Intervistë e Edi Ramës nga oborri i Shtëpisë së Bardhë

VOA: Si shkoi takimi dhe çfarë u fol?

Rama: Takimi kaloi parashikimet në kuptimin e kohës dhe nga ana tjetër mund të them që kaloi parashikimet edhe në kuptimin e atmosferës shumë miqësore ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, përpjekjet tona dhe sigurisht ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që duhet të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol trë rëndësishëm për të luajtura në rajon gjë për të cilën morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh. Dinamika jonë e re e politikës së jashtme ka sjellë një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë. Dhe sot ky është një fakt i pohuar dhe në Shtëpinë e Bardhë.

VOA: Një nga temat ka qenë dhe radikalizmi dhe ekstremizmi, mund të na flisni për çfarë bëhet fjalë?

Rama: Presidenti u interesua me shumë dëshirë dhe entuziazëm lidhur me idenë e futjes në shkolla të mundësisë për të njohur fenë dhe për tu dhënë të rinjve instrumentin e domosdoshëm që të mos bien pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë. Qoftë të radikalizmit islam që flet ne emër të Kuranit por është shkelja më e rëndë për Kuranin, qoftë edhe të ekstremizmit politik edhe në demokracitë e zhvilluara.

VOA: Si do ta realizoni edukimin në shkolla si dhe idenë tuaj për një Qendër Rajonale kundër Radikalizmit?

Rama: Qendra do të ngrihet dhe ne po përgatitemi qoftë edhe me mbështetjen shumë të fortë të SHBA dhe BE, kemi marrë mbështetje të rëndësishme edhe nga USAID sa i përket një programi që nuk është vetëm tek shkollat në tërësi por edhe për promovimin e bashkëjetesës fetare tek të rinjtë dhe garantimin e kësaj pasurie të madhe që është bashkëjetesa fetare në Shqipëri për më të rinjtë që nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë por duhet të investojnë për të.

Nga ana tjetër ka qenë shumë e rëndësishme edhe ajo çfarë kemi diskutuar për reformën në drejtësi. Edhe Shtëpia e Bardhë e kërkon, e mbështet dhe sigurisht e konsideron një test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian që është rruga që ne kemi një mbështetje shumë të fortë edhe nga SHBA, edhe nga Presidenti vetë.

VOA: Ju kishit premtuar kur Sekretari Kerry ishte në Shqipëri që kjo reformë do të miratohej në pranverë por ndërkohë marrëdhëniet janë paksa të acaruara dhe reforma nuk ka shumë gjasa nëse konsensusi nuk arrihet me opozitën. Do të arrini ta zbatoni ju këtë afat?

Rama: Do më vinte shumë keq që të merresha me opozitën e vendit tonë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Këtu përfaqësoj të gjithë dhe brenda kufijve të  Shtëpisë së Bardhë nuk dua të them atë që mendoj për opozitën lidhur me reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi mund të ishte përfunduar tani sepse praktikisht ajo çfarë është përgatitur është gati.

Ka pasur shumë simulime si ato të njerëzve kur nuk duan të shkojnë në punë dhe marrin raport false për të penguar procesin. Sidoqoftë unë jam besimplotë se reforma do të kalojë, jam besimplotë që cilado palë ka kuptuar thelbin që kush identifikohet si pengesë e reformës hyn në telashe të mëdha me popullin shqiptar, por sigurisht i hap vetes një telash shumë të madh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ky është një mesazh që e marrim nga të gjitha anët.

VOA: Dje tek aktiviteti juaj në Këshillin e Atlantikut ju bëra një pyetje lidhur me klimën politike dhe ishte e vërtetë ajo që thatë se edhe këtu në Uashington klima është e ashpër sidomos në një vit zgjedhjesh që është jashtë normales, të gjithë e kuptojmë këtë. Por retorika në SHBA është e ashpër, por institucionet janë aq të forta sa ta përballojnë një gjë të tillë. Në Shqipëri klima ka qenë shpesh herë e ashpër dhe ju keni qenë aq politik sa të gjithë lojtarët nuk mund të përjashtohen nga kjo.

