Kastriot Islami: Përballje qytetare, nëse dështon reforma e drejtësisë
Flet deputeti i PD-së, Kastriot Islami: Momenti i largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë përmes rrugës së butë të “reformës veneciane”
Viti 2015 mund të konsiderohet një sfidë për politikën tonë. Një vit, i cili u mbyll me ndryshime, reforma, protesta e jo vetëm. Prof. Dr. Kastriot Islami, deputet i PD, vjen në këtë intervistë të fundit për "Koha Jonë", ku analizon qeverinë, punën e saj si dhe organizmin e PD në nismat e ndërmarra. Ekonomia një pikë e rëndësishme për një vend, në optikën e z. Islami, ka qenë në një gjendje katastrofale, kjo për shkak të qeverisjes së keqe të Kryeministrit Rama. "Momenti i largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë përmes rrugës së butë të “reformës veneciane” në drejtësi dhe/ose përballjes së oligarkisë me irritimin në rritje të qytetarëve është çështje kohe", ka ftuar më tej z. Islami. Më tej në këtë intervistë do të lexoni për reformën në drejtësi dhe nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Në fund Prof. Dr. Kastriot Islami ka bërë një përmbledhje të punës së opozitës dhe raporteve që kanë dhënë ndërkombëtarët.
Intervistoi: Redjon Shtylla
Profesor, jemi në ditën e fundit të 2015-s, si gjithmonë politika bën bilancin. Në këndvështrimin tuaj si ka qenë ky vit për politikën tonë, për reformat e qeverisë deri te protestat e opozitës?
Po përgjigjem shkurtimisht. Reformat janë konceptuar nga Rama si represion policor, si burg, si gjoba, koncesione për klientelën, tendera për miqtë e oligarkisë, lejim i kultivimit dhe legalizim i marijuanës për kanabistët, dhënie lejesh për ndërtime e investime në mes të Tiranës e në vendet më të përshtatshme për pallate, parkingje, qendra biznesi për trafikantët e drogës, sekserët, aksionerët e politikanëve të korruptuar, banditët dhe kriminelët, manjantët e medias oligarkike e klienteliste. Kjo ka bërë që ekonomia dhe financat të jenë në gjendje katastrofike.
Por qeveria ka deklaruar se papunësia është ulur?
Statistika e qeverisë flasin ndryshe. Varfëria është në rritje. Papunësia në rritje. Borxhi në rritje. Kultivimi i drogës në rritje. Trafiku i drogave të forta në rritje. Pasiguria në rritje. Vrasjet në rritje. Aksidentet në rritje. Vjedhjet e shtëpive në rritje. Tarifat për studentët në rritje. Çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve në rritje të papërballueshme. Burgosjet selektive në rritje. Largimi i shqiptarëve nga vendi në rritje si asnjëherë tjetër. Aplikimet për vizat amerikane në rritje të paimagjinueshme. Vjedhjet e qeveritarëve në rritje. Koncesionet për qeveritarët, deputetët e klientelës, miqtë në rritje. Shpenzimet për udhëtime jashtë shteti, makina luksi, dreka e darka të Kryeministrit dhe qeveritarëve në rritje të paparë. Mashtrimet në rritje. Presioni policor në rritje. Dëshpërimi i qytetarëve në rritje si asnjëherë më parë. Numri i individëve me rekorde kriminale në poste publike në rritje. Numri i kryetarëve të PS-së me rekorde kriminale, oligarkike dhe pa lidhje me socialistët në rritje të paimagjinueshme. Dështimet e qeverisë në rritje.
Po sipas jush nuk ka asnjë sukses kjo qeveri?
Sigurisht që ka, ka ulur varfërinë duke detyruar mbi 100 mijë shqiptarë të largohen për të kërkuar azil në vendet e BE-së. Ky mund të ishte një sukses, që kanë pranuar se ka ndodhur për shkak të gjendjes ekonomike dhe të reformave, pra të represionit policor. Gazeta më e madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, me orientim të djathtë, i ka cilësuar azilkërkuesit e pashpresë shqiptarë, “emigrantë ekonomikë me motivim politik”. Ndonëse mes tyre ka shumë të pashpresë ekstremë që s’futen në grupin e të varfërve ekstremë.
Si mendoni asgjë nuk është ulur?
Sigurisht ka parametra të tjerë në ulje. Paga në fuqi blerëse është në zbritje. Pensionet në vlerë reale në zbritje. Të ardhurat në zbritje drastike. Shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, investimet e tjerë në zbritje historike. Shpresa e shqiptarëve në pikiatë. Besimi i qytetarëve te qeveria minus. Ç’të them tjetër, këto të gjitha janë sipas statistikave të Ramës, interpretimin bëjeni vetë. Irritimi i qytetarëve në rritje eksponenciale. Dëshira për protesta e papërmbajtshme. Opozita me kujdes po e menaxhon dhe me maturi po kanalizon këtë situatë shpërthyese.
