Ish-drejtori i CIA-s: Rusëve duhet t’u tregosh vetëm pozitat e forcës

Në një intervistë për Spiegel, ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta bën thirrje për veprime më të vendosura kundër Moskës, duke përfshirë furnizimin me armë të Kievit, për të treguar se Rusia do të “paguajë një çmim më të lartë” nëse vazhdon aksionet e saj në Ukrainë

Zoti Panetta, sa afër jemi realisht ndaj një lufte të vërtetë në mes të Evropës?

Kjo në të vërtetë varet nga ajo nëse presidenti rus Vladimir Putin, është i gatshëm apo jo, të njohë rreziqet që ka sjellë me agresionin që ka ndërmarrë në Ukrainë dhe nëse ai është i gatshëm të pranojë një lloj armëpushimi. Realisht gjithçka është në dorën e tij, nëse do të kemi paqe apo luftë.

Sa e besueshme është marrëveshja e armëpushimit që u arrit të enjten e shkuar ? A do të ndalet Putini?
Unë jam i kënaqur, që palët duket se kanë arritur një tjetër marrëveshje armëpushimi. Por frika ime është se siç ndodhi me marrëveshjen e shtatorit të shkuar, edhe kjo e reja do të jetë e përkohshme. Mund të shpresohet për një skenar me pozitiv, vetëm nëse Perëndimi është i gatshëm për ta zbatuar atë, si me mbështetjen ekonomike ashtu edhe ushtarake ndaj Ukrainës.

Shumë njerëz janë përpjekur të dëshifrojnë mendjen e Putinit. SHBA është marrë vesh me Rusinë, gjatë kohës që ju drejtonit CIA-n. Si funksionon ai? Çfarë e motivon?

Është shumë e qartë se qëllimi i tij është të përpiqet të përhapë ndikimin e Rusisë, veçanërisht mbi hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik. Ai qartësisht po tenton të parandalojë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, të hyjnë në NATO dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian. Ka patur një kohë, kur ishte e mundur të negocioje me të dhe të përpiqeshe të zgjidhje disa nga çështjet e rëndësishme. Ne po punonin me Rusinë mbi zgjidhjen e disa konflikteve dhe krizave të rëndësishme ndërkombëtare. Por tani, Putini është bërë më agresiv, dhe kjo është shumë e rrezikshme, pasi ajo që ai po bën është mbjellja e farave të një Luftë të re të Ftohtë. Prandaj, është detyrë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit, të kuptojnë se cilat janë synimet e tij dhe të bëjnë çdo gjë që është e mundur, për t’ia bërë atij të qartë se nuk do të marrë një “çek të bardhë”, për atë që ka synim të bëjë. Ajo që më kujtohet nga të gjitha informacionet e mia të inteligjencës dhe marrëdhëniet me rusët, është se kur t’i merresh me ta, duhet ta bësh këtë nga pozitat e forcës dhe jo dobësisë. Ata e kuptojnë forcën, dhe nëse mendojnë se kundërshtarët e tyre janë të dobët, do të përfitojnë nga kjo.

Mendoni se Putini aktualisht po luan me Perëndimin?
Përshtypja ime është se Putini mendon se në thelb mund të manipulojë Perëndimin, për të arritur atë që dëshiron. Ai beson se ka shkuar shumë larg me lojën e tij, dhe prandaj duhet luajtur e njëjta lojë me të. Kjo është loja e maces me miun. Rusia qartësisht ka gënjyer të gjithë botën për atë që po ndodh në Ukrainë. Ajo ka shkelur marrëveshjen e shkuar të armëpushimit. Ndaj çështja është nëse Moska do të jetë dakord me armëpushimin e ri, apo do të vazhdojë të luajë të njëjtën lojë.

