Ilir Bejtja: Zyrtarët që s’paguajnë energjinë, t’u vijë turp
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Energjia elektrike ka qenë në fokus muajt e fundit jo vetëm prej medias, politikës, por edhe prej vetë shoqërisë shqiptare. Teksa rritja reale e çmimit të saj ka qenë debati më shpesh i përfolur mes qytetarëve. E lidhur me këtë problematikë, zv/ministri i Energjetikës, Ilir Bejtja, gjatë një interviste për gazetën “Koha Jonë” pohonse ndërgjegjësimi i gjithë publikut për rëndësinë e energjisë, si edhe lufta ndaj abuzimit dhe vjedhjes së saj do të vazhdojnë të jenë në fokusin kryesor të qeverisë, derisa kjo plagë e turpshme të mos ekzistojë më si fenomen. Dhe duke mbetur tek çështja e energjisë elektrike, Bejtja flet edhe për detyrimet e pashlyera të energjisë që ka Bashkia e Tiranës, duke shtuar se i vjen shumë keq që bashkia më e madhe në vend të ketë fatura energjie të pashlyera për veten dhe institucionet e saj të varësisë. Por ndër të tjera, ai flet edhe për marrëdhënien mes koalicioonit të majtë gjatë vitit të kaluar të qeverisjes, duke e cilësuar atë si shumë të suksesshëm …
Debati për rritjene çmimit të energjisë është shoqëruar me një sërë polemikash të vazhdueshme jo vetëm prej politikës,por edhe prej vetë qytetarëvedhe shoqërisëcivile. Sa rritet realisht çmimi i energjisë për konsumatorët?
Zyrtarisht kërkesa e ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI) drejtuar ERE-së ka qenë që ato të jenë të paktën për konsumatorët familjarë më të ulëta se mesatarja e çmimit të mëparshëm.
A nuk ështe rritja e energjisë një proces që del edhe kundër premtimeve të PS-së në fushatën elektorale?
E thashë që ne kemi qenë konsistentë në kërkesën tonë për të mos e rritur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
Ndërhyrjet në sistemin energjetik po kuptohen vetëm me arrestime dhe prerje dritash. A janë vetëm këto problemet që ka sot ky sistem?
Nuk është e vërtetë. Kjo është vetëm pjesa që më shumë duket lidhur me reformën në sektorin e energjisë elektrike. Ne kemi dërguar tashmë në qeveri dhe parlament projektligjin e ri të sektorit të energjisë elektrike, kemi ndryshuar raportin e sistemit me HEC-et private ose me koncesion, duke bërë të mundur që ato të mos jenë kosto për sistemin, por vlerë e shtuar; kemi ulur ndjeshëm humbjet joteknike në rrjet, kemi marrë një kredi prej 102 milionë eurosh për investime në rrjetin e shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë elektrike, si edhe për matjen e saj, por edhe për të garantuar furnizim konstant të tregut në vend me energji; kemi përmirësuar ndjeshëm menaxhimin në të treja ndërmarrjet, kemi zgjidhur njëherë e përgjithnjë konfliktin me palën çeke lidhur me “CEZ Shpërndarje” duke u hapur rrugë investimeve në shpërndarje te energjisë dhe rritje të cilësisë se furnizimit, por dhe përmirësim teknik të këtij rrjeti, kemi investuar në interkonjeksion me më shumë se 80 milionë euro, duke rritur kapacitetet e transmetimit të energjisë elektrike brenda dhe jashtë vendit, kemi vendosur afate të qarta lidhur me realizimin e projekteve në vazhdim në prodhim të energjisë elektrike, por edhe kemi lëshuar leje të reja prodhimi, jemi duke dërguar në qeveri brenda tremujorit të parë të 2015-ës ligjin mbi efiçiencën e energjisë dhe ligjin mbi energjitë e rinovueshme, si edhe shumë akte e vendime të cilat kanë sjellë një tjetër pamje në sektorin e energjisë elektrike. Natyrisht, ndërgjegjësimi i të gjithë publikut për rëndësinë e energjisë elektrike, si edhe lufta ndaj abuzimit dhe vjedhjes së saj do të vazhdojnë të jenë në fokusin tonë kryesor derisa kjo plagë e turpshme të mos ekzistojë më si fenomen. Shpresojmë që i gjithë publiku shqiptar, pavarësisht në çfarë niveli e dimensioni, se do të na mbështesë.
