Igli Tare: Edhe një herë për dhunën dhe mikpritjen serbe

Nga Skënder Minxhozi

Si ndiheni te Lazio pas një dekade që keni kaluar në këtë klub?

Është viti i dhjetë këtu dhe më duhet të pranoj që ndihem si në shtëpinë time. Tashmë eksperienca e akumuluar më ndihmon shumë në menaxhimin e këtij pozicioni.

 A mund të thuhet se me presidentin Lotito keni vendosur një marrëdhënie të tillë, saqë vetë klubi është bërë më i interesuar dhe për futbollin shqiptar? A ka ndikuar indirekt dhe qenia juaj në këtë pozicion, në ardhjen e tre futbollistëve shqiptarë në klubin tuaj, apo kjo është një rastësi?

Do ta thosha me shumë sinqeritet që është një rastësi. Sepse nuk mund të ngrihet një çeshtje e tillë edhe për një trajner brazilian, apo drejtues të huaj klubi, që mund të ketë dhjetë lojtarë brazilianë në ekip, apo të një kombësie tjetër. Ka vetëm një kriter që përakton zgjedhjen e lojtarëve në një skuadër futbolli, e kjo është cilësia e tyre si futbollistë. Në rastin e klubit që drejtoj, pyetja që shtrohet është “a e ka ky apo këta lojtarë, kualitetin për të luajtur tek Lazio apo jo”? Për mua, është shqiptar apo serb, apo argjentinas, apo nga ndonjë vend tjetër, nuk ka shumë rëndësi.

Meqë përmendët serbët, a mund të na tregoni ndonjë prapaskenë rreth fotove që klubi juaj publikoi, ku shqiptarët dhe serbët kishin tokur duart? Si u arrit në atë foto?

Kjo ka qenë një gjë që e diskutuam pas kthimit në Romë, si me lojtarët serbë, edhe me lojtarët shqiptarë dhe aty lindi ideja që të jepnim një sinjal të fortë për botën e jashtme, që sporti duhet të bashkojë, e jo të ndajë popujt. Lojtarët e pritën me shumë entuziazëm këtë ide dhe rezultati u pa nga të gjithë.

A patët mundësi ta diskutonit me lojtarët serbë atë incident të Beogradit? Cila është përshtypja e tyre për atë ndeshje?

Jo në detaje, por disa gjëra që ndodhën aty u diskutuan mes nesh. Nuk hymë në detaje, duke pasur parasysh edhe kujdesin që duhet patur në trajtimin e një incidenti si ai i asaj ndeshjeje delikate.

Për të mbetur edhe pak tek ajo ndeshje të cilën ju e ndoqët nga stadiumi, mbas kaq e kaq ditësh, si e shihni çështjen e përgjegjësive të palëve, tani që gjakrat janë ftohur dhe tifozeritë janë qetësuar disi, ndërsa shtetet nuk po shkëmbejnë më nota proteste mes tyre? Tani që pritet edhe një vizitë e Ramës në Serbi, ju si e shihni atë ndeshje? Qe një fatalitet, qe një faj i dyanshëm, qe një faj i organizatorëve, i dronit etj..? Cila është përshtypja juaj?

Gjëja e parë që është më e rëndësishme, për mendimin tim, është fakti që unë e kam thënë edhe në një intervistë pas ndeshjes, – që si shtypi shqiptar, ashtu dhe shtypi serb, pati një impakt shumë të madh përpara ndeshjes, mbi opinionin publik të dy vendeve. Me frymën e re të nacionalizmit që u ngrit nga të dy palët në prag ndeshje, gjakrat u ndezën dhe klima u tendos.

Jam i mendimit që gjëja më e mirë që mund të ishte bërë, ndoshta edhe nga UEFA, apo edhe nga të dy federatat e futbollit, përveç marrjes së masave të jashtëzakonshme në drejtim të sigurisë, duhej të kishte edhe ide shumë të mira për uljen e tensioneve. Mendoj se duheshin aktivizuar shumë figura, si nga bota e artit, e sportit e më tej, për ta përgatitur klimën e kësaj ndeshjeje, sepse gjithkush që e njeh sadopak historinë e të dy vendeve, sidomos e asaj se çka ka ndodhur, e di se ky takim do të ishte shumë delikat. Duhej bërë kjo, e jo të nënvleftësohej deri në këtë pikë ndeshja.

Përsa i përket organizimit të ndeshjes, është absolutisht e kritikueshme organizimi dhe masat e marra për zhvillimin e asaj ndeshjeje nga pala serbe. Kjo është e padiskutueshme, sepse nuk mund të ndodhte ajo që ndodhi. Duke pasur parasysh edhe dronin që fluturoi mbi stadium, është mëse legjitime nga pala organizatore e një eventi, që në radhë të parë është federata serbe dhe shteti serb, dhe në radhë të dytë është UEFA, që përgjegjësit të gjenden. Por duhet thënë njëkohësisht se atë natë çdo gjë mund të ndodhte, por që të futeshin tifozët në fushë, kjo nuk duhet të ndodhte absolutisht.

Meqë hodhët idenë e mesazheve të përbashkëta, dhe meqë do ketë edhe një ndeshje tjetër në tetorin e vitit të ardhshëm, një ide, a do të mund të ishte për shembull, që ju me një ish futbollist të madh serb që militon në Itali, le të themi Mihajloviç për shembull, që është trajner tani, të dy së bashku të jepnit një mesazh për tifozerinë dhe vetë ekipin? A do të ishit ju i gatshëm për këtë?

