Imami mendon si Selami: Qytetarët nuk shohin shpresë, duhet qeveri teknike

 

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i sheh kritikat që bëhen brenda Partisë Demokratike si më se normale për një parti demokratike.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, deputeti demokrat shprehet se partitë pa diskutime dhe debate janë të vdekura, ndërsa mendon se protesta e 8 dhjetorit duhet parë si një mundësi reflektimi dhe jo si një vijë ndarëse mes të zezës dhe të bardhës.

Zoti Imami, ju si opozitë keni bërë shumë akuza ndaj maxhorancës aktuale, por keni një vlerësim objektiv ndaj qeverisjes në dy vitet e para të mandatit të saj?

Nuk janë thjesht akuza. Megjithëse, kur i thotë vetëm opozita, janë akuza. Por nuk është opozita që i ka artikuluar të gjitha këto. Së pari, dua të sjell shembullin e ministrit të Brendshëm. Ministri, për të mos pranuar që makina me emrin e tij përdoret nga disa persona të cilët pandehet se kanë lidhje me trafikimin e drogës, arriti të shqiptojë qartë se ka bërë shkelje të ligjit. Shkelje të rëndë të disa neneve të Kodit Penal, duke fshehur shitjen që ka bërë, nëse e ka bërë, megjithëse unë nuk e besoj, gjithsesi, duke iu shmangur dhe fshehur vendimeve të gjykatave për të paguar detyrime që ka nga një vendim gjykate. Do të mjaftonte vetëm kjo që një ministër, cilido qoftë ai, në çfarëdo vendi jo normal, por edhe gjysmë normal, të jepte menjëherë dorëheqjen apo të largohej nga kryeministri i tij. Fakti që nuk u largua, tregon se ka diçka shumë të rëndësishme dhe se makina e tij merret me trafikun e drogës. E kam thënë edhe më parë se si mund të presim ne që Policia, me në krye Saimir Tahirin, të kapë makinën e tij me kushërinjtë brenda dhe drogën e tij në makinë.

Por opozita vetëm sa ka akuzuar…

Përkundrejt një qeverisjeje që është e shurdhët, përkundrejt këtyre akuzave, opozita nuk ka mundësi dhe nuk ka çfarë të bëjë tjetër, përveçse të thotë fjalën e saj dhe të vërtetën. Apo siç po qarkullon fjala që është interceptuar ministri i Brendshëm duke i thënë një krimineli të arrestuar që nuk e ka prej tij. Sa i takon Ministrisë së Shëndetësisë, ai institucion ka bërë 3 tenderë që bëjnë 300 milionë euro, të cilët janë tërësisht të panevojshëm. Veprimtari të cilat kryheshin jo shkëlqyeshëm, por siç kryhen në një vend si ky i yni. Vlera 300 milionë euro është sa gjysma e borxhit të deklaruar nga qeveria. 300 milionë euro të çuara dëm. Sigurisht, kur një ministër me porosi çon dëm 300 milionë euro, nuk ka frikë që kompanisë së tij t’i japë mbi 10 milionë euro punë nga shërbimet publike. Kjo është e tmerrshme. Kjo është e paimagjinueshme. Këto që flas edhe sot janë të paimagjinueshme, por kanë qenë të pakonceptueshme në qeverisjen e mëparshme. Po të vini re me kujdes të gjithë ministrat, por Kryeministri i pari, kur kanë ndërmend të bëjnë para, puna e parë që bëjnë është që të sulmojnë. Thonë nuk funksionon kjo nuk funksionon ajo, jemi në gjendje emergjence, duhet bërë kështu duhet bërë ashtu, gjithë fajin e ka qeveria e kaluar dhe, pasi përshkruhet gjithçka si e zezë, menjëherë goditet dhe bëhen para të fëlliqura korrupsioni. Kjo është metoda e tyre. U shtrëngua apo u fut një stres i madh te qytetarët dhe te gjithë vendi për të paguar faturat e energjisë elektrike.

