“Ja pse na duhet një parti e re”
Kryetar i Partisë për Liri, Demokraci dhe Etike (LDE), Arian Galdini
Z. Galdini, ju kemi parë ndër vite si aktivist politik e civil, por së fundmi ju po vini para publikut si Kryetar i Partisë për Liri, Demokraci dhe Etike, partia më e re në spektrin politik ne Shqipëri? Çfarë ju ka shtyrë ti hyni kësaj 'aventure' të re politike?
Në Shqipëri këto 25 vite, pra ky çerekshekulli i jetës sonë u shndërrua në një lëngatë të pashoqe për qytetarët shqiptare. Në vitin 1990, të gjithë u ngritëm kundër Diktaturës Komuniste për të kërkuar Liri, Demokraci dhe Europë. Sot pasi ky çerekshekulli i jetës sonë është shpërdoruar barbarisht, kuptojmë se liria na është katandisur vetëm si një e drejtë për të folur e për tu ankuar, por askush nuk na dëgjon. Kjo quhet tirani e shpërfilljes. Demokracia na është katandisur në votime ku ne shkojmë për të zgjedhur sipas Kodeve Zgjedhore që Partitë bëjnë, e ne nuk zgjedhim, ne thjesht votojmë. E ngase jemi katandisur nga zgjedhës në votues, edhe votën kanë filluar të na e blejnë. Partitë politike i kemi jo demokratike në organizimin e tyre të brendshëm. Politikat dhe institucionet udhëhiqen nga individë, e jo nga ekipe e flukse përfaqësuese. Zëri qytetar është krejtësisht i papërfaqësuar. Pra as dëgjohemi, e as përfaqësohemi. U desh çerekshekulli i jetës sonë që të mbërrinim sërish aty ku u nisëm. Më thoni ju, cili është ndryshimi mes ndalimit të mendimit e fjalës që bënte Diktatura, me lejimin e mendimit dhe fjalës të cilat gjithsesi na shpërfillën? Diktatura na vriste e poshtëronte, këta na kanë vënë të vrasim njëri-tjetrin për konflikte banale e na poshtërojnë çdo ditë. Ja në këtë pikë kemi mbërritur. Atëherë cila është mënyra që kemi për ta ndryshuar këtë realitet? Mediat janë të blera, klienteliste, si topat e politikës që gjuajnë me gjyle propaganda banale partiake. Shoqëria civile është shndërruar në xhepin e vogël të politikës. Lëvizjet qytetare janë të vaktë. E të gjitha këto unë i them si një njeri që e ka përshkruar të gjithë trajektoren e njeriut që ka zë publik, ka bërë aktivizim politik e civil, e gjithsesi nuk kam parë ende një zgjidhje tjetër përveçse përballjes dhe konkurrimit të sistemit. Një parti politike, është e vetmja mënyrë ligjore, kushtetuese dhe praktike për ta konkurruar dhe përballur sistemin. Nuk ka zgjidhje tjetër. Kur thirren protesta qytetare, shihen aty vetëm 5, 6, apo maksimumi 50 vetë. Kur thirren protesta nga partitë politike, shihen aty mijëra apo dhjetëra mijëra vetë. Protestat qytetare të dekurajojnë kur sheh numrin tmerrësisht të vogël. Protestat partiake të lemerisin kur sheh hordhitë që kërkojnë fitoren sa janë në Opozitë, që të bëjnë plaçkë mbi shtetin kur ftiojnë zgjedhjet. Ky cikël barabar duhet ndalur. Prandaj duam ti konkurrojmë dhe përballim, sepse besojmë e veprojmë e jemi ndryshe. Jo pse e themi, por sepse e kemi dëshmuar me shembuj jetësore. Dhe e fundit, Shqipërisë nuk i ka ardhur e keqja nga numri i madh i partive politike. Shqipërisë të keqen ia kanë bërë ato 2-3 apo 4 parti që i kanë sunduar në këtë çerekshekulli dhe ata pak njerëz që ia kanë nën sqetullën e tyre këto 2 -3 apo 4 parti. Më mirë 750 parti e me mundësi për të zgjedhur, sesa me një grusht partish që na kanë katandisur në votues të blerë. Pastaj, vete krijimi i kaq shumë partive në Shqipëri, është tregues mos demokracie të brendshme në partitë e mëdha e tradicionale.
