Kërpaçi: Çmontim i sistemit klientelist, po mban peng vendin duke mos luftuar krimin
Kryetarja e LRI-së, njëkohësisht deputete e LSI-së, Floida Kërpaçi në një intervistë për “Standard” foli rreth ngjarjeve të fundit, siç është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, mos hapja e negociatave, largimi në masë i të rinjve dhe politikat e arsimit. Përsa i përket ligjit për Tetarin, Kërpaçi tha shprehimisht se ai ligj është bërë enkas për realizimin e vjedhjes së shekullit në kurriz të popullit, e ndërkohë që bëri të qartë edhe njëherë qëndrimin e LSI-së apo edhe të të rinjve të kësaj partie që ajo drejton, që ka të bëjë pikërisht me mospajtimin me këtë ligj.
Pas miratimit të ligjit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, opozita, por edhe artistët vijojnë me qëndresën e tyre. A ka një plan konkret qëndrese? Përpos, ju si kryetare e të rinjve të LSI-së, cili është qëndrimi i të rinjve përballë kësaj situate?
Ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, është ligj për të realizuar vjedhjen e shekullit, në kurriz të pasurisë publike. I propozuar dhe i miratuar vetëm me votat e maxhorancës, u krijua që me ligj kryeministri të grabisi pronën publike e t’ja japi njerëzve të lidhur me të, që rilindja të mbushi xhepat në kurriz te shqiptareve, duke mos pasur problem as shkatërrimin e identitetit kombëtar. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme ndaj dhe qëndresa është shumë dimensionale, me një reagim të jashtëzakonshëm të qytetarëve, që e kuptojnë se çeshtja s’ka të bëjë me nevojen për një teatër të ri por me synimin për grabitjen e asaj prone publike në qendër të Tiranës.
Mund të them që për ne si LSI pozicionimi është shumë i qartë, jo vetëm për këtë rast por për çdo veprim tjetër që kjo qeveri ka ndërrmarë dhe ndërmerr në dëm të qytetarëve; ne do jemi gjithmonë përballë dhe do ketë kundërshtim të fortë deri në rikthimin e ligjshmërisë dhe normalitetit në vend. Me këtë qeveri anti shqiptare besoj ky është raporti që duhet të kenë jo vetëm forcat politike, por çdo qytetar. E vetmja rrugë për të shpëtuar vendin, rininë, të ardhmen e vendit është përballja me çdo formë e mjet për të ndaluar shkatërrimin e vendit, grabitjen e pasurisë publike, shkatërrimin e institucioneve dhe ndalimin e kontrollit që krimi ka në politikat shtetërore.
Krahas papunësisë, varfërisë, shëndetësisë pa standarte e arsimit pa dije, rilindja e ka kthyer Shqipërinë në të vetmin vend në botë që s’ka gjykatë të lartë, s’ka gjykatë kushtetuese, nuk ka rend kushtetues e ligjor dhe ne të gjithë duhet ta ndalojmë me çdo mjet rrëshkitjen e vendit drejt një sistemi diktatorial, sepse njerezit tanë meritojnë të ardhmen Evropiane jo një jetë si në mesjetë, pa drejtësi, pa ekonomi, pa asnjë lloj standarti.
Dhe për këtë duhet rrëzuar ky sistem e këta njerëz që e mbajnë në këmbë. Nevoja më e parë është çmontimi i këtij sistemi qeveritar që duke mos luftuar krimin e korrupsionin, duke punuar per interesat personal dhe jo ato të qytetarëve të thjeshtë po mban peng vendin.
Negociatat për aspirim në BE nuk u hapën. Gjë që tregon një mbyllje dyersh për vendin tonë. Cili është mendimi juaj lidhur me situatën e krijuar dhe cilat janë arsyet që i dërguan vendet anëtare drejt një vendimi të tillë?
BE i mbylli dyert Shqipërisë sepse qeveria shqiptare është e fokusuar te përfitimet personale e jo të rritja e standarteve të demokracisë në vend. Nuk është fokusuar për rritjen mirëqenies së qytetarëve, për rritjen e ekonomisë apo për të bërë reforma reale që i shërbejnë qytetarëve. Papërgjegjshmëria, lidhjet e qeverisë me krimin, dështimi i saj në reformën në drejtësi dhe tentativat e rilindjes për ta kapur drejtesinë, ndikuan që BE të mos hapte negociatat.
