Këshilltari i Ramës, mesazhe për zgjedhje të parakohëshme LSI-së
Fate Velaj, këshilltari i Kryeministrit Edi Rama deklaron se koalicioni PS-LSI ka bërë një marrëveshje 4 vjeçare të cilës duhet t’i qëndrojë deri në fund dhe të presë zgjedhjet e 2017-ës për t’u votuar nga populli.
Në një intervistë për DITA, Velaj thotë se qeveria ka ndërmarrë disa reforma të cilat kanë pasur kosto si për popullatën, ashtu dhe vetë atë.
Nëse do të duhet që këto reforma të vazhdojnë, sipas Velaj, duhen lënë hamendësirat nëse ia vlen apo jo qëndrimi bashkë. Nëse jo, këshilltari i Kryeministrit shprehet se atëherë duhen të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Më poshtë, intervista e z.Velaj, për gazetarin Erion Habilaj në DITA
Z.Velaj, ju sapo jeni kthyer nga një tjetër vizitë në Gjermani ku shoqëruat kryeministrin. Çfarë mendimi keni ju për vizita të tilla dhe a nuk ju duken disi më të shpeshta nga sa duhet për staturën e një kreu qeverie këto vizita?
Kryeministri ishte i ftuar nga Volker Bouffier, Kryeministër i landit të Hessen si dhe u takua me z. Kartmann, President i Parlamentit të këtij landi. Pra, vizita ishte zyrtare. Duhet të dini se landi i Hessen-it apo Groß-Hessen është një republikë parlamentare e ndërthurur brenda Bundes Republik Deutschland (Gjermanisë) që ka një kushtetutë të saj dhe ekonomikisht, një nga land-et më të pasura të Gjermanisë dhe me një popullsi prej gati 6 milion banorë. D.m.th, dy herë më e madhe se Shqipëria. Tjetër fakt është se ky land drejtohet nga CDU, pra, nga partia që drejtohet nga kancelarja Angela Merkel dhe kjo për mendimin tim, është një fakt kokëfortë që tregon se Edi Rama është i mirëpritur jo vetëm nëpër kancelaritë e majta evropiane, por edhe në ato të djathta dhe këto takime të tij janë ftesa të mirëfillta nga forca politike që nuk janë pranë “lejla-së” apo “mavi-së” siç mundohen ta quajnë këtë ngjyrë.
Ju duhet të dini se sot nuk të fton njeri për t’u matur nga gjatësia trupore, por nga gjatësia e valëve të mendimeve dhe në këtë rast ato të “ideve Europa” që tek gjermanët janë më të forta se kushdo vend tjetër mbasi kjo lidhet dhe me historinë e tyre të këtyre 100 viteve të fundit.
Sa për atë që lëvizjet e Edi Ramës janë të shpeshta, unë ndjehem mirë kur ftesat e vizitave vijnë nga Gjermania dhe mbas asaj që u krye përpara dy muajve në Bayern, i ftuar nga Horst Seehofer (CSU)- kryeministri i këtij landi autonom brenda BRD (Bundes Republik Deutschland), edhe ky jo “mavi”, tregon se në koalicionin partiak CDU-CSU, Edi Rama është i mirëpritur, jo nëpër takime kolektive, por i ftuar qëllimisht si partner për një rrugë të gjatë.
Vizita të shumta dhe Shqipëria është sot këtu, në këtë gjendje…
Çfarë prisni ju? Që vajtja të bëhet me një aeroplan dhe kthimi me dy? Njëri me delegacionin dhe tjetri plot me para? Po pse ishte e nevojshme atëherë vajtja? Ata shumë mirë mund ta merrnin në telefon dhe t’i thoshin: “Edi, dërgo dikë të marrë atë thesin me para që kemi lënë te dezhurni, sa hyn në krah të djathtë te dera e kancelarisë”. Marrëdhëniet midis shteteve janë marrëdhënie midis leader-ve. Në fillim ndizet zjarri pastaj ngrohet dhoma, apo jo? E pra, që të ndizet zjarri duhen dy duar…
Pra, nuk mund të kërkosh para dhe ndihmë pa u njohur, pa të dëgjuar dhe vlerësuar. Europa të pret sipas pamjes dhe të përcjell sipas mendjes. Në fushën e madhe të lojës europiane, hyrja mund të jetë dhe rastësi, por të qëndrosh brenda fushës për një kohë të gjatë është zotësi dhe për ta mbajtur këtë status duhet punë e madhe dhe bindje e thellë për ty, te ata, europianët. Unë njoh shumë politikanë shqiptarë deri në ish-presidentë që për sa kohë janë në poste qeveritare interpretojnë role sikur janë ata që ftohen kancelarive europiane e jo posti që ata përfaqësojnë dhe, mbasi largohen nga ai post, nuk ju flet më gjitoni me gojë e jo t’u vijnë më ftesa e t’u përfillet emri.
