Jorida Tabaku: Pasojat e Rilindjes, një në dhjetë shqiptarë po i largohet vendit
Në një intervistë për "Koha Jonë", deputetja e PD-së thotë se nga premtimi i dy viteve më parë për çeljen e 300 mijë vendeve pune, sot jemi para zhgënjimit dhe largimit nga Shqipëria si pasojë e keq-qeverisjes!
Intervistoi: Aranit Muraçi
Kanë kaluar më tepër se dy vjet, që kur e majta e bashkuar erdhi në pushtet me premtimin se do të hapte 300 mijë vende pune, si dhe do të ndryshonte ekonominë e vendit. Në dy vjet qeverisje janë ndërmarrë disa reforma nga ana e saj, ndërkohë po troket edhe viti i fundit i mandatit të saj qeverisës. Por a ka dështuar qeverisja e majtë. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një intervistë për “Koha Jonë” bën krahasimet mes qeverisjes së kaluar dhe të tashmes. Nëpërmjet shifrave, ajo thotë se dështimi i qeverisjes së majtë nuk kërkon shumë kohë për t’u kuptuar nga shqiptarët. Sipas Tabakut, mjafton fakti se nuk ka të punësuar realë në këto dy vite, pasi premtimi me 300 mijë vende të reja pune korrespondon me numrin e shqiptarëve që largohen nga vendi dhe kërkojnë azil (një në dhjetë). Keqqeverisjen, sipas Tabakut, e tregon edhe borxhi më i fundit që mori qeveria::
Si e konsideroni betejën që ka marrë qeveria muajt e fundit ndaj informalitetit? Sa rëndësi ka për ekonominë shqiptare kjo betejë dhe a ka dhënë ajo ndonjë efekt pozitiv?
Unë personalisht, dhe opozita sigurisht që përshëndesim cdo aksion që kthen ligjshmërinë e mungur të këtyre dy viteve. Kërkuam me insistim që të na paraqitej një strategji për këtë aksion, ashtu siç thanë që ekziston por dhe sot e kësaj dite akoma nuk kemi parë asgjë. Fatkeqësisht aksioni kundër informalitetit ishte një fiasko që nuk arriti të ishte i gjatë as edhe më shumë se sa një muaj. Përveç lajmeve bombastike dhe qesharake ku policia raportonte arrestime berberësh dhe këpucarësh, ndërkohë që kontrabanda lulëzon. Apo lajmeve fatkeqe se shitësve të librave u sekuestrohen librat si edhe tregtarëve të fruta perimeve, nuk mund të flasim për një betejë kundër informalitetit por një betejë kundër të pamundurve. Betejë që e kemi kritikuar që në fillim, sepse qe e dukshme që nuk kishte as parimet e një aksioni, që në nisje. Për dy vjet nuk kemi patur asnjë impelementim të kësaj strategjie madje në të kundërt qeveria ka shitur gënjeshtrën se paketa e re fiskale ka sjellë formalizim të ekonomisë. Rezultati? Një gropë e madhe në buxhetin e shtetit që u arnua përmes Aktit Normativ, kamardares së përhershme që buxheti rilindas përdor. Por kësaj radhe, gropa qe e tillë sa që duhej një represion, i cili vinte në një kohë ku ekonomia po kalonte krizë të thellë. Besimi konsumator ka rënë me 3.9% duke na paralajmëruar për ulje të shpenzimeve. Qeveria nuk ka mundur të mbulojë gropën në buxhet, le të marrim një shembull të thjeshtë. Këtu nuk po fokusohem tek pasqyra e të ardhurave që është e muajit shtator por po përqëndrohem deri diku pranë fundit të tetorit, le të themi data 20-26 tetor.
a) Realizimi i mbledhjes së të ardhurave neto total :
Plani i muajit Tetor 2015: 16,102 milionë lekë.
Realizimi deri 26.10.2015: 16,116.6 milionë lekë, 100.1 %
Teprica: 14.6 milionë lekë.
b) Të ardhurat tatimore:
Plani i muajit Tetor 2015: 9,758 milonë lekë
Realizimi deri 26.10.2015: 9,876.8 milionë lekë 101.2 %
Teprica: 118.8 milionë lekë
Siç është e qartë, teprica pas këtij aksioni është aq e pajustifikueshme sa që edhe qeveria e ka kuptuar dështimin dhe është tërhequr duke kopjuar edhe propozimin e PD-së për pullën fiskale. Pa dyshim një kopje e shpejtë që i ngjan një zhgarravine. A është e domosdoshme për ekonominë tonë ky aksion? Natyrisht që po, nuk mund të mohoj rëndësinë e betejës ndaj informalitetit. Por duhet të kemi parasysh që një aksion nuk mund të nisë në këtë mënyrë. Le të marrim shembullin e Turqisë, e cila betejën e saj anti informalitet (që e ka mbyllur me sukses) e ka ndarë në tre apo katër faza të cilat janë përpjekur të thithin bizneset me të “mira” në informalizim. Në rastin tonë, beteja anti informalitet duhet të fokusohet së pari në uljen e barrës fiskale, së dyti, në betejën kundër kontrabandës (vetëm akciza e cigares zë gati 60% të humbjeve tek të ardhurat), së treti betejën për rritjen e personave të deklaruar dhe një deklarim sa më real e në fund një betejë e tillë. Kjo e fundit në shumicën e rasteve nuk ka nevojë të ndodhë duke qenë se tregu rregullohet vetiu nëse aksioni zhvillohet në mënyrën e duhur në hapat e mëparshme.