Çfarë sjell të re në skenën politike shqiptare, Partia për Liri, Demokraci dhe Etike?
Çerekshekulli dhe ende beteja për një liri të përgjegjshme është e pa fituar. Demokracia na është tjetërsuar. Dhe etika na është zëvendësuar me babëzinë, amoralitetin dhe imoralitetin. Janë parime bazë këto për tu kthyer në shkaqe e kauza betejë politike e qytetare. Ky shpirt përfitimi që na ka kapluar e po na trysnin ngado duhet konkurruar me shpirtin e solidaritetit. Kemi humbur e bjerrur njeriun brenda nesh. Ndaj edhe kërkohet një alternativë e Njeriut. Liria na shpall ndërgjegjen, demokracia na jep mundësinë e përfaqësimit, etika na jep fuqinë e virtytit. Së pari, ne u themi qytetarëve, mos besoni askënd nga ne. Dyshimi është fillimi i mençurisë. Dyshoni tek ne e tek çdokush që merret me politikë. Edhe unë dyshoj tek çdokush që meret a flet për politikë. E ky është fillim i mbarë. Së dyti, mos besoni fjalët. Kurrë. Shihni shembullin jetësor personal të njeriut që flet a shkruan. Vëzhgoni me kujdes jetët tona. Nëse jetët tona ju flasin për vepra të ligështia, atëherë mos na besoni. Ky është edhe qëllimi ynë, që të hapim mendjet, sytë, veshët, ndërgjegjen e vëmendjet e qytetarëve. Niseni me në ushtrimin e dyshimit. Na dyshoni, por edhe na shqyrtoni shembujt jetësore. Nëse shembulli jetësor i Arian Galdinit si Kryetar i LDE, apo i cilitdo që do t’u flasë me e nën siglën e LDE, do t’u flasë ndryshe nga fjalët, atëherë mos na besoni. Besimin dhe mirëbesimin i kërkojmë vetëm bazuar në vepra e shembuj jetësore personale. Së treti, për fat të mirë pothuajse të gjithë ne që jemi ekipi nismëtar i LDE, jemi njerëz të lirë, të papërlyer me pushtetet, krimin, korrupsionin, a çdo lloj ligësie që ka ndodhur në këtë vend. Asnjëri nga ne nuk ka përfituar kurrë nga ndonjë parti, pushtet a politikan. Jemi njerëz e shpirtra të lirë, profesionistë të zotë, të ndershëm e të përgjegjshëm, që suksesin dhe arritjet e jetës sonë i kemi siguruar me shumë mund, studime, sakrifica e përplasje. Jemi të gjithë të arrirë në jetët tona personale. E as jetojmë nga politika, e as do të jetojmë ndonjëherë nga politika. Jemi bërë bashkë që ti japim politikës një ngjyrë ndryshe, ngjyrën e moralit, dinjiteti dhe integritetit.
Ju si Kryetar i LDE, ç’qëndrim keni për Reformën në Drejtësi? Aferën CEZ? Skandalet e njëpasnjëshme të Ministrave?
