Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për televizionin “ABC News”
Gazetarja (Merita Haklaj): Zoti President, politika është përfshirë në një debat dhe ju jeni në qendër të këtij debati lidhur me emërimin e ambasadorëve, lidhur me ligjin e ri të Shërbimit të Jashtëm. Ka pasur reagime me kandidaturën e Visar Zhitit, të cilin qeveria e ka propozuar Ambasador në Vatikan. Cili do të ishte komenti juaj? Ju e keni dhënë një sqarim në konferencën e fundit për shtyp që nuk e keni me emrin e zotit Zhiti, por e keni me mungesën e konsultimeve nga ana e qeverisë, ndërkohë që Ministri i Jashtëm e interpreton Kushtetutën se nuk është i domosdoshëm konsultimi. Jemi në një rast analog me rastin e emërimit të ministrave. Si Kryetar i Shtetit dhe si President i Republikës cili është komenti juaj lidhur me gjithë këto zhvillime: me Shërbimin e Jashtëm dhe me çështjen e ambasadorëve?
Presidenti Nishani: Qëndrimi im ka qenë konstant dhe i pandryshueshëm, gjithmonë referuar më së pari respektit ndaj Kushtetutës, respektit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës, respektit ndaj ligjit, por edhe në interes të zgjidhjet të çështjeve shtetërore, në interes jo thjesht të një individi të caktuar, kushdo qoftë ai, dhe pavarësisht pozicionit që ka në hierarkinë shtetërore, por në respekt të integritetit dhe të përmbushjes së misionit të shtetit shqiptar. Kështu që, dhe në rastin e dekretimit të ambasadorëve kam një qëndrim të pandryshueshëm në këtë rast, përsa kohë përfaqësoj Institucionin e Presidentit të Republikës, që pavarësisht se në mënyrë të përsëritur i kam kërkuar qeverisë shqiptare që të gjitha propozimet për ambasadorë, të cilët përfaqësojnë shtetin shqiptar janë emërtesë e Kreut të Shtetit shqiptar, duhet të konsultohen paraprakisht me qëllim që gjatë kësaj konsulte të shmangen problematika që mund të shfaqen me një kandidaturë apo me një tjetër dhe mbi të gjitha, për të rakorduar dhe konkluduar se cilat janë kriteret, cilat janë veçoritë dhe aftësitë e një individi të caktuar, cilat janë mundësitë që reflekton një individ i caktuar për të shërbyer në një shtet të caktuar në interes të përmbushjes së çështjeve tona kombëtare, në interes të përmbushjes së objektivave të shtetit shqiptar dhe në interes të rritjes së miqësisë dhe forcimit të marrëdhënieve me shtetet ku shkojnë për të shërbyer. Pra, nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të Presidentit të Republikës në mbrojtje të çka përcakton Kushtetuta e vendit, në ruajtje të standardeve që kemi arritur dhe natyrisht në mbrojtje të dinjitetit dhe interesit të shtetit shqiptar dhe kjo është e pandryshueshme. Fakti që qeveria shqiptare ka vijuar edhe në rastin e fundit me një grup propozimesh të sjella në Institucionin e Presidentit për dekretim në injorim tërësisht të këtyre kërkesave të përsëritura dhe të frymës së Kushtetutës dhe detyrimit të tyre, Presidenti i Republikës tashmë nuk mund të tolerojë më qëndrime të tilla, të cilat shkojnë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, shkojnë në një praktikë dhe platformë të injorimit dhe të mosrespektit të Institucionit të Presidentit të Republikës, i cili mbetet Kreu i Shtetit shqiptar.
Gazetarja: A mund të themi që zoti Zhiti nuk do të shkojë si Ambasador në Vatikan? Ka pasur një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme ku pati një propozim unanim të politikës që të mos refuzohet kjo kandidaturë.