Z.Velaj, ju postuat disa foto nga ajo vizitë në të cilat ishin dhe disa pamje nga qytetet ku ju ishit me kryeministrin. Në disa media u shkrua për fjetjen në një hotel luksoz. Pse duhet të akomodoheshit në një hotel të tillë në një kohë që gjendja ekonomike e Shqipërisë është jo e mirë?
E para, kryeministri nuk fjeti atë natë në Frankfurt, por u kthye brenda ditës. Pra, ne mbërritëm në orën 14.30 dhe ai ndenji sa mbaruan takimet dhe u kthye. Kjo do të thotë se ai lajm ishte i gënjeshtërt. E dyta, çfarë doni ju, që kryeministri sa herë del jashtë të kërkojë hotele të tipit “Pik Loti” si ai qe është te shkolla e baletit në Tiranë apo si ato që janë në autostradën Tiranë-Durrës, si Ljubjana, Nevada apo Eifel?
Këtu doni ta akomodoni shtetin? Po kur gazetarët e Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe mediave te tjera të venë për intervista, ku të hyjnë? Mjaft!
Unë vendos çdo ditë foto dhe nuk e vras mendjen se kush qëndron pas facebook-ut tim për spiunazh. As që e kam vrarë ndonjëherë mendjen për këtë. Isha në Frankfurt dhe vendosa disa foto të qytetit që i gjeta në internet. Mos duhet të kisha pyetur gazetarët nëse ma lejonin apo nëse ma toleronin këtë apo jo?
Pse nuk shkruajnë ata që Edi Rama udhëtoi për Frankfurt në “economy class” dhe jo në business? Apo s’ju duhet kjo? Nuk bën lajm një gjë e tillë që kryeministri ulet në sedilje me pasagjerët e tjerë pa dallim se kush do i bjerë në krah.
Cila qe tema e bisedave të kryeministrit në Frankfurt?
Në Frankfurt dhe Wiesbaden, Edi Rama prezantoi zhvillimet e fundit në Shqipëri. Qofshin ato në rrafshin politik si dhe ato ekonomik. Zgjoi interes te të pranishmit dhe i ftoi ata të vijnë në Shqipëri me delegacione ekonomike për të parë nga afër të gjitha ato që ai ju tha.
Aty mu desh dhe mua të ndërhyja, ku si njohës i mirë i kulturës gjermane dhe një person që ka bashkëjetuar me atë kulturë dhe ka përfituar veçanërisht prej saj, i bëra kërkesën që lidhjet kulturore midis dy vendeve të thellohen duke shkëmbyer idetë dhe praktikat më të mira në kuadër të pluralizmit kulturor europian duke sjellë në Shqipëri artistë e kulturë prodhues nga landi i Hessen dhe duke çuar atje artistët shqiptarë, gjë që gjeti rezonancë tek ta.
Mesa lexuam të nesërmen ishte dhe një paraqitje e Shqipërisë në Deutsche Bank. Mund të na thoni diçka kush e organizoi dhe kush mori pjesë në atë takim?
Në dt. 13 nëntor, në “Deutsche Bank” në Frankfurt, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla si dhe nga Ines Mucostepa-kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga Genti Beqiri, drejtor i AIDA, bëri një prezantim të gjendjes se në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare dhe mundësitë që ofron për investime të huaja dhe ato gjermane në veçanti.
Në një drekë pune ku të ftuar ishin përfaqësues të lartë të këtij institucioni shumë të rëndësishëm financiar botëror, ministri Ahmetaj iu përgjigj edhe interesit të përfaqësuesve të firmave gjermane të cilët kishin pranuar ftesën e “Deutsche Bank” dhe kishin ardhur të interesoheshin mbi ekspansionin e tyre ekonomik.
