Intervista/ Aleksandër Meksi: Prishja e dosjeve ka nisur që në fund të viteve 80′

“Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”-shprehet Meksi.

Përgatitja për Ligjin e Dosjeve dhe Lustracioni janë hapur dhe mbyllur disa herë si proces dhe fushatë. A mendoni se ky draft do të ketë fatin e paraardhësve të tij?

Unë mendoj se ky draft, sigurisht me përmirësime, duhet të miratohet. Kundër tij mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata, që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky Iigj duhet të miratohet, pa asnjë dyshim. Nuk është ligj që cenon ndokënd qoftë njeri të gjallë apo dhe të vdekur. Ai është një ligj që synon pastrimin(lustracionin) e strukturave të larta të shtetit nga ajo lloj kategorie e njerëzve që kanë përgjegjësi apo mund të shantazhohen për shkak të së kaluarës së tyre ose që kanë në brendësi ose thellësi të shpirtit të tyre defekte për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk janë të çliruar ende prej saj. Me pak fjalë: është e dobishme për shqiptarët që të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Zoti Meksi, mendoni se ekziston infrastruktura e duhur për të realizuar këtë ndërmarrje historike?

Për hir të së vërtetës, infrastruktura njerëzore vërtetë nuk nevojitet shumë e madhe. Komisioni themelor (Autoriteti) përbëhet nga pesë njerëz, që propozohen nga partia që është në Pozitë, partia e Opozitës, Avokati i Popullit, Shoqëria Civile dhe një njeri-Kryetari nga Presidenti. Mund të kërkohet që secli subjekt të propozoj dy emra dhe parlamenti të zgjedhë njërin prej tyre. Nuk mund të besohet ajo që po thonë disa se qeveria bën çfarë do…”.

Juve keni qenë ndër të parët që me fillimin e Demokracisë si kryeministër i vendit keni asistuar për ligjin. Nëse ai do të realizohej si duhej në atë kohë, a mendoni se problematika do të mbyllej që atëherë?

“Dua t’ju sqaroj dy gjëra. Unë rastisa vërtetë që të isha nismëtar nga që filloi të flitej për këto probleme në kohën që unë isha zgjedhur nënkryetar i Kuvendit dhe kërkova nga tre ambasadorë të atashuar në vendin tonë, respektivisht ambasadori çek, gjerman dhe ai hungarez të më sillnin ligjet e vendeve të tyre për Lustracionin dhe Hapjen e Dosjeve dhe po ashtu, rastisi që unë të bëhesha kryeministër e ta kisha për detyrë këtë gjë…Prej kësaj përvoje, që mblodha prej tyre që në fillim, në shtator të viti 1992 ky ligj ishte gati, madje ishte thuajse tërësisht ligji që do të miratohej më vonë më 1995. Duke pasur parasysh të tre ligjet dhe mënyrën e realizimit të Lustracionit në ato vende ne vendosëm të kryejmë këtë por jo Hapjen e dosjeve, sepse ato duheshin mbledhur, arkivuar e sistemuar më parë. Gjithsesi, falë ligjit që përgatitëm, ne filluam që në fillim të qeverisjes sonë të bënim mos emërimin apo dhe largimin e personave të implikuar me sigurimin apo dhe regjimin e dhunës, në qeveri, nëpër ambasada,në drejtoritë që vareshin nga qeveria, në ushtri, polici, në subjektet e rëndësishme Financiare, falë kontrollit të dokumentacionit që dispononim. Kam thënë në një shkrim dhe e përsëris, mund edhe të kenë mbetur apo emëruar të tillë sepse nuk është thënë nga ata që duhej të na thoshin dhe kjo i ka kushtuar vendit.  Personalisht, arsyeja që jam marrë është se këta njerëz përveç defektit që kanë në shpirtin e tyre, e përsëris, janë shumë të shantazhuar nga dy grupe, qoftë nga ata që janë në pushtet por edhe infrastruktura e vjetër. E mbi të gjitha, mund të jetë edhe një strukturë e vogël okulte që ka lidhje në mos dhe detyrë (drejtimin) me këto dy grupe, e që mund të përpiqet ti kontrollojë të dyja bashkë, si edhe të kontrollojë, për interesat e tyre në mos të të tretëve, emërimet e mundshme në dëm të shqiptarëve dhe dëm të Shqipërisë. Ndaj duhet bërë ky ligj sa më parë”.

