Islami: Vendi në destabilitet, nëse Rama do të jetë Kryeministër në zgjedhje

Deputeti i PD-së, Kastriot Islami: “Dhunimi i Kushtetutës me ligjin e Vetingut, ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Opozita doli kundër ligjit të Vetingut, i cili u miratua me 88 vota, pasi sipas PD-së, në të janë përfshirë ligje që kundërshtojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Për votën kundër, Kastriot Islami, nënvizon se, “Ekspertët ligjorë të opozitës kanë paraqitur një material të gjatë, me argumente serioze përmes, të cilëve provojnë dhunimin e Kushtetutës nga disa nene të ligjit të miratuar. Mbetet që këto argumente të dërgohen zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese dhe prej saj në Komisionin e Venecias për vlerësim. I takon këtyre institucioneve të japin vlerësimin e tyre, për t’i dhënë përgjigje pyetjes që ju shtroni”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti demokrat, Kastriot Islami, thekson se, reforma duhet të jetë produkt shqiptar,  i asistuar nga partnerët ndërkombëtarë, e për këtë, “Ekspertët e opozitës gjykojnë se rekomandimet e Komisionit të Venecias të mishëruara në ndryshimet kushtetuese janë shkelur dhe prandaj opozita pret nga “gjykatësi venecian” vlerësimet”,- shprehet Islami.

Kuvendi votoi në parim me 88 vota pro ligjin për vetting-un për prokurorët dhe gjykatësit. Opozita bojkotoi duke ditur se votat ishin të sigurta. Çfarë tregoi për ju ky proces dhe pse opozita doli kundër?

Opozita s’ishte dhe s’mund të ishte kundër reformës, për rrjedhojë as kundër një ligji për vetingun apo 7 ligjet për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, përderisa kishte votuar pro ndryshimeve kushtetuese dhe ndërkohë që maxhoranca ishte prononcuar se do ta votonte qoftë edhe pa opozitën ligjin. Opozita votoi në realitet vetëm kundër një drafti që e gjykon në përplasje me ndryshimet kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Për më tepër opozita ishte e detyruar të qëndronte parimisht pro reformës ndërkohë që maxhoranca me këtë votim qëllimisht të njëanshëm synon të bllokojë zbatimin e reformës. Qëndrimi i maxhorancës kundër konsensusit, pra pjesëmarrjes së opozitës në një çështje kaq madhore, jo vetëm dëmton legjitimitetin e kësaj reforme, por është shenjë e qartë e dëshirës së saj së vjetër ose për të kapur politikisht drejtësinë ose përndryshe për ta bllokuar apo penguar atë, së paku deri pas zgjedhjeve të ardhshme.

Kryeministri Rama pas votimit u shpreh se askush nuk beson se opozita kërkon për të mbrojtur Kushtetutën e të drejtat e njeriut dhe se opozita do të reformojë drejtësinë? 

Rama vazhdon lojën e tij të zakonshme të hileqarit apo tinëzarit që hedh gurin e fsheh dorën apo të hajdutit që vrapon duke thirrur kapeni hajdutin.

A e kalon votimi testin e Gjykatës Kushtetuese?

Ekspertët ligjorë të opozitës kanë paraqitur një material të gjatë, me argumente serioze përmes të cilëve provojnë dhunimin e Kushtetutës nga disa nene të ligjit të miratuar. Si dhe përplasjen e tyre me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Mbetet që këto argumente të dërgohen zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese dhe prej saj në Komisionin e Venecias për vlerësim. I takon këtyre institucioneve të japin vlerësimin e tyre, për t’i dhënë përgjigje pyetjes që ju shtroni.

Një ndër ligjet e votuara, parashtron se Vetingu nuk përjashton gjykatësit e diktaturës. Çfarë tregon kjo për një Drejtësi të re që pritet të instalohet?

Ky është një argument i fortë kundër këtij ligji antikushtetues dhe një arsye tjetër e patolerueshme nga opozita.

Vetingu a e pastron Shqipërinë nga gjendja në të cilën ndodhet?

Nëse ndryshimet kushtetuese do të aplikohen drejt dhe pa ndërhyrje politike, pra nëse 7 ligjet do të bëhen në mënyrë të tillë që të mundësojnë aplikimin e ndryshimeve kushtetuese, atëherë ka shanse që reforma të jetë e suksesshme dhe rezultatet e saj të jenë në përputhje me objektivat e saj. Nëse përmes 7 ligjeve do të synohet të kapet drejtësia dhe përmes drejtësisë së kapur të kryhet gjueti shtrigash kundër opozitës dhe kundërshtarëve politike, atëherë kjo reformë do të gjenerojë destabilitet politik ose do të bllokohet siç ka ndodhur edhe në disa nga vendet e tjera të Europës Lindore apo Ballkanit.

Në mbledhjen e grupit, u tha se, Basha kërcënoi “rebelët” në PD për votën ndaj “Vetingut” në Kuvend. Shkoi e unifikuar opozita dhe kishte frikë për rrjedhje vote. Zërat kundër, sa e kanë dëmtuar kritikat opozitën dhe sa e unifikuar qëndron ajo?