Në këtë takim mora dhe unë fjalën ku ndër të tjera thashë se: “filozofia e Deutsche Bank është që të angazhohet në jetën kulturore në ato vende në të cilat dhe ka investuar… mbasi arti është krijimtari dhe krijimtaria është burimi i inovacionit, përparimit dhe mirëqenies së njerëzve”. Unë jam i mendimit se vrimat e shumta që gjenden në ekonominë shqiptare nuk mund të mbyllen në një kohë afatshkurtër mbasi shumë prej tyre janë krijuar prej kohësh dhe tashmë janë të thella dhe jo sipërfaqësore, por ajo që ju duhet të bëni, e cila për mendimin tim është shumë e rëndësishme, është ajo që, përpara se të mbyllni vrimat e ekonomisë, duhet të mendoni të mbyllni vrimat në shpirtrat e njerëzve dhe popullatës dhe këtu unë jam i mendimit dhe më shumë se i bindur se do të jepni një ndihmesë të madhe.
Ju duhet ta vini kusht dhe ta sanksiononi që, aty ku jepni kredi apo kur nxisni investime në Shqipëri, duhet me patjetër që 1% e asaj shume që do kreditohet apo do të investohet të derdhet në liqenin e madh të kulturës. Unë gëzova shumë kur në koleksionin e artit që ju keni pashë dy miq të mitë siç janë Anri Sala dhe Adrian Paci, por ju duhet të dini se si ata, ndoshta jo në dimensionet e tyre, ka me dhjetëra në Shqipëri të cilët nuk kanë mundësinë financiare të nxjerrin hundën për frymëmarrje nga uji i liqenit dhe kështu nuk munden të realizojnë veprat e tyre artistiko-kulturore e letrare që siç shkruante në katalog ish-presidenti i Deutsche Bank, Josef Ackermann, janë burim krijimtarie dhe mirëqenieje.
Nëse ju, në një investim apo kredi do të vendosni kushtin që 1% të derdhet në liqenin e artit e kulturës do të bëni të mundur që ata të dalin sipër ujit dhe kështu do realizojnë vepra të cilat do ju shërbejnë komunitetit dhe ne këtë kontekst, ata do të fillojnë të mendojnë se dhe aty ku janë do të ketë një të ardhme përpara se të mendojnë të marrin rrugën për të ardhur këtu tek ju, në Gjermani. Ju duhet të bëni atë që thoshte dhe i famshmi perandor i Austro-Hungarisë, Franz Josef: “Unë ju jap kënaqësinë, ju më jepni qetësinë”.
Gjate drekës së punës, pata mundësinë të takohesha me një të njohur të vjetër të cilin e kisha takuar më parë në Vjenë gjatë debateve mbi të ardhmen e unionit.
Ky ishte Dirk Niebel, ish-ministër i Ekonomisë në kabinetin Merkel II (2009-2013) i cili tashmë është drejtues i zhvillimeve strategjike internacionale dhe marrëdhënieve midis qeverive si dhe lobbyist të cilin e ftova të bëjë një vizitë në Vlore ku të njihet me gjendjen e qytetit dhe të mbajë një referat në universitetin “Ismail Qemali”, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Nuk hapi ekspozitë tjetër Rama në Frankfurt?
Ju thashë që ne erdhëm në orën 14.30 dhe ai u largua në orën 20.30. Pastaj dhe të hapte nuk dëmtonte njeri përveç se do bënte një reklamë të mirë të vendit. Mbaj mend që në mbyllje të takimit me kryeministrin Hessen, ai e pyeti Edin nëse i del koha të luajë akoma basketboll apo të pikturojë dhe ai iu përgjigj se për basket nuk ka dhe aq shumë kohë, por pikturën e zhvillon gati çdo ditë, në zyrë, sa herë që kërkon zgjidhje të fenomeneve nëpërmjet ngjyrave.
Z.Velaj, vjeshta e këtij viti hyri plot turbulenca politike. Cilat janë mendimet tuaja për to?
Përsa i përket gjendjes politike në Shqipëri më duhet të them se unë nuk ndjehem mirë kur dëgjoj që nga Shqipëria dalin jashtë aq shumë lajme sa ç’nuk dalin dot as nga Kina. Nëse të gjitha ato që shkruhen janë realitet apo fiction këtë nuk jam në gjendje ta them mbasi më mungon dhe burimi i tyre, por përsa i përket atyre që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e qeverisë apo të koalicionit, më duhet të them se jo çdo gjë është në një udhëtim të butë e të qetë dhe këtu më duhet të them që në një koalicion të majtë, siç është ky në Shqipëri nuk duhet të ketë kaq shumë “kokëçarje” sa ka këtu mbasi kemi të bëjmë me marrëdhënie “nënë e bir” siç janë PS-LSI.
