Hysen Bashhysa: Është krimi më i madh të shembet Teatri

Flet posaçërisht për Albanian Free Press, aktori i mirënjohur i Teatrit të Durrësit për 42 vite, Hysen Bashhysa: “Kjo dashuri e pakët për teatrin ndodh, fatkeqësisht, në të gjithë vendin. Shikoni çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar, është krimi më i madh, për mua, të shembësh teatrin, siç duan të bëjnë. Me ne artistët luajnë me bukën e gojës, ndaj artistët shqiptarë nuk bëhen kurrë bashkë që të mbrojnë një kauzë të drejtë. Unë nuk merrem me politikë, pavarësisht se unë e kam një bindje politike. Degjenerimin e njeriut e bën ekonomia, kjo është më e keqja. Të mbyllet goja, nuk flet dot, nuk ecën dot, nuk të shoqëron njeri, nuk ke përkrahje. Ndaj tani njerëzit, edhe artistët, manipulohen lehtë.”

Sot flokëbardhë, Hysen Bashhysën e kam në memorie që në vogëli, kur e ndiqja në skenën e teatrit të Durrësit. Në ato vite më bënte përshtypje diksioni i tij jashtëzakonisht i veçantë dhe pamja fisnike. Por prej disa vitesh është ndjerë mungesa e tij në skenë, paçka se në qendër të qytetit ku u lind e u rrit, e sheh shpesh të bisedojë me miqtë. Me qindra role në teatër e rreth 15 në kinematografi, Hysen Bashhysa, është sot një nga figurat qendrore të artit durrsak, në memorien e publikut. Kafenë tonë të gjatë e pimë në vendin që ai zgjodhi, përbri teatrit e pavarësisht se me dhimbje më tregon se sa i mungon teatri, ai ende e përmend sikur të jetë ende aty në aktivitet të plotë. Sapo e takova, mendova se aktori durrsak është nga ato portrete që nuk harrohen lehtë dhe se është kaq mëkat që ndër ato mijëra titujt “pa para” që jepen aq shumë, mos të jetë edhe emri i tij. Krenar për familjen e tij dhe me dhimbje për teatrin “e pabegenisur” nga institucionet, ja rrëfimi i fisnikut të teatrit të Durrësit.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju jeni sot një aktor profesionist në pension. Si e mendoni vlerësimin ndaj artistëve?

Ndërrimi i sistemeve, ardhja e demokracisë, që aq shumë e desha dhe e dua, solli dhe një disnivel në trajtimin ekonomik të artistëve. Erdhën kohë të tjera, kushte të tjera, kërkesa të tjera për jetën. Arti nuk u gjet i përgatitur për këtë ndryshim. Unë, dihet nga të gjithë, e kam urryer diktaturën, por duhet ta pranoj që dy elementë kanë funksionuar, zinxhiri i talenteve dhe trajtimi ekonomik i aktorëve. Kjo sigurisht që sillte dhe një cilësi të madhe në punë, një profesionalizëm më selektiv, një dashuri më të madhe nga publiku. Nuk e di a jeni në dijeni që aktorët pas viteve ’90 filluan të bëjnë nga dy e deri në tre punë. Me sa di, ashtu vazhdon edhe sot. Unë vetë kam punuar shumë vite në një magazinë pronë e një italiani, kjo sepse familja ka kërkesat e veta. Paralelisht isha dhe aktor profesionist. Kujtoj sot me humor, se kishim një turne në Finlandë. Isha i detyruar që ta lajmëroja këtë zotëri italian se më duhej të largohesha disa ditë. Ai as që dinte se ku binte Finlanda. Imagjinoni çfarë injorance dhe ky është një reflektim se në cilat kushte, aktorët, gjenden jo rrallë.

Por këtë liri që solli demokracia e kishit ëndërruar shumë…

Po, pafundësisht. Nuk isha i detyruar të interpretoja një kryetar këshilli. Kisha mundësinë të interpretoja role të mëdha në pjesë që deri pak kohë më parë ishin të ndaluara, nga dramaturgjia botërore. Sa kënaqësi ishte për ne që vumë në skenë tre herë “Martesën” e Gogolit ose “Revizorin”. Pra nga kjo pikëpamje u liruam shumë shpirtërisht. Përpos kësaj, filloi aktiviteti i regjisorëve me projekte. Pavarësisht se ka pasur shfaqje që siglën e mbanin të teatrit të Durrësit por aktorë nga Durrësi nuk kishte asnjë.

