Kejdi Mehmetaj: Një ligj që hap dyert e institucioneve

 

Deputetja e LSI-së, Kejda Mehmetaj flet për hartimin dhe risitë e projektligjit për vullnetarizmin

Kejdi Mehmetaj: Një ligj që hap dyert e institucioneve

Intervistoi: Sidorela Lepri

Dy ditë më parë grupi parlamentar i LSI-së ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për vullnetarzimin. Deputetja e qarkut të Tiranës, Kejdi Mehmetaj tregon se ideja për këtë ligj ka nisur përpara fushatës. “Pas konsultimeve me ekspertë vendosëm të krijonim një strategji për vullnetarizmin, mbështetur në një kuadër ligjor.”, rrëfen deputetja.
Kur ka nisur puna për hartimin e ligjit? Si erdhi dhe u konsolidua ideja për propozimin e tij? Përse ligji i vullnetarizmit është i nevojshëm në shoqërinë tonë?
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kejdi i jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve si edhe shpreson që të gjitha diskutimet për këtë ligj të jenë pozitive.
Më tej, në rrëfimin e saj deputetja më e re e kuvendit tregon për eksperiencën e saj në politikë dhe këshillon të rinjtë të mos heqin dorë nga edukimi.

Dy ditë më grupi parlamentar i LSI-së ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për vullnetarizmin. Si erdhi dhe u konsolidua kjo ide?

Në fakt ideja ka lindur përpara fushatës, ndërkohë që ne ishim duke bërë konsultime me të rinjtë për të hartuar programin tonë rinor, që do të ishte edhe propozimi ynë për zgjedhjet e 2013-ës. Në kërkesat e të rinjve kërkohej njohja e vullnetarizmit dhe më pas nxitja e tij. Pas konsultimeve me ekspertë vendosëm të krijonim një strategji për vullnetarizmin, mbështetur në një kuadër ligjor. Kështu pas zgjedhjve të 2013-rës, ku LSI-ja është pjesë e koalicionit fitues, ne filluam punën që të hartonim ligjin, strategjinë dhe paketën e plotë që do vinte bashkë me ligjin.
Puna është zhvilluar në disa faza. Kemi nisur me kërkimet, me pas me konsultimet me institucionet, organizatat dhe të aktorët që lidhen me këtë çështje. Nuk ka qenë e thjeshtë dhe ka marrë goxha kohë. Kjo për shkak të modeleve dhe varianteve të vendeve të ndryshmë që kemi patur dhe duhet të përzgjdhnim midis tyre modelin më të mirë që do ti përshtatej Shqipërisë, bazuar edhe në kërkesat e grupeve të interesit dhe atë çfarë shteti ynë mund të realizonte me kapacitetet e tij. Dua të theksoj se i gjithë ky ligj është bërë nga të rinjtë dhe të rejat e LSI-së. Kemi qenë një grup prej 35 vetash që kemi ndarë detyrat me njëri-tjetrin. Kjo është një formë, ndër të tjera për të treguar që të rinjtë kanë mundësi për të bërë gjëra të vlefshme për të ardhmen.

Ky ligj ishte një premtim elektoral gjatë fushatës nga ana e LSI dhe që tani po konkretizohet?

Po. Ky ka qenë një premtim i dhënë në 2013-tën. Ne kemi nxjerrë programin tonë rinor dhe politik dhe ky ka qenë qenë pjesë e të dyjave. Kemi marrë përsipër disa gjëra dhe  po shtyjmë përpara në realizimin e tyre.

Kur ka nisur puna për hartimin e ligjit?

Puna ka nisur në shkurt të vitit 2014-të. Muajtë e parë kanë qenë kryesisht faza kërkimore. Këtu kuptuam mangësitë dhe nevojën e një ligji të tillë. Ne kërkonim një bazë të dhënash apo një regjistër vullnetarësh dhe ishte e pamundur ti gjeje. Pastaj kur kaluam në fazën e konsultimeve ishin dy gjetje, të cilat na shtynë edhe më shumë të punonim.
Duke mos patur një kuadër ligjor edhe institucionet ishin të “trembura” të hapnin dyert për vullnetarët, sepse quhej si një shkelje e privatësisë së institucionit. E dyta, vullnetarët nuk dinin ku të drejtoheshin për të kryer punë vullnetare. Problemet lidhur me këtë çështje kanë qenë të shumta, si nga vullnetarët, po ashtu edhe nga vetë institucionet.
Ky ligj konceptohet më shumë për të rinjtë, sepse janë pikërisht ata që e kërkojnë më shumë. Por ka edhe kategori të tjera të shoqërisë që janë të interesuara për këtë ligj.

Është diskutuar ligji me grupet e interesit dhe ka patur një “po” unanime nga ana e tyre?

Po, ka qenë një “po” unanime e fortë për të patur më shumë sesa një ligj, një politikë dedikuar vullnetarizmit që nis me një strategji, ligj, me një zyrë për shërbimet vullnetare dhe më pas me iniciativa të ndryshme për të nxitur vullnetarizmin. Çdo ligj që hartohet has diskutime. Ne jemi përpjekur të kontaktojmë çdo aktor të lidhur me këtë fushë. Presim edhe sugjerime nga ato grupe, me të cilat ndoshta nuk kemi arritur të komunikojmë për një arsye apo tjetër.
Kemi pasur një bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të fushës për hartimin e një politike për vullnetarizmin dhe jo thjesht të një ligji. Si BE apo ashtu edhe You-En kanë direktiva për hartimin e një kuadri ligjor të të gjithave vendeve që janë pjesë e tyre apo duan të jenë.
Vullnetarizmi në vetvete ka një sërë përfitimesh, të cilat do të mund ti sqarojmë edhe në vazhdim.

