Keler Sufja: Muzika është “Frymëmarrje”
Intervista/ Flet për “Koha Jonë”, këngëtari Keler Sufja
Megjithësë emri i tij u bë më i njohur për publikun me anë të talent show-t “Voice of Albania”, kjo nuk ishte hera e parë që Keler këndonte. Ai është marrë prej vitesh me muzikë duke lëvruar më së shumti zhanrin Rap & RnB me grupin L.R.C.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Keleri tregon për karrierën e tij muzikore, duke qëndruar më këmbë në tokë, ashtu sikurse ai e thotë vetë. Më tej ai na rrëfen për kompeticionet muzikore në Shqipëri, planet e tij të ardhshme, dhe raportin që ka me muzikën, një raport të cilin ai e personifikon me frymëmarrjen…
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Keler, publiku të ka njohur fillimisht prej talent show-t “Voice of Albania”. Ndërkohë kjo nuk ishte hera e parë që ti këndoje. Ishte “Voice of Albania” çelësi për të hapur më pas shumë dyer të tjera?
Jam bërë i njohur nga The Voice of Abania, lë të themi për publikun e gjerë edhe pse unë jam marrë prej vitesh me muzikë duke lëvruar më së shumti zhanrin Rap & RnB me grupin L.R.C, por siç dihet spektakle të tillë me një audiencë të lartë të ndihmojnë jo pak për t’u ekspozuar më shumë le të themi edhe pse është në dorën apo meritën tënde për të rënë në sy apo për t’u shfaqur siç duhet apo sa për të kaluar radhën. Të jem i sinqertë, në fakt jo gjithmonë mjafton vetëm talenti për të rënë në sy të publikut. Duhet edhe diçka më shumë se ai ingredienti që e bën një ushqim më të shijshëm, duhet të jesh tërheqës në një mënyrë apo tjetër. Duhet të gjesh një rrugë tënden për të pasur vëmendjen e njerëzve e për të hyrë në zemrat e tyre dhe kjo është diçka që nuk ta mëson askush, por duhet të të vijë si diçka e brendshme e jotja. “Ingredient” që ndonjëherë kur jam në humor të mirë mendoj se e kam. Dua të them që patjetër një talent shoë si The Voice of Albania të hap shumë dyer, por nuk ti hap të gjitha dyert e mundshme, kështu që përgjatë kësaj kohe duhet ta ndihmosh veten për të hapur sa më shumë dyer të tjera, për të konsoliduar pozitën tënde e për te parë terrene të reja. Fatmirësisht nuk më janë hapur të gjitha dyert e mundshme akoma. Them kështu pasi unë e di mirë që sukseset e shpejta e të menjëhershme nuk të japin kohë ti shijosh e ti vlerësosh si duhet e për pasojë rrezikon ti humbasësh po me aq shpejtësi sa i ke fituar.
Tashmë ka kaluar kohë dhe emri yt është më i konsoliduar në muzikë. Je tërhequr disi kohët e fundit nga angazhimet muzikore?
Hm unë shpresoj vërtet që të jetë kështu edhe pse këmbët e mia të ngulura thellë në tokë nuk e besojnë edhe aq këtë gjë. Megjithatë është e vërtet që e kam ulur pak intensitetin e angazhimeve muzikore nëse me këtë gjë do të nënkuptojmë shfaqjet në për TV të ndryshme. E para sepse të angazhohesh me muzikë jo me domosdoshmërisht do të thotë ta shfaqesh atë në tv, dhe e dyta sepse nuk dua ta shoh asnjëherë muzikën si “detyrim”, çka do të thotë nëse në një moment publikoj 2-3 materiale e më pas duhet patjetër të qëndroj në atë linjë e të jem prezent gjithë kohën, sa më shumë të jetë e mundur. Kjo jo sepse nuk më pëlqen në thelb, nuk dua të jem hipokrit. Kjo është gjëja që dua më shumë në botë sa i takon pasion/profesionit. Por nuk dua ta kthej në diçka rutine, duke humbur keshtu magjinë që e rrethon gjithë këtë ndjesi. Dua ti njerr punët apo projektet e mia atëherë kur e ndjej dhe i pa ndikuar nga asnjë faktor i jashtëm. Dua të më mungojë ndjesia e shfaqjes, e prezantimit, pa të bëj diçka ta tillë. Pastaj publiku që më do di gjithmonë sesi të më gjeje, apo të komunikojë me mua, sikurse unë me to.