Me ardhjen në pushtet qeveria e majtë pati premtuar me mijëra vende të reja pune, madje sipas meritokracisë. Pas dy vjetësh qeverisje, sa besoni se është mbajtur ky premtim?
Qeveria jo vetëm ka premtuar por vazhdon të premtojë se do të hapë vende pune. Jo më larg se një javë më parë në kuvend i paraqita qeverisë shifrat e vetë INSTAT. Sipas të dhënave rezulton se në qershor 2015, numri i të punësuarve mbi 15 vjeç ishte 1 milion e 80 mijë. Numër thuajse i barabartë me numrin e të punësuarve në mars 2013 (1 milion e 90 mijë). Madje, edhe për vitin 2014 numri i të punësuarve u pakësua me 120 mijë nga marsi i 2013-ës deri në mars 2014, dhe pastaj, u shtua me 110 mijë deri në qershor 2015. Për t’u rikthyer kështu, atje ku kish qenë para dy vjetësh.
Të rinjtë sidomos ata që nuk janë të angazhuar në politikë, të arsimuar apo jo, vazhdojnë të largohen të dëshpëruar dhe pa shpresë për të gjetur një vend pune në Shqipëri. Pse nuk po ndalet një fenomen i tillë?
Largimet nga Shqipëria janë një realitet që kanë ndodhur edhe më parë, pra dhe në 8 vjeçarin e qeverisjes së PD, por asnjëherë në këto përmasa. Më kujtohet viti 2010, kam qenë zv ministre e integrimit, ku Partia Socialiste po përhapte një panik se shqiptarët pasi t’u liberalizohen vizat do të ikin nga sytë këmbët. Në 2009 askush nuk iku, asnjë lider ndërkombëtar nuk erdhi në Shqipëri dhe të thoshte fjalët që tha znj. Merkel për emigrimin e shqiptarëve brenda sallës së Kryeministrisë. Sot, për ironi të asaj force që dje krijonte skena të paqena u është kthyer në një fakt largimi aq sa para disa ditësh lexova me hidhërim që Shqipëria është vendi i parë në Evropë që ka aplikuar për lotarinë amerikane. Dëshmi që gjendja nuk është asfare siç qeveria e paraqet. Përse nuk ndalet? Vështirë është të ndalësh dikë që i ka humbur shpresat…aq më tepër një shoqëri e cila ka kujtime të hidhura para viteve 1990, ku thuajse me të njëjtat metoda u kufizan të drejtat. Prandaj në një gjendje të tillë, ku fuqia ekonomike është përqëndruar tek anëtarët e qeverisë, kur ato pasurohen dhe se liritë shtypen përditë ka gjithmonë një sjellje të tillë.
Gjatë kohës që ishte në opozitë qeveria aktuale akuzonte maxhorancën se merrte borxh për të shlyer borxhet dhe fjala ishte për emetimin e një obligacioni me vlerën e 300 milion eurove. Pak ditë më parë qeveria mori 450 milionë euro borxh dhe e interpretoi atë si sukses. Pse mendoni se nuk ka fuqi vendi ynë të shlyejë borxhin e jashtëm pa qenë nevoja të marrë borxhe të tjera në tregjet e huaja?
Pikërisht këtu qendron ironia e mazhorancës, krenohet se ka mirëmanaxhuar burimet dhe të ardhurat financiare, krenohet se jemi në rrugën e duhur dhe më pas përfundon përherë në dyert e kreditorëve. E kur ia bën të qartë këtë të vërtetë fillojnë e hidhen ende sot se si e kanë gjetur vendin. E vërtetë, gjetën një borxh publik por që kish ardhur si pasojë e investimeve në infrastrukturë ndërkohë që sot investimet në infrastrutkurë janë më të pakta, ndonëse shqiptarët 44 mld lekë më shumë nga viti 2013 në formën e taksave (28.4 mld lekë nga taksat e rritura në 2014 dhe 15.7 mld lekë nga taksat e rritura në 2015). Qeveria ka shtrydhur xhepat e konsumatorëve, ka ulur xhiron dhe fitimet e bizneseve, pra ka çuar ekonominë në stanjacion duke mos prodhuar më dot të ardhura, atëherë ka nevojë për para të cilat qartësisht nuk i thith dot nga tregu i brendshëm, të cilin e ka shteruar. Prandaj është e detyruar të blejë jashtë, duke çuar borxhin publik në mbi 70%, pa harruar që KLSH në raportin e saj pretendon se qeveria ka një tjetër nivel borxhi që s’e ka deklaruar. Nëse ekonominë e mbyt në këtë formë shanset që t’i japësh vetes mundësi për të marrë hua janë të ulëta.