A duhet furnizuar me armë Ukraina?
Unë do të kisha sugjeruar, se duhej që në fillim të ishin marrë disa hapa në këtë drejtim, për t’i bërë të qartë Putinit sesa serioz e konsideronim në agresionin e tij mbi Ukrainë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme, të bëhet e qartë se NATO-ja do të mbështetet plotësisht me ndihmën ushtarake, dhe se aleanca duhet të ketë një prani fizike në vendet fqinje më Rusinë, për t’i dërguar Moskës mesazhin se çdo agresion i mëtejshëm, do të përballet me një front të përbashkët ushtarak. Ndërkaq, unë ndoshta do të rihapja çështjen e ndërtimit të sistemit mbrojtës të raketave. Ata nuk e pëlqejnë këtë projekt. Gjithashtu, unë do të kisha furnizuar më herët Ukrainën me armë, pasi mendoj se kjo do të përbënte një tjetër mesazh të fuqishëm për Rusinë. Unë e di se gjithkush thotë se “edhe ndihma ushtrarake nuk do të mundë rusët”. Por është e qartë se ndihma ushtarake, do t’u bëjë të qartë atyre se do të paguajnë një çmim më të lartë për aksionet e tyre. Gjëja e fundit, që unë do të bëja ishte që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë energji për vendet përreth Rusinë dhe subvencionojnë ato. Ne tashmë jemi një vend që prodhojmë një sasi të madhe energjie.

Pra fuqia e butë nuk po funksionon?
Fuqia e butë, deri tani nuk ka funksionuar. Dhe unë mendoj se kur keni të bëni me dikë si Putini, e vetmja gjë që ai e kupton është fuqia e fortë.

Nëse kthejmë kokën pas në kohë, që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, mendoni se Perëndimi ka bërë ndonjë gabim mbi mënyrën sesi e ka trajtuar Rusinë apo së fundmi Putinin?

Ne humbëm mundësinë për të vazhduar dialogun me ta, për një numër të çështjesh diplomatike dhe ushtarake. Gabimet tona më të mëdha janë se ne iu përgjigjëm krizës, në një qasje të kundërt me hapat që duheshin ndërmarrë për të shmangur krizën. Pra, kur krizat ndodhin, ky është zakonisht momenti kur ne u drejtohemi rusëve, në përpjekje për t’u marrë me krizën, në vend se të kemi një dialog të vazhdueshëm mbi çështjet reale, që ne duhet të trajtojmë e për të cilat jemi të shqetësuar. Aktualisht po përballemi me Shtetin Islamik, ndërsa jemi duke iu përgjigjur edhe krizave të tjera. Është realisht e rëndësishme të përpiqemi të ruajmë atë lloj komunikimi për çështjet e vazhdueshme. Në fakt ne arritëm të mbanim një dialog të vazhdueshëm me Medvedevin, duke arritur disa përparime. Por kur u rrikthye në skenë Putini, ishte thuajse sikur u ul një perde prej akulli dhe papritmas, ne nuk e kemi llojin e komunikimit që kemi pasur në të shkuarën. Dhe tani po paguajmë një çmim për këtë.

Një pjesë e konfliktit aktual ka të bëjë me zgjerimin lindor të NATO-s. Putini e ka bërë gjithmonë të qartë se ndjehet i kërcënuar…
Unë e kuptoj shqetësimin e tij, dhe ne duhet të kemi një lloj tolerance më shumë, në drejtim të sjelljes së tyre në familjen e kombeve dhe jo të tentojmë t’i mbajmë ata të izoluar, dhe të ndihen sikur dikush po i kërcënon. Sepse në fakt ky është mentaliteti rus, sikur të gjithë po e kërcënojnë.

Përgjegjësia e kujt është që këto shqetësime nuk janë marrë shumë seriozisht?
Ka shumë kërcënime të rrezikshme në botë, me të cilat po përballemi sot. Nuk është vetëm terrorizmi. Është Koreja e Veriut, mënyra sesi jemi përballur me programin bërthamor të Iranit. Është strategjia sesi mund të merremi me çështjen e Kinës, apo shqetësimet e ngritura nga Rusia, si mund të merremi me një Lindje të Mesme, që aktualisht është në kolaps për shkak të shteteve të dështuara atje. Këto janë të gjitha ato, që unë do i quaja “pika kyçe”. Njëqind vjet më parë, kishte shumë pika kyçe në botë, dhe bota mendonte se mund të kujdesej për to. Por ato pika në fund të fundit çuan në Luftën e Parë Botërore. Sot, ne po përpiqemi pak nga pak të merremi me secilën nga këto çështje, dhe nuk po qëndrojmë të tërhequr në prapaskenë, duke kërkuar tabllonë e madhe të asaj që mund të ndodhë. Kjo është një botë e trazuar. Dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë një lider në botë, sepse problemi është: Nëse ne nuk jemi udhëheqës, askush tjetër nuk do të jetë.

