Ilir Meta për “L’Unità TV”: Shqipëria s’do ndërtojë asnjë mur për të penguar emigrantët
Z. Meta, Shqipëria është një vend kandidat për të hyrë në BE që nga qershori 2014. Si po ecën përpara procesi dhe cili është “feedback”-u që ju keni marrë nga Brukseli?
Shqipëria tashmë si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, ka ndërmarrë të gjitha reformat e duhura për t’u përgatitur edhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Dhe në këtë drejtim, dua të theksoj se edhe progres-raporti i fundit i Komisionit Europian vlerëson progresin e qëndrueshëm të vendit në kryerjen e reformave.
Sidomos në drejtim, të pesë prioriteteve kyçe, të cilat do të bëjnë të mundur që vendit, pas miratimit në Parlament të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do t’i hapin rrugën reformës në fushën e drejtësisë, të jetë e mundur që t’i hapen negociatat edhe për në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka qenë historikisht një vend pranë Italisë. Si janë raportet institucionale me vendin tonë?
Raportet institucionale midis Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera. Mendoj se dëshmi e saj është dhe vizita që unë po zhvilloj në Itali, takimet e ndryshme, me Kryetaren e Parlamentit, znj. Boldrini, me Presidentin e Senatit, z. Grasso dhe me shumë autoritete të tjera.
Ashtu sikurse vizitat e Kryeministrit Renzi në Tiranë apo të Presidentit Grasso atje dhe të shumë figurave të tjera, kanë treguar që marrëdhëniet tona janë në nivelet më të larta dhe të shkëlqyera dhe nuk janë thjesht marrëdhënie midis institucioneve. Por janë në radhë të parë marrëdhënie midis njerëzve, janë marrëdhënie shpirtërore, janë marrëdhënie kulturore dhe dihet që në Itali kemi komunitet prej gati 600 mijë shqiptarësh mjaft mirë të integruar të cilët janë mjaft të vlerësuar këtu dhe kanë përmirësuar imazhin e vendit tonë. Por njëkohësisht, edhe ne në Shqipëri kemi një komunitet të madh italian, që vjen duke u rritur.
Madje tani kemi edhe mjaft studentë italianë që studiojnë në Itali dhe komuniteti i investitorëve italianë është komuniteti kryesor dhe ne shpresojmë që të zgjerohet më tej. Pra, janë marrëdhënie të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet, janë marrëdhënie të shkëlqyera.
Shumë kompani italianë kanë investuar dhe vijojnë që të investojnë në Shqipëri. Përtej kostove të krahut të punës dhe taksave, çfarë mund t’u ofrojë Shqipëria kompanive italiane që nuk e ofrojnë vende të tjera në Ballkan?
Mendoj se në radhë të parë ajo që Shqipëria u ofron investitorëve italianë ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit është, jo vetëm mikpritja e veçantë shqiptare, por në radhë të parë është një rini, e cila e njeh Italinë, e cila flet në mënyrë të shkëlqyer italishten dhe mbi të gjitha, e cila ka përgatitjen e duhur për të punuar në kompanitë italiane që mund të krijohen në Shqipëri.
Kështu që besoj se Shqipëria ofron mjaft. Mbi të gjitha ofron pozicionin e saj të veçantë, që ndihmon jo vetëm për investimet italiane në Shqipëri, por edhe përmes Shqipërisë edhe në vendet e tjera të Ballkanit, sidomos në Maqedoni, Kosovë apo në Malin e Zi, me të cilat ka një lidhje infrastrukturore të shkëlqyer.
Shqipëria është një vend me disa besime fetare. Në vendin tuaj jetojnë myslimanë, të krishterë, katolikë e ortodoksë. A mund të themi që Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës fetare që mund të jetë një pikë referimi edhe për vendet e tjera?
Padyshim, këtë nuk është se mund ta themi ne. Këtë në radhë të parë e ka thënë Papa Françesku gjatë vizitës së tij, që bëri në Shqipëri, duke vlerësuar vendin tonë si një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës dhe të tolerancës ndërfetare. Një shembull për të gjithë dhe një shembull kaq shumë i çmuar në ditët tona, kur ka përpjekje për të minuar bashkëjetesën ndërfetare. Ndaj dhe kjo bashkëjetesë në Shqipëri vlerësohet edhe kaq shumë.