Po pse, Durrësi është shquar për teatrin e tij?

Po, shumë e vërtetë. Por ja që ndodh edhe kështu.

Si ndodhi që një inxhinier aspirant u bë aktor?

Në të vërtetë, mua nuk ma dhanë të drejtën e  studimit kështu që detyrimisht shkova ushtar. Kalova 2 vite në Korçë dhe atje kam punuar me Dhimitër Orgockën. U zhvillua një festival i teatrit të ushtrisë, një festival ku erdhi publik kombëtar nga disa qytete të Shqipërisë. Nga aty, pas lirimit nga ushtria, më thirrën në Teatrin e Durrësit. Unë kam ndjekur dhe një kurs intensiv të Ministrisë së Kulturës për aktor, një vit, në vitin 1974. Ishte një shkollë serioze ku bënim mësim një vit sa për tre vite. Shkoja dhe vija nga Tirana. Ishte një vit me shumë kujtime dhe ku kam marrë shumë eksperiencë. Edhe një pjesë e jetës time ndikoi në vendimet e mia për shkollimin sepse unë jam martuar shumë shpejt, në një moshë shumë të re dhe rrjedhimisht edhe prind me vajzën u bëra shpejt. Pra kisha edhe detyrime familjare. 24 vjeçar unë u bëra prind me vajzën time.

Me dashuri u martuat?

Më shumë mund ta quaj shkesi, ishte ndërhyrja e vëllait tim të madh që të më sistemonte. Ha ha ha nuk e di pse donte të më sistemonte me familje kaq shpejt. Por mund ta quaj veten njëri me fat sepse kam një familje të mrekullueshme që më bën shumë krenar. Vajza ime ishte 1 vjeçare kur kam filluar punë në teatër. Imagjinoni që janë 42 vite. Kam qenë në teatër kur lindën fëmijët e mi e kur u bëra gjysh. Teatri ka qenë familja ime e dytë, kam ndarë me kolegët të mirën e të keqen dhe kam mësuar shumë gjëra për jetën. Dua ta theksoj se aktorët nuk kanë kohë, nuk kanë orar pune.  Na duhej të qëndronim tek roli deri sa ta perfeksiononim, ndaj të gjitha detyrimet familjare i mbulonin bashkëshortet tona. Gratë e aktorëve janë heroike. Unë, si shumë kolegë, i detyrohem shumë bashkëshortes Liri pasi pa një përkrahje të saj do e kishte fare të pamundur të ushtroja profesionin. Ajo ka sakrifikuar gjithë ato vite, ka mbajtur të gjithë barrën e shtëpisë. Asgjë nuk më ka munguar dhe çdo gjë e kam nga dora e saj, edhe rritjen e edukimin e vajzës, Keti dhe të djalit Elvis. Nuk mund të bëhet aktor asnjë talent pa mbështetjen e familjes dhe njerëzve të dashur.

I kujton emocionet e ditëve të para në teatër?

Po, po, madje ditën e parë fare e mbaj mend. Ka ardhur aktori themelues i teatrit të Durrësit, Vangjel Heba, që më ka marrë me motor dhe shkuam në turne në Fier. Ka qenë shfaqja “Mulliri i Kozbardhit”. Ata të shtëpisë më qortuan se si unë lashë Fakultetin e Inxhinierisë ku studioja, pa shkëputje nga puna. Por unë nuk pyeta askënd, ndoqa vetëm instinktin tim dhe pasionin. U premtova se do të vazhdoja edhe shkollën, por në fakt nuk shkova më. Ishte shtator i vitit 1971. Nga punët e para të miat ishte në pjesën e Mihallaq Luarasit “Çështja e inxhinier Saimirit” ku kisha rolin e një sekretari të rinisë. Më pas erdhën mbi 100 role të tjera në 42 vite. Role pozitive dhe negative. Madje ato rolet negative të gjithë i harrojnë dhe nuk e di pse unë kujtohem vetëm për rolet pozitive.

Ishin turnetë pjesë e rëndësishme e karrierës tuaj?

