Isa Mustafa: Prioritet, nxitja e zhvillimit ekonomik dhe ndërtimi i shtetit ligjor
Në një intervistë për Deutsche Welle kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, flet për qëndrueshmërinë e koalicionit LDK-PDK, prioritetet e qeverisë së tij, luftën kundër korrupsionit dhe dialogun me Serbinë.
Kryeministër Mustafa, u zgjodhët kryeministër bazuar në një marrëveshje koalicioni me PDK-së, rivalin e vjetër të LDK-së dhe praktikisht vendi qeveriset tash nga dy partitë më të mëdha politike, mendoni se kjo ishte zgjidhja e duhur dhe e vetmja për Kosovën?
Mustafa: Unë mendoj se kjo doli të jetë zgjidhja e vetme në një situatë, kur duhet të marrim vendime shumë të rëndësishme në vend. Në një gjendje, që kemi dalë pas zgjedhjeve nacionale, të cilat kanë krijuar një reliev të ri politik, në të cilin asnjëra parti nuk është dalë aq e fuqishme, që vetë të diktojë institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës, prandaj mendoj se një koalicion i tillë do të jetë i qëndrueshëm, do të arrijë që të realizojë synimet themelore, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me forcimin e shtetit ligjor, me zgjidhjen e problemeve aktuale sociale, me të cilat ballafaqohet Kosova sot, me papunësinë e madhe, me varfërinë e madhe, me kalimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, dhe me ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm ndërkombëtar, për të cilin ne kemi shumë nevojë në Kosovë.
Zoti Kryeministër, sidomos në vitin e fundit ju keni shkëmbyer akuza të rënda me PDK-në. Ka rrezik që të pasqyrohet kjo në funksionimin e qeverisë, duke marrë parasysh se gjysma e ministrave dhe zëvendësministrave në qeverinë tuaj janë nga PDK.
Natyrisht se kemi pasur mjaft shumë kritika, mjaft shumë akuza. Akuzat kanë qenë të bazuara, sepse e kemi një gjendje jo të mirë në vend edhe sa i përket funksionimit të shtetit ligjor, edhe sa i përket gjendjes ekonomike, sigurisë, dhe sa i përket ngecjes në integrimin tonë dhe në përmbushjen e obligimeve tona ndaj partnerëve evropianë, mirëpo unë mendoj se kemi gjetur një zgjidhje me marrëveshjen, që kemi bërë me PDK-në, po ashtu jam shumë i bindur që njerëzit, që përfaqësojnë Partinë Demokratike tash në qeverinë e Kosovës janë njerëz, që kanë përvojë në fushën e qeverisjes, njerëz që mund të ballafaqohen bashkë më mua në sfidat, për të cilat tani po punojmë dhe dëshirojmë t'i zgjidhim dhe njerëz, që së bashku me ekipin e LDK-së do të krijojnë një ekip të përbashkët, që do të punojë në mënyrë të ndërlidhur dhe mendojë se do ta realizojmë këtë. Unë jam shumë i kënaqur me përbërjen e qeverisë, me kandidatët të cilët janë votuar në Kuvendin e Kosovës jo vetëm të PDK dhe LDK-së, por edhe ata, që kanë ardhur nga grupet e pakicave dhe pres që qeveria do të punojë mirë, do të punojë si një ekip i përbashkët dhe do ta marrë përgjegjësinë e përbashkët për të ardhmen e këtij vendi.
Si e keni menduar qasjen tuaj ndaj opozitës, duke pasur parasysh faktin që për disa muaj ishit partner në përpjekje për ndërtimin e institucioneve, ndërsa tash ata janë kundërshtarët tuaj politikë.