Ngatërrohet shpesh prej artikullshkruesve por më shumë personazheve të ndryshme, që mundohen të shpjegojnë konceptet e “Hapjes së dosjeve” me “Lustracion”.  A ka një qëllim për t’i ngatërruar këto koncepte?

Është realisht keqdashës ky ngatërrim, pasi “Hapja e Dosjeve” në konceptim e shqiptarëve do të thotë që të hapësh dhe të njohësh gjithë spiunët e Shqipërisë. Pra, që të hapësh dokumentet që ruhen në arkiva e të shikosh se kush ka qenë “spiun”. Por, që të dish spiunët që më 1943, sot nuk ka aq interes dhe është një harxhim energjie e pafund. Një pjesë e tyre kanë vdekur dhe madje edhe fëmijët e tyre. Duket si një qëllim i mirë por është në thelb i keq sepse më duket se duan ta përdorin në interes të qëllimeve të momentit për të trazuar shpirtra. Dhe, në Shqipëri edhe pa këtë ka shumë trazira. Personalisht kam lexuar regjistra, kam parë dosje, ka ndodhur që pa dashje edhe kam nderuar ata që s’ia vlen të përmenden. Por t’i lemë këto: Lustracioni është mënjanim nga vendimmarrja pra hartimi dhe zbatimi i politikave i personazheve të Sigurimit dhe të atyre të implikuar me të; e atyre që kanë mëkatuar në të shkuarën dhe kanë dhënë vendime të gabuara në dëm të të drejtave të Njeriut…”.

Kush është i interesuar për këtë konfuzion?

“Hapjen e Dosjeve” shqiptarët e kuptojnë që të lexojnë ato që thonë dokumentet atje… Ka një kategori që duan t’i shmangen problemit në thellësi dhe duke i bashkuar e duke bërë konfuzion, të thonë: Lëri mos t’i ngatërrojmë dhe e ngatërrojnë me qëllime Dosjet me Lustracionin. Shembullin më të mirë të kësaj e kemi në vitin 1997, pasi Ligjit i janë bërë amendamente plot katër herë dhe në fund vetëm sa u prekën nja dy a tre nga kategoria e bashkëpunëtorëve sekretë. Mu ajo hallka e fundit e strukturës së dhunës që duhej të hiqej. Kurse, ata që vendosnin e jepnin urdhra, madje edhe me shkrim dhe deri të detajuar për gjithçka, nuk u prekën.

Ligji i fundit u anashkalua se kishte problem kushtetuese, madje edhe Komisioni i Venecias e hodhi poshtë. Cilat janë problemet themelore sipas jush, me këtë ligj dhe cilat fasha të shoqërisë do preken më shumë?

Unë personalisht , kam marrë pjesë direkt në ligjin që nuk u paraqit, sepse u paraqit në vend të tij, një ligj i përgatitur shumë shpejt, në momentet e fundit. Për të mënjanuar nga penalizmi 2-3 veta, që do të shkonin në Gjykatën Kushtetuese, me prapavijën e qartë për ta sunduar këtë institucion dhe sistemin e Drejtësisë në përgjithësi. Pra, si e tillë, ishte një arsye më shumë që Opozita e atëhershme të bënte zhurmë dhe ajo t’i ankohej madje edhe Gjykatës Kushtetuese. Dhe , jo vetëm kaq, por madje të shkonte për shqyrtim dhe në Komisionin e Venecias , paçka se ndodh që ajo flet edhe për subjekte që nuk lidhen direkt me të. Pasi , kur Shqipërisë i thua se po shkel të Drejtat e Njeriut, këtë nuk e bën edhe për vende të tjera si Rumania, Hungaria, apo për shembull Gjermania etj.

