Kadeli: Koncesionet jo në dorë të qeverisë
Flet për “Koha Jonë”, deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli
Intervistoi: Redjon Shtylla
Për një ish-socialist si deputeti Gjovalin Kadeli, zërat kundër PS-së janë të panevojshme kur në fakt duhet bërë një analizë më e hollësishme e qeverisjes. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i LSI-së, z.Kadeli ka komentuar raportet e fundit të ndërkombëtarëve për rrezikun e ekonomisë shqiptare, e që sipas deputetit kjo ka ardhur për shkak të koncesioneve, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë monopol i qeverisë, e cila ka një mandat 4- vjeçar dhe nënshkruan kontrata koncesionare 20 apo më shumë vjeçare. Ende siguria mbetet një shqetësim i madh për shqiptarët dhe sipas z.Kadeli ka shenja të frikës tek qytetarëve për të denoncuar dhe janë shtuar pikërisht nga mungesa e denoncimit për shkak të pasigurisë së mbrojtjes së dëshmitarëve ku në disa raste ka dështuar duke dhënë shembullin e keq të vendosjes së drejtësisë.
Shqipëria sipas një analize të dy organizatave gjermane konsiderohet vend i rrezikuar me “borxhe kritike”. Si një person i biznesit, përtej angazhimit politik si e shihni përballjen e këtyre raporteve me ato që ju pjesë e qeverisë keni dëshmuar. A po shkojmë drejt një përkeqësimi të aftësisë paguese?
Ashtu siç shprehen për Shqipërinë këto dy organizata në mënyrë negative, kemi një qëndrim zyrtar të Gjermanisë lidhur me progresin e Shqipërisë në këto vitet e fundit i cili e vlerëson Shqipërinë me nota pozitive. Për rritje graduale të ekonomisë dhe kjo u rikonfirmua nga qëndrimi i kreut të Bundestagut, i cili vizitoi vendin tonë, ku në fjalën përshëndetëse deklaroi se, Shqipëria është një prej vendeve që do të jetë së shpejti anëtare e BE-së për shkak të reformave të ndërmarra në këto vite qeverisëse nga kjo maxhorancë. Ministri i Financave deklaroi zyrtarisht në bazë të shifrave të Instat se Shqipëria e ka tejkaluar krizën ekonomike e kjo falë angazhimit dhe zbatimit me rigorozitet të reformave e sidomos në luftën ndaj informalitetit, i cili ka qenë një kancer i ekonomisë shqiptare. Duke u bazuar edhe në informacionet e fundit të bankës së Shqipërisë, ku ka rënë ndjeshëm fenomeni i kredive të këqija duke krijuar mundësinë e kreditimit të biznesit për t’i dhënë mundësi zhvillimi. Ju keni ndjekur pikërisht iniciativën e kohëve të fundit të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me koncesionet, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë monopol i qeverisë, e cila ka një mandat 4 -vjeçar dhe nënshkruan kontrata koncensionare 20 apo më shumë vjeçare. Kjo praktikë duhet të marrë fund pasi kontrata të tilla duhet të ratifikohen në Kuvendin e Shqipërisë, i cili duhet të ketë tagrin e kontratave që kalojnë periudhën e mandatit të një qeverie në mënyrë që qeveria pas ardhëse të mos vrapojë t’i prishë ato koncesione, të cilat sjellin penalitete të mëdha financiare për shkak të papërgjegjshmërisë, ku i vuan ekonomia shqiptare ndër vite. Koncensioni i aeroportit të Rinasit përveç dëmit financiar që i ka shkaktuar ekonomisë shqiptare ka bërë që shqiptarët të udhëtojnë me çmimin më të lartë të biletave në rajon.
Kritika brenda qeverisë nuk kanë lënë mënjanë dhe ministritë. I fundit është deklarata e z.Braçe ndaj Ministrisë së Bujqësisë, ku me note negative është shprehur se duhet “Të ristrukturohet Ministria e Bujqësisë”. Kemi të bëjmë këtë një krisje të koalicionit apo është një liberalizimin të kritikave?