Maxhoranca dhe opozita si asnjëherë, u bashkuan për të miratuar ligjin e dekriminalizimit. Ju jeni shprehur se, duhet largimi i Kryeministrit. A do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në 2016?
Rama është përgjegjësi kryesor, është ideatori, programuesi, realizuesi dhe përfituesi më i madh i kriminalizimit të PS-së dhe maxhorancës, ai është drejtuesi i maxhorancës së kriminalizuar, ai është Kryeministri i zgjedhur me votat e “krimit, oligarkisë, banditizmit e korrupsionit” (KOBK). Rama është konceptuesi dhe realizuesi i prurjes jo vetëm të individëve me rekorde kriminale në Kuvend dhe administratën publike, por edhe i oligarkëve, manjatëve të medias, pinjollëve të ish-nomeklaturës së lartë komuniste, të individëve pa formim, pa eksperiencë, pa kontribute, pa vlera, pa integritet, thënë ndryshe i shkatërrimit të shtëpisë së reformuar të socialistëve, të cilët tanimë ndjehen të braktisur, të abandanuar, të harruar dhe kjo ende nuk ka mbaruar. Ata ende nuk kanë parë gjë akoma! Rama mesa duket është betuar se do t’i kthejë socialistët si refugjatë që enden në shkretëtirë. Prandaj Rama e pengoi, frenoi, vonoi procesin e dekriminalizimit. Dhe ky proces ka shumë pak gjasa të kryhet me sukses për të thënë do të dështojë në implementim nëse Rama qëndron në krye të qeverisë dhe të PS-së. Dekriminalizimi do të mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse godet ideatorin e saj.
A do të përmbyllet gjithçka me dekriminalizimin?
Absolutisht jo. Dekriminalizimi është aspekti më i lehtë i çrrënjosjes së regjimit të OBKK, sepse individët me rekorde kriminale janë më të dukshmit dhe më të lehtë për t’u hequr, dhe që Rama i shet më lehtë nga të gjithë të tjerët, ndonëse edhe ata Rama përkohësisht po i fsheh, maskon, dublon me kukulla për të fituar kohë. Deoligarkizimi është procesi më i rëndësishëm, më i vështirë. Me Ramën në krye të qeverisë e të PS-së, nuk deoligarkizohet as PS, as maxhoranca, as administrata publike, as qeverisja. Është fat i madh që kjo gjë që kam thënë prej disa vitesh, së fundmi është kristal e qartë për shumicën e shqiptarëve, por edhe për ndërkombëtarët, të cilët në raportin e brendshëm të OSBE-së evidentonin qartas dhe jo pa qëllim pasurinë 200 milionë euro të Ramës, të fshehur në llogari off- shore. Kjo tregon se të gjitha kancelaritë e vendeve të NATO-s, BE-së dhe OSBE-së e kanë të qartë se në çfarë niveli është rrënjosur oligarkia në Shqipëri dhe cili është kryeoligarku. Unë ndjehem mirë që pas një angazhimi disa vjeçar kam arritur, përmes një ndriçimi të përditshëm, të vazhdueshëm e me konsekuencë, me fakte dhe në mënyrë racionale, t’i bëj të qartë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se drejtuesi i KOBK në Shqipëri është Edi Rama.
Po si do të bëhet realitet atëherë largimi i oligarkisë, siç ju i quani?
Momenti i largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë përmes rrugës së butë të “reformës veneciane” në drejtësi dhe/ose përballjes së oligarkisë me irritimin në rritje të qytetarëve është çështje kohe. Opozita, gjykoj, është e gatshme për të kryer misionin më të madh historik, pas atij të vitit 1991 për çrrënjosjen e oligarkisë. Në udhëkryqin mes oligarkisë dhe demokracisë perëndimore, qytetarët pa dallime partiake, kanë misionin të largojnë vendin nga drejtimi i oligarkisë. Dhe këtë proces do të duhet ta drejtojë jo thjesht opozita politike, por opozita antioligarkike, ku do të afrohen e grumbullohen gradualisht të gjithë qytetarët e pastër, të ndershëm, patriotë, pa dallime ideologjike, pa dallime partiake, pa dallime moshe, burra e gra, pa dallime profesionesh, pa dallime niveli arsimimi, nga çdo cep i vendit. Dhe objektivi kryesor është kryeoligarku.
