Karpushin: “Panama Papers” synoi destabilizimin e Rusisë
Ambasadori i Rusisë në vendin tonë, Alexander Karpushin konsideron se “Panama Papers” është një operacion i financuar nga SHBA, që sipas tij, kishte qëllim goditjen e udhëheqjes ruse dhe destabilizimin e Rusisë. “Kjo fushatë e parapërgatitur ka synuar udhëheqjen e Rusisë, edhe pse nuk e arriti qëllimin e saj. Kishin si qëllim kompromentimin e presidentit rus dhe destabilizimin e Rusisë. Mbështetja e presidentit nga popullsia ruse vetëm u rrit”, deklaroi ai në një intervistë për “News 24”.
“Panama Papers”
“Ky material u publikua si me urdhër nga të gjitha mediat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe mediat shqiptare. Në qendër të këtij kolazhi fotografish u vendos portreti i presidentit rus Vladimir Putin, kurse rreth tij ishin foto të vogla të figurantëve të tjerë. Nga 11 milionë e gjysmë dokumente emri i presidentit rus nuk përmendet fare, madje nuk jepet asnjë provë se Putin ka shfrytëzuar shërbimet e kompanive offshore. Pikërisht prandaj besojmë se kjo fushatë masive e parapërgatitur ka synuar udhëheqjen e Rusisë, edhe pse nuk e arriti qëllimin e saj. Besoj se organizatorët e këtij aksioni kishin qëllim komprometimin e presidentit Rus dhe destabilizimin e situatës në Rusi. Por në fund të fundit, mbështetja e popullsisë ndaj presidentit Rus u rrit. Edhe diçka interesante nga këto dokumente, kryeministri britanik, zoti Cameron, pasi ishte zgjedhur në postin e kryeministrit ka përdorur kompanitë offshore. Kurse presidenti ukrainas Poroshenko edhe deri në ditët e sotme po vazhdon përdorimin e këtyre fondeve. Ndërkohë ka aludime se nxjerrja e sekreteve nga Snowden është bërë nën influencën e shërbimeve ruse. Çfarë është duke ndodhur? A kemi tani një lloj të ri spiunazhi ku sekretet bëhen publike? Kohët e fundit, gjatë qëndrimit të zotit Snowden në Rusi, ku ka përfituar azil, që në vitin 2013, mediat perëndimore kanë nxjerrë materiale të shumta ku argumentohet se ishpunonjësi i agjencisë kombëtare të Sigurisë nuk ishte në gjendje të përdorte këto dokumente pa ndihmë nga jashtë. Por të gjitha këto versione janë vetëm spekulime, supozime dhe hipoteza dhe nuk ka asnjë fakt. Vetë Snowden vazhdon të mohojë në mënyrë kategorike lidhjet me shërbimet sekrete ruse. Kur Snowden mbërriti në Moskë, ai ndenji në atë aeroport për 40 ditë. Ai planifikonte të fitonte azil në Amerikën Jugore, Kubë, Ekuador ose Bolivi, por në fund të fundit kërkoi azil në Rusi. Nuk ka asnjë provë që ai ka lidhje me Shërbimet sekrete ruse. Po të kishte arritur Snowden të fitonte azil në Amerikën Jugore, sot akuzat identike për implikim në këtë skandal do ti lëshonte Amerika në drejtim të këtyre vendeve.
Rusia ka kritikuar perëndimin për një axhendë agresive edhe ndaj vendeve të tjera, për shembull për krizën politike në Maqedoni. Si e shikoni situatën atje dhe si e sheh Rusia rolin e saj në Ballkanin perëndimor?
Unë dua të them në radhë të parë, që Gadishulli i Ballkanit tradicionalisht ka zënë një vend të veçantë në hartën ekonomike dhe politike të Europës. Jo më kot e quajnë shpesh herë, barku i butë i Europës dhe një fuçi baruti, çka dëshmon për një potencial të madh konfliktual të këtij rajoni. Ne të gjithë i mbajmë mend ngjarjet e përgjakshme që ndodhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Rusia analizon me vëmendje të gjitha informacionet që vijnë nga rajoni i Ballkanit dhe me shumë shqetësim Rusia i ka marrë njoftimet për përshkallëzimin e ballafaqimit politik në Maqedoni. Ne e dimë që situata është përkeqësuar dhe konflikti është shumë i ashpër, prandaj Ministria e Jashtme Ruse ka shprehur qëndrimin e saj dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve për dialog. Pala ruse u shpreh për domosdoshmërinë për të parandaluar rrëshqitjen e situatës në Maqedoni drejt skenarit të Ukrainës. një skenar i tillë mund të shkaktonte destabilizimin e gjithë Ballkanit. Rusia u bën thirrje partnerëve të saj, që perëndimi të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve sovrane. Kemi marrë disa njoftime, se BE po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione kundër udhëheqjes maqedonase. ka edhe informacione se gjoja e ardhmja euroatlantike e Maqedonisë është vënë në rrezik. Këto njoftime të bëjnë të mendosh për ndërhyrje në situatën e brendshme në Maqedoni. Pavarësisht të gjitha problemeve, të gjitha halleve, Rusia dhe Maqedonia vazhdojnë bashkëpunimin e suksesshëm në të gjitha fushat.