Presidenti Nishani: Unë e kam shprehur dhe herë të tjera: Nuk ka të bëjë aspak me emrin e zotit Zhiti. Zoti Zhiti dhe tre-katër kandidatura të tjera, sepse nuk është vetëm ajo e zotit Zhiti, por janë disa kandidatura, kanë ardhur tek Presidenti i Republikës pa u konsultuar, pa marrë mendime përse secili prej tyre duhet të jetë ambasador në një vend të caktuar, cilat janë karakteristikat që ata kanë, cilat janë avantazhet që ata kanë për ta përmbushur misionin e tyre me sukses. Pra, ky mbetet objektivi kryesor i asaj që unë i kam cilësuar si konsulta. Për më tepër që është Presidenti i Republikës ai që i emëron ambasadorët e Shqipërisë në vendet e tjera. Qëndrimi i Komisionit të Jashtëm është një qëndrim legjitim, në mbështetje të të drejtës së tij. Deputetët tërësisht janë në të drejtën e tyre për të vendosur, për të gjykuar. Natyrisht, kompetenca e emërimit është e Presidentit të Republikës. Në gjykimin e deputetëve shumë gjëra edhe unë i ndaj me ta, në disa të tjera kam pikëpamje të ndryshme. Unë e quaj jokorrekte që një kandidat për ambasador në Vatikan të shprehet publikisht duke e konsideruar Kishën si inkuizitore. Ky është një qëndrim, i cili mund të krijojë një keqkuptim në raportet e Shqipërisë me Vatikanin. Unë mendoj që raportet e respektit reciprok të Shqipërisë me të gjitha vendet duhet të jenë mjaft të kujdesshme dhe të vlerësueshme, veçanërisht në rastin e Vatikanit, duke mos harruar që në tërësi Vatikani ka një karakteristikë shumë më të veçantë me të gjitha vendet e tjera, është i pakrahasueshëm me vendet e tjera. Shteti i Vatikanit nuk është një Republikë, as parlamentare dhe as presidenciale. Shteti i Vatikanit nuk është as një Monarki. Shteti i Vatikanit është një Seli e Shenjtë, për më tepër që ka qenë pranë shqiptarëve në momente shumë të rëndësishme të historisë sonë duke dhënë një ndihmesë të paçmuar në daljen e Shqipërisë nga sistemi i tmerrshëm i komunizmit. Mos harrojmë që para pak kohësh Papa Françesku e njoftoi publikisht vizitën e tij në Shqipëri në një moment kur diskutohej statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe ishte një moment ku kishte mjaft vende skeptike për të vlerësuar Shqipërinë si një vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe mesazhi i Papa Françeskut ishte një mesazh, i cili u pasua me adresime të drejtpërdrejta të tij duke i konsideruar Shqipërinë dhe shqiptarët si një pjesë të rëndësishme të kulturës evropiane. Të mos harrojmë që para pak kohësh Papa Françesku ftoi dhe priti në Vatikan Presidenten e Kosovës, një mesazh shumë i qartë politik në respekt të të drejtave të vetëvendosjes së popullit në Kosovë.
Unë besoj që shteti shqiptar, në tërësi dhe në veçanti, dhe pikërisht edhe për këto qëndrime miqësore, mbështetëse që Vatikani ka ofruar gjatë gjithë historisë Shqipërisë dhe shqiptarëve meriton që ne të trajtojmë një respekt të veçantë në sjelljen tonë diplomatike, në sjelljen tonë institucionale dhe shtetërore. Gjithsesi çështja e debatit natyrisht është një çështje që u takon individëve dhe unë si President nuk mund të futem. Mund të garantoj që shteti shqiptar është një shtet laik. Laicitetin e shtetit shqiptar nuk mund dhe nuk do ta cenojë kurrkush, por nga ana tjetër Shqipëria nuk është një vend ateist, për më tepër që ateizmi shqiptar është provuar në të shkuarën si një platformë me probleme dhe me pasoja shumë të rënda për të gjitha besimet, për të gjithë qytetarët shqiptarë në tërësi, për jetën, liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Rastin e ambasadorëve unë natyrisht do ta trajtoj në mënyrë korrekte, të drejtë, të gjithë njësoj, në respekt të së drejtës sime kushtetuese dhe mbi të gjitha në të drejtën e mbrojtjes së imazhit të integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës që përfaqëson çdo qytetar të këtij vendi dhe interesit të shtetit. Interesi i shtetit është mbi gjithçka.
Gazetarja: Ligji për shërbimin diplomatik po diskutohet në komisionet parlamentare. A do të sugjeronit që të përfshihej specifikisht dhe çështja e konsultimit apo do të prisni momentin e shprehjes suaj me dekret për këtë ligj kurdo që ai të vijë tek ju?