Shqipëria për momentin nuk është e prekur nga fluksi i emigrantëve që po përshkojnë Ballkanin për të mbërritur në Europë. Muri që Maqedonia po vendos në kufi mund të ndryshojë situatën. Si po përgatiteni për të përballuar këtë situatë eventuale?
Shqipëria nuk do të ndërtojë asnjë mur për të penguar emigrantët që të hyjnë në vendin tonë dhe nuk mendojmë se kjo situatë përballohet duke ndërtuar mure. Por duke bashkëpunuar në mënyrë të afërt me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha venet e rajonit tonë, pasi vetëm përmes përpjekjeve të koordinuara dhe duke ndarë së bashku barrën e rëndë të kësaj krize, mundet t’u vijmë në ndihmë të gjithë të rrezikuarve nga lufta. Dhe njëkohësisht nënvizojnë problemet e sigurisë, problemet sociale që kjo krizë e emigrantëve dhe e refugjatëve po sjell në Europë.
Brukseli i kërkon vendeve të Ballkani perëndimor që të insistojnë shumë në bashkëpunimin rajonal. Cila është gjëja më e mirë që Shqipëria ka pasur nga ky bashkëpunim dhe cili është elementi që mbetet më problematik?
Mendoj se Shqipëria bashkëpunimin rajonal e ka bazën kryesore të gjithë integrimit evropian të saj dhe këtë e ka treguar duke zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Madje edhe me vetë Serbinë me të cilën problemet në të kaluarën nuk kanë qenë të thjeshta. Kështu që në këtë drejtim mendoj se Shqipëria ka treguar një vullnet të jashtëzakonshëm për të ndërtuar një besim reciprok me të gjithë vendet e rajonit dhe të Ballkanit dhe për të treguar se është një vend i përkushtuar ndaj së ardhmes dhe që është e gatshme të lërë pas të kaluarën problematike.
Natyrisht, që bashkëpunimi rajonal është i gjithanshëm dhe në këtë drejtim ne do të punojmë për të forcuar këtë mirëkuptim dhe këtë bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit duke bërë më të mirën për një rajon në paqe, në siguri të plotë dhe që sjell prosperitet dhe jo probleme.
Në çfarë pike është beteja e institucioneve në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar?
Sigurisht lufta kundër krimit të organizuar është një preokupim madhor i gjithë institucioneve të vendit tonë dhe në këtë drejtim besojmë se edhe reforma në drejtësi, të cilën shpresojmë që pas opinioneve të Komisionit të Venecias ta çojmë përpara duke miratuar ndryshimet të caktuara kushtetuese, të ndihmojë për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në vendin tonë dhe për luftën edhe më të suksesshme dhe me efikasitet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që mbeten dy sfida serioze ende për vendin tonë sikurse për vendet e rajonit.
Komuniteti shqiptar është më i madhi në numër dhe më i integruar në Itali. Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni shumë prej bashkatdhetarëve tuaj që jetojnë këtu në Itali?
Jemi krenar për të gjithë shqiptarët, të cilët jetojnë në Itali, të cilët kanë ardhur këtu me sakrifica të jashtëzakonshme dhe po me kaq sakrifica kanë arritur të ndërtojnë një imazh mjaft pozitiv për veten e tyre dhe për vendin tonë. Është një komunitet që ka bërë mjaft për zhvillimin, për progresin e Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve. Në këtë drejtim, besoj se do të vazhdojnë në këtë rrugë, në këtë përpjekje ashtu sikurse jam i bindur se me talentin tyre, me aftësitë e tyre, kanë treguar se shqiptarët dinë të jenë të suksesshëm në Europën e bashkuar dhe kanë shumë vlera pozitive për t’iu bashkuar Evropës dhe për të qenë një shembull edhe për të gjithë bashkatdhetarët e tyre në vendin tonë në Shqipëri.
* Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për “L’Unità TV”