Ristrukturimi i qeverisë është target i kryeministrit dhe duhet adresuar pikërisht z.Rama për këtë kërkesë e njëkohësisht duhet të rikujtojë se LSI-ja ka kohë që ka ngritur zërin se qeveria ka nevojë për impulse të reja. Zëra për ristrukturim të ministrive ka pasur vazhdimisht dhe jo vetëm nga z.Braçe, në mënyrë që disa ministri të përmirësojnë më shumë punën e tyre, por nëse flasim për Ministrinë e Bujqësisë mund t’u them se kjo ministri në raport me ministritë e vendeve fqinje është më e diskriminuara për mungesë të theksuar fondesh pasi ajo sot ka në dispozicion të bujqësisë shqiptare 60 deri ne 70 % më pak fonde se sa kanë. Kështu që kur të kërkosh nga një dikaster punë konkrete në rritjen e prodhimit bujqësor mendoj se duhet të shoqërohet me fondet përkatëse në mënyrë që të konkurrohet me vendet e rajonit pasi nuk i mungojnë kapacitetet njerëzore apo personalitetet shkencore për ta renditur vendin tonë ndër të parët në rajon. Të gjithë e dimë se pa para nuk mund të konkurrosh në një treg të dominuar nga subvencionet pa fund që kanë në dispozicion vendet fqinje. Nuk është vetëm Ministria e Bujqësisë që duhet të ristrukturohet, por shumë ministri kanë nevojë për një rishikim të performancës dhe realizimit të programit qeverisës.
Thirrja e ish-Kryeministrit Berisha për armatosje të popullsisë, është pasojë e një shteti që është në krizë apo sipas PD-së që vendi është kriminalizuar. A mund të përsëritet një ‘97 e dytë?
Unë personalisht mendoj se po abuzohet me thelbin e deklaratës së z.Berisha, nuk mund të mendoj që ka qenë ky mendimi pasi ai këtë deklaratë e ka bërë në kuadrin e zbatimit të ligjit për armëmbajtjen, duke ju referuar ligjit amerikan, ku çdo shtetas amerikan që plotëson disa kritere ka të drejtë të blejë e të mbajë armë për të mbrojtur jetën dhe pronën e tij, kështu që z.Berisha megjithëse me një ton të lartë (tipike e tij kjo në të gjitha fjalimet e tij ) nuk besoj se ka pasur qëllim për kryengritje të armatosur. Kështu që në vend që të jemi të prirur të marrim anën negative, gjithmonë duhet të shohim sensin pozitiv të gjërave e veçanërisht të debatit në kuvend sepse ky qëndrim kaq i ashpër nga të dy palët e largon vëmendjen nga domosdoshmëria e reformës në drejtësi për të cilën shqiptarët po presin me orë e më ditë kthimin e drejtësisë, e cila mungon prej shumë e shumë vitesh. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se një ‘97 e dytë do të shkatërronte gjithçka kemi ngritur me aq mund ndër vite e nuk i shërben aspak imazhit të Shqipërisë, i cili shpesh herë lëkundet nga deklarata të tilla. E megjithëse me këtë debat të panevojshëm e artificial unë besoj se kryefjala e ditës duhet te jetë Reforma në Drejtësi, për të cilën ka nevojë për kontributin dhe angazhimin konkret të të gjitha palëve. Kjo sepse jetëgjatësia e kësaj reforme dhe të jetë e sigurt dhe shpresëdhënëse për shqiptarët. Sot më shumë se kurrë ka nevojë që të kuptojmë qartë mesazhin e partnerëve tanë amerikanë e europianë që ia kanë dashur të mirën dhe e kanë ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit të demokracisë.
Siguria dhe rendi prej disa vitesh nuk janë në normalizim, ku çdo ditë kriminaliteti po shkon drejt rritjes. Çfarë masash ndryshe duhet të ndërmarrë Ministria e Brendshme për të ulur krimin? Edhe Presidenti z.Nishani është shprehur se: “Dosje me oficerë të inkriminuar” qëndrojnë prej kohësh në tavolinën e ministrit. A ndihen më pak të sigurt shqiptarët sot?
