministri, Ministri I Drejtësisë, Kryetari i Opozitës dhe deri tek qytetari i thjeshtë, të cilët thonë se në Shqipëri ka tepër korrupsion në sistemin e drejtësisë shqiptare. Dhe pikërisht këtu duhet të vihet theksi i reformës. Për fat të keq, deri tani kemi parë shumë rrallë të merren masa disiplinore ndaj gjyqtarëve të lartë, të cilët me sa duket janë të prekur nga ky fenomen.

Këto janë ditët kur të zgjedhurit e rinj vendorë po marrin zyrtarisht detyrën. Ju si i vlerësoni zgjedhjet dhe zhvillimin e tyre pa procesin e dekriminalizimit?  

Për mua këto janë zgjedhjet e para që kam përjetuar këtu në Shqipëri. Prandaj e kam të vështirë të bëj krahasime me zgjedhjet e mëparshme. Unë vetë isha prezent si vëzhgues ditën e zgjedhjeve në një qendër zgjedhore dhe disa gjëra më ranë në sy. Nga njëra anë dukej proces i rregullt, i organizuar mirë, por nga ana tjetër çka më shqetësoi ishte që para pothuaj të gjithë qendrave zgjedhore rrinin djem të rinj në dukje të fortë dhe me qasje pak frikëndjellëse. Më duhet të them se do të kisha preferuar që partitë politike të mos kishin zgjedhur disa nga kandidatët që propozuan në këtë garë dhe kjo, e parë edhe në kuadrin e dekriminalizimit. Këtu nuk bëhet fjalë për probleme me drejtësinë, por bëhet fjalë për një higjenë politike. Disa njerëz nuk duhet të qëndrojnë në lista. Këtu nuk ka pretendim ligjor për t’u bërë kandidat dhe partitë mund ta peshojnë mirë se kë duan të propozojnë dhe kë jo dhe ato duhet mundësisht të propozojnë njerëz me integritet dhe që gëzojnë një emër të mirë. Por tashmë procesi zgjedhor është përmbyllur. Unë kam pyetur shumë shqiptarë se si e shohin ata dhe kam dëgjuar pa përjashtim nga ata vlerësimin se zgjedhjet natyrisht nuk ishin perfekte, por ishin më të mira se ndoshta të gjitha zgjedhjet e mëparshme. Prandaj e shoh si pozitive. Por ka sigurisht fenomene, të cilat nuk më kanë pëlqyer si p.sh. dëgjohet të flitet shpesh për blerje të votës dhe veçanërisht blerje e votave ku zgjedhësve dhe përkrahësve u premtohen pozicione në administratën lokale dhe kjo më duket një gjë shumë shumë problematike, çka duhet të ndryshojë patjetër.

Gjermania është një vend me investime të konsiderushme në vlerë financiare në Shqipëri, edhe pse numri i bizneseve të mëdha gjermane që operojnë këtu nuk është edhe shumë i madh. Cilat mendoni se janë arsyet për këtë hezitim?

Nëse themi se Gjermania ka kryer shumë investime, i referoheni investimeve në kuadër te zhvillimit ekonomik, pra ato që bëhen nga një shtet në një shtet për rindërtim dhe zhvillim. Në këtë fushë kemi bërë me të vërtetë shumë. Po, ju keni të drejtë, ekonomia private nuk e ka zbuluar Shqipërinë në një masë të konsiderueshme dhe kjo ka me siguri edhe arsye komplekse. Një ndër to është konkurrenca e madhe. Investime gjermane ka në të gjithë botën dhe shumë vende dëshirojnë të kenë ndërmarrje gjermane në vendet e tyre. Ka të bëjë edhe me faktin se Shqipëria është relativisht një treg i vogël. Por ka të bëjë edhe me një arsye tjetër, dhe pikërisht me faktin se Shqipëria për momentin nuk gëzon përshtypjen më të mirë për sa i përket shtetit të së drejtës dhe duhet patjetër të përpiqet ta ndryshojë këtë. Dhe ndoshta ka të bëjë edhe me faktin se infrastruktura në Shqipëri nuk është ende e tillë si do ta dëshironim. Por unë jam shumë optimist dhe mendoj se pikërisht vizita e Kancelares në Shqipëri dhe Konferenca Ekonomike ka prodhuar shumë vëmendje për Shqipërinë dhe besoj se nga kjo do të ketë edhe më shumë angazhim.