Po, por pati një reflektim ndaj ndëshkimeve të rënda…

Tani i fali kamatëvonesat, gjë të cilën mund ta kishte bërë me kohë. Mund ta kishin bërë të gjithë aksionin, në mënyrë shumë më njerëzore, mirëpo problemi ishte që 500- milionshi që ishin ndarë me CEZ-in duhej mbushur. Atëherë filloi një sulm frontal, propagandistik sepse ato 500 milionë euro do të dilnin nga një xhep që të futeshin në xhepat e CEZ-it dhe të Ramës. Ky stil propagandistik për të krijuar terror, për të goditur e për të krijuar përshtypjen që gjërat qëndrojnë në mënyrë të tmerrshme keq dhe që pastaj duhen ndrequr në një mënyrë emergjente qoftë edhe pa zbatuar ligjin është mënyra me të cilën ka operuar në këto dy vite Rama, për të pasur këto shifra të tmerrshme korrupsioni. Nuk them që korrupsion nuk ka pasur dhe nuk do ketë, por ka dy gjëra. Ka qeveri që e luftojnë, ka që e luftojnë më shumë, ka momente që qeveria topitet dhe e humbet këtë vëmendje. Por ka edhe qeveri që zhyten, janë pjesë që ditën e parë në krim e korrupsion dhe kjo e jona është një e tillë. Sigurisht kjo ishte e detyrueshme jo vetëm për historinë personale të z.Rama me shumë figura të njohura të krimit në Shqipëri përpara se të vinte në këto detyra të larta. Por edhe për shkak se ai u përpoq t’i bashkojë të gjithë ata në një front të vetëm për të fituar zgjedhjet e 2013.

Opozita, më 8 dhjetor ka thirrur një protestë. A janë të vonuara këto protesta dhe ka vend kërkesa e z.Basha për krijimin e një qeverie teknike dhe menjëherë për përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme?

Protesta dhe demonstrime kemi bërë edhe më parë, kurse tani nuk është as herët as vonë ndoshta. Kjo pastaj janë edhe çështje zgjedhjesh. Është drejtuesi i partisë që ka këtë zgjedhje. Mund të ishte bërë ndoshta një rezistencë më e madhe në disa drejtime nga opozita. Duhej të mbronim njerëzit kur u sulmuan për çështjen e energjisë. Ka njerëz që thjesht nuk mundet ta paguajnë dhe nuk mund të thotë Kryeministri pas dy vitesh që ka njerëz, që nuk mundet ta paguajnë dhe do të mendojmë për ta. Duhej t’u ishim gjendur pranë njerëzve. Për fat të keq, për shkak të goditjes së zgjedhjeve të 2013 dhe sigurisht përpjekjeve gjithmonë të vështira për të ngritur një parti nga kjo situatë ku ndërrohet lideri i partisë dhe lëvizin shumë gjëra nga vendi, ndoshta u bë e pamundur, por këto janë pjesë të historisë tani. Sa i përket të ardhmes, mendoj se është një maxhorancë e deligjitimuar krejtësisht edhe sikur ta mbajnë me vota. Ta mbash me vota në mënyrë të deligjitimuar, është ta mbash me dhunë në fakt. Nuk di se sa mund të shkonte në mënyrë natyrore kjo maxhorancë të mbijetonte, por detyra jonë si opozitë është që të çojë vendin në zgjedhje për t’i ofruar vendit shpresë. Vendi është shumë keq, është pa shpresë dhe qeveria teknike është e vetmja rrugë. Një qeveri teknike do të ishte një zgjidhje, sigurisht jopërfundimtare, por shumë më e mirë se kjo që kemi aktualisht.

Ju keni besimin se opozita mund t’i japë vendit shpresë, ndërkohë që një koleg i juaji dhe ish-kryetar i PD-së, Eduard Selami, thotë se kryetari Basha dhe lidershipi i ri, nuk ngjallin shpresë? Si e gjykoni këtë?