Nëse lexoni raportin e Këshillit dhe gjuhën e përdorur, do shikoni se është një raport me këmbë në tokë, qe tregon realitetin, flet me gjuhën e opozitës dhe ka trajtuar me qartësi të gjitha problemet për të cilat opozita ka muaj që kërkon reflektim nga ana e qeverisë. E rëndësishme është cfarë do të ndodhi më pas, sepse vazhdimi nën këtë regjim të një narkoshteti nuk sjell asnjë të ardhme pozitive për vendin, aq më pak te ardhme evropiane.
Nevojë kombëtare mbetet çmontimi i sistemit kriminal që sot drejton vendin, rikthimi i rendit kushtetues dhe fuqizimi i demokracisë. Kjo është shpresa e vetme për të ardhmen në Shqipëri. Dhe kjo duhet arritur me çdo formë e mjet. Në të kundërt mbetet largimi nga ky vend. Por unë si e re, besoj fort se të gjithë duhet të mbledhim forcat dhe të rimarrim mbrapsht vendin tonë! Duhet të iki Edi Rama dhe të shkatërrohet sistemi i tij në vend që të largohen shqiptaret e të shkatërrohen jetët tona.
Përtej këtyre, le të ndalemi pak të maturantët e këtij viti. Para pak kohësh dolën statistika se 60 mijë maturantë kanë aplikuar për studime jashtë, mënyrë kjo, për t’u larguar nga Shqipëria. Si shihen nga ju fenomene të tilla dhe pse ndodhin?
Është e dhimbshme të shohësh si të rinjtë duan vetëm të largohen nga vendi. Krahas të rinjve, Shqipërisë po i ikin mjekët, mesuësit, inxhinierët e të gjithë njerëzit e shtresës së mesme. Ajo që ne fakt eshte shtylla kurrizore që mban shoqërinë në këmbë. Ikin sepse nuk shohin se gjërat do bëhen më mirë, sepse nuk kanë shpresë, dhe ndjejnë që me këtë qeveri antikombëtare vendi po shkon pa drejtim, në funksion të një grushti njerëzish, duke varfëruar dhe çuar qytetarët në mjerim. Sot shpresa e një të riu është puna në Call Center, pavarësisht se ka mbaruar me ekselenc apo jo, masterave dhe doktoraturave, e ardhmja është e pashpresë dhe fakt është që e vetmja mundësi është puna në një call center. Situatë alarmante, dhe për këtë mbështetem edhe te Indeksi i Progresit Rinor 2018, i cili e vendos Shqipërinë në vendin e parafundit në rajon.
Në këtë raport shprehet qartazi, mungesa e shpresës së të rinjve, largimin e të rinjve të vendit dhe tregon se jemi vendi që ofron më pak mirëqenie për të rinjtë, duke drejtuar sytë larg Shqipërisë. Këtu çdo i ri, ka modelin sesi respektohet ai që merret me aktivitete të jashtëligjshme, nuk ka drejtësi, ska barazi apo shanse për të pasur një jetë të ngjashme me atë të bashkëmoshatarëve te tyre në vendet e afërta të Bashkimit Evropian, apo perëndimit më të largët. Ndaj hapi i parë në rikthimin e shpreses dhe të normalitetit në vend është çmontimi i kësaj qeverie të krimit dhe implementimi i një strategjie që vendos qytetarin të parin. Ku shteti vepron për interesin qytetar, jo interesin personal. Kur të arrihet kjo, do shikoni se jo vetëm do ulet numri i njerëzve që ikin por do ketë shumë që do kthehen.
Si një parti e të rinjve, LSI ka qenë gjithmonë e fokusuar te të rinjtë me besimin se të rinjtë janë e ardhmja e vendit . Shqipëria jonë modeste ka shumë potenciale të cilat mund ta kthejnë në një vend të prosperitetit ku njerezit mund të jetojnë të lumtur dhe në mirëqenie. Ndaj dhe vazhdoj e përsëris se nevoja më e parë është çmontimi i këtij sistemi qeveritar që duke mos luftuar krimin e korrupsionin, duke punuar per interesat personal dhe jo ato të qytetarëve të thjeshtë po mban peng vendin. /Standard.al/