Po, madje një pjesë thelbësore dhe që më jepte shumë kënaqësi. Kjo nisur edhe nga fakti se qyteti i Durrësit ka qenë pak i ftohtë në lidhje me artin. Kjo edhe në vitet e diktaturës. Kemi anuluar edhe shfaqje në ato vite, gjë që nuk ndodhte në qytete të tjera. Kishte një rregull atëherë që nëse ishin më pak se 25 spektatorë, shfaqja nuk zhvillohej. E kjo ka ndodhur disa herë, ndërkohë që në rrethe të tjera teatri ishte një ditë e shënuar. Kjo është pak e habitshme sepse Durrësi ka pasur si traditë një teatër të shkëlqyer dhe këtu njerëzit vishnin rrobat më të mira që të shkonin në teatër. Mendoj se kjo ndodhi kur ra varfëria e madhe dhe njerëzit mendonin për ekonominë e familjes, pas viteve ’80. Pas “revolucionit” siç unë e quaj demokracinë, filloi të rigjallërohet skena, nga vënia në skenë e shumë pjesëve. Mund të them se që me ardhjen e Bashkim Hoxhës, shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, si drejtor në teatër, teatri njohu një ngritje sepse ai gjeti edhe mënyrat më të duhura të menaxhimit të teatrit. Por mendoj se teatrin e kanë penalizuar edhe ikjet e shumë aktorëve të mëdhenj të Durrësit, drejt Tiranës, sigurisht për një jetë më të mirë. Mbetëm vetëm unë, Xhelal Tafaj dhe Sanie Hoti që mbanim teatrin. Ka qenë betejë edhe për mbajtjen e godinës në parametrat e një teatri dhe jo të një qebaptoreje. Ajo që mund të them me bindje është se ka pak dashuri për teatrin, këtu në Durrës.

Ju aktorët e pjekur të teatrit jeni dhe zëri i përvojës. Ju thërrasin për të dhënë eksperiencë ose ndonjë këshillë kur ka ndonjë aktivitet?

Jo, jo, aspak. Ka të paktën 6 vite që as i ka rënë në mend askujt që të më pyesë për ndonjë gjë. Edhe më mirë bëjnë sepse ato që në duam nuk realizohen dot, ne duam më të mirën për teatrin. Kjo dashuri e pakët për teatrin ndodh, fatkeqësisht, në të gjithë vendin. Shikoni çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar, është krimi më i madh, për mua, të shembësh teatrin, siç duan të bëjnë. Me ne artistët luajnë me bukën e gojës, ndaj artistët shqiptarë nuk bëhen kurrë bashkë që të mbrojnë një kauzë të drejtë. Unë nuk merrem me politikë, pavarësisht se unë e kam një bindje politike. Degjenerimin e njeriut e bën ekonomia, kjo është më e keqja. Të mbyllet goja, nuk flet dot, nuk ecën dot, nuk të shoqëron njeri, nuk ke përkrahje. Ndaj tani njerëzit, edhe artistët, manipulohen lehtë.

Ju flisni me shumë krenari për familjen tuaj, por keni edhe një vajzë me të cilën edhe keni interpretuar në teatër…

Po, vajza ka marrë shumë nga pasioni im për artin. Ajo ka shumë iniciativë, si në profesionin e saj si muzikante, ashtu edhe në pasionin për tetarin dhe televizionin. Keti Bashhysa, vajza ime, ka dhënë shumë recitale në violonçel, jep kontribut në arsim, ka kënduar, ka luajtur në teatër si dhe ka drejtuar për disa kohë një program televiziv në RTSH. Janë të gjitha iniciativa të sajat edhe pse pa përkrahje nga organizmat shtetërorë. Ndërsa djali ka zgjedhur atë që unë nuk u bëra, ka mbaruar për inxhinieri mekanike dhe punon në profesionin e tij. Fëmijët i kam të mbarë dhe kjo më bën krenar.

E ndjeni mungesën e skenës?

Shumë. Kam thuajse 5 vite pa u ngjitur në skenë, pa u përballur me publikun. Mendoj se po të ringjitesha në skenë, do të ndieja emocione si të isha i ri. Kur shikoj sallën plot më kënaqet syri, më ndiqet shpirti. Kujtoj se si na priste publiku tek shkallët pas shfaqjeve, me lule, me dëshirë për foto. Kjo dashuri e publikut më mungon shumë.

Ju flisni me respekt për ata aktorë të vjetër që ju pritën në teatër. Sot si është raportimi mes brezave në teatër?