Ne do të bashkëpunojmë me opozitën edhe përkundër asaj që kemi punuar bashkë për pesë muaj, njihemi shumë mirë, e dimë se cilat kanë qenë synimet tona dhe pa marrë parasysh që LDK tash është në pozitë dhe Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma në opozitë, unë do të bëj përpjekje maksimale që të realizoj edhe synimet, që i kemi pasur edhe synime të përbashkëta, sepse konsideroj, që ato janë synime të vendit tonë, të cilat nuk e dëmtojnë tash koalicionin LDK-PDK, por e pasurojnë. Unë do t'ua shtrijë dorën deputetëve të opozitës, do të mundohem të bashkëpunoj me ta, natyrisht unë pres që ata shumë nga problemet do të mundohen t'i zgjedhin me të drejtën e tyre demokratike si parti opozitare dhe unë do të kem mirëkuptim maksimal dhe natyrisht do të mundohem që gjerat, që mund t'i kapërcejmë përmes një bashkëpunimi, t'i kapërcejmë në këtë formë.
Zoti Kryeministër, cili është prioritet i prioriteteve në qeverinë tuaj?
Prioritet i prioriteteve është nxitja e zhvillimit ekonomik, e cila do të siguronte një shkallë të brutoproduktit vendor vjetor, që do të mundësonte së pari që ta ndalim procesin e papunësisë dhe të fillojmë ngadalë që ta zvogëlojmë numrin e të papunëve në Kosovë. Unë tash e kam të vështirë të them, se cila do të jetë ajo normë e rritjes së GDP-së, që do ta mundësonte këtë, por do të bëjmë përpjekje maksimale, që këtë normë ta arrijmë në shtatë dhe më shumë se 7% si normë vjetore, në mënyrë që pastaj një normë e punësimit vjetor prej 5% ose 5.5% do të mundësonte, që ne ta ndalim procesin e rritjes së papunësisë dhe të fillojmë që edhe kontingjentin e të papunëve ta përfshijmë duke përfshirë fluksin vjetor të të papunëve, që në Kosovë sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë persona. Do t'i japim përparësi maksimale zhvillimit të bujqësisë, sepse aty do të kemi mundësi të punësimit intensiv, por edhe të uljes së produkteve bujqësore, sepse po importojmë shumë produkte nga jashtë dhe zëvendësimi i tyre me produkte vendore nga fakti që tash ne nuk kemi mundësi, që të rrisim eksportet dhe ta përmirësojmë bilancin tregtar me jashtë përmes kësaj, do të thotë kjo është në fushën e ekonomisë. Ndërsa në fushën e ndërtimit të shtetit ligjor, që kemi nevojë shumë të madhe, do të punojmë shumë në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër ekstremizmit, i cili tash po paraqitet në forma të ndryshme te ne dhe këtë luftë do ta zhvillojmë së bashku edhe me partnerët tanë, do ta zhvillojmë së bashku edhe me qytetarët, në mënyrë që të rrisim transparencën e punës së Republikës së Kosovës dhe po ashtu do të punojmë edhe në aspektin e ndryshimit të disa ligjeve, të cilat pastaj do të mundësojnë edhe transparencë më të madhe dhe mundësi më të madhe edhe të bartësve të detyrave, ose të përgjegjësive institucionale, por edhe të gjithë atyre, që kryejmë punë në institucionet e qeverisë.
Zoti Kryeministër e përmendet luftën kundër korrupsionit. Kosova fatkeqësisht renditet ndër vendet me shkallë të lartë korrupsioni, pse i gjithë ky korrupsion në Kosovë?