LSI ka të drejtën t’i legjitimojë pritshmëritë e saj nga qeverisja për të cilën hyri dhe në koalicion, por ajo që mua më bën të më therin sytë e veshët janë momentet e përfolura në media nëse iku apo u rikthye Ilir Meta.
Koalicioni ka bërë një marrëveshje 4 vjeçare të cilës duhet t’i qëndrojë deri në fund dhe të presë zgjedhjet e 2017-ës për t’u votuar nga populli, apo “sovrani” siç thotë Berisha. Aty e merr verdiktin kjo qeveri. Por, që populli i cili të vetmet burim informimi ka mediat të rrijë me zemër të ngrirë nëse vajti Rama te Meta apo erdhi Meta te Rama, nuk shkon kjo punë duke pritur të shohë tymin e bardhë të dalë nga Kuvendi apo Kryeministria e të dëgjojë herë pas here: “Habemus Meta”. Qeveria ka ndërmarrë disa reforma të cilat kanë pasur kosto si për popullatën, ashtu dhe vetë atë. Nëse do që këto reforma të vazhdojnë, duhet t’i lënë hamendësirat nëse ia vlen apo jo qëndrimi bashkë. Nëse jo, atëherë duhet të shpallin zgjedhjet e parakohshme.
Kërkohen impulse të reja në qeveri. Ndoshta edhe nga elektorati, e keni menduar?
Përsa i përket impulseve të reja në qeveri unë kam qenë prej kohësh që ato duhen të bëhen, mbasi jo të gjithë anëtarët e qeverisë me bindin se janë të duhurit, por Ilir Meta duhet të japë impulse në ato ministri ku ai është përgjegjës si parti dhe jo të kërkojë impulse te ministritë që drejtohen nga Edi Rama. Atë e vendos Edi Rama nëse është i kënaqur apo jo nga ministrat e tij. Jo ngaqë do Meta ndryshime aty ku ai do, duhet dhe të bëhen. Kjo është e njëjtë me atë që kur e pyeten ariun, “O Ari! Do bëhen goricat sivjet? Do bëhen se më hahen mua,- tha Ariu”.
Është sovrani ai që e vlerëson apo ndëshkon këtë qeveri sipas punës së kryer nga secili ministër. Mediat kanë rolin e tyre të jashtëzakonshëm në bërjen të njohur të zhvillimeve të saj dhe informimin e popullatës.
Z.Velaj, në intervistën e shtatorit ju thatë se së shpejti do startonit një iniciativë të re siç ishte ajo “the soul of America” si dhe romani juaj i parë. Ka zhvillime të reja?
Sigurisht që ka zhvillime të reja. Iniciativa do të jetë shtetërore, d.m.th e dalë nga qeveria, nga zyra e kryeministrit mbasi ajo përkon dhe me 25 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe do të hapet me një ekspozitë të madhe në galerinë kombëtare ku gjatë gjithë kohës që do të jetë e hapur do të zhvillohen dhe programe të njohjes ku do të ftohen nxënës e studentë të dialogojnë me krijuesin si dhe personel të ambasadës amerikane në Tiranë.
Gjithashtu do të botohet dhe një katalog voluminoz si akt final i saj dhe kjo ekspozitë do të shëtisë në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe më vonë në Prishtinë, Zagreb, Beograd etj. për t’u transferuar në Istanbul, Cairo etj. e përfunduar në Ëashington DC. Gjithashtu do të zhvillohet dhe një dialogforum ku do të ftohen personalitete të larta nga dy vendet si dhe shqiptarë të famshëm në Amerikë dhe amerikanë të famshëm në Shqipëri.
Përsa i përket romanit tim më duhet të them se ai ka mbaruar prej kohësh, por që unë vendosa ta publikoj në janar. Romani ka filluar të përkthehet në gjermanisht dhe ka interesa të përkthehet dhe në gjuhë të tjera.
Këtu më duhet të them se mbas prezantimit që do i bëhet në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë, brenda vitit tjetër ai do prezantohet dhe ne 4 metropole europiane. / Dita /