Të gjithëve na kujtohet pjesëmarrja jote tek “Kënga Magjike”, me këngën “Frymëmarrje”. Si do kujtoje atë eksperiencë?
Kjo është diçka e bukur. Do të thotë që kam lënë një përshtypje apo shije të mirë. Kjo është në thelb arsyeja se përse merrem me muzikë, e nuk e mohoj që më bën të ndihem mirë. Tani që e rikujtoj “Frymëmarje” në Kënga Magjike ka qenë me të vërtet një grimcë lumturie, nga ato ndjesitë që nuk bëjnë shumë zhurmë, por që me qetësinë e tyre ta mbushin shpirtin me lumturi. Pasi vjen nga një karrierë e kaluar në grup, duket sikur ke mësuar të ecësh për herë të parë, shto këtu që tesktin e këngës e kisha shkruar vetë çka e bënte situatën edhe më intime. Ishte njësoj sikur ti paraqisja publikut një copëz të shpirtit tim. Pastaj Kënga Magjike dhe e gjithë ajo periudhë mbështillet nga një situatë gati jo reale, ku një lumë ndjesish godasin përgjatë gjithë kohës qenien tënde. Emocioni, ankthi, dëshira, kaosi, bëjnë që mezi ta përballosh këtë periudhe. Jo më kot, kam idenë që spektakli ka emrin Kënga Magjike sepse diçka magjike dhe e pashpjegueshme me fjalë e mbështjell atë event.
Ke menduar të marrësh pjesë sërish në “Kënga Magjike”?
Patjetër që e kam menduar edhe vazhdoj e mendoj, por siç e thashë edhe pak më lart asnjëherë nuk do ulem të shkruaj apo të përgatis ndonjë material vetëm sepse e di që po vjen ky apo ai event. Por dua që nëse përgjate kohës mendoj se kam realizuar ndonjë projekt qe ia vlen ta ndaj me publikun edhe kjo kohë përkon njëkohësisht me ‘Kënga Magjike”, do jem i lumtur të kem mundësinë ta prezantoj në atë skenë dhe projekt gjigand dhe ambicioz sikurse “Kënga Magjike” është.
Po në Top-Fest?
E njëjta gjë vlen edhe për Top Fest në fakt edhe pse në optikën time janë mjaftueshmërisht të ndryshëm nga njëri-tjetri,ose të pakten unë kështu i shoh. Top Fest-in edhe kur nuk marr pjesë në të e shoh si “diçka” timen, pasi jam rritur aty artistikisht, pasi me grupin tim të vjetër L.R.C merrnim pjesë gati çdo vit. Për këtë Top Fest ka një vend të veçantë tek unë.
Për një arstist është e rëndësishme të identifikohet me një stil të tijin, dhe ti dallohesh për një stil të veçantë të kënduarit. Kjo është diçka e kultivuar me kohën?
Une besoj se po, sepse për një artist është absolutisht e nevojshme një fare periudhe kohe. Ndonjëherë edhe relativisht e gjatë. Fillimisht për të njohur veten, kapacitetin e tij muzikor apo artistik e më pas për ta zhvilluar atë në nivelin më të lartë të mundshëm. E ndonjëherë kjo gjë kërkon shumë kohë, një vesh të mirë muzikor, sy kritik ndaj vetes dhe kërkesë të lartë ndaj artistit që është brenda teje.
Ka ndonjë këngëtar që të frymëzon?
