Imzot Rrok Mirdita: Dosjet të hapen me kritere, por jo gjueti shtrigash

Të hapen dosjet, por të mos krijojmë gjueti shtrigash. Kështu ka deklaruar Arqipeshkvi mitropolit Tirane-Durrës, Imzot Rrok Mirdita. Në studion e “Tonight Ilva Tare”, Mirdita deklaroi se dosjet të hapen me kriter, në mënyrë që kur dikush të kandidohet për një post publik të dihet se kush është.

“Unë jam prononcuar edhe më përpara dhe kam pohuar se dosjet duhet të hapen, ky është mendimi im. Vetëm se duhet të shpjegohem. Kur është fjala për të hapur dosjet, nuk mendoj se duhet të krijojmë një gjueti shtrigash dhe të shkojmë dhe nëpër arkivat e shtetit dhe të kontrollojmë dosje për dosje dhe t’i nxjerrim se do të ishte një mundim i madh dhe nuk e shoh se duhet të bëjmë me veten një lloj urrejtje nga kujtesa e hidhur e kohës së kaluar. Nuk jam që dosjet të hapen pa kurrfarë kriteresh por nëse unë kandidohem nesër për një post publik shtetëror, dosjet e mia duhet të hapen dhe duhet të dihet kush jam unë”, u shpreh Imzot Mirdita.

Në lidhje me publikimin e portretit të figurës së Enver Hoxhës, Imzot Rrok Mirdita është ndier i befasuar, por në mënyrë të dhimbshme. Ai u shpreh se solidarizohet me të gjithë qytetarët të cilët mbetën të zhgënjyer nga publikimi i portretit të Enver Hoxhës.

Një pjesë nga intervista në studion e “Tonight Ilva Tare” me Imzot Rrok Mirditën

Ka patur ky vit, veçanërisht në pjesën e dytë të tij, debate, polemika që ia vlen të diskutohet mbi to. 40 martirët, fotot e tyre u ekspozuan në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në shtator, ndërkohë që në 29 nëntor, në festën e çlirimit, u shfaqën portretet e Enver Hoxhës apo u fol gjatë këtë vit për Enver Hoxhën. Ju si e përjetuat këtë lloj dyzimi të shoqërisë por edhe këtë lloj ekspozimi ndaj figurë së diktatorit?

Për mua ka qenë një befasi jashtëzakonisht e këndshme kur e kam parë dekorimin e bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Vërtet i kam admiruar për idenë dhe për mënyrën e realizimit të saj. Ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe që ajo përcillej me kamera dhe me zë në Europë e në vende të tjera. Fotot e Enverit gjithashtu më kanë befasuar, por jo në mënyrë të këndëshme por të dhimbshme. Sigurisht ne jemi në një vend të lirë dhe secili ka të drejtë të shfaqë mendimet e veta, të besojë në atë që do dhe kjo nuk kontestohet nga unë. Megjithatë, menjëherë pas vizitës së Atit të Shenjtë dhe aty tek ai vend që ishte dekoruar atë kohë, në atë bulevard që ishte dekoruar në mënyrë të veçantë, të nxjerrësh sikur i thonë fjalës, të prishësh një gjellë të këndëshme duke e tepruar me një substancë e cila nuk shkon, dhe mendoj që ishte tepër shpejt. Unë solidarizohem me njerëzit të cilët kanë mbetur të zhgënjyer dhe mund t’ju them se kam mbetur edhe unë i zhgënjyer.

A duhet të kishin bërë diçka autoritetet për të mos lejuar ekspozimin, qoftë edhe përfoljen apo daljen e portreteve të Enver Hoxhës në aktivitete publike zyrtare?

Sigurisht në autoritetet publike nuk duhet të dilte dhe mendoj që këtë nuk duhet ta shpikim ne, por edhe në vende të tjera si Gjermania e cila ka patur dhimbje, mundime dhe vuajtje të popullit , nuk dalin, nuk duhet të dalin. Unë nuk them se duhen urryer, absolutisht jo. Por që të më servirësh ku është kujtesa ime ende që të kujton më tragjiken në të cilën ka kaluar populli shqiptar, unë nuk e gjej të përshtatshme dhe mendoj se kjo duhet në të ardhmen të evitohet, përndryshe të shton frikën se menjëherë na ka mbuluar harresa e asaj që ka ndodhur dhe gjëja më e keqe është atëherë kur harron njeriu sepse rrezikon të përsëriten ngjarjet të cilat kanë ndodhur më përpara.