Siguria e jetës së qytetareve dhe garancia e pronës janë elementë të domosdoshëm të një shoqërie demokratike dhe qeveria shqiptare e ka në prioritetin e saj këtë problem. Nuk mund të besoj që në tryezën e një ministri të jenë dosje me emra konkretë të korruptuar apo të inkriminuar. Ajo që sot pritet më shumë nga shqiptarët është siguria e jetës së tyre, e cila shpesh herë është rrezikuar nga njerëz të inkriminuar. Besoj se kur flitet për dekriminalizim të Parlamentit nga mëngjesi deri në darkë dhe shoqëria shqiptare nuk është e imunizuar nga ky fenomen jo vetëm shqiptar. Ligji është në luftë të vazhdueshme me krimin dhe siç jeni në dijeni kohët e fundit ka dhënë rezultatet e tij, nuk duhet të harrojmë se duhet një luftë dhe përpjekje e vazhdueshme për dokumentimin e fakteve në mënyrë që drejtësia të japë efektin e duhur por fatkeqësisht akoma vihen re shenja të frikës së qytetarëve për të denoncuar rastet e ndryshme të cilët janë shtuar pikërisht nga mungesa e denoncimit për shkak të pasigurisë së mbrojtjes së dëshmitarëve ku në disa raste ka dështuar duke dhënë shembullin e keq të vendosjes së drejtësisë. Fatkeqësisht nuk kemi vuajtur kurrë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i tyre që në shumë raste për shkak të korrupsionit ka qenë e njëanshme dhe për pasojë ka rritur pasigurinë e denoncimit të fenomeneve të tilla. Shpresojmë se me reformën në drejtësi t’i jepet fund njëherë e mirë gjykimit të drejtë dhe për pasojë rritjes së sigurisë për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët e meritojnë dhe po e presin çdo ditë të ndodhë.
Blushi dhe znj.Hafizi janë shprehur se në PS janë shkelur rregullat dhe për këtë bëjnë fajtor Kryeministrin Rama. Si i keni parë këto a kanë të drejtë kolegët tuaj?
Pikë së pari më vjen për të qeshur kur dëgjoj shprehjen, “Hap Kutitë” sepse personalisht kam qëndruar 19 ditë në grevë për këtë alibi që sot përdoret brenda PS-së. Brenda PS kush duhet të largohet? Kryeministri që ka fituar zgjedhjet? S’e besoj se kjo është alibia e duhur prandaj duhet një tjetër argument bindës që t’i bindë socialistët se duhet qeverisur ndryshe. Për mendimin tim Blushi duhet t’u vihet më shumë në ndihmë socialistëve të thjeshtë, të cilët kanë pritur punësim e vlerësim më shumë nga kjo qeveri e jo të marrin si përgjigje kur kërkojnë punë se; S’kam çfarë të bëj!( E them me keqardhje këtë pasi kam shumë miq të mijë grevistë, të cilët presin në hyrje të Parlamentit me shpresën për të na kujtuar ato ditë të vështira të shtrirë në bulevard, së bashku e të barabartë, në atë kohë dhe sot me shpresën se do të zgjojnë ndonjë dhembshuri nga ne që sot jemi në Parlament me votën e tyre dhe djersën e tyre). Një nder meritat e PS-së është demokracia e saj e brendshme, e cila i krijon mundësinë secilit të shprehë lirisht atë çfarë mendon. PS një parti e moderuar, ku fryma e debatit e mban të gjallë progresin gradual të reformimit nëpërmjet debatit dhe harmonizimit të brezave nëpërmjet këtij debati. Nuk është hera e parë që Blushi shpreh kundërshtinë e tij duke marrë mbështetjen e disa eksponentëve kryesorë të PS-së. Kjo frymë kundërshtuese shpesh herë edhe realiste e bën PS-në më të fortë, pasi krijon mundësinë e korrigjimit nëpërmjet këtij debat, pavarësisht shkeljes të statutit. Nuk besoj se është koha e duhur për të sulmuar pikërisht tani pas dy vitesh qeverisje, mendoj se ky debat do ishte më frytdhënës pas një mandati të plotë qeverisës, ku edhe mund të bëhej një analizë më e hollësishme e qeverisjes. z.Ruçi një ndër senatorët më të vjetër të PS do të rizgjidhet kryetar i asamblesë kombëtare, i cili ka mbështetjen absolute të çdo socialisti të ndershëm.