Kryeministri flet për një reformë të bërë vetëm nga specialistet. Por gënjen. Vizioni, fryma dhe qëllimshmëria e Reformës janë tërësisht partiake, madje më pak se kaq. Janë tërësisht te një njeriu. Reforma në drejtësi duhet të vijë si një frymë qytetare për qytetarin. Kërkohet një debat i madh publik. Duhet të konsultohen ekspertët, juristët, avokatët, prokurorët e ish-prokurorët, gjykatësit e ish-gjykatësit, anekënd vendit. Duhet të konsultohen edhe qytetarët. Ekspertiza ndërkombëtare, nuk duhet të vijë thjesht si fryt i korrektimit të gërmes, por edhe i frymës së ligjeve. Për këtë duhet një vizion, duhen pyetje të mëdha, ku e si do të veprojmë me drejtësinë? Çfarë lloj drejtësisë e të drejtë do të ngremë në këmbë? Cili është modeli më i për afrueshëm me mendësinë dhe kapacitetet institucionale dhe antropologjike në Shqipëri? Kjo reforma teknike në drejtësi, duket me shumë si kalim lumi për të hequr ca gjykatës e prokurore të Saliut, e për të sjellë ca të Edit. Mbrapshti. E për ta thënë me qartazi, ky kuvend është pranuar tashmë si kuvend më i keq në historinë 103 vjeçare të shtetit shqiptar. Kriminalizimi i këtij kuvendi, nuk mund të lejojë as moralisht e as politikisht askënd nga udhëheqësit politike që të vazhdojnë me votime kaq të rëndësishme sikurse është Reforma në Drejtësi. Të gjitha palët e kanë pranuar kriminalizimin e Kuvendit, përderisa së bashku kanë ngritur një Komision Parlamentar për Dekriminalizimin. A ka kuptim që ky Kuvend të na bëjë Reformën në Drejtësi? Jo dhe jo. Duhet një kontratë e re sociale dhe politike. Klasa politike shqiptare duhet të kërkojë të rivotohet. Shqipërisë i duhen patjetër zgjedhje të parakohshme dhe e gjithë klasa politike të kërkojë të falur për këtë mënyrë që u ka shkaktuar shqiptarëve me nivelin e përfaqësimit nga deputetët në Kuvend. Zgjedhjet e reja do të na sillnin një kontratë të re dhe një përfaqësim të ri. Kontrata e re, pas zgjedhjeve të reja, mund të na siguronin edhe një moral të ri, moralin dhe legjitimitetin e duhur për të bërë reforma të mëdha si reforma në drejtësi.
Afera CEZ?
Afera e CEZ është çështje e publikut e nuk duhet luajtur si debat me publikun. Palët e përfshira dhe të ndër akuzuara për aferën CEZ, urgjentisht duhet të dorëzojnë tek publiku të gjithë autoritetin për ta çuar këtë çështje dhe hetimin e saj gjithëpërfshirës, të paanshëm, të pa mbi vendosshim, e të thellë, deri në fund. Instrumentet e publikut janë një strukturë e posaçme prokurorësh që votohen nga publiku. Psh, 12 qarqe të votojnë secili për një prokuror të pavarur i cili do të jetë pjesë e ekipit të prokurorisë së posaçme me 12 prokurorë. Besnikëria dhe llogaridhënia e këtyre prokuroreve do te jete vetëm para publikut. LDE është e gatshme të ofrojë edhe një draft ligjor për këtë strukturë të re për një prokurori të posaçme e të pavarur, e cila do të zgjidhte të gjithë ngërçin dhe pafuqinë e Prokurorisë dhe Gjykatave shqiptarë për të hetuar dhe vënë para drejtësisë njerëz të fuqishëm të politikës dhe krimit e mafies në Shqipëri. Jemi të ndërgjegjshëm se ne jemi parti e re dhe e sapodalë në debatin publik shqiptar, por edhe nëse nuk na përfillin institucionet, pushtetet dhe partitë në kuvend, ne jemi të vendosur të bëhemi pjesë e debatit publik për të komunikuar me qytetarët e duke kërkuar përfilljen dhe ngritjen krye të tyre.
Akuzat për Ministrat?
Arroganca e këtij pushteti është e pashembullt. Një kryeministër që qytetarit i çon furgonin për ti sekuestruar tre qese majdanoz, nuk ka sy për të parë, e as gojë për të dëshmuar skandalet e njëpasnjëshme që po i plasin nga ministrat e tij. Tashmë rolet janë ndryshuar. Kryeministri haptazi nga njeriu i parë që duhet të qeverisë shqiptarët e mbajë përgjegjësi për ta, e tu japë llogari atyre, është shndërruar në Kryeavokatin e Ministrave të tij. Qytetarët janë vetëm subjekt taksash, gjobash, sanksionesh dhe represioni shtetëror. Tipike për qeverisjet anti qytetare dhe anti biznes. Fajin gjithmonë e kanë qytetarët, ministrat kanë nga hera të drejtë. Ky është edhe slogani i kësaj qeverie. Kumti i kësaj qeverie është i thjeshtë: Qytetarët janë informale, hajdutë, vjedhës, shkelës ligji, ndërsa ministrat janë shteti, ligji, të pagabueshmit.