Rama: Jam dakort me këtë, nuk mund të justifikoj as ashpërsinë ndonjëherë deri në absurd të republikanëve në Amerikë në raport me, psh shumë reformat e Presidentit Obama. Dhe as ashpërsinë përtej absurdit ndonjëherë të politikës në Shqipëri dhe nuk po vë gishtin mbi një palë, por po them se është e domosdoshme që përtej retorikës, debatit, ne jemi shqiptarë. Nuk do bëhemi kurrë danezë, zviceranë apo suedezë.Ndoshta nuk jemi keq kështu si jemi. Të mos harrojmë që vendit i duhet reformat, njerëzve u duhen reformat dhe Shqipëria nuk del dot nga prapambetja e madhe institucionale që është rezultat i 20 e kusur vite pa reforma reale.Nëse reformat nuk janë reale, nuk janë të thella, me çdo dhimbje ne duhet ti bëjmë dhe patjetër ne do të bëjmë pjesën tonë si qeveri siç e kemi bërë deri më tani, por ka reforma si ajo e drejtësisë që është mirë të bëhen sëbashku dhe besoj se do të bëhen sëbashku, të paktën kjo.

VOA: Është ky një premtim që dhe ju do ta zbusni pak tonin tuaj?

Rama: Ju dhe të tjerë më gjykoni shumë më objektivisht sesa unë e gjykoj veten time, por sidoqoftë me ndonjë ekses për të cilin jam ndjerë keq dhe vetë në këtë rrugëtim, besoj se fjalimet e mia janë të standarteve edhe të këtij oborri.

VOA: Meqë jemi tek ky oborr dhe meqë ju keni folur shpesh për zotin. Trump, folët dhe dje tek CNN. Vërtet ka pasur edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë komente shqetësuese për retorikën e zotit. Trump, për kandidaturën e tij. Por mendoj se ndoshta vetëm Presidenti meksikan ka qenë më i ashpër sesa ju për shkak të retorikës së murit.Çfarë ju shtyn të jeni kaq i ashpër?

Rama: Nuk besoj se jam i ashpër, në këtë pikë jam i vërtetë, jam pyetur dhe jam përgjigjur, nuk është se kam ndërmarrë ndonjë fushatë. Sa herë do të pyetem do të përgjigjem dhe as nuk dua t’ia di fare çfarë thotë njëri apo tjetri. Besoj se ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trump përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për tu mëshiruar. Unë mes Lulzim Bashës dhe Trump zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidhja kurrë në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye për asgjë. Por ama nuk është problemi im nëse Lulzim Basha apo cilido qoftë  tjetër mes meje dhe Trump zgjedh Trump. Është problemi i tyre, unë se kam problem.

VOA: Zoti.Rama diçka për Kosovën nëqoftëse ju e diskutuat në takim. Shqipëria ka kërkuar gjithmonë si anëtare e NATO-s, institucionalizimin e Aleancës me Kosovën. U diskutua në këtë takim për këtë?

Rama: Kjo është pjesë e një proçesi. E sigurt është që ajo çka ne kemi qenë me zë të lartë dhe në minorancë fillimisht në mbështetje të plotësimit të projektit të NATO-s duke insistuar që të ftohet Mali i Zi, ka provuar që është bërë në një kohë relativisht të arsyeshme mendimi i shumicës. Për këtë në fund kam diskutuar dhe me zëvendës/Presidentin sesa e rëndësishme ka qenë kjo dhe sa e rëndësishme është që proçesi të vazhdojë. Në këtë proçes që vazhdon Kosova nuk mund të jetë kurrsesi e përjashtuar, përkundrazi. Me zëvendës/Presidentin kemi folur edhe për Presidentin e ri të Kosovës që së shpejti do të hyjë në këtë oborr dhe do të takohet me zëvendës/Presidentin, i cili më tha se e pret me një kënaqëesi shumë të madhe si një mik të vjetër dhe si një njeri që ka bërë shumë për Kosovën.

VOA: Takimi i fundit është me FBI, çfarë prisni nga ky takim?

Rama: Ne kemi hapur një proçes bashkëpunimi me FBI dhe sot nënshkruajmë dhe një marrëveshje dhe sigurisht që ne besojmë shumë tek potenciali i madh i ndihmës që mund të marrim nga FBI sa i përket rritjes së kapaciteteve hetimore, kapaciteteve në mbledhjen e provave për të cilat FBI është padiskutim vendi më i kuotuar. Nëse flasim për vazhdimin e luftës kundër krimit, korrupsionit, çështje që i kanë të gjithë por që ne i kemi në mënyrë specifike në rajon dhe si pjesë e vendeve që kanë dalë nga e shkuara e errët komuniste, padyshim që kjo është pjesë e kësaj përpjekje.

SHKARKO APP