Në periudha të ndryshme kam ndikime të ndryshme muzikore, herë në mënyrë të gjerë nga një zhanër në tjetrin (veçanërisht ndikohem nga muzika britanike), e herë në pikëpamje më të ngushtë nga një artist në tjetrin. Ka plot që më kanë frymëzuar më herët e vazhdojnë ta bëjnë akoma, si psh Paolo Nutini apo Matt Corby, duke mos folur për muzikën e viteve 70` 80` 90’, që edhe pse koha kalon, janë gjithmonë aty prezent dhe frymëzues në të njëjtën kohë.
Cfarë është muzika për ty?
Muzika është ‘Frymëmarrje”, ai elementi kaq intim që ndonjëherë edhe mund të harrojmë që ndodhet aty por që është thelbësore për ekzistencën tonë. Kështu e shoh muzikën unë. Asnjëherë nuk kam arritur ta shoh jetën pa muzikën kështu që patjetër që këtë ndjesinë unike, formë të të shprehurit, apo gjendje permanente psikologjike e shpirtërore që quhet muzikë, ka vlera të njëjta me jetën për mua.
Këndon shpesh live në mos gabohem. Më shumë në vendlindjen tënde, Lezhën apo në Tiranë?
Për të qenë i sinqertë më shpesh këndoj live mbrëmjeve në Tiranë sesa në Lezhë. Kjo jo sepse nuk më duan në Lezhë, por siç e dimë të gjithë përveç Tiranës apo ndonjë vendi tjetër, në përgjithësi qyetet apo rrethet e tjera të Shqipërisë janë paksa të varfra sa i takon aktiviteteve muzikore apo atyre artistike. Dita e mirë duket që në mëngjes thonë, e duke parë këtë “mëngjes” nuk kam sesi të mos jem pesimist sa i takon të ardhmes. Supozohej në një të ardhme jo të largët t’u linim brezave të ardhshëm, fëmijëve tanë, një ambient, terren apo të ardhme më të mirë. E unë nuk jam më shumë i sigurtë në lidhje me këtë sepse besoj që mirëqenia e një populli kalon përmes artit e kulturës.
Kompeticionet muzikore që organizohen në Shqipëri, shoqërohen me doza të larta skepticizmi për mënyrën e vlerësimit. Beson në këto kompeticione?
Gjithmonë kështu ndodh në Shqipëri edhe kjo fatkeqësisht jo vetëm në muzikë, por në të gjitha fushat e ndryshme të cilat kanë ndikim në jetën apo mirëqenien e njerëzve. Ne jemi gjithmonë skeptik mbi gjithcka. Ndonjëherë edhe me të drejtë kjo për arsye sepse në të shkuarën sa i takon muzikës janë bërë shumë kompromise në kurriz të cilësisë dhe artit të mirëfilltë. Siç thotë dhe populli kur të djeg qumështi i fryen edhe kosit. Me këtë dua të them që njerëzit janë të gatshëm që të shohin kompromise e ndërhyrje ndonjëherë edhe aty ku nuk ka. Ndonjëherë edhe unë vetë e kam të vështirë të besoj megjithëse jam bërë i njohur për njerëzit nëpërmjet televizionit, edhe pse nuk kam pasur asnjë mbështetje apo referencë tek njerëzit që kanë akses në vendimarrje sa i takon kompeticioneve muzikore. Pra, edhe dikush që nuk e njeh asnjeri apo nuk ka support nga dikush i fuqishëm, prap mund t’ia dalë nëse ka besim,vullnet e talent. Thjeshtë do i duhet pak kohë më tepër nga sa nevojitet zakonisht.
Do të ketë së shpejti ndonjë këngë të re nga Keleri?
Besoj dhe uroj që po, edhe pse unë jam natyra e njeriut që sa herë bëj plane nuk më dalin. E kam nisur me kohë një projekt por jam në fazën e krijimtarisë së tekstit, ku nuk kënaqem me asgjë. Sapo shkruaj ca vargje i pëlqej aty për aty dhe më pas i shkarravis e ja nis nga fillimi. Megjithatë sapo ta kem projektin gati do mundohem të bëj pak zhurmë që të dëgjohem.