Fjala më e përdorur së fundmi është ‘burg’ dhe ‘gjoba’. Si përfaqësues i një qeverie të majtë a nuk ju duken se masat e marra për energjinë, por jo vetëm, të jenë shumë konservatore?
Këto janë fjalët që ata që nuk e duan këtë aksion, kanë artikuluar më shumë. Ne kemi artikuluar shumë më tepër, ashtu siç përmenda edhe pak më lart. Por është fare normale që një vjedhës energjie të dënohet si çdo vjedhës tjetër, ashtu edhe si çdokush që abuzon me energjinë të gjobitet, siç ndodh në çdo rast shkeljesh të ligjit, apo vonese në shlyerjen e detyrimeve.
Grumbullimi i detyrimeve të debitorëve të energjisë, si po përdoret?A po hidhen këto para për modernizimin e sistemit energjetik, apo shkojnë në zëra të tjera të buxhetit?
Çdo e ardhur që realizon OSHEE-ja nga shitja e energjisë elektrike shkon dhe do vazhdojë të shkojë vetëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve.
Disadrejtues të administratës dhe punonjës të OSHEE-së rezultojnë se nuk e kanë paguar energjnë elektrikedhe janë larguar nga puna. Çfarë po bëhet për të zgjedhurit vendorë që s’e kanë paguar emergjinë. Do shkarkohen?
Janë marrë masa që çdo detyrim që ata kanë të likujdohet brenda vitit 2014. Masat finaciare që do të merren ndaj tyre do të bëjnë të mundur shlyerjen e çdo detyrimi që ata kanë. Ndërkaq, çdo punonjës i sistemit te energjisë elektrike që nuk shlyen detyrimet e saj do të largohet nga puna, bazuar edhe në kontratën kolektive dhe në kodin e etikës që ndërmarrjet e këtij sistemi kanë.
E njëjta situatë duket se është dhe në Bashkinë e Tiranës. Do kërkoni shkarkimin e Bashës?
Sikur të ishim duke dëgjuar ‘Portokallinë’ do kisha qeshur me të madhe, por në fakt më vjen shumë keq që bashkia më e madhe në vend të ketë fatura energjie të pashlyera për veten dhe institucionet e saj të varësisë. Ne nuk shkarkojmë bashkiakë. Ata janë të zgjedhur. Por duhet t’u vijë turp që abuzojnë me pushtetin që u kanë dhënë zgjedhësit. Këtë pyetje në fakt duhet t’ua drejtoni qytetarëve të Tiranës, nëse do vazhdojnë ta besojnë kryebashkiakun e tyre për integritetin e tij, sa kohë që institucioni që ai drejton ka energji elektrike të papaguar.
Sa të suksesshëm do ta cilësonit vitin 2014 për qeverisjen e koalicionit të majtë, sidomos në sektorin që ju mbuloni dhe si do t’u përgjigjeshit akuzave të opozitës që flasim për një dështim total?
Do ta cilësoja shumë të suksesshëm, nëse do t’u referohemi objektivave që kemi pasur, të cilët kanë qenë më shumë se ambiciozë. Kemi marrë një gropë të zezë dhe një sipërmarrje të pamundur dhe tashmë jemi në lëvizje dhe me hapa të shpejtë drejt ndryshimit total të kësaj situate. Por gjithnjë nuk do kënaqemi e do vazhdojmë të bëjmë të pamundurën për ta kthyer këtë sistem nga një dështim i plotë në kohën e qeverisjes së PD, në sektorin më pararojë e të zhvilluar të ekonomisë kombëtare shqiptare. Ndërkaq, akuzave të opozitës do u përgjigjesha: “Sa herë që flisni për energjinë elektrike në Shqipëri, drejtojeni gishtin me turp e kokëulur nga vetja!”. Dështuan në çdo gjë në sistemin e energjisë elektrike, shkaktuan vetëm dëme e humbje, vodhën sa mundën dhe lanë pas një kërmë, të cilën na u desh ta rilindim krejt. Nëse doni kuptimin e plotë të fjalës Rilindje, atë do mund ta gjeni vetëm në sistemin e energjisë elektrike dhe të energjisë në përgjithësi në vend.