Pra, më duket se ka interesa politike të së majtës evropiane ose atyre që nuk e kanë provuar diktaturën komuniste në kurriz. Për mendimin tim ka pasur një problem të madh që në fillim. Dhe, për hir të së vërtetës, ka bërë dy të këqija të mëdha. E ka korruptuar procesin deri më tani, kur mund të bëhej shumë mirë…”

Ka pasur gjithmonë fjalë se janë eliminuar një pjesë e madhe e dosjeve. A është e mundur teknikisht që një pjesë e dosjeve të jenë eliminuar dhe përmbajtja të jetë e papërdorshme?

Dëgjoni, derisa janë regjistrat kjo nuk mund të ndodhë. Veçse , ka një pjesë, që të themi ishin nën dorë dhe që kishin lidhje direkte me funksionarët e lartë të Sigurimit deri dhe Sekretari i Parë Enver Hoxha. Kjo kategori s’dihet. Sa për të tjerët, ata janë të regjistruar në regjistrin e rrethit, në regjistrin themelor kombëtar dhe nuk mund të fshihen aq lehtë, pasi mund të dalin nga burimet e tjera. Pra, ata që kishin qenë informatorë, agjentë, rezidentë dhe deri strehuesit ku bëheshin takimet. Ndërsa operativët, hetuesit dhe krerët e Sigurimit janë në zyrat e personelit.

Prishja e dosjeve ka filluar fare në fund të viteve ’80 me heqjen e ligjit për “Agjitacion e Propagandë”. Pasi, janë zhdukur që nga viti 1988 deri në fillim të vitit 1992 shumë syresh. Dhe, të mos harrojmë se për këtë punë nga Ministria e Brendshme kanë shkuar deri në burg, pasi në Rregulloren Sekrete të Evidentimit të aktivitetit është e shkruar qartë sesi duhet të bëhet. Vërtetë nuk ndjekim do veprimin e spiunëve në disa raste, por lustracioni të ndihmon që disa persona të eliminohen nga shkallët e vendimmarrjeve.”

Ju keni shkuar në Gjermani me një grup specialistësh të ligjit për lustracionin. A mund të shërbente ky shembull për Shqipërinë apo sërish Ligji nuk do e kalojë provën e politikës?

“Ka qenë një përvojë e mirë pasi pamë direkt edhe ndryshimet, që kishin bërë kolegët tanë. Patëm rastin, jo vetëm që të dëgjonim, por edhe të ndiqnim shpjegimet në punën në arkiva, të njiheshim me kujtimet nëpër muze dhe mbi të gjitha të takonim direkt edhe ekspertë që kishin drejtuar këto punë. Ishte një përvojë e vërtetë frytdhënëse dhe një mundësi për të njohur sesi të shmangnim të drejtat e atyre që për hir të së vërtetës, i kishin nëpërkëmbur ato. Morëm përvojë që të gjykonim, për drejtuesit e lartë të partisë e të shtetit, hetuesit, pro edhe deputetët që të thuhej se çfarë ishin në të vërtetë. Pra, morëm një përvojë që të mundësonte të kuptoje më mirë se çfarë ishte ky proces dhe si t’i shpjegohej subjekteve të prekura:nëse merrje përsipër riskun e të shkuarës tënde dhe të kërkonte votat përmes një force politike, se më parë duhej të kalonte një filtër të domosdoshëm. Dhe diçka, kurdo kolegët tanë na këshilluan sesi nuk duhej të shkelnim të Drejtët e atyre që e kishin shkelur të Drejtën…”

Si e shikoni reagimin e ditëve të fundit të politikës?

“Nga reagimi i ditëve të fundi kuptohet se nuk e kanë shumë qejf këtë proces. Për mendimin tim, e përsëris, duhet të finalizohet pasi është një kontribut i madh për historinë, për të ditur ata që i shkelën të Drejtat e Njeriut. Por, është mirë që edhe gazetarët që intervistojnë në nga një deputetët dhe politikanët të kuptojnë se cilët janë mëkatarët e vërtetë dhe si i shfrytëzojnë mëkatet e tyre të liqtë, pasi nuk duan që ky vend të përparojë. Madje ka vend për përmirësime në ligj sepse janë mënjanuar nga lustracioni drejtuesit e mediave vizive dhe gazetave të mëdha, ata që krijojnë katrahurën, dizinformacionin dhe përçarjen”.

Marre nga JAVA

SHKARKO APP