Jeins Reike (FMN): Rreziqet e jashtme të Shqipërisë, rritja nën potencial
Shqipëria do të vazhdojë të përballet me rreziqe të jashtme, veçanërisht nga performanca e dobët ekonomike e ekonomive të tjera europiane, pohon përfaqësuesi i përhershëm I FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke. Për më tepër, trendi i thellë rënës i çmimeve të naftës mund të ndikojë sektorin e naftës. Reformat strukturore mbeten të rëndësishme për të zgjeruar potencialin e rritjes dhe për të përmirësuar rezistencën e ekonomisë ndaj goditjeve. Gjithsesi, z.Jens Reinke mbetet optimist se ekonomia shqiptare do të përshpejtohet në 2015-n, ndonëse sërish nën potencial.
Si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë shqiptare në 2014-n?
Po konstatohet një rimëkëmbje me bazë të gjerë e ekonomisë, por rritja mbetet nën potencial. Besimi i sektorit privat po përmirësohet, pjesërisht për shkak të kthimit të detyrimeve të prapambetura. Niveli i lartë i kredive me probleme (NPL) vazhdon t’i mbajë bankat të kujdesshme në drejtim të kreditimit, ndërsa rritja e huasë ka qenë e vakët, pavarësisht lehtësimit të politikës monetare. Zhbalancimet makroekonomike po reduktohen, megjithëse do të duhet kohë që ato të zhduken. Papunësia është tepër e lartë, por punësimi është rritur vitin e kaluar. Dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë ishte e merituar dhe do të ndihmojë për t’i dhënë më shumë frymëmarrje vendit.
Cilat janë pritshmëritë për vitin 2015?
Rritja pritet që të përshpejtohet në mënyrë modeste në 2015-n, në rreth 3%, e udhëhequr nga rimëkëmbja e vazhdueshme e kërkesës së brendshme dhe investimet e huaja më të larta. Reformat e filluara në vitin 2014, veçanërisht ajo e pensioneve dhe ajo në sektorin e energjisë, do të fillojnë të japin përfitime përgjatë 2015-s. Përmirësimi i besimit, se bashku me reduktimin gradual të zhbalancimve makroekonomike, normat e ulëta të interesit dhe një rimëkëmbje modeste e investimeve publike, do të ndihmojnë gjithashtu.
Inflacioni do të vazhdojë të jetë modest në kontekstin e çmimeve të lira të importit dhe rënien e çmimeve të energjisë. Deficiti tregtar mund të rritet më tej në 2015-n për shkak të projekteve të mëdha të investimeve, që kërkojnë importe intensive (psh projekti Trans Adriatic Pipeline, TAP).
Shqipëria do të vazhdojë të përballet me rreziqe të jashtme, veçanërisht nga performanca e dobët ekonomike e ekonomive të tjera europiane. Për më tepër, trendi i thellë rënës i çmimeve të naftës mund të ndikojë sektorin e naftës. Reformat strukturore mbeten të rëndësishme për të zgjeruar potencialin e rritjes dhe për të përmirësuar rezistencën e ekonomisë ndaj goditjeve.
Në afatin e mesëm dhe të gjatë, cilat janë sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare?
Në afatin e mesëm, situata është përgjithësisht e favorshme, megjithëse ka disa rreziqe që mund të ndikojnë. Rritja pritet të zgjerohet gradualisht në afatin e mesëm, e udhëhequr nga shtimi i produktivitetit si rrjedhojë e reformave strukturore ambicioze, dhe rimëkëmbjes së partnerëve kryesorë të tregtisë. Procesi i integrimit në Baashkimin Europian mund të nxisë më tej reformat strukturore dhe investimet. Balanca e rreziqeve për këtë panoramë është e zvogëluar. Dobësia e rregullave të lojës, përfshirë zbatimin e kontratave dhe pronësinë e tokës mbetet ndoshta pengesa kryesore për të përshpejtuar rritjen dhe për të përmirësuar mirëqenien. Vonesat në zbatimin e reformave strukturore kritike dhe konsolidimi i pamjaftueshëm fiskal mundet gjithashtu të ulin besimin e investitorëve dhe perspektivën e rritjes në afatin e gjatë.
“Monitor”