Gjermania është një pike referimi dhe superfuqi në Eurozone dhe si e tillë a pritet të kemi investime strategjike gjermane për projekte të rëndësishme në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri, si për shembull rruga adriatiko-joniane apo projekte në fushën e energjisë?

Vetëm një korrigjim për sa i përket terminologjisë që ju përdorët. Ne sigurisht që jemi partnerë në Eurozonë, por këtu nuk mund të flasim për superfuqi. Për sa i përket investimeve, është me siguri kështu, që Gjermania do të vazhdojë të jetë shumë e angazhuar për Shqipërinë edhe në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik. Banka Gjermane KFW do të vazhdojë të financojë projekte të rëndësishme dhe GIZ do të vazhdojë të jetë aktiv si edhe të tjerë donatorë gjermanë. Sa i përket autostradës adriatiko-joniane, unë personalisht e shoh këtë si një projekt shumë të rëndësishëm për të gjithë rajonin por ky është mbështetur para së gjithash nga Bashkimi Europian dhe kjo temë është trajtuar në mënyrë të gjerë edhe nga Komisioneri i Zgjerimit z. Hahn. Kjo u trajtua edhe në kontekstin e Konferencës Ballkanike në Berlin të vitit të shkuar, e cila do të vijojë në fund të gushtit në Vjenë, ku kjo temë do të trajtohet përsëri. Pra, tema e infrastrukturës, por edhe mundësitë që institucionet financiare ndërkombëtare të vazhdojnë të angazhohen për financimin e këtyre projekteve.

A është bërë mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. Çfarë duhet të ketë parasysh qeveria në këtë pikë, kur numri i zyrtareve të dënuar është thuajse i papërfillshëm?

Unë kam përshtypjen që po bëhen përpjekje të shumta për ta çuar përpara këtë proces por e parë në tërësi, dhe mendoj se këtë përshtypje ndajnë edhe shumë kolegë të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, krijohet përshtypja që vetëm peshq të vegjël bien vazhdimisht në rrjetë, kurse peshqit e mëdhenj rrallë, madje shumë shumë rrallë. Dhe në këtë aspekt mendoj se përpjekjet duhet të intensifikohen.

Si e vlerësoni progresin e përgjithshëm të Shqipërisë gjatë këtij viti dhe kur mund të flitet për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE? 

Pa dyshim, Shqipëria ka bërë progres të madh dhe ky progres u njoh shprehimisht edhe nga Kancelarja Merkel gjatë vizitës së saj në Shqipëri në fillim të korrikut. Është e rëndësishme të vazhdohet të punohet këtu në mënyrë të vazhdueshme. Nuk bëhet fjalë të vendosen afate artificiale por të përpunohen prioritetet e njohura dhe këtu po vecoj nga të pestë prioritet vetëm dy, të cilët i kam më përzemër. Së pari reforma në drejtësi, e cila është shumë e rëndësishme, por e parë kjo në aspektin e luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe së dyti krijimi i një administrate publike profesionale, sepse është shumë e rëndësishme që në administratën publike të punojnë nëpunës, të cilët janë të aftë në profilin e tyre dhe qe nuk ndryshohen sa here qe ndryshohen qeveria, apo ministri. Ne kemi pasur shpesh përvojën, që ekspertët e ministrive, me të cilët kemi hartuar para një ose dy vitesh masterplane, janë zëvendësuar me të tjerë, të cilët nuk i njohim, çka është një pasojë e ndryshimit të shpeshtë të personelit, të motivuar politikisht dhe prandaj do të shpresoja dhe dëshiroja shumë që në këtë aspekt të bëhet progres. Dua të theksoj edhe njëherë, ne jemi të gjithë të impresionuar nga progresi i madh që ka bërë Shqipëria.

SHKARKO APP