“Kanceri i gjirit po ecën me hapa galopante në Shqipëri”

Historia e 25-vjeçares që themeloi shoqatën që ka për qëllim që të përfaqësojë interesat e grave shqiptare të prekura nga kanceri i gjirit. Muaji tetor është muaji ku të gjithë pa përjashtim duhet të ndërgjegjësohemi, sensibilizohemi dhe të ofrojmë ndihmën tonë për personat e prekur nga kanceri i gjirit. Lidhur me këtë sëmundje kaq të rrezikshme, një 25-vjeçare ka ndërmarrë një hap shumë të madh.

Ajo është Donjeta Zeqa, e cila ka themeluar shoqatën që ka për qëllim që të përfaqësojë interesat e grave shqiptare lidhur me parandalimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë.

Donjeta ka mbaruar studimet për gazetari dhe nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të merrte një iniciativë të tillë. Po pse i hyri kësaj rruge? Ishte pikërisht mamaja e saj. Në një intervistë për “Shekullin”, Donjeta tregon se kur e ëma u diagnostikua me kancer gjiri, i erdhi edhe ideja për krijimin e një shoqate që merr në mbrojtje pacientët me këtë sëmundje.

Kur dhe si lindi ideja për krijimin e shoqatës?

Shoqata është themeluar në vitin 2009, si pjesë e organizatës mëmë me qendër në Milano, Itali. Por nga viti 2013 organizata pati një periudhe pauze dhe kështu u kthye në një organizatë in-aktive. Arsyeja është mamaja ime. Ajo është diagnostikuar me kancer gjiri dhe të sëmurët me kancer duhet të kenë një shoqatë që drejtohet prej tyre, familjarëve të tyre, një shoqatë që merr në mbrojtje jo një pacient të vetëm apo të privilegjuar, por të gjithë pacientët bashkë.

Çfarë aktivitetesh keni ndërmarrë për ndërgjegjësimin e njerëzve ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit?
Ajo çka është e rëndësishme për ne dhe çfarë duam të arrijmë është se edhe një aktivitet sado i vogël, të përçojë mesazhin e duhur tek gratë dhe vajzat. Kemi bërë shumë aktivitete e kemi shumë të tjera. Takime të ndryshme me gra dhe vajza, të sëmura dhe jo vetëm. Po ndjekim dhe një linjë tjetër, edukimin e shëndetit të gjirit në shkolla, madje është një aktivitet që do e bëjmë këto ditë. Sigurisht që në qendër të vëmendjen ende ngelin aktivitetet që shërbejnë në dobi të grave paciente.  “Dhuro flokë, fal shpresë”, një aktivitet në dy faza ku në fazën e parë ishte mbledhja e flokëve dhe përpunimi i tyre dhe tani ne do dhurojmë paruket për gratë të cilat kanë humbur flokët për shkak të medikamenteve.

Një aktivitet tjetër ka qenë “Mbështet shpresën, lufto për jetën”, ku vajza dhe gra, diplomatë të huaj u mblodhën në këtë aktivitet ku në fund firmosën dhe një “Letër të Hapur” duke i bërë thirrje shtetit dhe organeve kompetente për të vënë në lëvizje funksionet e tyre për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

Trajnim me organizatat lokale të Dibrës dhe Fierit, “Advokim dhe Lobim për një shëndet me të mirë”.

Gjatë muajit tetor në bashkëpunim me ISHP kemi ofruar mamografi falas, si dhe shumë aktivitete të tjera që kemi bërë dhe presim ti bëjmë.

Cilat janë qytetet që organizata juaj ka shkuar për fushata sensibilizuese?

Jemi në kushtet ku nuk mund të flasim për një përhapje të gjerë në qytetet e Shqipërisë. Siç e thashë më sipër kemi shpërndarë Newsletter me të dhëna për organizatën dhe sëmundjen e kancerit të gjirit, në gjithë Shqipërinë, bashkangjitur gazetës më të madhe në vend. Kemi bërë një aktivitet sensibilizues në Shkodër para disa ditësh, ku tifozët kuq e zi ju bashkuan kauzës tonë për të sensibilizuar dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët. Madje dhe vetë futbollistët më në zë të Kombëtares shqiptare i kanë bashkuar fushatës tonë “Dhuro flokë, fal shpresë”.

A keni gjetur terrenin e përshtatshëm për të punuar dhe për të sensibilizuar shoqërinë tonë për të fituar luftën me këtë sëmundje?

Jo gjithmonë, por kjo është një gjë e pritshme.

A janë gratë dhe vajzat të interesuara në aktivitetet që ju bëni?
Për aktivitetet janë, dhe janë shumë të entuziasmuara por për fatin e keq, sërish gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë mentalitetin e lënies së shëndetit të tyre pas dore. E gjitha kjo punë dhe gjithë ky ndërgjegjësim bëhet që ata të kujdesen para se të vije momenti i fundit. Nuk mund të themi se gjërat nuk po ndryshojnë, por me hapa shumë të vegjël. Ka ende shumë punë për tu bërë…

A është mjaftueshëm e informuar femra shqiptare për këtë sëmundje?

Jo. Madje disa refuzojnë dhe të informohen dhe nuk e dinë që kjo sëmundje po të kapet në kohë është plotësisht e kurueshme dhe garanton jetëgjatësi 100%. Ka nga ata gra që tremben nga rënia e flokëve dhe mendojnë që  e kanë nga sëmundja dhe jo nga ilaçi që marrin, i cili shkakton rënien e flokëve.

Mendon se ka sensibilizim dhe ndërgjegjësim më shumë tani?
Sigurisht që po. Promovimi në media, përfshirja e personazheve publike në aktivitetet dhe kauzat që ngrihen për kancerin e gjirit, ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit.

Çfarë e pengon shoqërinë për të mos marrë informacion për këtë sëmundje?

Mentaliteti dhe mungesa e informacionit. Megjithëse ne si organizatë po punojmë shumë që informacioni të shkoje dhe në zonat më të thella të Shqipërisë.

Rastet e evidentuara janë në rritje apo në rënie?

Gjendja është alarmante. Rastet janë gjithnjë e në rritje, raportet e frikshme dhe kjo sëmundje nuk po njeh as moshë. Rastet kur vajza shumë të reja diagnostikohen janë çdo ditë e në rritje.

Problemi më i madh për pacientet me kancer gjiri në Shqipëri?

Prej vitesh vazhdon të jetë i njëjti problem: Medikamentet. Herë mungojnë dhe atëherë kur nuk mungojnë, nuk respektohen me rregull. Ka medikamente për gratë me kancer gjiri të cilat kanë një protokoll që nëse nuk bëhen siç e përcakton protokolli. Administrimi me vonesë i barit, mund të ketë pasoja në ecurinë e sëmundjes e cila mund të përparojë më shpejt. Ne kemi bërë një ankesë në institucionet përgjegjëse dhe ende jemi në pritje të një përgjigje zyrtare nga ana e tyre.

Mesazhi juaj për shoqërinë për t’u sensibilizuar dhe për ta mposhtur këtë sëmundje?

Mbani mend gjithmonë që ju jeni përgjegjëse të shëndetit tuaj. Bëni vizita dhe kontrolle për një jetesë të shëndetshme. Nëse kjo sëmundje kapet në kohë ju do shpëtoni nga vuajtjet që do vinë më pas.

Bëjani vetës këtë nder, shpenzo dy orë nga dita jote dhe nesër shko tek doktori.

SHKARKO APP