A ka një strategji të qartë PD-ja, për zgjedhje të parakohshme, sepse deri tani duket sikur prisni vetëm një krizë mes PS dhe LSI?
Qytetarët e zhgënjyer dhe të irrituar çdo ditë e më shumë, pa dallime partiake, të majtë e të djathtë, demokratë, socialistë, opozitarë e kundërshtarë, janë të gjithë të gatshëm të ballafaqohen masivisht dhe pa ndalim me “oligarkinë, banditizmin, krimin dhe korrupsionin”. Një pjesë e madhe pa shpresë janë kthyer në azilkërkues në vendet e BE; kurse pjesa tjetër, akoma më e madhe shprehet e gatshme çdo ditë për të çrrënjosur KOBK, që i kanë lënë pa punë, po i varfëron, po i fut në burg, po i irriton me mashtrime e gënjeshtra, po i tmerron me shifrat e vjedhjeve të aseteve publike. Ky është objektivi i tyre. Kjo është strategjia e tyre. Ky është programi i tyre. Opozita ka përgatitur kalendarin e veprimeve. Pastrimi i oligarkisë është objektivi, zgjedhjet e parakohshme do të ishin vetëm një stacion drejt këtij objektivi.
Pak muaj më parë keni theksuar se dekriminalizimi duhet të mbështetet në katër pika, dy prej tyre janë: Delegjitimi i maxhorancës oligarke me 3/5 dhe hetime për rastet, kur deputetë apo pjesë e administratës publike kanë lidhje me krimin. Raste janë dhënë, kur do të largohen nga postet e tyre publike?
Kam deklaruar se rruga e vështirë dhe komplekse, por e pashmangshme e "de-oligarkizimit" të politikës shqiptare do të kalojë përmes tri fazash: 1) Faza e parë dhe më e lehta është ajo e "dekriminalizimit" ose thënë ndryshe e largimit të individëve me rekorde kriminale; 2) faza e dytë është ajo e largimit të biznesmenëve dhe/ose manjatave të medias oligarkike, me pasuri të dyshimta, të krijuara në bashkëpunim e në bashkë aksione me politikanët oligarkë; 3) faza e tretë është ajo e largimit të politikanëve oligarkë, kjo do të ishte edhe faza më e vështirë. Natyrisht që, mund të ketë edhe ndërthurje midis këtyre fazave. Rama i ndërgjegjshëm për vendosmërinë e partnerëve ndërkombëtarë po përpiqet t’i vonojë këto faza.
Po lidhur me deligjitim të maxhorancës çfarë keni parasysh?
Përsa i përket deligjitimit të maxhorancës së cilësuar me 3/5 mund të them se, ajo është rrjedhojë logjike e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. Çfarë do të thotë kjo? Nëse një numër i caktuar deputetësh të maxhorancës do të largohen si individë me rekorde kriminale, ata individë që kanë kontribuar në fitoren e zgjedhjeve në 2013, në sigurimin e 83 mandateve, duke blerë dhe vjedhur votat, atëherë është logjike që kjo maxhorancë të mos jetë më legjitime përderisa këta individë që sollën fitoren të largohen nga Kuvendi. Hapi tjetër logjik është se një qeveri dhe kryeministër të miratuar nga një maxhorancë jo legjitime janë jo legjitimë dhe nuk mundet as moralisht dhe as të drejtojnë vendin me legjitimitet. Kjo është arsyeja përse opozita mbështet kërkesën e qytetarëve për zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që Rama dhe klientela e tij nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga fitimi i zgjedhjes përmes përdorimit të oligarkëve, individëve me rekorde kriminale, manjatëve të medias klienteliste. Mendoj se, Rama është i lidhur pazgjishmërisht me KOBK dhe besoj se çrrënjosja e tyre e plotë dhe pastrimi i tyre i thellë nuk do të mund të arrihet pa largimin e Ramës.
Tre protesta gjatë këtij muaji, do të vijojnë dhe në 2016-n, që në ditët e para. A është bërë ndonjë analizë e brendshme për ecurinë e protestave dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve? Çfarë do të ndodhë në janar?
Sigurisht Basha dhe drejtuesit e lartë të PD-së e kanë bërë këtë analizë dhe kanë hartuar kalendarin e veprimeve të ardhshme. Gjithçka do të bëhet publike në momentin adekuat.
Është folur nga PD për “arrestim të qytetarëve nga zyrtarë të korruptuar” në janar. Çfarë nënkupton kjo nismë?
Nuk më lejohet të zbuloj më shumë se çfarë është thënë.