Një shifër alarmante e kredive të këqija shkon në qindra milionë euro dhe ka alarmuar edhe opinionin publik. Si është e mundur që tërë këto para nuk kanë shkuar në destinacionin e duhur, për arsimin, shëndetësinë apo infrastrukturë?
Kreditë e këqija vijnë si pasojë se sipërmarrjet private nuk kanë mundur të shlyejnë borxhin ndaj bankave. Në vitin 2013 qeveria premtoi se do të merrte hua nga FMN për të paguar kompanitë që kishin borxhe ndaj bankave dhe për të ulur kreditë e këqija. Zyrtarisht huaja u mor, po a kaluan këto para tek llogaritë e bankave? Duket se jo! Kështu qeveria këto para mund t’i ketë përdorur për gjithçka veç se për të ndihmuar bizneset dhe njëkohësisht bankat. Kështu, bankat nuk janë më të interesuara për të investuar në kredi ndaj bizneseve kjo edhe për faktin se edhe besimi i investitorëve ka rënë duke parë gjendjen e vështirë ekonomike që po kalon vendi. Në ekonomi gjërat janë të lidhura në një seri dhe nëse një rrotë nuk funksionon atëherë e gjithë makineria nuk funskionon.
Si e vlerësoni reformën në drejtësi për të cilën më i shqetësuar duket faktori ndërkombëtar. Sa e nevojshme ajo është për Shqipërinë, cili është roli i PD-së në këtë drejtim, dhe si mund të realizohet më shpejt?
Partia Demokratike ka paraqitur një draft mbi Reformën, të cilën mazhoranca herë i afrohet dhe herë i largohet. Interesi i PD është që kjo reformë të realizohet sa më shpejtë dhe mbi të gjitha të jetë korrekte dhe e ngritur mbi sa më shumë parime që i shërbejnë mos instrumentalizimit të gjygjësorit nga njëra palë politike apo nga tjetra. Mësimi më i mirë që marrim nga këto 25 vjet tranzicion është se reformat nuk kryhen për një afat të shkurtër, përndryshe ato dëmtojnë shoqërinë dhe raportin e saj me shtetin e të drejtës. Kështu, nëse mazhoranca përpiqet sot që të krijojë një reformë drejtësie që ajo të zotërojë dhe ta komandojë atë, natyrisht që nuk do të ketë dakordësinë e opozitës. Tre janë kushtet për reformën në drejtësi: transparenca, gjithëpërfshirja dhe larg influenca politike.
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dha dorëheqjen për t’i hapur rrugë një emri tjetër që vjen po nga LSI. E shihni thjesht një ndryshim emrash apo rifreskim të qeverisë këtë lëvizje?
Nuk besoj se ka vend të kenaqemi se u ndryshua njëri me tjetrin për luftë kulisash. Ne kemi bërë akuza të qarta për disa ministra për përfshirje në afera korruptive e ky “make up” është thjesht një ndryshim në formë e jo në përmbajtje. Në një logjikë politike z. Rama ka reshtur së qenuri Kryeministër, por është kthyer në një noter i cili për të ruajtur pushtetin e tij dhe të personave që ka emëruar, është i gatshëm të bëjë gjithçka. Për fatin e keq shqiptarët nuk përfitojnë kurrgjë nga e gjithë kjo, kurrgjë përveç se shoë-t që ofrojnë aktorët e mazhorancës.
Është hedhur teza e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Partia Demokratike e sheh të realizueshme marrëveshjen me Partinë Socialiste për sistemin zgjedhor “Prim”, pasi LSI duket se është kundër?
Deri më tani janë hedhur shumë teza, por ende nuk kemi një ofertë konkrete prandaj vështirë është të fokusohem tek një tezë e paqenë në letër por vetëm e hamendësuar apo e transmetuar gojë më gojë. Me rëndësi sot nuk është çfarë sistemi duhet të kemi, sot pika më kardinale është ekzistenca e një mazhorance që ka të inkriminuar brenda saj. Akuzat ndaj ministrave që po pasurohen kurse shqiptarët po varfërohen. Këto janë më të rëndësishme se sa një sistem elektoral që nga gjysma e mazhorancës po përpiqet të përodret si shtanazh për gjysmën e mazhorancës tjetër.
Së fundmi, si e perceptoni Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. A ka shpresë që të paktën të mos jetë i kriminalizuar, siç është Kuvendi aktual?
Ka shpresë të jetë i tillë përmes dy mënyrave. Së pari, duke miratuar një ligj për dekriminalizimin, por a është e gatshme kjo mazhorancë ta miratojë një të tillë dhe të heqë dorë nga të inkriminuarit që ka në kuvend? Së dyti, duke votuar për një forcë politike e cila si vlerë nuk ka inkriminimin e përfaqësuesve.