Qytetarët nëse bëjnë edhe shkeljen me të vogël të ligjit nuk kanë avokat që ti mbrojë sepse nuk kanë mundësi financiare ta përballojnë. Ministrat kanë avokat vetë Kryeministrin, të cilin e paguajmë të gjithë në shqiptarët me taksat tona. Paradoks me të madh nuk ka. Dhe ky Kryeministër flet plot pasion për Shtet vendosjen? Ky është i turpshëm në vete mënyrën sesi mendon e flet. I gjithë ligjërimi i tij, flet për shtetin të cilin duhet ta ngremë mbi sanksionimin e qytetarëve. E për asnjë çast nuk flet për ndëshkimin e Ministrave. Çdo akuzë për çdo qytetar është subjekt policie. Çdo akuzë për secilin ministër është marrëzi dhe shpikje e opozitës apo e mediave. Gjejeni ju rendin e gjërave në logjikën e këtij kryeministri. Shteti fillon kur kryeministri bëhet avokat i qytetarëve. Por nëse kryeministri është çekani e policia kudhra e qytetarëve, nuk ka sesi të besojmë se po ndërtohet shtet i së drejtës. Kryeministri si avokat i ministrave, është shteti i së drejtës personale.
Ndaj jo me kot Banka Botërore na ka renditur 35 vende më poshtë në Doing Business. Të bësh biznes sot në Shqipëri është aventurë. Sot të jesh qytetar në Shqipëri është aventurë. Prandaj njerëzit po ikin. Sepse kjo qeveri është shndërruar me shpejtësi në qeverinë me anti biznes dhe me antiqytetarë që ka patur ky vend në këto 25 vite. Rama nuk mund ta bëjë shtetin e së drejtës së tij personale as me taksat tona, as me votat tona e as me lejen tonë. Ne si qytetarë duhet ta ndalim këtë shkarje drejt shtetit të së drejtës personale të Ramës. Sepse strategjia e tij është e qartë. Ai po na varfëron që të na blejë. Po, po. Po na varfërojnë që të na blejnë. Dy elementë po përdorin këta, varfërimin për të na blerë dhe sanksionet për të na trembur. Unë nuk kam ndërmend të hesht ndërsa shoh që në vendin tim të ngrihet një shtet i së drejtës personale nga një Kryeministër që qejfin më të madh e ka të jetë Avokat i Ministrave të tij.
Z. Galdini, po për vizitën e fundit të Kryetarit të Kuvendit në SHBA, a keni ndonjë opinion?
Së fundmi 2 prej drejtuesve kryesore të shtetit shqiptar, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kanë zhvilluar vizita në territorin e SHBA. Kryeministri mori pjesë në Sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ndërsa Kryetari i Kuvendit vizitën e tij e zhvilloi bazuar në një ftesë në Kongresin Amerikan. LDE tërheq vëmendjen se pas 2 vitesh e gjysmë qeverisje të kësaj shumicë ende asnjëri prej liderëve politike shqiptarë nuk e ka marrë një ftesë zyrtare për vizitë në SHBA nga Washingtoni Zyrtar. Kryeministri Rama e ka vizituar tre herë SHBA gjatë periudhës së tij si Kryeministër dhe asnjëherë me ftesë zyrtare nga Washingtoni Zyrtar. Edhe Kryetari i Kuvendit nuk ka mundur të shkojë në SHBA me ftesë nga Washingtoni zyrtar e nuk ka siguruar asnjë takim me ekzekutivin në Washington. Gjithashtu, edhe Presidenti i Republikës, që nga dita e betimit të tij si President, ende nuk e ka marrë një ftesë për vizitë zyrtare në Washington. LDE e konsideron këtë një situate kaotike e që ngre pikëpyetje të mëdha për drejtimin gjeostrategjik të Shqipërisë. LDE beson se SHBA janë, duhet të jenë e do të jenë partneri kryesor, prioritar strategjik i Shqipërisë. Këto mungesa ftesash zyrtare për drejtuesit politikë dhe të institucioneve të Shqipërisë në SHBA, vijnë si rezultat i dekadencës së lartë në të cilën është zhytur klasa politike shqiptare. Kjo klasë politike, e kapluar nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe MAFIA, po e largon Shqipërinë nga boshti i saj euroatlantik. Kjo klasë politike e paqartë apo e gabuar në orientimin gjeostrategjik, po e largon Shqipërinë nga boshti i saj euroatlantik. Vetëm shkëputja e politikës nga krimi, korrupsioni, MAFIA dhe paqartësia gjeostrategjike, do të na rikthejë në Boshtin e merituar euroatlantik. Por na takon neve qytetarëve shqiptare që të ngremë krye dhe të rikthejmë vendin tonë aty ku e meriton, pra në shtëpinë e dinjitetit dhe perëndimit.