Ka një iniciativë të shoqërisë civile për dekomunistizimin e shoqërisë duke filluar me hapjen e dosjeve, me procesin e lustracionit. Ju si e shihni gjithë këtë debat? A duhen hapur dosjet? A duhet që njerëz që kanë patur përgjegjësi në të shkuarën, të mos jenë më në jetën publike?

Unë jam prononcuar edhe më përpara dhe kam pohuar se dosjet duhet të hapen, ky është mendimi im. Vetëm se duhet të shpjegohem. Kur është fjala për të hapur dosjet, nuk mendoj se duhet të krijojmë një gjueti shtrigash dhe të shkojmë dhe nëpër arkivat e shtetit dhe të kontrollojmë dosje për dosje dhe t’i nxjerrim se do të ishte një mundim i madh dhe nuk e shoh se duhet të bëjmë me veten një lloj urrejtje nga kujtesa e hidhur e kohës së kaluar. Por mendoj që duhet të bëjmë atë që bëjnë shtetet e tjera. Në SHBA kur ishte fjala për të emëruar, për të zgjedhur senatorë, kongresmenë, personi skanohej pothuajse për ta parë nëse është njeriu të cilit mund t’i besohet një detyrë, një funksion aq i lartë. Në presidencën e Reganit në SHBA, një person i emëruar nga vetë Regani u skualifikua për të mbajtur një post të lartë publik me arsyen sepse kishte bërë një shkrim i cili quhej i njëanshëm në atë kohë dhe Presidenti Regan u detyrua të gjente një person tjetër. Pra nëse në SHBA një person skualifikohet për kaq pak gjë, atëherë si është e mundur që një njeri që ka kryer krime, le të jenë ato 30-40 vjet më përpara, t’i jepet mundësia që ai të marrë një funksion, një detyrë, publike, shtetërore përsëri. Për mua është e papajtueshme. Nuk jam që dosjet të hapen pa kurrfarë kriteresh por nëse unë kandidohem nesër për një post publik shtetëror, dosjet e mia duhet të hapen dhe duhet të dihet kush jam unë.

Ku e kemi neve problemin si shoqëri? Pse zgjedhim njerëz me probleme, qoftë ligjore, qoftë të fortë që nuk kanë disa vlera që i ndan mbarë shoqëria?  Ku duhet të fillojë zgjidhja e këtij problemi?

Unë mendoj se të gjithë ata të cilët angazhohen, përfshihen në politikë, deputetë, ministra etj, duhet patjetër ta kenë të qartë se ky post nuk duhet në asnjë mënyrë të shërbejë për të mirat e përkohëshme të tij, për benefitet e tij personale, familjare por për të mirën e vendit. Ai që e zgjedh këtë post duhet ta mendojë mirë në është në gjendje të japë kontributin e tij maksimal për shoqërinë, jo për veten. Kjo ka munguar dhe mungon këtu.

Për ta mbyllur, një mesazh për të gjithë besimtarët katolikë dhe jo. Për të gjithë shqiptarët në ditën e Krishtlindjes?

Patjetër, se festat i kemi të përbashkëta dhe kjo është një prej fatbardhësive që kemi ne populli shqiptar. Urimi karakteristik i Krishtlindjeve është paqja. Paqja të cilën e kanë lajmëruar shpirtrat qiellorë natën e lindjes së Krishtit. Paqe, mirësi, durim ,tolerancë, kohë kur njerëzit falin dhe kërkojnë falje dhe që kjo paqe të përhapet në gjithë trojet tona shqiptare,  në të gjitha familjet tona, në gjithë Shqipërinë. Të rritet me rininë tonë dhe të përcjellë dhe ta shoqërojë vazhdimisht mundin e djersën e shqiptarët kudo që ata gjenden e punojnë dhe me këto fjalë, për shumë vite Krishtlindja!

SHKARKO APP