Korrupsioni është pasojë e tranzicionit, të cilin ne po e kalojmë dhe mungesës edhe të kontrollit politik edhe të kontrollit institucional. Është po ashtu edhe pasojë e mosrregullimit të mirë të disa fushave me ligj, siç është rregullimi i prokurimit publik dhe i investimeve nga paratë publike, sepse është një fushë, e cila është kritikuar nga të gjitha raportet, edhe sa i përket investimeve, të cilat i bën qeveria, komunat, dhe investimet, që i bëjnë kompanitë publike, që është i lidhur edhe me problemin e privatizimit në Kosovë. Sot nuk është e qartë, se kush janë pronarët e vërtetë të pronave të privatizuara nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit. A janë ata, mbi të cilët figurojnë pronat, apo janë të tjerë dhe ka erdhën ato para për privatizim. A janë para të burimeve legale, apo janë para të tjera. Për ne kjo është shumë me rëndësi, sepse edhe ikja tash e të rinjve edhe problemi i varfërisë, nuk ndërlidhet vetëm me atë, se a kanë besim apo s'kanë besim njerëzit, që ne të rrisim zhvillimin ekonomik në të ardhmen, por lidhet edhe me atë, se a kanë besim në shtetin, që shteti ta ndalë korrupsionin dhe atyre t'u hapet perspektiva në vend dhe ne domosdoshmërisht duhet të bëjmë një prerje të thellë në këtë aspekt.
Zoti Kryeministër, nëse ju kuptova drejt në përgjigjen tuaj, ju do të hulumtoni prejardhjen e parave ,se prej nga kanë ardhur ato, me të cilat janë privatizuar pronat publike?
Po ne duhet të hulumtojmë më shumë, duhet të shohim të themi edhe problemet e privatizimit edhe efektet e privatizimit, edhe pse po ndodh, që pasuritë e privatizuara sot nuk po shndërrohen ne asete prodhuese dhe ekonomike, por kanë mbetur si prona të vdekura. Pra, duhet të kemi informacione të qarta, se kush janë ata, që kanë privatizuar pronën, por natyrisht që duhet të ketë informacione, se nga kanë ardhur burimet e mjeteve. Në qoftë se dikush nga ta nuk është ndërmarrës, ose nuk është industrialist, ose nuk është njëri, që nuk ka sjellë të holla nga jashtë, nuk është marrës i kredive, ose i borxheve nga bankat kosovare, ose nga bankat e jashtme, atëherë këto janë disa çështje, që duhet t'u jipet përgjigje, të cilat ne domosdoshmërish duhet t' zgjidhim, në mënyrë që gjërat të mos mbesin të mjegulluara, në mënyrë që të sqarohet edhe besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të vendit.
Zoti Kryeministër, në qeverinë, që e udhëhiqni ju, është edhe lista Serpska, e përfaqësuar me dy ministra. Por ata hapur thanë se për çdo gjë do të konsultohen me qeverinë në Beograd. Si mund të funksionojë kjo?
Po ne tash jemi në një periudhë tranzicioni, sidomos të përfshirjes së serbëve nga pjesa veriore e vendit në institucionet e Kosovës, sepse ne kemi dy anëtarë të qeverisë, që janë nga pjesa veriore dhe kemi zëvendëskryeministrin, që është nga Gracanica, pra janë tre në qeverinë e Republikës së Kosovës. Ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë më ta për një periudhë të gjatë kohore, sepse kemi biseduar lidhur me mënyrën e përfshirjes së tyre ne qeveri dhe unë jam i bindur se me kohë do të krijojmë një rrugë bashkëpunimi, mirëkuptimi, edhe të zgjidhjes së problemeve jetësore. Që mos të ndalem shumë në deklarimet e tyre, unë ndaj bindjen se ata janë të interesuar kryesisht që të orientohen në zhvillimin ekonomik, kanë interes të veçantë në zhvillimin e bujqësisë, kanë interes për krijimin e vendeve të punës për njerëz, që jetojnë dhe vijnë të jetojnë në Kosovë, dhe sigurisht që dëshira e tyre për çështjet e tyre është, që të konsultohen me Beogradin dhe ne aty s'mund të iu ndalojmë, por po ashtu është shumë e sigurt, që veprimi i tyre si anëtarë të qeverisë së Kosovës do të jetë vetëm në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Zoti Kryeministër, dialogu me Serbinë, i cili duhet të vazhdojë, do të vazhdojë me këtë format, apo ju si kryeministër do të keni një qasje tjetër?