Selami ka folur për tjetër gjë. Selami ka folur personalisht për kryetarin e PD-së, ka opinionin e tij dhe nuk është çështja ime të komentoj mbi të. Ajo që thashë dhe që e kam menduar në vijimësi është që, pavarësisht se Shqipëria është më mirë se para 25 vitesh, sërish ka një mungesë të madhe shprese te qytetarët shqiptarë. Kjo nuk është e lidhur vetëm me gjendjen e rëndë ekonomike dhe prandaj bëhet edhe më e rëndë, dhe kërkon një sforco shumë të madhe të të gjithëve. Por sigurisht edhe të qytetarëve. Nuk jam i mendimit që fajin e kanë të gjithë vetëm politikanët. Politikanët janë ata që qytetarët duan. Kur vendi është pa shpresë, siç është ky vend, sigurisht që përgjegjësia më e madhe është e atyre që qeverisin, por duke qenë edhe zgjedhjet larg, që është një faktor objektiv, duket se qytetarët shqiptarë nuk shohin një shpresë të afërt edhe tek opozita. Dhe kjo nuk është çështje vetëm e Lulzim Bashës, as e Eduard Selamit. Është çështje e të gjithëve ne. Në këtë kuptim, dhe në këtë raport të gjithë kemi një përgjegjësi. Sesi do të shkojnë punët duhet parë, por mund të sjellë edhe rreziqe të mëdha në të ardhmen. Ndonjëherë, në situata të tilla dalin lëvizje që janë anarkike, të cilat në vend që të ndihmojnë për zgjidhje, megjithëse mund ta troshitin pozitivisht në një moment shoqërinë, në afat të gjatë sjellin pasoja jo të mira. Në Shqipëri, nuk shohim lëvizje të tilla sot, por situata është me të vërtetë e vështirë sepse ata që po largohen nga vendi, nuk janë thjesht njerëz që po vuajnë për bukën e gojës, por po largohen njerëz që nuk janë në gjendje të keqe ekonomike. Kjo tregon që ata nuk kanë besim që jeta politike mund të bëhet normale në Shqipëri, që jeta shoqërore, komunitare, mund të jetë normale në Shqipëri. Këtu nuk është vetëm politika se komunitetet nuk i bën politika. Ka një problem të madh, madje e kanë më tepër këta që janë në gjendje të mirë ekonomike që do t’u duhet të paguanin shumë për shërbimet mjekësore në Shqipëri. Është edhe çështja e arsimit. Të gjitha këto bëjnë që qytetarët të jenë pa shpresë, ne duhet t’u kthejmë shpresën. Duhet folur sinqerisht me qytetarët. Sot politika për shumë arsye ka një komunikim formalist, mundet, megjithëse nuk është se 8 dhjetori do të jetë vija ndarëse midis të shkuarës dhe të ardhmes, të zezës dhe të bardhës, të mirës dhe të keqes, por mundet pra që nga kjo pikëpamje 8 dhjetori të jetë një reflektim për nevojën e një ndryshimi serioz.

Kur flasim për zgjedhje të parakohshme dhe artikulohet mungesa e ngjalljes së shpresës nga opozita, do të thotë se ende ka probleme të brendshme brenda jush? A është i fortë Grupi Parlamentar për t’i përballuar këto beteja me qeverinë?

 

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka punuar fort për hir të së vërtetës. Ka luftuar fort kundër kësaj keqqeverisjeje, por kjo është një ditë në javë. Problemi është se duhet të kishim qëndruar me qytetarët në momentin kur ata u goditën, megjithëse ne sa kishim dalë nga zgjedhjet dhe ishim si parti nën presionin e atyre zgjedhjeve. Janë dy gjëra të ndryshme, grupi parlamentar e ka kryer punën, por në tërësi ne nuk e kemi bërë deri atje kur duhet ta kishim bërë. Jo se nuk e kemi kundërshtuar, jo se nuk e kemi thënë si parti si grup parlamentar, si individë. Por ne duhet të ishim vënë barrikadë në atë moment, megjithëse nuk jam i sigurt nëse do të na përgjigjeshin qytetarët po në atë moment.

Brenda grupit të PD-së ka jo pak deputetë, që mendojnë ndryshe nga kryetari Basha. Kemi dëgjuar jo pak kritika nga zonja Topalli, zoti Patozi. E gjitha kjo është në funksion të demokracisë së brendshme, apo ka rryma brenda partisë?

Shumë mirë që kundërshtojnë. Është krejt normale, kjo nuk është Partia e Punës. Përkundrazi, unë mendoj se kanë folur pak. Kanë folur, pak për shkak të rrethanave dhe presionit të Partisë Socialiste, që ka qenë shumë i rëndë dhe për të mbajtur një linjë, qoftë edhe me pak sforco. Normalisht, në parti diskutohet. Partitë që nuk diskutojnë janë të vdekura! Edhe sikur të mendoj kundër, edhe sikur të mos e vlerësoj, kjo nuk ka pikë rëndësie. Pse si mendon ti, se të gjithë duhet të kenë adhurim për Lulzim Bashën a këdo tjetër? S’është e domosdoshme. Ne jemi një parti, një grup njerëzish me ide të përbashkëta. Nuk jemi parti unitare. Është krejt normale që njerëzit të kenë mendime të ndryshme. Kjo nuk më shqetëson, më shqetëson e kundërta që ka më pak seç duhet.

