Ilir Kulla: Shqipëria rrezikohet nga injoranca, varfëria dhe korrupsioni jo nga terrorizmi

Eksperti për sigurinë Ilir Kulla, në një intervistë për cityfm.al, thekson se ekstremizmi islamik nuk e rrezikon Shqipërinë, sipas tij vendi ynë rrezikohet nga injoranca, varfëria dhe korrupsioni jo nga terrorizmi.

Cila është sipas jush arsyeja kryesore që coi në aktet terroriste së fundi në Francë, një vend i cili është njohur si vend i lirisë dhe jo agresiv në qëndrime ndaj ekstremismit islamik?

Arsyet mund të jenë të ndryshme. Nga një shkarje psikologjike e dy të njerëzve të paintegruar , të pakënaqur me sistemin politik dhe social, të një hakmarrje rrugacërore e 2-3 të rinjve të ekstremizuar e deri tek ndonjë lojë më e thellë e grupimeve të tjera të interesave më të mëdha të cilat kanë përfitime të cojnë BE në krizë apo shoqëritë Europiane nëpërmjet krizave me perceptim krizash me karakter fetar.

Eshtë thjesht sulm ndaj shtypit apo goditje e terrorizmit për mbarë botën?

Jo, nuk gjykoj se sulmi është bërë për të cënuar lirinë e shtypit. Eshtë bërë për të kapur faqet e para të të gjithë mediave ndërkombëtare dhe për të mbërthyer të gjithë opinionin publik përballë televizionit, internetit dhe për ta shkëputur nga disa gjëra të tjera më të mëdha që ndodhin ndërkohë.

A tregoi kjo ngjarje që Europa është e papërgatitur përballë akteve dhe veprimeve të tilla?

Jo, unë mendoj se kjo krizë nxorri në pah disa dobësi të tjera që ka Europa. Së pari, ndasitë e shoqërive europiane të cilat në kohën e globalizmit në vend që të hapen shohin të keqen tek hapja dhe kërkojnë të mbyllen, duke sjellë në fuqi të djathtat ekstreme. Më tej shohim një paaftësi për të zgjidhur krizat, jo nga pikëpamja policore por nga ajo politike. Me kujton pak kohën 22 vjet më parë kur mafia në Sicili vrau Falconen dhe Borsellinon dhe të gjithë sicilianët u vunë në paragjykimin ksenofobik të të qenit mafioz.

A rrezikohet edhe Shqipëria nga akte të tilla, duke patur parasysh faktin se dhjetra shqiptarë luftojnë për ISIS në Siri?

Shqipëria rrezikohet nga injoranca, varfëria dhe korrupsioni. Vetëm ato mund ta shkaterrojnë Shqipërinë as ISIS dhe as AL Kaeda. ISIS dhe Al Kaeda shërbejnë që këto klasa të kalbura politike të mbajnë nën pushtetin, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit

Cfarë duhet të ndryshojë në thelb për të shmangur akte të tilla terroriste si ai i Francës?

Duhet të ndryshoje fryma, shpirti, filozofia dhe doktrina. Por unë i shoh me pesimizëm , ndryshimet do të vijnë vetëm kur krizat të jenë te mëdha . Krizat e mëdhaja sjellin zgjidhje të mëdha, fatkeqësisht për momentin jemi larg.

SHKARKO APP