Formati afërsisht duhet të jetë i njëjtë, por ajo çfarë unë mendoj se duhet të bëjmë edhe me njerëzit, me të cilët kam biseduar edhe nga koalicioni, është që ne ta bëjmë edhe me transparent dialogun në kuptimin edhe të përfshirjes më të madhe të Kuvendit të Kosovës në procesin e dialogut dhe në fazën fillestare të temave, që do të dialogohen në Bruksel, por edhe në fazën përfundimtare të informimit të tyre dhe të pranimit nga ata të marrëveshjeve, të cilat ne i bëjmë në Bruksel, me qëllim që të gjithë deputetët ta kenë të qartë, se çfarë po dialogohet në Bruksel dhe po ashtu të gjithë deputetët dhe qytetarët ta kenë të qartë që marrëveshjet, që ne i arrijmë në Bruksel, duhet të jenë marrëveshje, të cilat do të implemetohen, qoftë në periudhën e tanishme, qoftë në periudhat e ardhshme, kur nuk do të jetë në pozitë ajo qeveri, e cila i ka bërë këto marrëveshje.
Zoti Kryeministër, vazhdimisht keni proklamuar idenë e marrëdhënieve të mira me shtetin gjerman. Mund të përkthehet kjo si një prioritet i juaji, thithja e investimeve gjermane në Kosovë?
Ne kemi interes shumë të madh që të thellojmë bashkëpunimin me Gjermaninë, kemi një numër të madh të qytetarëve tanë, që kanë punuar dhe punojnë në Gjermani dhe krijojnë të ardhura edhe për ta edhe për familjet në Kosovë. Kemi një traditë punuese në Gjermani dhe që e kemi importuar atë në disa regjione të Kosovës dhe po ashtu Gjermania është një shtet, që në pikëpamjet e zhvillimit ekonomik është treguar shumë efikase, është treguar shumë e fuqishme dhe është shembulli më i mirë, i cili gjithë neve mund të na shërbejë. Ne jemi shumë të interesuar që investimet e ardhshme t'i kemi së bashku me firmat gjermane, që ta kemi përkrahjen e qeverisë gjermane në projekte të ndryshme të rëndësishme të cilat do t'i zhvillojmë ne dhe po ashtu edhe privatizimet, që ne i zhvillojmë në të ardhmen, qoftë në ndërmarrje shoqërore, qoftë kompanive publike. Të jenë privatizime, të cilat do të na çojnë nga Gjermania, kah tërheqja e kapitalit gjerman dhe kah investimet, qoftë të drejtpërdrejta, qoftë kah investimet gjermane në Kosovë. Orientimi ynë është, që në të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe në Bashkimin Evropian duhet ta kemi të gjithë të qartë, që Gjermaninë e kemi shtetin me të fuqishëm me ndikimin më të madh.
Zoti kryeministër, në mediat e rajonit vazhdimisht shkruhet, që është qeveria gjermane ajo, e cila zëshëm ka vendosur kushte për Serbinë, që të zbatojë marrëveshjen e 19 prillit si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në. Mund të cilësohet ky kusht i Gjermanisë për Serbinë si udhërrëfyes edhe i qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë?
Ne do të respektojmë plotësisht angazhimin e qeverisë gjermane në këtë proces, sepse qeveria gjermane ka bërë shumë, sepse ka qenë ndër shtetet dhe qeveritë, që kanë qenë shumë konsekuente dhe shumë të qarta. Sa i përket obligimeve të Serbisë dhe raporteve që do t'i ndërtojnë Serbia me Kosovën dhe po ashtu edhe Kosova edhe Serbia me Bashkimin Evropian dhe me Gjermaninë ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me qeverinë gjermane dhe shtetin gjerman në këtë aspekt dhe po ashtu do të sillemi me shumë respekt ndaj të gjithë asaj, që Gjermania ka bërë dhe do të bëjë në periudhën e ardhshme.