E si mendoni ta ndalni Kryeministrin ku ju jeni një Parti e re, e vogël dhe pa përfaqësim në Kuvend?
Nuk do të ndalim vetëm kryeministrin. Edhe opozita është bashkëfajtorë në këtë lojë të varfërimit të shqiptarëve për ti blerë. Të gjitha palët që na kanë qeverisur apo po na qeverisin, janë shkaktarë të kësaj mënyre. Ne do të përballemi me këtë sistem dhe do ta konkurrojmë. Do të jemi çdo ditë në komunikim me qytetarët. Pak nga pak, si pikat që bëjnë rrekëzën dhe rrekëza që sjell furinë. Jam besimplotë se qytetarët me durim e urtësi do të fillojnë ta dallojnë e dëgjojnë zërin tonë.
Po situatën ne Kosove a e keni ndjekur, ç'mendim keni për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës?
LDE, po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në Kuvendin e Kosovës. Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës po pamundëson zhvillimin e seancave, e kjo është shndërruar në një sfidë reale jo vetëm për klasën politike të Prishtinës, por edhe për partneret strategjikë të Kosovës, si edhe për Tiranën zyrtare e gjithë faktorin politik mbarëshqiptar. Zajednica dhe demarkacioni janë dy çështje të cilat baras vleftësohen me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, sikurse edhe me arbitraritetin e numrave që synon të ushtrojë shumica qeverisëse. Edhe zajednica, edhe demarkacioni, edhe gazi lotsjellës, edhe arbitrariteti i numrave të shumicës, janë në dëm të Kosovës. Me zajednicën e demarkacionin, Kosova humbet. Me gazin lotsjellës në Kuvend, nuk kalon zajednica e demarkacioni, por Kosova gjithsesi humbet. Shumica LDK – PDK, vyen të faturohen e pranojnë të vërtetën se 90-të numrat që ata kanë në Kuvend, janë 90 kartonë të bindur ngase mungon demokracia e vërtetë. Kësisoj, janë dy njerëz që përdorin 90-të kartonë të bindur. Nuk janë 90-të deputetë të lirë e fryt demokracie që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike e kushtetuese. Janë 90-të kartonë të bindur. Dy njerëz që komandojnë 90 kartonë, nuk janë kurrë shumicë legjitime që mund të vetë lejohen për të marrë vendime të një rëndësie jetike për fatet e Kosovës. Ndaj edhe opozita nuk ka zgjidhje tjetër për ti ndalur këta dy vendim-marrës që komandojnë 90 kartonë të bindur. Ka vetëm një zgjidhje. Këta dy liderë të shumicës, duhet me përunjesi të pranojnë të vërtetën e shumicës së tyre prej 90-të kartonësh të bindur, si një e vërtetë që nuk i autorizon të marrin vendime me rëndësi jetike për Kosovën. Këta ose duhet të ulen me opozitën në tryezë, për të rifituar legjitimitetin demokratik për të rindërtuar një formulë të re marrëveshjesh e negociatash me Serbinë, ose duhet të kërkojmë autorizim nga qytetarët e Kosovës nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. LDE, uron e dëshiron, e bën thirrje që liderët e Kosovës të gjejnë urtësinë për të negociuar e bashkëpunuar me njëri-tjetrin, para se të grinden për negociata e bashkëpunime me vendet fqinjë.