Ka një hendek mes brezave, që nuk krijohet vetëm nga aktorët me përvojë por edhe nga të rinjtë. Ata shpesh vijnë me një peshë të madhe të një aktori të madh e jo të një aktori të ri që duhet të mësojë. Të rinjtë kanë një favor të madh që kanë një informacion më të madh se ne. Dinë kur ka lindur Balzaku e si ka filluar të shkruajë por nuk di a kanë lexuar një vepër të Balzakut. Duhet shumë thjeshtësi, duhet respekt që të krijosh një emër të rëndë, në teatër.

Ju keni kaluar pjesën më të madhe të jetës në skenë. Por nuk jeni vlerësuar me tituj…ndërkohë jeni nga aktorët më të njohur të qytetit. Pse mendoni se ka ndodhur kjo?

Unë kam pasur gjithmonë me vete vlerësimin e publikut, dashurinë e njerëzve. Kjo është mjaftueshëm për mua. Por nuk mund të mohoj që kam keqardhje që qyteti im ku kam kontribuar dhe jetuar, nuk më dha, institucionet e kam fjalën, as një fletë lavdërimi ose mirënjohjeje të qytetit. Unë dhe aktorët e Durrësit i kemi marrë të gjitha dekoratat, urdhrat, shpërblimet dhe ato na i ka dhënë qytetari, spektatori. Si unë dhe shumë të tjerë as nuk e kemi pasur ndërmend dhe as nuk na shkon ndërmend të bëjmë atë që duan ata të cilët japin këto lloj letrash, të bredhim e të lëpihemi për të marrë një titull, dekoratë, urdhër, lavdërim. Titujt më të lavdëruar dhe më emocionues na i ka dhënë publiku në skenë e jashtë saj. Jemi shumë të privilegjuar teksa ecim në rrugë e sheshe, në lagje dhe kudo. Artdashësit na mbulojnë me adhurim. Kaq më lumturon. Megjithatë më duhet të pranoj se në shenjë rebelimi u kam thënë fëmijëve të mi që të refuzojnë çdo lloj dekorimi tim nga çdokush pasi unë të largohem nga kjo botë. Njeriu ka nevojë të vlerësohet dhe të ndihet i vlerësuar sa të jetë gjallë. Nuk ka asnjë arsye që për punën time e të artistëve të tjerë, të ftohen fëmijët tanë pas vdekjes sonë dhe t’u jepet një karton, një dëshmi. Dekoratat e titujt, në këtë vend, fatkeqësisht, janë si puna e asaj fabulës me skifterin dhe kërmillin, që ngjitej duke u zvarritur. Besoj se e dini. I kanë marrë edhe njerëz “të çuditshëm”, emra pa meritë. Por kjo nuk bën pjesë e karakterit tim e në këtë pikë nuk ndryshoj dot për asgjë dhe askënd.

 

Pak biografi

I lindur  në Durrës me 16 shator të vitit 1947 në një familje të thjeshtë me një baba tregtar, Hysen Bashhysa, pas përfundimit të shkollës së mesme, nis studimet ne inxhinierinë mekanike. Dy aktorët e mirënjohur durrsakë, Nikolin Xhoja dhe Vangjel Heba, propozojnë që Hysen Bashhysa të shkonte si aktor në teatrin profesionist. Pas disa bisedimesh, ai ndërpret studimet në inxhinieri dhe nis studimet për aktrim me pedagogë si Pjetër Gjoka, Prokop Mima, Drita Pelingu etj në Institutin e Arteve në Tiranë. Roli i parë si aktor profesionist ishte në një dramë të Kujtim Spahivoglit “Një shok i klasës sonë”, për të vazhduar me rreth 100 role te tjera, si në teatër ashtu dhe në kinematografi, ku spikasin rolet në “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Në pyjet me borë ka jetë” (1978) si dhe “Një udhëtim i vështirë” (1977) etj. Për të mbërritur tek roli i fundit në teatër, Oberoni, në “Ëndrra e një nate vere” nga Shekspir.

Me rolin në dramën “Tango” të Slavomir Mrozhekut, në vitin 2008, fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibër, Maqedoni. Aktrimi i tij bie ne sy për qetësinë dhe sigurinë, për fjalën e rrumbullakosur, për përpunim fizik të lëvizjes si dhe një ndjeshmëri te brendshme, pa britma e shpërthime të jashtme.

 

/Burimi: Albanian Free Press/

SHKARKO APP