Në librin tuaj të fundit, ju e kritikoni presidentin Barak Obama duke u shprehur: “Presidenti mbështetet më shpesh tek logjika e një profesori jurisprudence, sesa tek pasioni i një lideri”. Është ajo që ju po i referohemi kur flisni për udhëheqjen?
Në fakt Obama i njeh kërcënimet që ekzistojnë. Unë mendoj se ai e kupton botën. Ai e kupton rolin e Amerikës, në këtë botë të trazuar. Në fund të fundit, shpresa e tij ishte sesi ne do të ishim në gjendje të mbështesnim luftën në Irak dhe Afganistan. Ne mund t’ia rifillojmë, duke u rifokusuar tek shqetësimet tona, mbi problemet në këtë vend. Mjerisht, bota nuk ia ka dhënë atij këtë mundësi. Sot, ai e di se duhet të përballet me kërcënimet që janë atje, dhe ai e di sesa e rëndësishme është për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara të jenë lideri kryesor.

A ka qenë tepër idealist Obama, në qasjen e tij ndaj kërcënimeve si ISIS-i apo Putini?
Jo. Ai ka ndërmarrë veprime të fuqishme kundër ISIS-it dhe Al-Kaedës. Unë mendoj se ai është i kujdesshëm, dhe unë e kuptoj këtë. Kujdesi është një cilësi e rëndësishme tek një lider, por ky kujdes duhet të ndiqet nga vendimet. Kujdesi i shoqëruar me sjelljet e ndërdyshura, mund të jetë një dobësi. Ajo që unë shpresoj, është se në fund të fundit, kujdesi që po tregohet do të pasohet me një vendim të fortë për të bërë atë që është e drejtë.

Kishte një situatë të ngjashme në gusht të vitit 2013 në lidhje me Sirinë dhe armët kimike. Obama mori një vendim të vetmuar kundër sulmeve ajrore. A e dëmtoi ky vendim besueshmërinë e Amerikës?
Besoj se ishte një gabim, por presidentët mësojnë nga këto gabime dhe unë mendoj se Obama ka mësuar. Sot, presidenti po armatos rebelët në Siri. Ne kemi kryer mbi 5 mijë sulme ajrore si në Siri ashtu edhe në Irak, dhe kemi prani gjithashtu një prani ushtarake në Irak, për të ndihmuar në trajnimin e irakianëve.

Çfarë duhet të bëhet tani për të mundur Shtetin Islamik?
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2011, terrorizmi ka zhvilluar metastazat e saj në shumë vende. Kjo ka ndodhur në Irak dhe Siri, në Nigeri, Somali, Jemen dhe në vende të tjera në Afrikën e Veriut. Ne kemi nevojë për një strategji shumë më të plotë, për të trajtuar si duhet këtë kërcënim. Më së pari, ne kemi nevojë të përmirësojmë shërbimin tonë inteligjent. Së dyti, duhet të kryejmë operacione të forta kundër terrorizmit. Kombinimi i forcave speciale dhe inteligjencës, është një armë shumë efektive kundër terrorizmit.

E keni fjalën për vrasjen e liderve të tyre?
Po, ne kemi në shënjestër udhëheqësit e tyre, dhe do të vazhdojmë të dhjetojmë aftësinë e tyre komanduese dhe kontrolluese. Ndërkohë unë mendoj se duhet të ndërtojmë kapacitetet e vendeve të tjera të përfshira si Iraku. Ne kemi nevojë të mbështetemi tek vende si Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Në këtë luftë, duhet të përfshijmë edhe vendet e tjera në Evropë. Ajo çfarë ndodhi në Paris dhe në Belgjikë, e bën shumë të qartë se terrorizmi, nuk është vetëm një kërcënim kundër Shteteve të Bashkuara, por kundër gjithë Perëndimit. Së fundmi, në një periudhë afatgjatë, kemi nevojë të trajtojmë shkaqet që prodhojnë këtë lloj ekstremizmi. E them me sinqeritet: SHBA nuk kanë shumë besueshmëri tek njerëzit në botën myslimane, duke u thënë se çfarë Kurani këshillon në të vërtetë.

Është e qartë se tashmë rrëzimi i Asadit nuk është në fokusin e strategjisë amerikane?

Jo mbetet, por nuk do të funksionojë, deri kur Asadi të rrëzohet realisht. Ne tani mund të jemi përqendruar tek ISIS-it, por s’kam asnjë dyshim, se nëse ne do të kemi ndonjëherë një zgjidhje paqësore në Siri, ajo kalon përmes largimit të Asadit nga pushteti.

Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel”

SHKARKO APP