I mirëpret Basha këto kritika? Sepse një deputete kritike ndaj drejtimit politik të PD-së, është larguar nga partia. Flas këtu për zonjën Doda…

Unë nuk mund të flas në emër të tij. Di që Basha, sidomos kohët e fundit, ka një reflektim pozitiv ndaj debatit të brendshëm në parti, madje, ka provokuar vetë 2-3 mbledhje që deputetët të flasin ato që mendojnë. Dhe kjo është pozitive. Ne jetojmë jo thjesht në një shoqëri pluraliste, por edhe brenda për brenda nuk ka mundësi që njerëzit të mendojnë njësoj.

Ka një përplasje mes kastës së vjetër dhe prurjeve të reja të Lulzim Bashës në parti?

Këtu disa komentatorë dhe analistë që “digjen” që të përparojë demokracia e brendshme e Partisë Demokratike, të cilët në këto 25 vite vetëm e kanë anatemuar atë, mendojnë se e vetmja rrugë për pastrimin e Partisë Demokratike është zbrazja e saj. Kjo është e pamundur dhe sigurisht që një pjesë e madhe e këtij diskuri është i nxitur nga faktorë ekstra PD. Normalisht, në këtë kontekst të ndërrimit të lidershipit, mund të ketë edhe fenomene, grupe, njerëz të veçantë që ju duket sikur janë të penguar. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë i mendimit që s’ka rrugë tjetër, përveç hapjes së partisë në çdo drejtim; në drejtim të të gjitha moshave, absolutisht hapje dhe vetëm hapje. Por ajo që kam shtruar, është që hapja e partisë nuk është bërë në drejtim të atyre njerëzve, të cilët kanë kontribute në parti. Ky është problemi i hapjes sonë. Hapja jonë ishte e menjëhershme dhe nën presion dhe nuk qe një hapje që të merrte në konsideratë njerëz që mund të jenë në moshë të re, por që kanë një vjetërsi të madhe në parti. Kjo nuk do të pengonte edhe njerëzit e rinj, unë jam për njerëzit e rinj, për njerëzit e shkolluar të kulturuar. Vetëm unë nuk mund të akuzohem për të kundërtën. Ka edhe një grup të rinjsh të ardhur nga profesorati, njerëz me shkolla diçka të mira, nga të cilët mund të dalin 2-3 emra. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet ruajtur kapitali, njerëzit që ka brenda, përvoja që është e pashmangshme dhe kapaciteti. Sepse askush që ka 15 vjet në parti nuk përpiqet t’ia zërë vendit atij të ditës së parë dhe as ai i ditës së parë nuk mund t’ia zërë vendin atij me 15 vite. Në një masë të madhe, kjo është diçka e fryrë qëllimisht sepse u desh të goditet themeli i PD. Fakti është që goditjet e PS dhe gjithë këtij grupi ishte për të goditur gjithçka që kishte lidhje me fondamentin e PD. Duke e bazuar sulmin në qeverisjen e shkuar, e cila, për hir të së vërtetës, ka qenë nga qeverisjet më të mira që ka pasur Shqipëria në këto 100 vite. Kemi pasur edhe të meta edhe ato duhet t’i pranojmë, por jo ato që na atribuojnë. Ne arritëm të rikthenim njerëzit për të investuar, ndërkohë që sot shohim njerëz që edhe pse kanë një lloj kapitali kërkojnë të largohen. Tregon që ajo ka qenë një qeverisje e mirë. Këta njerëz që kanë punuar për atë qeverisje, dhe nuk është fjala për 10 veta, por me qindra e mijëra njerëz në të gjitha nivelet e administratës që kanë dhënë kontribute dhe qe partia duhet t’i vlerësojë. Kjo është kritika ime, nëse mund të themi që kam një kritikë.

 

SHKARKO APP