Ky është një prodhim i medias mjerane pranë Ramës. Dhe më vjen ndot të merrem me të tilla sajesa që vijnë nga kuzhina e medias klienteliste që para tre vjetësh bënte thirrje për ngjizjen e aleancës së qelbësirave dhe gjatë tre vjetëve ushqehet me paratë e drogës, trafiqeve dhe të korrupsionit. Mbledhja ishte me frymë përgjegjësie dhe hapësira të plota demokratike për të shprehur secili mendimin e tij. Askush në mbledhje nuk u shpreh kundër qëndrimit që mbajti opozita në seancë dhe qëndrimi që u mbajt në seancë u miratua unanimisht në mbledhje. Basha as që pati nevojë të bënte thirrje për unifikim sepse të gjithë qëndrimet ishin konvergjente.

Ndërkombëtarët kanë qenë nën vëzhgim të reformës dhe nëse Vetingu do të kishte probleme, mendoni se nuk do ta vënin re dhe do të lejonin votimin?

Reforma duhet të jetë produkt shqiptar, sigurisht i asistuar nga partnerët ndërkombëtarë. Ekspertët e opozitës gjykojnë se rekomandimet e Komisionit të Venecias të mishëruara në ndryshimet kushtetuese janë shkelur dhe prandaj opozita pret nga “gjykatësi venecian” vlerësimet. Pra opozita është koherente në qëndrimet e saj, vazhdon të jetë e angazhuar maksimalisht për hartimin, miratimin dhe zbatimin e një reforme nga shqiptarët dhe për shqiptarët, të asistuar nga partnerët  dhe në respekt të rekomandimeve të “gjykatësit profesional ndërkombëtar-Komisionit të Venecias”. Loja e Ramës me ‘vija të kuqe” të hequra nga ndërkombëtarët apo duke e cilësuar opozitën antiamerikane apo antieuropiane është një lojë e turpshme e paprecedentë dhe një sjellje e papranueshme për nivelin e një personi që mban postin e kryeministrit. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 25 vjet dhe është shprehje e papërgjegjshmërisë dhe mediokritetit politik e profesional.

Beteja në zgjedhjet në Dibër, opozita kërkon fitoren, por dhe maxhoranca. Cili do të jetë lajmi që duhet të përcjellin mediet më 12 shtator?

Një projeksion i ngritur mbi bazën e një analize të shifrave të rezultatit të 2015 për Bashkinë Dibër më rezulton se fitorja e Sherefedin Shehut shtrihet mes 55 për qind plus/minus 3 për qind. Ajo mund të jetë edhe më e thellë. Natyrisht në këtë projeksion që nuk është as sondazh dhe as parashikim, nuk merren parasysh as manipulimet, as blerjet e votave dhe as kërcënimet që vijnë nga grupi i oligarkëve, banditëve dhe kriminelëve që ka emëruar Rama në krye të ekipit të fushatës në Dibër. Pra, e thënë më shkoqur, me zgjedhje të lira të ndershme fitorja do të jetë spektakolare për opozitën dhe tejet ndëshkuese për Ramën duke provuar drejtësinë e të gjithë akuzave të opozitës për qeverisjen e dështuar të Ramës; në këtë rast opozita do të kërkonte largimin e Ramës me argumentin e dështimit të qeverisjes së tij. Nëse Rama do të përmbyste rezultatin përmes një manipulimi masiv apo do të ngushtonte humbjen përmes një manipulimi të moderuar, atëherë opozita do të radikalizonte qëndrimet e saj për largimin e Ramës si përgjegjësin kryesor të zgjedhjeve të  manipuluara nga një bandë kusarësh, kriminelësh dhe trafikantësh. Opozita është përgatitur për të skanuar çdo element të manipulimit të zgjedhjeve dhe të gjithë mbështetësit e saj janë përgatitur në rast se rezultati manipulohet. E thënë përmbledhtas, Dibra do të jetë, në 12 shtator fillimi i fundit të Ramës si Kryeministër dhe i këtij regjimi të oligarkisë, krimit e banditizmit.

Qeveria teknike është një apel që opozita e kërkon, por përveç aleatëve demokratë, i duhet PD-së një koalicion me LSI-në për këtë qeveri teknike?

Zgjedhjet e lira e të ndershme s’mund të zhvillohen me një qeveri të drejtuar nga Edi Rama, ky është përfundimi në të cilin ka arritur opozita duke analizuar të gjithë veprimet dhe sjelljet e kësaj qeverie. Emërtimi i një qeverie pa Edi Ramën që garanton zgjedhje të lira e të ndershme është i parëndësishëm. Opozita është e vendosur në arritjen e këtij objektivi, përndryshe zgjedhjet do të dështonin dhe vendi mund të destabilizohej nga përballja masive e kësaj qeverie të korrupsionit e krimit me qytetarët. Parlamentin do ta detyrojnë qytetarët të kalojë nga kjo zgjidhje dhe gjithçka tjetër për të arritur këtë objektiv është e karakterit teknik. Kështu ka ndodhur edhe herë të tjera. Pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e një ose disa forcave politike në arritjen e kësaj zgjedhjeje nuk përbën shkak për të arritur këtë objektiv.

SHKARKO APP