Absolutisht po. Unë pata mundësinë të jetoja dy aspekte. Pata mundësi të jetoja dhunën në stadiumin e Beogradit, por dhe mikpritjen që bënë serbët në ato dy ditë që unë isha në Serbi. Kështu që duhen ndarë gjërat nga njëra-tjetra. Unë i provova si të thuash të dyja anët e medaljes. Ajo që më bën më shumë përshtypje, është fakti që si njëra palë, ashtu edhe tjetra, besoj se nuk i njohin mirë njëri-tjetrin, aq sa për ta gjykuar. Dhe kjo është një pikë e veçantë, ku ata që kanë interes për ta afruar sadopak, atëherë duhet të kontribuojnë.

 Ju folët për një vendim të UEFA-s dhe për rolin e FSHF-së. Ka pasur shumë kritika për federatën shqiptare në ditët pas ndeshjes. I keni lexuar ju, dhe nëse po, a pajtoheni me to?

Deri diku unë i jap të drejtë këtyre lloj kritikave. Unë jam i mendimit që federata shqiptare duhet ta përgatiste këtë ndeshje komplet në një mënyrë tjetër. Sidomos vajtjen, masat e sigurisë që duhet të ishin marrë nga pala jonë për këtë ndeshje, stafi që duhet të ishte komplet i përgatitur për një ndeshje të rrezikshmërisë së lartë, siç ishte kjo. Nga ana tjetër, na u desh të prisnim dy ditë që të mësonim qëndrimin e FSHF, ndërkohë që federata serbe kishte folur disa herë. Këto janë të meta që duhet të na bëjnë të mendojmë për të ardhmen.

Por çdo gjë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, nuk është për faj të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sepse siç e thashë edhe më përpara, aty shqiptarët dhe Federata Shqiptare e Futbollit ishin të ftuar si miq, nuk ishin nga vendi organizator i këtij eventi.

 

Kritikat në fakt kanë qenë më shumë për mënyrën se si FSHF-ja e menaxhoi atë që ndodhi pas incidentit. Natyrisht që për incidentin ajo nuk mund të fajësohet. Gjithsesi, le të vijmë tek një moment me një provokacion të vogël. A do të ketë ndonjë ditë ndonjë mundësi që ta shohim Igli Taren në krye të futbollit shqiptar? Mendoni që në një të ardhme sado të largët mund ta keni këtë dëshira, apo do të vazhdoni të militoni në futbollin italian dhe evropian?

Kjo nuk është diçka që unë e mbaj të fshehtë. Unë e kam shprehur gjithmonë idenë time, që e kam pasur gjithmonë, që një ditë, gjithë eksperiencën time të akumuluar si futbollist ose si drejtues, ta vë në funksion të vendit dhe atdheut tim. Këtë e kam shprehur gjithmonë dhe kudo ku ma kanë bërë këtë pyetje kam dhënë gjithmonë këtë përgjigje pozitive. Kur do të jetë ky moment, këtë nuk mund ta di.

 A keni një përgjigje për paradoksin, që ka futbollistë shumë të mirë shqiptarë, por nuk ka një futboll të mirë shqiptar? Pse?

Është shumë e thjeshtë. Kjo ndodh sepse formula e organizimit të futbollit shqiptar lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo në shumë aspekte, duke filluar nga shumë aspekte që unë nuk do të doja t’i prekja. Evidentohet në këto dy vitet e fundit një lloj përmirësimi i kualitetit të futbollit në Shqipëri. Ndoshta ka një ndikim të madh edhe futja e kësaj formës dixhitale, që ka një interes për ta promovuar futbollin shqiptar dhe ndoshta ndikojnë edhe ata sadopak në përmirësimin e cilësisë. Por ka një marzh shumë të madh akoma për ta zhvilluar.

Si po performon kombëtarja shqiptare dhe si po ju duket puna e Debiazit deri tani?

Kombëtarja shqiptare është një skuadër që, mbi të gjitha, pikën e saj më të fortë e ka me grupin, nuk e ka me individët e skuadrës. Sepse ka lojtarë cilësorë, por nuk janë lojtarë që bëjnë shumë diferencën. Diferencën në këtë aspekt e bën grupi dhe meritë e madhe është ajo e De Biazit, që bashkë me stafin e tij kanë krijuar një unitet, një grup që e di ku është pika e tij e fortë dhe punojnë çdo ditë për ta përmirësuar këtë aspekt. Shumë të rëndësishme akoma janë edhe rezultatet pozitive që rrisin vetëbesimin në punën që ata po zhvillojnë. Kështu që deri në këtë moment gjithmonë rezultati bën diferencën. Kur janë rezultatet pozitive, gjërat priren gjithmonë pozitivisht. Por unë do të veçoja, duke qenë se jam brenda futbollit, që ka momente që organizimi i punës nga stafi ka qenë gjithmonë i mirë, por rezultati ka munguar, dhe atëherë kritikat kanë qenë të mëdha. Por gjëja më e rëndësishme është që të dish vlerat e njerëzve dhe të punës që ata janë në gjendje të bëjnë.

 Ju keni qenë i angazhuar, më shumë si qytetar, në të shkuarën edhe me zhvillimet në Shqipëri. Sa e ndiqni situatën në vendin tonë të përbashkët aktualisht dhe çfarë mendoni për të? Si ju duket Shqipëria nga larg?

Tek unë nuk ka ndryshuar asgjë, unë vazhdoj të jem i angazhuar njësoj si më parë dhe jam gjithmonë prezent në çdo aspekt të zhvillimit të Shqipërisë. Edhe pse nga larg e ndjek çdo gjë me shumë vëmendje. Për ne është një rrethanë që e shumëzon shumëfish pozitivitetin ndaj çdo gjëje të mirë që ndodh aty. Çdo gjë pozitive që ka lidhje me Shqipërinë, e ndjek dhe e përjetoj me shumë gëzim dhe kënaqësi.

SHKARKO APP