Përafërsisht, kur do të diskutohet ligji në parlament?

Këtë nuk mund ta them me siguri, pasi këto janë edhe procedura parlamentare. Deri në momentin që ligji të futet në kalendar, ne do të vazhdojmë konsultimet publike. Fakti që u lançua si nismë edhe në media, na bën edhe më afër kategorive që ne nuk kemi arritur t’i konktaktojmë më herët. Interesi i shfaqur ka qenë i madh. Ligji do të vazhdojë diskutimin edhe në komisione, ku do të marrim idetë e të gjitha palëve të interesuara.

A besoni se do të has në kundërshtime ligji dhe përse është i nevojshëm miratimi i tij?

Shpresoj që të gjitha diskutimet për këtë ligj të jenë pozitive. Ky është një ligj që në thelb të tij nuk krijon ndasi për çështje bindjesh dhe është në shërbim të qyterarëve. Ndihmon vullnetarin që të ketë mundësi të hap dyert e karrierës së tij dhe bën qytetarët të përgjegjshëm. I shërben komunitetit në vetvete. Përpos kësaj ka përfitim ekonomik, sepse puna e vullnetarit ndikon drejtëpërdrejt në GDP-në. Puna që bëjnë vullnetarët krahasohet me punën që bëjnë të punësuarit, sidomos në sektorin publik. Ky ligj ka një rëndësi shumë të madhe për shoqërinë civile dhe veçanërisht për atë pjesë të shoqërisë që futen tek grupet e marxhinalizuara apo shtresat në nevojë, pasi është momenti t’i kthejmë sytë nga ata.

Jeni deputetja më e rë në moshë në Kuvendin e Shqipërisë. A mendoni se ka të rinj që mund të na përfaqësojnë denjësisht në jetën parlamentare?

Jam e bindur se po. Po të flas në aspektin personal, ka qenë diçka ndryshe ajo që unë prisja, nga ajo çfarë gjeta. Politika në Shqipëri është shumë e ngurtë dhe institucionalizuar. Ndonjëherë të duhet edhe të trokasësh në shumë dyer që nuk është nevoja dhe kjo e bën paksa të vështirë. Mendoj që ka shumë gjëra që duhet të ndryshojmë në komunikimin tonë politik dhe të fokusohemi tek ajo çfarë qytetarët duan të dëgjojmë dhe jo të flasim për njëri-tjetrin. Politika nuk është Kejdi kundër dikujt tjetër, por çfarë bëjmë ne për qyterarët. Sa i takon përfaqësimit të të rinjve, jam e bindur që ka shumë hapësira. Ne, si LSI kemi 80 të rinj të zgjedhur këshilltarë në rang vendi.

E shihni veten në parlamentin e ardhshëm?

Pyetje e vështirë. Jam shumë e fokusuar për të bërë punë të mira. Në shumë raste kam hasur në pengesa që më kanë bërë të mendoj sesi do të ia dal mbanë. Por falë mbështetjes edhe pasionit ia kam dalur. Punoj çdo ditë me të rinjtë, për problemet e tyre dhe do vazhdoj të punoj. Është e vështirë të parashikosh politikën në Shqipëri, por po e shoh veten në politikë. Ndoshta jo në parlament, por si pjesë e politikës po.

Është përfolur shumë për raportet midis koalicionit PS-LSI. Keni një koment për këtë?

Qëndrimi i LSI-së dhe PS-së përsa i takon koalicionit ka qenë i qartë. Ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe vendi ka nevojë për reforma imediate në shumë fusha. Është gjithmonë e rëndësishme të ketë impulse të reja.

Pra, marrëdhënia midis koalicionit vazhdon të jetë solide?

Patjetër. Nuk besoj se keni parë diçka ndryshe gjatë kësaj kohe.

Së fundmi, keni ndonjë mesazh për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të jenë pjesë e politikës dhe që ende nuk kanë gjetur dyert e duhura për të trokituar ose u janë mbyllur?

Së pari, mund të drejtohen kurdoherë pranë LSI-së, ku nuk do të gjejnë asnjë derë të mbyllur dhe këtë e kemi treguar me shembuj konkretë. Ka të rinj që e aspirojnë politikën, ka të rinj totalisht indiferentë ndaj saj dhe ka nga ata që nuk e suportojnë dot.
Por, ajo që dua të them është që edhe nëse ne nuk merremi me politikën, politika do të merret me ne. Dhe nësëene nuk kemi tregohemi aktiv kur duhet, nuk do të kemi çfarë të themi as ku gjërat bëhen në kurrizin tonë.
Kam bindjen që të jesh i zoti dhe të ia dalësh mbanë, duhet të jesh shumë i përgatitur. Mos hiqni asnjë moment dorë nga edukimi, pasi ky është çelësi i suksesit. 

SHKARKO APP