Presidenti Nishani: Çështjen e konsultës e ka përcaktuar Kushtetuta. Çështjen e konsultës ia ka dhënë të drejtën e kërkesës Presidentit që në momentin kur emërtesa e ambasadorëve i është lënë Presidentit të Republikës. Çështja e konsultës është pikërisht për të shmangur problematika të tilla. Nëse do të kishte pasur një konsultë edhe për rastin më të fundit që është diskutuar në Komisionin e Jashtëm parlamentar, do t’i kisha sugjeruar dhe do të vazhdojë t’i sugjeroj qeverisë që nisur nga vlerat që ka zoti Zhiti si një njeri i kulturës, si një qytetar i devotshëm i vendit, si një intelektual mund të emërohej dhe mund të emërohet ambasador në Itali; Konsull i Përgjithshëm në Milano; mund të emërohet Ambasador në Francë si një vend i kulturës dhe kur gjithmonë jemi përfaqësuar nga njerëz të artit dhe kulturës. Pra, synimi dhe qëllimi i realizimit të këtyre konsultave ka qenë dhe kjo mbetet, të diskutohen vlerat individuale dhe ato në përshtatje me karakteristikat dhe veçoritë që ka një vend i caktuar nga një vend tjetër në raport me interesat që ka Shqipëria, ato kombëtare, ato shtetërore dhe interesin e përgjithshëm që është forcimi dhe çuarja përpara e zhvillimeve dhe marrëdhënieve me shtete të ndryshme. Ligji është një çështje që i përket Kuvendit, por mbi gjithçka mbizotëron Kushtetuta dhe Kushtetuta është mjaft e qartë kështu që nuk ka vend për dyzime në zbatimin e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës.
Gazetarja: Zoti President, ky ishte aktualiteti, megjithatë ditën e djeshme Tirana u trondit nga tre shpërthime që dyshohet të jenë të lidhura më njëri-tjetrin, një prej të cilëve ishte pikërisht në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm. Zoti Tahiri e ka quajtur si sulm ndaj tij, jo ndaj familjarëve të tij, si një akt terrorist, edhe mazhoranca të tillë e ka konsideruar. Keni pasur një reagim dhe ju lidhur me këtë çështje gjatë ditës së djeshme. Çfarë do t’i shtonit asaj që ju keni shprehur? Si e konsideroni ndodhinë e tre shpërthimeve në Tiranë dhe lidhur me këtë situatë kur qeveria theksoi që vjen si përgjigje e luftës së saj kundër krimit, kundër trafikantëve të drogës?
Presidenti Nishani: Unë e ripërsëris qëndrimin tim të dënimit me ashpërsi të atyre akteve kriminale, akte të cilat mund të drejtohen ndaj çdo qytetari. Të gjithë qytetarët janë të barabartë për t’u mbrojtur dhe për të pasur garancinë e sigurisë. Lufta ndaj krimit të organizuar është një prioritet shumë i madh. Unë kam shprehur dhe shqetësime të herëpashershme për agresivitetin që ka shfaqur krimi, veçanërisht ai i organizuar, kohët e fundit në Shqipëri dhe pikërisht kjo është arsyeja që vazhdoj të inkurajoj dhe të mbështes maksimalisht të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për bashkëpunim, bashkërendim dhe për punë profesionale. Të largohen tërësisht nga ngarkesat politike dhe ngarkesa politike duhet të largohet dhe të mos interferojë në punën e agjencive të zbatimit të ligjit. Politikanët duhet të bëjnë detyrat e tyre në hartimin e politikave, të cilat i përshtaten përballjes me sukses të sfidave që duhet të bëjnë më pas agjencitë e zbatimit të ligjit, profesionistët, në bashkëpunim me partnerët. Shoh që beteja me krimin e organizuar do të jetë një betejë e gjatë në Shqipëri, por unë jam optimist që ajo do të jetë një betejë e fituar nga shteti, do të jetë një betejë e fituar nga qytetarët shqiptarë, do të jetë një betejë e fituar nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në këtë rast si President i Republikës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen time maksimale institucionale dhe individuale të eksperiencës sime, të qëndrimeve të mia publike dhe politike si institucion në mbështetje të të gjithë këtij angazhimi të profesionistëve, të bashkëpunimit të tyre me partnerët dhe të rritjes së garancisë dhe sigurisë së jetës për çdo qytetar.
Gazetarja: Zoti President, faleminderit për qëndrimet tuaja lidhur me zhvillimet kryesore të këtyre ditëve!
Presidenti Nishani: Dhe unë vlerësoj shumë angazhimet dhe dinamikën që media juaj, posaçërisht dhe në veçanti, po u ofron qytetarëve në fushën e informacionit. Përgëzime!