"Lokomotiva veneciane" dhe "shoferi amerikan" siç ju jeni shprehur do ta realizojnë reformimin e gjyqësorit? Çfarë fati pritet të ketë Reforma në Drejtësi, a shihni një dritë jeshile?
Fillimisht duhet të deklaroj se opozita është në mbështetje të plotë të “reformës veneciane” të drejtësisë. Reformën nuk mund ta drejtojë as Rama dhe as maxhoranca e inkriminuar, pra e delegjitimuar. Reforma veneciane me mbikëqyrje amerikane do të mund të miratohet dhe duhet të miratohet nga deputet të pastër të Kuvendit, ata që nuk kanë as rekorde kriminale, që nuk janë as të korruptuar, as manjatë të medias, as biznesmenë me pasuri të dyshimta dhe të implikuar në tendera apo koncensione të pasurive apo shërbimeve publike. Mendoj se tre janë mundësitë teorike lidhur me miratimin e “reformës veneciane” të drejtësisë: 1)Të vonohet e të mos miratohet reforma e drejtësisë, nga Rama ose maxhoranca; 2)të miratohet me hir ose me pahir “reforma veneciane” me mbikëqyrje amerikane që do të kthehej më pas në mekanizëm goditës për vetë KOBK dhe 3) të bllokohet fillimisht “reforma veneciane”, e më tej qytetarët e irrituar do të detyroheshin të përballeshin me “oligarkinë, krimin e korrupsionin” duke çuar në një “qeveri teknike” që detyrimisht do të miratonte njëkohësisht “reformën veneciane”, reformën zgjedhore dhe do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme. Kam përshtypjen se zgjidhja normale do të ishte zgjidhja e dytë, por nëse ajo dështon atëherë mbetet reale mundësia e fundit, që është një kombinim i opsionit të dytë me të tretin.
Ambasadorët e huaj, gjithnjë e më shumë po paraqesin rekomandime dhe raporte për ecurinë e politikës, a janë ata mjaft të pushtetshëm për të çuar në fund detyrën e caktuar? A flasin ata hapur?
Ambasadori amerikan ka folur shumë hapur; mesa duket ai ka një mision po të kemi parasysh çfarë ka thënë John Kerry në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih në 1 shkurt 2014. Shqipëri konsiderohet një vend, ku interesat amerikane janë relativisht të larta dhe është e patolerueshme që Shqipëria, anëtare e NATO dhe kandidate për BE, të kishte fatin e Ukrainës, prandaj do të pastrohet në themel ‘oligarkia, banditizmi, krimi dhe korrupsioni”. Unë shpresoj që ky operacion të jetë si asnjëherë tjetër dhe besoj se do të jetë ashtu siç askush nuk e mendon e imagjinon sot. Komisioni i Venecias ka bërë një punë të shkëlqyer. Tani radhën e ka parlamenti shqiptar, ose më saktë deputetët e pastër të Parlamentit shqiptar, sepse ata të korruptuar, me rekorde kriminale, manjatët e medias klienteliste dihet se çfarë do të bëjnë dhe tashmë janë të përfshirë në “listën e zezë” të kundërshtarëve të reformës veneciane të drejtësisë. Nëse deputetët e pastër do të bëjnë detyrën e tyre dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimit të drejtuesit të oligarkisë, largimi i ‘oligarkisë, banditizmit, krimit dhe korrupsionit” do të futej në “rrugën e butë” të çrrënjosjes. Përndryshe, për fatin e keq do të kalohej në opsionin e përballjes së “oligarkisë, krimit, banditizmit, korrupsionit” me qytetarët e irrituar që do të fillojnë të japin sinjalet e para antioligarki me veprimet e tyre simbolike në rrugët e kafenetë e qyteteve, në restorantet dhe mjedise të tjera publike.
Në 2007-n, keni qenë bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar "Për Reformën Zgjedhore", do të reformohet përsëri procesi i zgjedhjeve, nëse po, cila është rruga e duhur?
Reforma për reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR do të mund të realizohej pa asnjë problem. Për sa i përket çështjes së ndryshimit të sistemit zgjedhor nuk mund të hedhë fall, po pres çfarë do të thonë PS e LSI. Personalisht e kam një gjykim për këtë çështje, por do ta bëj publike në momentin e duhur. Kam një dyshim që nga ana e disa segmenteve të maxhorancës ka tentativa, për shkak të mosbesimit dhe problemeve të thella të brendshme, për të bashkuar të dy reformat, të drejtësisë dhe atë zgjedhore, gjë që do të rriste shanset e dështimit të reformës së drejtësisë, sidomos në rastin kur do të rritej dyshimi te këto segmente se Rama po tenton kapjen politike të sistemit të drejtësisë përmes neglizhimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.